Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, i kanë gjasat minimale për t’u liruar me kusht në këtë fazë të procedurës. Kështu ka deklaruar avokati Gazmend Halilaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.
Duke folur për mundësinë që Policia e Kosovës të garantojë lirimin e tyre me kusht, Halilaj ka thënë se pavarësisht të arriturave të PK-së, ajo nuk do të mund t’i rezistojë ndikimit të tyre apo klaneve që udhëhiqen nga ta.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, i kanë gjasat minimale për t’u liruar me kusht në këtë fazë të procedurës. Kështu ka deklaruar avokati Gazmend Halilaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.
Duke folur për mundësinë që Policia e Kosovës të garantojë lirimin e tyre me kusht, Halilaj ka thënë se pavarësisht të arriturave të PK-së, ajo nuk do të mund t’i rezistojë ndikimit të tyre apo klaneve që udhëhiqen nga ta.
Sipas avokatit, të akuzuarit nga kjo Gjykatë, kanë pasuri multi-milionëshe dhe shpenzimet për avokatët duhet t’i mbulojnë vet, e jo shteti i Kosovës.
Halilaj, në këtë intervistë ka folur edhe për kërcënimin e fundit ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se kjo çështje duhet të merret seriozisht dhe se duhet vepruar me urgjencë.
Avokati ka treguar edhe për procesin gjyqësor për atentatin ndaj tij në prill të këtij viti, ku akuzohen Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Z. Halilaj, keni kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, që të rishikojë vendimin që shteti t’ua paguajë avokatët të akuzuarve të Hagës. A keni marrë ndonjë përgjigje?
Gazmend Halilaj: Sipas ligjeve në fuqi, ndihma juridike falas iu ofrohet vetëm atyre që janë të varfër, të cilët nuk mund t’ia dalin me pagesën e avokatëve. Domethënë, nëse i paguajnë vetë avokatët, në mënyrë serioze iu cenohet mundësia e jetesës për vete dhe familjet e tyre.
Në rastin konkret, avokatët duhet t’i paguajë Gjykata Speciale. Mirëpo, të akuzuarit në këtë Gjykatë, njihet se zotërojnë pasuri multi-milionëshe. Të njëjtët kanë angazhuar disa nga avokatët më të shtrenjtë në botë. Shtrohet pyetja, me çfarë logjike buxheti jonë i varfër duhet të paguajë për ta?!
Deri tani, nuk kam pranuar ndonjë përgjigje nga Ministrja e Drejtësisë, por sido që të jetë, ne mbesim këmbëngulës që asnjë cent nga buxheti jonë nuk duhet shpenzuar në këtë aspekt.
“Bota sot”: Gjykata Speciale ka kërkuar garancion nga Policia e Kosovës, për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së. A mund të marrë përsipër Policia e Kosovës këtë proces?
Gazmend Halilaj: Lidhur me garancionin që Policia jonë të jetë e gatshme të marrë përgjegjësitë lidhur me mbikëqyrjen e lirimit në procedurë të rregullt apo arrestit shtëpiak për cilindo të dyshuar nga kjo gjykatë, pavarësisht të arriturave të deritanishme të Policisë së Kosovës, konsideroj që të njëjtët, në aspektin e personelit kanë njerëz të përgatitur mjaftueshëm, por nuk kanë asnjë mundësi t’i rezistojnë ndikimit të tyre apo klaneve që udhëhiqen nga ta. Ata zotërojnë pozita të ndjeshme pranë Policisë së Kosovës apo institucioneve tjera. Do të thotë, e konsideroj të pamjaftueshëm nivelin e organizimit të Policisë së Kosovës, lidhur me marrjen e këtyre detyrave që tani për tani janë të papërballueshme.
“Bota sot”: Sa janë gjasat që ata të lirohen me kusht?
Gazmend Halilaj: Sa i përket lirimit me kusht, në këtë fazë të procedurës, as që mund të bëhet fjalë për arsye që i përmenda më lart. E dimë mirë se deri më tani kemi disa dëshmitarë të vrarë, andaj pa dashur të paragjykojmë, por gjasat për lirim me kusht janë minimale. Njëherësh rrezikojnë të dëmtojnë të gjithë procesin që është tani në procedurë, ku unë si njohës i kësaj lëmie e shoh minimalisht të mundshme.
“Bota sot”: Bekim Jashari ka akuzuar PDK-në për vjedhje votash në Skenderaj, por ankesa e tij u hodh poshtë edhe nga Gjykata Supreme. Çka ndodhi në të vërtetë në Drenicë më 17 tetor?
Gazmend Halilaj: Me tema të nivelit lokal nuk jam marr asnjëherë, por konsideroj që z.Bekim Jashari është treguar me nivel të ulët të organizimit të fushatës, poashtu të angazhimit të profesionistëve lidhur me grumbullimin e informacioneve, provave dëshmuese dhe materialeve, me të cilat duhet bindur organin që në rastin konkret ka pasur vjedhje të votave. Por, pasi këtë aspekt në çdo dimension e ka neglizhuar procesin, kjo ka rezultuar me humbjen e zgjedhjeve, e poashtu edhe betejës juridike pranë institucioneve kompetente, sepse gjykata realisht vendos në bazë të aspektit normativ/ligjor, bazuar në prova dhe fakte e kurrsesi në dëshmi të mbështetura në thashetheme të paargumentuara. Dihet botërisht që në këtë proces ka pasur një sasi të keqpërdorimit të votave, por çfarë të bëjmë që ankuesi nuk ka arritur të argumentojë?!
“Bota sot”: Për “kokën” e kryeministrit Albin Kurti, raportohet se janë dhënë 50 mijë nga një person në rrjetet sociale. Si i shihni kërcënimet ndaj tij dhe nga kush duhet të ruhet Kurti?
Gazmend Halilaj: Çështja e kanosjes së kryeministrit Kurti duhet të merret si mjaft serioze dhe institucionet relevante duhet të përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë për të identifikuar dhe kapur kryesit, por pa u kufizuar edhe në pista tjera të hetimeve, në mënyrë që të dihet saktë qëllimi, motivi dhe çdo person tjetër që në çfarëdo mënyre mund të jetë involvuar në këtë apo në raste të ngjashme. Kjo është një çështje serioze, ku duhet vepruar me urgjencë.
“Bota sot”: Deri ku ka shkuar procesi i gjykimit për atentatin ndaj jush, ku akuzohen Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri?
Gazmend Halilaj: Lidhur me atentatin që mu bë me datën 14 prill 2020, tani jemi në shqyrtim kryesor, në ballafaqim me dëshmitarët, ekspertët dhe betejën tonë, ku unë dhe prokurori jemi në një anë, derisa të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në anën tjetër. Ajo që mund të theksoj, është fakti që kanë ndodhur disa lëshime të mëdha dhe thuajse të pariparueshme në këtë proces. Por, kemi bindjen që ende ka gjasa që do të mund t’ia dalim. Fjala është lidhur me identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë vepër. Detaje tjera për këtë pikë, tani për tani nuk mund të japim.
“Bota sot”: Pati raportime se aksioni i fundit i Policisë së Kosovë në veri kundër kontrabandës u dekonspirua. Si e komentoni këtë aksion ku pati edhe policë të lënduar gjatë konfrontimit me protestuesit serbë?
Gazmend Halilaj: Në parim mbështesim fuqishëm këtë operacion, por tani për tani është tejet e nevojshme ndërmarrja e veprimeve në drejtim të te gjithë atyre që kanë bërë rrjedhjen e informacioneve, të cilët me dashje kanë minuar punën e hetuesve. Andaj, operacione të tilla i shërbejnë direkt zbatimit të ligjit. Operacione të tilla duhet të mbështetën, por pa lënë anash edhe identifikimin dhe kapjen e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre i kanë shërbyer dekonspirimit, pasi që në raste tjera, pos tjerash, rrezikohet edhe jeta e kolegëve të tyre, gjë që nuk duhet të lejohet.