Kosova tashmë pothuajse ka bërë 1 vit që nga paraqitja e rastit të parë me Covid, derisa në botë përhapja e virusit kishte filluar shumë më herët.
Gjatë pandemisë në Kosovë u ndërruan qeveritë, pati izolim e lirim të masave, derisa kishte ulje e ngritje të rasteve, ku deri tani kanë humbur jetën 1668 persona.
Për pandeminë deri tani, përhapjen e virusit, menaxhimin e masat e ndërmarra, për gazetën “Bota sot” në një intervistë ekskluzive ka folur ish-ministri i shëndetësisë dhe infektologu Ilir Tolaj.
Tolaj ka thënë se jemi në një valë të re të pandemisë që mund të cilësohet më e lehtë dhe kjo shihet edhe prej numrit stabil të rasteve.
Ai ka thënë se Qeveria Hoti ka dështuar me pandeminë dhe ajo, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK, janë tre fajtorët për mos sigurimin e vaksinës, duke e lënë Kosovën si pikë të zezë në tërë rajonin.
Infektologu shton që lehtësia e përballjes me pandeminë nuk është meritë e autoriteteve politike e shëndetësore, por rezultat i strukturës së popullatës së Kosovës.
Ndërsa në lidhje me izolimin e vendit, Tolaj thotë se nuk mund të ketë një tjetër mbyllje, derisa periudha pas lehtësimit të masave nuk ka rezultuar me rritje të numrit të rasteve të reja Covid-19.
Pa përmendur nuk mbeti as fushata parazgjedhore në kohë pandemie, e që sipas infektologut gjithë ky aktivitet politik e ka treguar në mënyrën më të vrazhdë fytyrën e vërtetë të politikës.
Ndërsa për atë se kur mund të parashihet përfundimi i kësaj pandemie, Tolaj u mendon se mund të pritet në fillim të gjysmës së dytë të vitit, e një normalizim i gjendjes në përgjithësi, ndoshta deri në fund të vitit.
Intervista e plotë
“Bota sot”: Si e komentoni situatën pandemike në Kosovë?
Ilir Tolaj: Ne aktualisht jemi në një valë të re të pandemisë Covid 19, por që për dallim nga valët tjera gjatë pandemisë, kjo duket të jetë më e lehtë. Numri i rasteve të reja po qëndron për disa ditë relativisht stabil, diku nga 500 deri në 600 raste të reja, që i mundëson sistemit shëndetësor që pa ndonjë sforcim të tepruar të kujdeset dhe t’i mjekojë rastet që kanë nevojë për hospitalizim. Kjo valë e re e pandemisë është rezultat i drejtpërdrejt i fushatës parazgjedhore, gjegjësisht atyre tubimeve të shumta që u organizuan dhe të cilat nuk respektuan asnjë masë për parandalimin e masave anti-Covid.
“Bota sot”: Si është menaxhuar gjendja me pandeminë në Kosovë?
Ilir Tolaj: Kosova ka kaluar relativisht lehtë në këtë pandemi. Ne nuk kemi një numër të papërballuar të rasteve që kanë pasur nevojë për hospitalizim dhe gjithashtu edhe numri i rasteve që kanë përfunduar me vdekje është relativisht i kufizuar. Numri i rasteve të regjistruara me Covid 19 nuk është numri i rasteve që më të vërtetë e kanë kaluar infeksionin, sepse shumica e atyre që janë infektuar e kanë kaluar ose pa simptome ose me pak simptome dhe nuk janë testuar fare.
Lehtësia e përballjes me pandeminë nuk është meritë e autoriteteve politike e shëndetësore, por rezultat i strukturës së popullatës së Kosovës, e cila është shumë e re, ndërsa përqindja e personave të shtyrë në moshë është shumë e ultë. Autoritetet politike dhe shëndetësore të Kosovës kanë qenë të ngathëta dhe janë kufizuar më shumë në deklaratat publike me pak aksione përcjellëse në teren. Madje, të njëjtit ishin edhe shkelësit e vazhdueshëm të masave të rekomanduara e të imponuara, duke kulmuar me veprimet para zgjedhjeve te 14 shkurtit.
“Bota sot”: A është menaxhuar si duhet situata me COVID-19 nga Qeveria Hoti?
Ilir Tolaj: Një pjesë të përgjegjës e dhashë më parë. Kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë të veçantë lidhur me pandeminë, ndërsa ka dështuar aty ku ka mundur ta tregojë veten, në sigurimin e vaksinave. Si rezultat i qasjes joprofesionale dhe do të thosha të pasinqertë, autoritetet shëndetësore të kësaj qeverie janë kënaqur vetëm më aspektin e prezantimit të vetvetes në publik, e jo me veprimet konkrete që kanë mundur të kenë ndikim në ecurinë e pandemisë. Ndërsa, duhet pranuar, Qeveria Hoti ka dështuar plotësisht lidhur me vaksinat, duke e lënë Kosovën si pikë të zezë në tërë rajonin.
“Bota sot”: Edhe Kosova u izolua vitin e kaluar për shkak të Covid, sikur e gjithë bota. A ishte i duhur më pas lehtësimi i masave, që natyrisht ndikoi në rritjen e numrit të të infektuarve?
Ilir Tolaj: Unë, edhe atëherë e kam kundërshtuar një qasje të tillë. Një paraqitje publike në atë kohë, më titullin “Një qasje ndryshe për pandeminë” pati bërë bujë, kishte shumë përkrahje dhe disa kundërshtime, fatkeqësisht të atyre që është dashur ta kuptojnë ecurinë e çdo pandemie, e edhe të kësaj Covid 19. Struktura demografike e popullatës së Kosovës ka lejuar që të kemi një qasje unike për pandeminë, duke i forcuar vetëm ato masa të cilat u vërtetuan si ishin të mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së pakontrolluar të virusit shkaktar të Covid 19; bartja e maskave, distancimi social dhe higjiena e duarve.
Kur masat janë jashtë mase kufizuese, ato bëjnë efekt të kundërt në popullatë. Në vendet e vogla si Kosova, gjithashtu shpejt merret vesh çdo gjë, p.sh si politikanët nuk po i respektojnë masat, duke qëndruar në kafe e restorante që edhe gjatë kohës së kufizimeve punonin në mënyrë të gjysmë të fshehtë.
Sa i përket lehtësimit të masave, ajo masë ka qenë e arsyeshme. Periudha pas lehtësimit të masave nuk ka rezultuar me rritje të numrit të rasteve të reja Covid-19. Gjithashtu, edhe festat e fundvitit, ku në `Kosovë erdhën shumë bashkatdhetarë, nuk rezultoi me rritjen e numrit te rasteve te reja Covid-19. Këtë ecuri të volitshme të pandemisë, e cila shkonte drejtë arritjes së imunitetit kolektiv për popullatës tonë në mënyrë të qetë, pa pasoja të mëdha, e prishi fushatat parazgjedhore.
“Bota sot”: Së fundmi pati fushatë zgjedhore me tubime nga partitë politike, pavarësisht pandemisë. Si e vlerësoni këtë, duke pasur parasysh gjendjen?
Ilir Tolaj: E thash, kjo fushatë ka qenë shkelja më brutale e masave anti-Covid që nga fillimi i pandemisë. Gjithë ky aktivitet politik e ka treguar në mënyrën më të vrazhdë fytyrën e vërtetë të politikës. Kur është fjala për pushtet, politikanët nuk lodhen as për shëndetin publik e as për shëndetin e asnjë individi. Dhe këtu nuk ka dallim, a është fjala për ministër të shëndetësisë apo ndonjë kryetar të ndonjë partie në pushtet apo në opozitë.
“Bota sot”: Pas fushatës u rrit numri i rasteve me Covid. Pse tani politikanët duhet të deklarojnë se mund të ketë shtrëngim të masave?
Ilir Tolaj: Pyetje me vend. Por nuk është hera e parë që politikanët shkaktojnë dëme të pariparueshme më veprimet e tyre dhe pastaj përpjekjen për të korrigjuar diçka e paraqesin si punë të tyre vetëmohuese. Por që të gjithë tashmë e kanë të qartë, politika dhe politikanët kanë dështuar në atë që e kanë obligim, t’i mbrojnë qytetarët nga pasojat e pandemisë
“Bota sot”: Thuajse 1 vit pas paraqitjes së virusit korona në Kosovë, sipas jush a mund te diskutohet për një tjetër izolim apo masa të ashpra?
Ilir Tolaj: Jo. S’ka vend as për izolim e as për çfarëdo mase më të ashpër kufizuese. Trendi i rasteve të reja në Kosovë është relativisht stabil që nuk arsyeton masat më restriktive. Besoj se në Kosovë tashmë e kanë kaluar infeksionin mbi 600 000 persona, ne jemi shumë afër krijimit të imunitetit kolektiv që do ta ndërpriste përhapjen e pakontrolluar të infeksionit. Besoj se mu ky nivel i caktuar i imunitetit kolektiv që është krijuar si pasojë e gjithë këtij numri njerëzish që e kanë kaluar infeksionin, na ka ndihmuar që tash, pas kësaj fushate parazgjedhore mos të kemi rritje enorme të rasteve te reja me Covid 19.
“Bota sot”: Vaksina për qytetarët e Kosovës është premtuar por ende nuk ka marrëveshje për ta sjellë atë në Kosovë. Kush mendoni se është fajtor për këtë? Pse kemi ngelur pas, krahasuar me vendet e rajonit?
Ilir Tolaj: Fajtorë janë ata që e kanë pasur për detyrë ta bëjnë këtë. Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK. Nuk ka fajtor tjetër. Këta kanë dështuar dhe duhet ta pranojnë një gjë të tillë. Me gjasë autoriteti i njerëzve përfaqësues të këtyre institucioneve dhe angazhimi i tyre i mirëfilltë nuk ka qenë i atillë për të rezultuar me një sukses – sigurimin e vaksinës.
MSh është dashur që ta bëjë prioritet sigurimin e vaksinës. Është dashur t’i kontaktojë prodhuesit e vaksinave të reja, të cilët ende nuk i kanë pasur vaksinat e licencuara, për të bërë parakontrata me ata, si p.sh Johnson and Johnson. Por si duket as nuk kanë ditur e as nuk kanë pyetur.
“Bota sot”: Nëse arrin së shpejti vaksina, siç edhe deklarohen nga qeveria e ministria e shëndetësisë, kush duhet të vaksinohet fillimisht?
Ilir Tolaj: Tashmë MSh ka vendosur që do të vaksinohen punëtorët shëndetësor dhe të moshuarit. Dhe kjo s’ka rëndësi shumë, sa është me rëndësi që të sigurohen sasi të mjaftueshme të vaksinave që për një periudhe të shkurtër, p.sh. deri në qershor, të vaksinohen rreth 300000 persona. Vetëm kështu mund të ndikojmë në mënyrë prekëse në ecurinë e pandemisë. Nëse sasia e vaksinave mbetet në nivelin e disa dhjetëra mijërave, atëherë kjo pos benefiti që do ta bëjë për ata që vaksinohen, pak do të ketë efekt në pandeminë në përgjithësi.
“Bota sot”: Kur sipas jush, pritet të përfundojë ky virus që ka kapluar botën?
Ilir Tolaj: Pyetje e vështirë për tu përgjigjur. Por duke u mbështetur në gjithë ecurinë e pandemisë, zbulimit të vaksinave, vaksinimit masiv në vendet e zhvilluara perëndimore, por edhe në Rusi e Kinë, pavarësisht këtyre varianteve të reja të virusit, një lehtësim i situatës mund të pritet në fillim të gjysmës së dytë të vitit, e një normalizim i gjendjes në përgjithësi, ndoshta deri në fund të vitit.