“Shqiptarët janë njerëz me bisht!”- Ironia e Ismail Qemalit për studiuesin francez!

Historia

“Shqiptarët janë njerëz me bisht!”- Ironia e Ismail Qemalit për studiuesin francez!

Nga: EVARIST BEQIRI Më: 3 mars 2025 Në ora: 14:46
Ismail Qemali

Ishte viti 1913, kur Vladan Georgeviç (Vladan Ðorðeviæ, 1844-1930), një politikan, diplomat dhe shkrimtar serb, kryeministër i Serbisë (1897-1900), botoi një libër të titulluar “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”.

Libri i shkruar pikërisht në kohën kur Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë, i shkonte përshtat propagandës shoviniste serbe. Autori shkonte deri aty sa t’i paraqiste shqiptarët sikur prejardhjen e tyre e kishin nga njerëz me bisht.

Libri i tij, i shkruar në gjermanisht, u përkthye edhe në frëngjisht nga princi Aleksi Karageorgeviç. Këto teori absurde serbe, që synonin të justifikonin zhvatjen e trojeve shqiptare, gjetën terren në qarqe intelektuale të rreshtuara në krahun sllav. Ata kërkonin që t’i paraqisnin shqiptarët para opinionit publik evropian, si të pacivilizuar dhe të paaftë për të jetuar të pavarur.

Një shkrimtar francez, duke u bazuar në librin e Vladan Georgeviçit, e përsëriti këtë histori të prejardhjes së shqiptarëve nga njerëz me bisht, në librin e tij të botuar në vitin 1914. Në vitet 1915-1918, Ismail Qemali jetonte në Paris. Ai po përgatitej për të mbrojtur të drejtat e popullit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, që do të mbahej pas përfundimit të Luftës I Botërore. Gjatë qëndrimit të tij në Francë, pas largimit nga Italia në prill 1915, Ismail Qemali refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përfshirë territorin shqiptar në luftë. Këtë kërkesë ia paraqiti burrështetasi i shquar francez Aristid Briand, i cili shërbeu 11 herë si kryeministër i Francës.

Në një pritje të organizuar në nder të tij në vitin 1916, francezët i kërkuan ndihmë për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë si bazë logjistike për një aksion të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore. Pas këtij refuzimi, Ismail Qemali u detyrua të largohej nga Franca me familjen e tij.

Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, për shkak të ndikimit të tij të konsiderueshëm në komunitetin shqiptar atje. Prandaj, ai shkoi në Spanjë, ku mund të komunikonte më lehtësisht me shqiptarët e Amerikës përmes ambasadës amerikane në Madrid, të cilët e kishin caktuar si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mbahej në Paris.

Në atë periudhë në Paris, midis bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë shquhet edhe Nikolla Lako, i cili, me porosi të Ismail Qemalit, po përgatiste dy harta shqiptare, një etnografike dhe një politike, për t’i paraqitur në Konferencë si dëshmi për të mbrojtur të drejtat e shkelura të shqiptarëve. Patrioti i njohur, publicisti dhe eruditi korçar Nikolla Lako (1880-1962), i dha shpjegime të shumta shkrimtarit francez.

Ai përgjatë një konference shkencore, jo vetëm iu kundërvu këtyre fantazive qesharake, por edhe nxori në pah vlerat shqiptare, duke theksuar se shqiptarët “janë një popull me tradita të lashta dhe me një kulturë të pasur”. Ishte pikërisht kjo ngjarje që e nxiti Nikolla Lakon që të shkruante një artikull në shtypin shqiptar në gazetën “Tomorri”, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Artikulli na sjell informacione interesante dhe një dëshmi të rrallë të qëndrimit që mbajti Ismail Qemal Vlora, ndaj propagandës serbe se “shqiptarët na paskan pasur bisht”. Kjo dëshmi është e veçantë dhe shërben për të sqaruar edhe një spekullim të përhapur, i cili e ka lidhur këtë histori edhe me personazhe të tjera…

Njëherë në Paris, pas Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali dhe Nikolla Lako ishin ftuar në një darkë. Pjesëmarrës aty ishte edhe Frederik Gibert, autori i librit “Les pays d’Albanie et leur histoire”, botuar në Paris në vitin 1914, i cili mbështeste teorinë e “shqiptarëve me bisht”. Duke pasur parasysh studimin e tij qesharak, Ismail Qemali, të cilit sapo mbërriti aty, iu ofrua një kolltuk për t’u ulur në sallon, thotë jo pa ironi se “në Shqipëri ne i kemi me nga një krrabë kolltukët për ta varur bishtin, ju i paskeni ndryshe…”. Sytë e të gjithë të ftuarve shkuan tek Gibert.

“Mirë shovinizmi serb”, – vijoi Ismail Qemali, – “por që të çoroditen edhe francezët nga këto pallavra, kjo më duket e habitshme”. Darka vijoi me biseda të ndryshme rreth Shqipërisë, dhe një burrë, i dehur pak me shampanjë, i tha Ismail Qemalit për ta ngacmuar: “Me demek ju shqiptarët nuk keni bisht dhe serbë duan t’ju paraqesin me bisht?” Ismail Qemali iu përgjigj: “Jo se nuk kemi bisht fare, e kemi që të gjithë nga një copë bisht, por nuk e kemi atje ku mendojnë serbët, e kemi gjetkë”.

Kjo përgjigje plot humor e Ismail Qemalit shkaktoi shumë të qeshura tek të pranishmit. Burri vazhdoi ta ngacmonte sërish Ismail Qemalin dhe i tha: “Kam dëgjuar se në Vlorë keni mjaltë mjaft të mirë. Kur do na çoni aty që ta provojmë?” (Vlora në atë periudhë ishte e pushtuar nga italianët.) Ismail Qemali u përgjigj aty për aty: “Gostitemi tani për tani me shampanjë, kur të jemi në Vlorë, gostitemi me mjaltë”. (Gjermanët në ato ditë kishin pushtuar krahinën franceze të Shampanjës dhe po i afroheshin Parisit…) Ismail Qemali njihej për natyrën e tij plot humor.

Eqrem Vlora dëshmon për bisedat e gjalla dhe zbavitëse të Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme me krerët e fiseve që vinin për vizitë. Njëherë, në Bolenë, një fshat në luginën e Lumit të Vlorës, dy fise u përplasën dhe u konfrontuan me armë.

Ngjarja ndodhi kur një bari i ri u rrethua nga dhjetë burra të fisit kundërshtar, të cilët synonin t’i grabisnin bagëtinë. Bariu u mbrojt me trimëri të jashtëzakonshme, duke vrarë dy nga sulmuesit, plagosur disa të tjerë dhe duke shpëtuar kështu tufën e tij. Pleqësia e fshatit, e shqetësuar për ruajtjen e qetësisë në ato kohë të vështira, iu drejtua Ismail Qemalit për ndihmë, duke i kërkuar të caktonte gjyqtarë për të pajtuar palët.

Ndërsa Ismail Qemali përmendte emrat e gjyqtarëve të mundshëm, pleqtë e ndërprisnin herë pas here, duke pyetur: “Bej, a ka dëgjuar Evropa për trimërinë e bariut tonë? Çfarë thotë ajo për këtë?” Ismail Qemali, me mençurinë dhe humorin e tij të hollë, përpiqej t’i qetësonte, duke u përgjigjur me buzëqeshje: “Sigurisht që Evropa ka dëgjuar për këtë ngjarje dhe e lavdëron trimërinë e djalit dhe të gjithë lebërve në përgjithësi!”

Megjithatë, përfaqësuesit e fisit kundërshtar u ndien të anashkaluar.  “Jo,” thanë ata, “nuk do të ketë asnjë pajtim derisa edhe ndonjëri prej nesh të bëjë diçka të madhe për të cilën të flasë Evropa!” Humori është tregues i inteligjencës. Dhe mënyra sesi një njeri qesh është një nga treguesit më të mirë të shpirtit të tij. Për sensin e hollë të humorit të Ismail Qemalit, poeti i madh Ali Asllani sjell një tjetër dëshmi autentike të Luigj Gurakuqit, i cili ishte si një djalë i pandarë dhe adhurues i tij: “Në një gosti të dhënë për nder të Ismail Qemalit në Romë, në muhabet e sipër, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio San Xhuliano, i thotë Ismail Qemalit se banka e parë e Shqipërisë, lipset dhe me të drejtë të themelohet nga Italia dhe Austria, për përpjekjet e tyre lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë. Me urtësinë e tij Ismail Qemali mundohej t’ju thoshte as po as jo; dhe mbasi iu desh të shkarkohej njëherë, iu përgjigj duke thënë se një mysliman e kupton që të marrë dy gra, por nuk mundet ta kuptojë që një grua, të marrë dy burra! Kësisoj duke qeshur muhabeti mori një udhë shakaje.”

Ismail Qemal Vlora veç sensit të hollë humori, kishte aftësinë për të thënë shumë duke folur pak.

Humori ishte një element i rëndësishëm i aftësisë që ai kishte për të bindur njerëzit. Ai ishte një burrë i qetë, i cili rrezatonte mirësi te njerëzit e tjerë. Pasja e sensit të humorit është shumë e rëndësishme për një lider. John F. Kennedy thoshte se: “Janë tri gjëra reale: Zoti, çmenduria njerëzore dhe e qeshura. Dy të parat shkojnë përtej të kuptuarit tonë, kështu që ne duhet të bëjmë çka të mundemi me të tretën”.

E qeshura ishte një strehë e rehatshme edhe për Abraham Linkolnin. Ai gjente tek ajo një arratisje të përkohshme nga telashet. E qeshura bën mirë si për shëndetin mendor ashtu edhe për atë fizik. Sidomos aftësia për të qeshur me defektet e tua është e domosdoshme për lidershipin. Lidershipi i Ismail Qemal Vlorës ishte i fortë, por jo i ashpër; ishte i sjellshëm, por jo i dobët; ishte guximtar, por jo i trembur; ishte i matur, por jo i ngathët; ishte i përunjur, por jo i nënshtruar; ishte krenar, por jo arrogant; kishte humor, por jo përçmim…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). Falënderojmë Darling Ismail Vlorën dhe Qamil Ismail Vlorën (stërnipat e Ismail Qemal Vlorës) për vendosjen në dispozicion të materialit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat