Kërkohet plan urgjent për diasporën, vjen paralajmërimi për ekonominë e vendit

Intervista

Kërkohet plan urgjent për diasporën, vjen paralajmërimi për ekonominë e vendit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 maj 2021 Në ora: 17:06
Ferat Shala

Situata në vend vazhdon të jetë e rëndë për shkak të situatës pandemike.

Duke filluar nga ekonomia e vendit e cila është mjaft e rënduar e deri tek ajo politike e sociale.

Mirëpo, pavarësisht çdo gjëje, ajo që më së shumti ka prekur vendin tonë është dobësimi i ekonomisë së vendit, pasi që mbyllja e bizneseve arriti që të bllokojë të hyrat e vendit e kështu vështirësoi edhe bizneset private.

Në lidhje me situatën aktuale në vend në veçanti ekonominë e vendit, në një intervistë ekskluzive ka folur kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Deputeti nga PDK-ja thotë se situata politike në vend është e brishtë dhe e rënduar në të gjithë dimensionet e saj, ndërsa për situatën ekonomike shprehet se si Komision janë duke përgatitur një plan kur do të inkorporojë të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e odave ekonomike, shoqërive civile, grupeve të interesit, si dhe pjesën e propozuar nga Qeveria në kuadër të planit legjislativ.

Shala më tej ka folur edhe për situatën e rëndë e cila ka prekur gastronominë jashtëzakonisht shumë e që thotë se Ministria përkatëse është e heshtur në këtë aspekt dhe se nuk po bën asgjë në drejtim të kësaj.

Nga ana tjetër, deputeti ka folur edhe për bizneset e prekura nga pandemia, ku thotë se mos zbatimi i rimëkëmbjes ekonomike ka sjellë në këtë pikë bizneset dhe se e vetmja zgjidhje për tu këndellur është vaksinimi i qytetarëve në mënyrë masive.

Ndërsa për ardhjen e diasporës në vend, Shala e sheh të domosdoshme dhe për këtë thotë se duhet të një plan urgjent që të hapen të gjitha bizneset, në mënyrë që diaspora kështu ta ndihmojë vendin.

Ndër të tjera, kryetari i komisionit të ekonomisë kritikon planin strategjik që Kurti ka pasur, duke ia cekur dy pika që nuk ka arritur t’i menaxhojë ashtu siç duhet.

Gjithashtu, në lidhje me lirimin e masave në vend Shala thotë se jemi vonuar shumë tashmë dhe se mossigurimi i vaksinimit ka bërë që të mos kemi normalizim të ekonomisë së vendit.

Deputeti premton që do të ofrojë angazhim si deputet i Kuvendit dhe se do të jetë zë i kujdesshëm dhe aktiv për qytetarët që ia besuan votën.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Ferat Shala: Situata politike në vend është e brishtë, dhe e rënduar në gjithë dimensionin e saj; në aspektin ekonomik, social, të sigurisë dhe atë shëndetësor (Pandemia Covid-19).

“Bota sot”: Zgjedhja juaj si deputet, çka do të ju ofrojë qytetarëve?

Ferat Shala: Zgjedhja ime, qytetarëve ju ofron një angazhim të një deputeti i cili i ka parimet bazë njerëzore, intelektuale dhe kombëtare, në shërbim të forcimit dhe fuqizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e kanë një zë të kujdesshëm dhe aktiv, veçanërisht për temat ekonomike dhe arsimore, tema të cilat i kam edhe obligim, edhe profesion, dhe kam përvojë.

“Bota sot”: Ju e udhëhiqni Komisionin Parlamentar në fushën e ekonomisë së vendit, si e keni gjetur atë, sidomos në këtë kohë pandemie?

Ferat Shala: Ne jemi në fazën fillestare të punës dhe përgjegjësive që kemi në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Është njëri prej komisioneve funksionale i rëndësisë së veçantë, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik. Prandaj jemi në përgatitje të hartimit të planit të punës së komisionit, në të cilin plan po mundohem të inkorporoj të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e odave ekonomike, shoqërive civile, grupeve të interesit, si dhe pjesën e propozuar nga Qeveria në kuadër të planit legjislativ.

Aktualisht nga ky plan do të rrjedh më shumë se gjysma e punës dhe aktivitetit tim, në ndihmë të konsolidimit të legjislacionit ekonomik, në ndihmë të sektorëve që mbulojmë, të ndërmarrësve, bizneseve që aktualisht janë në një situatë të rënduar ekonomike, me theks të veçantë për shkak të pandemisë, dhe mbylljeve e kufizimeve krejtësisht pa analizë ekonomike dhe sociale.

Mendoj që jo vetëm komisioni, por i gjithë vendi është në një fazë kritike.

“Bota sot”: Z.Shala, nga pandemia më shumë të dëmtuar kanë mbetur bizneset, cili është plani i juaj për to?

Ferat Shala: E thamë edhe në pyetjen paraprake që faktori kryesor i situatës së rënduar për bizneset e të gjitha natyrave është pandemia, dhe këtë situatë e rëndon edhe më shumë pa aftësia e neglizhenca e institucioneve qeveritare, për të qenë me kohë në mbështetje të këtyre ndërmarrjeve biznesore, dhe bizneseve në përgjithësi. Mos zbatimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike, vonesat dhe neglizhenca në shpërndarjen e mjeteve që burojnë nga ky ligj, kanë bërë që ekonomia dhe bizneset e vendit, pothuajse të jenë të vetmuara në situatë pandemie. Për më keq institucionet shtetërore qeveritare, duke u marr me probleme politike të kaluarës, kanë stopuar e stagnuar shumë projekte kapitale që do të duhej të ishin vazhdimësi e zhvillimit të tyre. Kjo reflekton ndërprerje dhe pakësim të parasë në tregun biznesor të vendit.

“Bota sot”: A mendoni që masat anti-covid po e dëmtojnë gastronominë?

Ferat Shala: Është shumë e vërtetë që masat anti-covid po e dëmtojnë shumë gastronominë. Ky sektor është dëmtuar shumë edhe për shkak të kufizimeve pa analizë që po ndërmerr Qeveria. Ne ende nuk kemi një qartësi deri kur do të ndodhë kjo situatë. Ministria përkatëse, pothuajse e heshtur, pa asnjë aktivitet dhe kreativitet, është mbyllur në zyre, dhe po studion dhe analizon projektet e Qeverive të kaluara.

“Bota sot”: Gjithashtu vaksinimi i qytetarëve të vendit këto ditë ka krijuar një tollovi të madhe, a duhet qeveria të ketë një plan edhe sa i përket kësaj?

Ferat Shala: Si asnjë shtet në rajon, ne nuk kemi asnjë lloj sqarimi zyrtar se çka po ndodhë me procesin e sigurimit të vaksinave. Si rezultat i saj, jemi dëshmitar që edhe kapacitetet e brendshme nuk janë duke u menaxhuar si duhet dhe sa duhet, duke krijuar paqartësi e grumbullim të njerëzve të moshuar nëpër qendrat e vaksinimit, ku ekziston rreziku potencial i infektimit dhe përhapjes së covid-19.

“Bota sot”: Sa ka arritur qeveria Kurti të menaxhojë situatën pandemike në vend, duke përfshirë këtu edhe sigurimin e vaksinave?

Ferat Shala: Qeveria Kurti për dy gjëra është e para në Rajon dhe Evropë:

Është i vetmi shtet që nuk ka kontraktuar fare vaksina, dhe

Është i vetmi shtet që refuzon edhe ndihmën e vaksinave nga Shqipëria amë.

E nëse e lexoni me vëmendje programin e Qeverisë, në një paragraf në pjesën e parë të tekstit për ringjalljen ekonomike të programit thuhet: “dalja nga pandemia shihet si mundësi e re për rimëkëmbje ekonomike”, Nëse është kështu, kur do të sigurohen vaksinat për të filluar rimëkëmbja ekonomike!?

Pra nga kjo del qartë se aktiviteti i parë ekonomik i Qeverisë duhet të jetë kontrata për blerjen e vaksinave.

“Bota sot”: A mendoni se do të preket ekonomia e vendit nga masat që janë për diasporën?

Ferat Shala: Parimisht diaspora në programin e Qeverisë, pothuajse është harruar fare. Situata e tyre do të rëndohet më shumë, për shkak se Qeveria do të duhej të kishte një plan urgjent afat shkurtër për diasporën, dhe ardhjen e tyre në kushte të pandemisë, dhe i cili do të fillonte të zbatohej nga data 1 Qershor. Ky planë do të duhej të përfshinte masat dhe veprimet; që nga ardhja e tyre në pikat kufitare, aeroporte, e deri tek çdo aktivitet tjetër familjar e organizativ, që diaspora i do dhe i ka të domosdoshme gjatë qëndrimit në Kosovë, e me theks të veçantë në muajt e pushimit.

Ky plan patjetër do të duhej të ishte i detajuar dhe në koordinim edhe me sektorët e tjera, si Hoteleria, Gastronomia, Turizmi, e që do të krijonte kushte që tubimet dhe ahengjet familjare të lejohen. Në të kundërtën do të jemi dëshmitar që mërgata jonë do të obligohet që dasmat dhe ahengjet familjare t’i organizojë në Shqipëri, Mal të Zi, e në shtetet tjera të Rajonit.

“Bota sot”: Kur mendoni që duhet të lehtësohen masat anti-covid në mënyrë që ekonomia e vendit të ketë rritje të të hyrave?

Ferat Shala: Fatkeqësisht jemi vonuar shumë tashmë, e saktësisht për mos sigurimin e vaksinave që do të ishte parakushti i parë për fillimin dhe normalizim e ekonomisë dhe jetës në përgjithësi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat