Kosova po përballet me situata të ndryshme politike, nevojën për marrëdhënie më të suksesshme diplomatike, madje agresive, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që solli edhe krizën ekonomike, cenimin e sigurisë, rritjen e provokimeve serbe në veri, etj.
E për disa nga çështjet dhe problematikat kryesore në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Fillimisht, deputetja e LDK-së e cilësoi qeverinë Kurti si qeverinë më të dobët nga paslufta, madje gjëja që e shqetëson më shumë është tendenca për ta kontrolluar në çdo gjë shtetin, çdo bord, komision.
Krahas kësaj, Bunajku-Rexhepi komentoi edhe takimin e Kurtit me Vuçiqin. Ajo u shpreh se takimi mes tyre është i duhur.
Ndërsa, takimin Abdixhiku-Rama, deputetja e cilësoi si punë të shkëlqyer, sepse sipas saj është për keqardhje prishja e raporteve me Shqipërinë.
Në fund, ajo foli edhe për tubimet e LDK-së në diasporë, ku paralajmëroi një rikthim të fuqishëm.
“Po vijmë me një energji të re. Mërgata ka qenë gjithmonë LDK, por gjeneratat e reja të prindërve ldk-istë kanë besuar t'ia japin shansin LVV-së. Por, janë zhgënjyer shumë dhe po rikthehen në LDK, si etërit e tyre. Po rikthehemi fuqishëm. Jemi parti institucionaliste, shtetformuese”, potencoi Valentina Bunjaku-Rexhepi për “Bota sot”.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në vend?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Jemi në prapakthim. Qeveria më e dobët që nga paslufta.
Gazeta “Bota sot”: Kohëve të fundit ka pasur shumë kundërshtime ndërmjet opozitës dhe opozitës. Cili është niveli i bashkëpunimit në mes dy taboreve politike?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Komisioni Hetimor mbi energjinë i ka dhënë fuqi të re opozitës. Në opozitë duhet qëndruar në vijat e përbashkëta. Kështu e ka demokracia. Çështjet e përbashkëta na bashkojnë. Aktualisht jemi duke pritur dhe shikuar qeverisjen. I kemi lënë kohë, por kot. Tash nuk do të falim më kohë. Do ta kritikojmë. Sa më fort. Duhet mbrojtur shtetin nga keqdrejtimi.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa nga pikat që ju shqetësojnë si opozitë, e që qeveria po ngulmon në mbështetjen e tyre?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Çdo gjë, por shqetësimi kryesor mbetet tendenca për ta kontrolluar në çdo gjë shtetin. Çdo bord, komision. Erdhën për ç 'kapje, e po e rikapin. Raporti me SHBA është shqetësimi ynë kryesor. Mbetet keq çështja e gazit. Në Greqi mori pjesë Serbia, Bullgaria e Maqedonia, por jo Kosova për projektin e gazit.
Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, kryeministri Kurti ka zhvilluar së fundi takime me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq? Çfarë mendoni për këtë çështje? A ishte vendim i duhur ky takim?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Takimi me Vuçiqin është i duhur, por ai kishte refuzuar se do të negocionte ndonjëherë. Po bën gabim trashanik që po diskuton për targat, e jo marrëveshjen finale siç bëri Avdullah Hoti, me këshillën amerikane. Duhet dialog, por për njohje. Jo tema teknike. Kur të njeh, të gjitha të tjerat kryhen.
Gazeta “Bota sot”: Duke parë situatën aktuale në Ukrainë, Kosova ka qenë cak i provokimeve dhe sulmeve në veri? A duhet të ndërmerret diçka në këtë aspekt? Nëse po, çfarë?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Bashkëpunim i ngushtë me amerikanët dhe KFOR-in. Ruajtja e policisë me anti-plumb, e jo të rrezikohen pa kujdes të shtuar. Nuk duhet bërë panik e paragjykim. Janë organet e informacionit e inteligjencës.
Gazeta “Bota sot”: Marrë parasysh të gjithë situatën e krijuar në rajon dhe ndikim e Rusisë, a besoni se mund të ndodh një anëtarësim i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe NATO?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Për BE, nuk besoj fare. Për NATO, po, ama jo shpejt. Për liberalizim vizash, nëse ka progres në dialog, mund të bëhet diçka në qershor në Samitin gjermano-francez. Por i druhem qeverisë Kurti, që e pëlqen zvarritjen në dialog.
Gazeta “Bota sot”: Pse LDK-ja nuk e përkujtoi vrasjen e komandant “Drinit”, familja e tij ka reaguar?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Ne kemi respekt për të gjithë kontribuuesit e luftës. Nuk ka asnjë mundësi që LDK-ja të mos jetë mirënjohëse për këtë pjesë të historisë sonë me sakrifica.
Gazeta “Bota sot”: LDK-ja është kritikuar për vizitën te Rama, bashkëpunimi me të është kritikuar për shkak të mbrojtjes që ai po ia bën Serbisë dhe Vuçiqit, duke mos i vendosur sanksione. A keni pasur ndonjë mesazh për Ramën?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Mesazhi ynë është ndjekja e rrugës së SHBA-së dhe aleatëve evropianë. Ne kemi bërë punë të shkëlqyer që shkuam në Shqipëri si LDK, sepse është për keqardhje prishja e raporteve me Shqipërinë, siç i prishi Albini me ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri.
Gazeta “Bota sot”: LDK-ja sapo e ka mbajtur një konventë dy ditore, pastaj po mban tubime në diasporë, a është kjo pjesë e një ‘rilindje’, reforme apo si, dhe çfarë prisni nga këto?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Po vijmë me një energji të re. Mërgata ka qenë gjithmonë LDK, por gjeneratat e reja të prindërve ldkistë kanë besuar t'ia japin shansin LVV-së. Por janë zhgënjyer shumë dhe po rikthehen në LDK, si etërit e tyre. Po rikthehemi fuqishëm. Jemi parti institucionaliste. Shtet-formuese.
Gazeta “Bota sot”: Vazhdimisht opozita e ka kritikuar pushtetin për politikën e jashtme, por si duket, ka një valë të madhe takimesh në disa shtete, si nga Presidentja dhe Qeveria. Jeni të kënaqur me diplomacinë që po bëhet?
Valentina Bunjaku-Rexhepi: Diplomaci të lodhtë, me gabime të shpeshta. E vetmja vizitë me rëndësi specifike është ajo në Izrael, njohjen e të cilit e arriti LDK-ja. Ishte arritja më e madhe nga GJND-ja. Asnjë rezultat për njohje nga Greqia. Asnjë nga 5 vendet e BE-së, e Amerikës Latine. As liberalizim vizash. As aktivitete të dobishme nga ambasadat jashtë vendit.