Sot, bëhen 15 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
17 shkurti, gjithmonë do jetë një nga datat më historike dhe më të rëndësishme të shtetit tonë.
Ndër vite, dekada e shekuj, shumë personalitete të ndryshme punuan fort që populli i Kosovës ta gëzoj sot lirinë.
Alush Gashi, ishte një nga deputetë që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Gjatë asaj kohe, Gashi ishte deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në këtë përvjetor, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, dr. Alush Gashi rrëfeu emocionet që përjetoi me 17 shkurt, me rastin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Po ashtu, ish-deputeti i LDK-së foli për zhvillimin e Kosovës që nga ky vit dhe të arriturat më të mëdha gjatë kësaj periudhe kohore.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Z.Gashi ju jeni nënshkrues i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, këtë e keni bërë sa ishit deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çfarë ju kujton data 17 shkurt 2008? Cilat kanë qenë ndjesitë që keni përjetuar në këtë datë historike për vendin?
Alush Gashi: Është ditë e rëndësishme në jetën time dhe të vendit. Ishte ditë respekti dhe falënderimi për gjenerata që zellshëm punuan që të vjen kjo ditë, ishte ditë shprese për të ardhmen e vendit tonë. Ishte ditë dëshire që Ibrahim Rugova të ishte aty.
Gazeta “Bota sot”: Po bëhen 15 vite që kur Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, si e shihni zhvillimin e shtetit ndër vite?
Alush Gashi: Kosova është tregim suksesi i shtetndërtimit. Natyrisht që rrugës ka pas dhe do të ketë vështirësi.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë figurat më të rëndësishme që kontribuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës?
Alush Gashi: Populli i Kosovës.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa të arriturat kryesore që i ka shënuar Kosova gjatë këtyre viteve?
Alush Gashi: Përkushtimi për integrime Euro- Atlantike.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se është bërë mjaftueshëm për zhvillimin e vendit, në cilat fusha besoni se do duhej të kishte përparime dhe investime më të mëdha?
Alush Gashi: Ka zhvillime pozitive në shumë fusha. Por, kishte me qenë shumë më mirë sikur të ishte investuar në dituri. Pra, investim në arsim, shkencë dhe teknologji.
Gazeta “Bota sot”:Gjithashtu, vendi po përballet me zhvillime të ndryshme politike, si i komentoi ato?
Alush Gashi: Degradimi i debatit rrezikon ecjen para.
Gazeta “Bota sot”: A besoni se ka nivel të duhur të bashkëpunimit mes opozitës dhe pozitës?
Alush Gashi: Shumë vende e kanë “derdhur kollin popullist”, vendi ynë është në atë fazë. Uroj që të kalojë pa pasoja të mëdha.
Gazeta “Bota sot”: Dialogu Kosovë-Serbi është në një fazë shumë të delikate, sa mendoni se do arrihet një marrëveshje finale?
Alush Gashi: Një lloj marrëveshje mund të arrihet. Drojë që do të mbesin çështje të hapura!
Gazeta “Bota sot”: Si duhet të duket marrëveshja finale e Kosovës me Serbinë?
Alush Gashi: Marrëveshje që nuk lënë çështje të hapura.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë mendimi ka LDK-ja për planin evropian?
Alush Gashi: E mirëpret përpjekjen për ndrrim të “status quos” dhe angazhohet për marrëveshje përfundimtare që nuk lë çështje të hapura në mes dy vendeve sovrane.