Kica: Kurtin e Osmanin nuk i bashkoi ideologjia politike, por parimet dhe çkapja e shtetit

Intervista

Kica: Kurtin e Osmanin nuk i bashkoi ideologjia politike, por parimet dhe çkapja e shtetit

Më: 24 janar 2021 Në ora: 13:25
Doarsa Kica

Luftimi i krimit dhe korrupsionit, përgjegjshmëria e mbajtja e fjalës, po del të jenë të përbashkëtat e Kurtit dhe Osmanit që bëri kandidaten për deputete, Doarsa Kica nga Lista Guxo me Vjosën, t’i hyjë garës zgjedhore. Në një intervistë me Syrin, Kica tregon se kush është ajo për publikun që nuk e njeh mjaftueshëm dhe planet e saj në politikë. Ajo tregon nëse Vjosa Osmani do të bëhet ‘kurban’ në këto zgjedhje apo jo. Gjithashtu për qasjen e iniciativës së tyre për dialogun dhe marrëveshjen e Washingtonit. Këto dhe shumë gjëra të tjera do të keni mundësi t’i lexoni në këtë intervistë me Doarsa Kicën.

Publiku i gjerë ju njeh pak, kush është Doarsa Kica dhe pse po i hyn politikës?

Doarsa Kica është një avokate, grua dhe nënë, që lindi dhe vazhdon të jetojë në Prishtinë.

Studimet universitare i kam kryer në Universitetin e Prishtinës, Juridik, ndërsa master në Loyola University Chicago, me program “Sundimi i Ligjit për Zhvillim”. Kam punuar rreth 3 vite me shoqërinë civile, ndërsa ka rreth 6 vite që merrem me avokati.

Arsyeja e hyrjes në politikë është e pamundur të kufizohet në një arsye, kauzë apo shtytës të vetëm. Është kombinim i shumë elementeve të ndërthurura – qofshin këto reflektim i dështimit të plotë të sundimit të ligjit në njëzetë vitet e fundit, identifikim të barrierave ligjore që lejojnë keqpërdorim të të drejtës në disfavor të qëllimeve të ligjvënësit, apo së fundmi nevojë personale që të kontribuoj sadopak në mirëqenien e një shteti nga i cili nuk dua të largohet vajza ime.

Cila është arsyeja që iu bashkuat Vjosa Osmanit, çka ju bëri të besoni në të?

Znj. Osmani e kupton shumë mirë që përfaqësimi i popullit është detyrë, e jo privilegj. E kupton shumë mirë përgjegjësinë karshi çdo premtimi që i bëhet elektoratit, sidomos kur bëhet fjalë për parimet mbi të cilat ndërtohet një shtet i të drejtës. Konsistenca e saj është e pamundur të injorohet dhe unë jam e pirur të besoj në persona që janë plotësisht të palëkundur pavarësisht presionit dhe sakrificës personale.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë në ideologji relativisht të kundërta politike. Po ju, ku jeni në këtë pikë?

Ne jemi pikërisht në pikën që na ka bërë bashkë, që është domosdoshmëria e luftimit të krimit dhe korrupsionit, zbutjes së papunësisë, luftimit të degradimit të institucioneve shtetërore e shumëçka tjetër që është degraduar në Kosovë. Marrëveshja mbi parimet e nënshkruar në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe znj. Vjosa Osmani sqaron saktësisht çka na ka bërë bashkë.

Derisa të gjitha raportet e BE-së theksojnë mungesën e sundimit të ligjit, te ne merren me krahasimin e ideologjive. Në situatën momentale në Kosovë, diskursi ideologjik është lluks që nuk mund t’ia lejojmë vetes. As korrupsioni, as papunësia, as nepotizmi, as kapja e shtetit, nuk janë të majtë apo djathtë. Për më tepër, unë nuk jam fans i përcaktimeve të ngurta ideologjike kur vendi ynë është plotësisht i varur nga ekonomia e botës perëndimore. Pra, unë nuk jam kandidate për shkak të ideologjisë së asnjërit. Por jam kandidate pikërisht për shkak të 10 parimeve të zotuara nga LVV dhe z. Vjosa Osmani.

Zgjedhjet po afrohen dhe kanë mbetur më pak se një muaj larg ditës kur pritet të merrni ose jo besimin e qytetarëve. Ju po garoni për herë të parë, a e keni një plan ose më saktë një program politik, ku do dilni para qytetarëve për t’i ofruar atyre zgjidhje në problemet që ata kanë?

Plan programi ynë, i detajuar në sasinë që ka lejuar periudha e kufizuar kohore, del në ditët në vijim, por që sikurse theksova më parë, bazohet plotësisht në 10 parimet e zotuara.

Ju si iniciativë keni kandiduar Vjosa Osmanin për Presidente. Nëse pas zgjedhjeve bashkë me VV-në e keni të pamundur t’i bëni numrat për President por edhe për Qeveri, në këtë mënyrë do të detyroheni të hyni në një koalicion me ndonjë parti. A do të pranoni që Osmani të bëhet “kurban” dhe të tërhiqet nga kandidatura për Presidente?

Ne nuk kemi kandidat tjetër për President. Sikurse për formimin e Qeverisë, ne besojmë fuqishëm që me përkrahjen e qytetarëve ti arrijmë numrat edhe për zgjedhjen e z. Osmani Presidente.

Marrëveshja që u nënshkrua, është marrëveshje mbi parimet e listës së përbashkët LV dhe Vjosa Osmani. As në një rast të tillë hipotetik, ne nuk bëjmë asnjërin kurban të asgjëje, sepse konsistenca e bashkëpunimit tonë ka treguar që çdo vendim merret në sinkron të plotë ne mes të personave të përfshire.

Të flasim pak për dialogun. Si iniciativë, ç’farë qasje do të keni për marrëveshjen e Uashingtonit dhe a do të kërkoni të keni përfaqësuesin tuaj në tryezën e bisedimeve, gjithmonë duke supozuar që lista juaj zgjedhore (VV) është pjesë e Qeverisë së re?

Sikurse ka sqaruar edhe z. Osmani, procesi i dialogut duhet të bazohet në përfaqësim të unifikuar dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje, dhe transparencë të plotë. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dialogun e udhëheq kryeministri në konsultim me Presidentin, me ç’rast konsideroj se është i qartë qëndrimi ynë lidhur me përfaqësuesin në dialog.

Në fund, cilat janë tri pikat kyçe që i keni në prioritet po sa të vini në pushtet si iniciativë?

Si iniciativë, së bashku me LVV tashmë kemi përcaktuar 10 prioritetet në Marrëveshjen e Parimeve. Personalisht, fokus do ta kem sundimin e ligjit, me fokus të veçante ne luftimin e korrupsionit, si dhe zbutjen e papunësisë dhe pabarazisë gjinore.

Kur flasim për këto tematika jemi plotësisht të vetëdijshëm që nuk po prekim asgjë të re. Këto probleme nuk janë nga dje, dhe detyrimisht populli lodhet duke dëgjuar që edhe prurjet e reja adresojnë tema të vjetra. Mirëpo, nga ajo që kam parë këto ditë në takimet e shumta me qytetarë, kam vërejtur sidomos që shqetësim bazik vazhdon të jetë ikja e rinisë. Dhe kjo është e dhimbshme. Por duhet të kuptojmë që papunësia nuk është problem i ndarë nga të tjerat. Korrupsioni të fut në një cikël vicioz si në arsim, si në shëndetësi, si në organet ekzekutive. Nepotizmi i pamundëson rinisë së aftësuar ta ketë platformën e duhur. Ne nuk na mungojnë njerëzit dhe rinia jonë është e jashtëzakonshme, sepse ata po shkëlqejnë në secilin shtet tjetër. I mungon vetëm platforma e duhur.

Rrjedhimisht, as ne nuk mund ta trajtojmë një problem si të vetëm, dhe kjo kërkon kohë dhe përkushtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat