Në mars të vitit të kaluar në Kosovë u paraqit rasti i parë me Covid dhe pandemia e koronavirusit po vazhdon ende. Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, në Komunën e Obiliqit janë paraqitur 994 raste, prej tyre 31 të vdekur, 891 të shëruar, ndërsa aktualisht janë 72 raste aktive në këtë komunë.
Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në komunën e Obiliqit, Vlora Kabashi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.
Ajo ka treguar se gjatë kohës pandemike po ashtu janë formuar edhe ekipet për monitorimin e situatës në terren, të cilët ofrojnë shërbime shëndetësore gjatë 24 orëve në të gjithë komunën e Obiliqit.
Disa nga masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit, Kabashi ka përmendur formimin e shtabit emergjent për një situatë nën kontroll, ndihmë për familjet në nevojë, lirim nga taksa 270 biznese, madje edhe çdo qytetari të prekur nga Covid-19 subvencionim me 100 euro.
Gjithashtu, ajo ka treguar se nga Rimëkëmbja ekonomike, komuna e Obiliqit ka përfituar mjete prej 290,530.18€, të cilat janë ndarë në sektorët e prekur nga pandemia.
“Bota sot”: Aktualisht si është gjendja me Covid në komunën e Obiliqit?
Vlora Kabashi: Komuna dhe QKMF-ja duke qenë vija e parë e ofrimit të shërbimeve, duke pasur parasysh kapacitetin dhe buxhetin komunal, përballjen me sfida të shumta kemi arritur të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme situatën e krijuar me Pandeminë COVID-19.
“Bota sot”: Sa është numri i personave të infektuar me Covid aktualisht në Obiliq?
Vlora Kabashi: Në Komunën e Obiliqit gjatë dhjetëditëshit të fundit kemi një ngritje të numrit të të infektuarve me virusin Covid 19. Aktualisht në komunën tonë kemi 72 raste aktive.
“Bota sot”: Që nga fillimi i pandemisë e deri tani, sa ka qenë numri i të prekurve nga Covid-19 në Komunën e Obiliqit?
Vlora Kabashi: Prej fillimit të pandemisë COVID-19 e deri më sot në komunën e Obiliqit janë konfirmuar gjithsej 994 raste pozitive, rasti i parë u paraqit më 16.03.2020.
“Bota sot”: A ju është ofruar ndihmë në shtëpi të infektuarve me Covid, nëse ka qenë e nevojshme?
Vlora Kabashi: Me shpalljen e gjendjes pandemike edhe në vendin tonë formuam ekipet për monitorimin e situatës në terren, janë caktuar katër ekipe monitoruese. Ekipet mobile ofrojnë shërbime shëndetësore përgjatë 24orëve të të gjithë banorët e komunës së Obiliqit. Këto ekipe mobile bëjnë edhe shpërndarjen e insulinës në shtëpitë e insulinvartësve. Pavarësisht masave të marra, izolimi social është shumë i rëndësishëm në frenimin e përhapjes së infeksionit. Mënyra për të ndihmuar personelin shëndetësorë dhe qytetarët për të përballur këtë situatë u koordinuan biseda telefonike pa pagesë dhe thirrjet online, përmes Viberit.
“Bota sot”: Sa nga të prekurit kanë arritur të shërohen dhe sa nga ta e kanë humbur betejën me Covid?
Vlora Kabashi: Të shëruar nga infeksioni me virusin Corona i kemi 891persona. Në këto ditë të vështira për gjithësecilin nga ne, në këtë luftë me virusin COVID 19 fatkeqësisht që nga fillimi i Pandemisë e deri më sot i kemi 31 të vdekur.
“Bota sot:” Sa mjekë dhe infermierë janë infektuar me Covid në komunën e Obiliqit?
Vlora Kabashi: Numri i personelit shëndetësor të infektuar me COVID 19 në QKMF-Obiliq ka arritur shifrën prej 30 personave.
“Bota sot”: A është i mjaftueshëm numri i mjekëve në Obiliq në luftën kundër Covid?
Vlora Kabashi: Gjatë vitit 2020, u bë organizim i brendshëm i përshtatur me situatën epidemiologjike, për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF, QMF dhe AMF), ka vazhduar puna pa ndërprerje. Ky organizim i punës është bërë për të përballuar nevojat dhe kërkesat për zbatimin e masave, rekomandimeve dhe obligimeve tona për parandalimin dhe frenimin e pandemisë COVID-19, përkundër mungesës së numrit të mjaftueshëm të personelit.
“Bota sot”: A ka pasur raste që kanë ardhur pacientë nga ndonjë komunë tjetër në komunën tuaj? A i keni ofruar shërbimet e nevojshme?
Vlora Kabashi: Kemi raste ku pacientët nga komunat tjera kërkojnë shërbime shëndetësore, po ashtu ka raste ku në listat e të rezultuarve pozitiv ka të infektuar nga komunat e tjera. Pavarësisht nga cila komunë janë, të gjithëve ju ofrohen shërbimet cilësore shëndetësore.
“Bota sot”: Cilat janë masat që ka ndërmarrë komuna për parandalimin e përhapjes së virusit?
Vlora Kabashi: 1.Formuam shtabin emergjent lokal, përmes të cilit koordinuam të gjitha veprimet për një situatë nën kontroll,
2.Objektin ndihmës të QKMF-së , e shndërruam në ambulantë anticovid-19, e cila përbën një staf të mrekullueshëm dhe 12 shtretër vetëm për trajtimin e kësaj pandemie,
3.Përmes vendimit të kuvendit, shpërndamë 1800 pako ushqimore për familjet në nevojë, ku fal donatorëve të shumtë dhe diasporës shqiptare, numri i pakove ushqimore arriti mbi 6000. Gjithashtu, bëmë dezinfektimin e të gjitha objekteve në këtë situatë të rëndë, objektet të cilat ishin në shërbim dhe të gjitha hyrjet/daljet e pallateve të cilat janë në komunën tonë.
4.Kjo situatë, shkaktojë edhe mbylljen e veprimtarive të bizneseve, kësisoj liruam nga taksa komunale 270 biznese, më propozimin e ekzekutivit dhe me mbështetje të plotë nga Kuvendi Komunal.
5.Përmes një grant-skeme, në vlerë prej 50 mijë euro, kemi subvencionuar “Nënat vetushqyese dhe gratë në biznese”.
6.Kemi filluar subvencionimin e qytetarëve të prekur me Covid-19, ku për çdo qytetarë të rezultuar pozitiv do të subvencionohen me 100€, ndërsa qytetarët që fatkeqësisht kanë humbur betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 300€.
“Bota sot”: Si komunë e Obiliqit, sa keni mundur t’ia dilni gjatë pandemisë dhe a keni pasur ndihmesë nga qeveria?
Vlora Kabashi: Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e programit të Rimëkëmbjes ekonomike, komuna e Obiliqit ka përfituar mjete prej 290,530.18€ , të cilat i kemi ndarë nëpër sektorët më të prekur nga pandemia Covid-19; siç është sektori i shëndetësisë me vlerë 90,000.00€ , sektori bujqësisë me vlerë 70,000.00€ dhe 130,000.00€ kemi ndarë për bizneset dhe gastronomitë që të vazhdojnë punën pas dëmeve të shkaktuara nga kjo pandemi. Duke pasur parasysh faktin se kjo pandemi ka shkaktuar dëme në të gjitha sferat, urojmë që Qeveria të vazhdojë të ofrojë gatishmëri në përkrahjen e kërkesave të institucioneve të nivelit lokal, të cilat janë konfrom kërkesave të qytetarëve, në mënyrë që të kemi një rimëkëmbje më të fuqishme ekonomike dhe sociale.
“Bota sot”: Sa ju keni dalë në ndihmë familjeve në nevojë? Ndihmat e ofruara a janë donacione nga jashtë apo të gjitha nga komuna?
Vlora Kabashi: Me qëllim të menaxhimit të situatës dhe parandalimit të rrezikut të mundshëm nga Corona Virusi, në Komunën e Obiliqit formohen ekipe monitoruese përgjatë 24 orëve, të udhëhequr nga kryetari i Komunës, njëherësh Shef i Shtabit Komunal Emergjent për koordinimin e aktiviteteve për parandalimin e COVID-19 në Komunën e Obiliqit. Të gjitha familjet e vet-izoluara dhe familjet në nevojë janë kontaktuar nga këto ekipe, janë rekomanduar për masat e vet-izolimit si dhe janë ndihmuar me pako ushqimore, higjenike, maska dhe dezinfektues. U shpërndan mbi 6,000.00 pako ushqimore dhe higjenike për familjet në nevojë ku që ne fillim të Pandemisë, Kryetari i Komunës, përmes Kuvendit Komunal ndan mjete buxhetore për sigurimin e 1200 pakove ushqimore dhe higjenike për familjet në nevojë, mjete për dezinfektimin e objekteve në mënyrë të vazhdueshme si dhe sigurimin e mjeteve mbrojtëse për ekipet shëndetësore në Komunën e Obiliqit. Me aprovimin e pjesëtarëve të Shtabit Emergjent Komunal si dhe me aprovimin e Asambleistëve Komunal u ndanë mjete në vlerë prej 100,000.00€. Furnizimi me pako ushqimore dhe higjenike realizohet në vazhdimësi nga mjetet e komunës, bizneset dhe donatorë të shumtë vendor dhe nga diaspora, organizatave joqeveritare.