Nënkryetarja e Mitrovicës veriore, Katarina Agjançiq, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka treguar për punën e saj që e ka bë në Agjensionin Tatimor të Kosovë, para se të bëhet nënkryetare komune.
Agjançiq, ka treguar se si i erdhi ftesa për të marr këtë post që tashmë e zotëron në komunën veriore të Mitrovicës, bashkëpunimin e saj me serbët dhe Listën Serbe dhe cilat janë prioritetet e saj, të cilat thotë se do t’i realizojë më shpejt se sa mendojnë qytetarët.
Ajo është pyetur edhe për grupet kriminale serbe, të cilat po pengojnë lëvizjen e lirë tash e sa kohë në veri, por që nuk ka dashur të jap komentin e saj në këtë drejtim.
Intervista e plotë me Katarina Agjançiq:
“Bota sot”: A mund të na tregoni për lexuesit tanë, se kush është Katarina Agjançiq?
Katarina Agjançiq: Unë jam Katarina Agjançiq, ku jetoj dhe veproj në veriun e Mitrovicës, gjegjësisht në Lagjën e Boshnjakëve.
Sa i përket punës, unë tash e 20 vjeet kam punuar në ATK ‘Agjensionin Tatimor të Kosovës’, ku nga 18.05.2023 kam edhe detyrën në komunën veriore të Mitrovicës si Nënkryetare.
“Bota sot”: Si ju erdhi ftesa të bëheni nënkryetare e Mitrovicës veriore?
Katarina Agjançiq: Ftesa më erdhi krejt rastësisht....!
“Bota sot”: Pse vendosët të jeni nënkreytare e komunës, përderisa serbët kanë bojkotuar zgjedhjet?
Katarina Agjançiq: Këtë e kam shpjeguar shumë herë, se me rastin e vërshimeve jam drejtuar Shtabit Emergjent në Lagjën e Boshnjakëve, të formuar nga Kryesusi i Kuvendit komunal dhe përfaqësues i lagjës, ku kemi biseduar për nevojat e qytetarëve dhe shumë tema të tjera. Mirëpo çka më ka bë të marr këtë hap janë qytetarët të cilët mbetën në mëshirën e Zotit, sepse komuna e veriut të Mitrovicës ishte pa ekzekutiv dhe asnjë nevojë të qytetarëve nuk e kishim ku ta adresonim. Dhe këtu ia kam bë veti detyrë që të marr një hap të duhur për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.
“Bota sot”: Përderisa keni vendosur të jeni nënkryetare, a do të thotë se jeni e pavarur nga partitë tjera serbe?
Katarina Agjançiq: Nuk jam e ndikuar nga asnjë parti, por jam e ndikuar nga nevojat e qytetarëve.
“Bota sot”: A mund të na tregoni, cili është bashkëpunimi me serbët në veri?
Katarina Agjançiq: Sa i përket asaj se a kam bashkëpunim me komunitetin tim serb, ju përgjigjem me PO të madhe të shtypit, pra kemi bashkëpunim të mirë dhe të arsyeshëm.
“Bota sot”: Po me Listën Serbe, a keni bashkëpunim?
Katarina Agjançiq: Me Listën Serbe e kam potencuar shumë herë se nuk jam në konflikte politike, sepse unë nuk jam politikane!
“Bota sot”: Pasi e keni marrë mandatin tuaj si nënkryetare, a keni pas telefonata nga serbët në veri?
Katarina Agjançiq: A kam pas telefonata nga komuniteti im? Po të shumta për të më uruar postin e Nënkryetares, që nënkupton kam pas telefonata pozitive.
“Bota sot”: Cilat janë prioritetet e juja kryesore, të cilat do t'i realizoni brenda këtij mandati?
Katarina Agjançiq: Kam shumë projekte që do t’i implementojmë, por vlen të theksohet se do të fokusohemi në asfaltimin e disa rrugëve, kanalizimet, pastrimin e shtratit të lumit Ibër, ndriçimin, parqet, çerdhe, etj.
“Bota sot”: Kur mund të shohin qytetarët projektin e parë të realizuar nga ju?
Katarina Agjançiq: Po unë do të punoj që këto projekte të realizohen sa më shpejt që mundin qytetarët të imagjinojnë.
“Bota sot”: Për fund, sa mendoni që do të zgjas mandati, pasi flitet se mund të ketë përsëri zgjedhje në veri?
Katarina Agjançiq: Për kohëzgjatjen e mandatit se sa do të më zgjas pak ka rëndësi, sepse unë punën e sotit nuk e lë për nesër. Që nënkupton se do ta shfrytëzoj çdo sekond të mandatit tim për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.