Tomë Gashi flet për zhvillimet - Përmend edhe përgjimet me Mimoza Kusarin: Ja nga kush po bëhet kjo propagandë!

Intervista

Tomë Gashi flet për zhvillimet - Përmend edhe përgjimet me Mimoza Kusarin: Ja nga kush po bëhet kjo propagandë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 korrik 2023 Në ora: 15:41
Tomë Gashi

Kosova kohët e fundit ka pasur zhvillime të rëndësishme përfshirë këtu edhe tensione në veri.

Në lidhje me situatën aktuale politike në vendin tonë, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai u shpreh se situata në vend është mirë, përkundër gjendjes së vështirë që e kanë lënë opozita e tanishme.

Gashi flet për zhvillimet e fundit në veri duke theksuar që veprimet e qeverisë kanë qenë të drejta, ndërsa ka cekur se edhe mbajtja e zgjedhjeve të 23 prillit ka qenë e garantuar me ligj dhe do të duhej të ndodhte.

Ndërsa i pyetur për sistemin e drejtësisë avokati thotë që asnjëherë më parë, para se të vinte në pushtet Qeveria Kurti, nuk janë luftuar krimi dhe korrupsioni kaq shumë siç po ndodhë tani.

I pyetur edhe për incizimet e deputetes Kusari-Lila, ai thotë që janë propagandë e disa personave që janë paguar për ta krijuar një situatë të tillë.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situaten politike ne vend?

Tomë Gashi: Situata politike në vend është jashtëzakonisht e mirë, totalisht duhet t’i eliminojmë deklaratat e partive opozitare të cilat vetëm vajtojnë dhe asgjë nuk ndryshojnë. Ndërsa shpesh duhet t’ua përkujtojmë se situatën e rënduar politike në veri ata vet e krijuan të tillë sa ishin në pushtet dhe ia lanë Qeverisë Kurt trashëgimi.

“Bota sot”: Zhvillimet në veri po mbetën temë aktuale. Si i keni parë ju këto ngjarje? A do të duhej të vepronte ndryshe Qeveria?

Tomë Gashi: Qeveria nuk mund të veprojë ndryshe në veriun e Kosovës, e as që do të duhej të vepronte ndryshe, sepse ashtu përfundimisht do të humbej një pjesë e madhe e territorit të Kosovës, nëse do të lejohej krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive siç e kanë nënshkruar në vitin 2013-2015 ata që ishin në pushtet në atë kohë.

“Bota sot”: Në vazhdimësi po flitet për mosdakordim të kryeministrit Kurti me ndërkombëtarët. A mendoni që ishte vendim i nxituar nga Kurti në lidhje me zgjedhjet në veri?

Tomë Gashi: Nuk ishte fare mos-dakordim me ndërkombëtarët sa iu përket zgjedhjeve në veri, sa i përket 4 komunave në veri, sepse, pas dorëheqjes së 4 kryetarëve të 4 komunave, nuk mund të lihej zbrazëti ligjore dhe të mos caktoheshin zgjedhjet. Afati i zgjedhjeve, me kërkesë të SHBA, është shtyrë, sepse kanë qenë të caktuara në dhjetor të vitit 2022, por janë shtyrë për prill të këtij viti, ndërsa të gjithë ndërkombëtarët deklaronin se zgjedhjet duhet të pranohen pavarësisht numrit të vogël të qytetarëve që kanë dalë në këto zgjedhje, e kjo do të duhej të ishte një leksion për Listën Serbe dhe për Vuçiqin që nuk mund ta mbajë peng atë pjesë të territorit tonë dhe që, nëse shumica serbe në atë pjesë nuk dalin në zgjedhje, normal që fiton ai që garon, e që në këtë rast të 4 komunat u fituan nga kandidatët shqiptarë.

“Bota sot”: Së fundmi Kurti refuzoi takimin me Ramën. A do të duhej sipas jush të mbahej një takim i tillë?

Tomë Gashi: Kurti me të drejtë refuzoi takimin me Ramën, sepse Rama, pa ndonjë arsye të veçantë, e anuloi takimin e 2 Qeverive, të përcaktuar shumë më herët, për 14 qershor 2023. Në prizmin tim, pasi që u dërguan 13 marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, e të cilat u nënshkruan nga ministrat tanë, Kurti nuk do të bënte keq po qe se do të takohej me Ramën. Megjithatë, kjo nuk ndodhi për shkak të anulimit pa arsye të takimit të 2 Qeverive me fajin e Ramës. Protagonizmi i Ramës shpeshherë është aq i tepërt saqë po bëhet i padurueshëm. Ndërsa, ironizimi i tij në raport me Kurtin, në një studio televizive, atë natë që erdhi në Prishtinë, e eliminoi mundësinë e takimit me Kurtin, së paku për një kafe, që do ishte krejtësisht normale po që se Rama nuk do të merrej me humor të papërshtatësh.

“Bota sot”: Pak në lidhje me sistemin e drejtësisë, sa mendoni që po punohet në luftimin e korrupsionit?

Tomë Gashi: Asnjëherë më parë, para se të vinte në pushtet Qeveria Kurti, nuk janë luftuar krimi dhe korrupsioni kaq shumë siç po ndodhë tani. Por, duhet ta kemi parasysh se pushtetet janë të ndara. Megjithatë, fryma pozitive e krijuar për më tepër se 2 vite e Qeverisë Kurti ka lejuar pavarësi të plotë të të gjitha institucioneve. Unë nuk di për ndonjë rast të zyrtarëve të lartë të Qeverisë Kurti që të jenë hetuar, arrestuar apo gjykuar e dënuar për raste të korrupsionit.

“Bota sot”: Opozita është gjithashtu duke bojkotuar seancat në Kuvend duke kërkuar largimin e kësaj qeverie. A po veprohet drejt? A do të duhej në këto kohë një unitet?

Tomë Gashi: Opozita po e luan pjesërisht lojën e opozitës në Shqipëri, te para disa viteve - kur i lanë mandatet e tyre në gjysmë dhe nuk pati kurrfarë ndryshimi. Ndërsa, sa i përket Kosovës, në situatën që jemi, do të duhej të kishte unitet edhe të partive opozitare, të bashkohen me Qeverinë sa i përket çështjes së veriut të Kosovës. Por ndoshta nuk mund ta bëjnë këtë pasi që një pjesë e deputetëve që janë edhe sot pjesë të partive politike opozitare kanë votuar vet Zajdenicën dhe tani s’mund të jenë kundër saj. Duket haptazi që disa veprime të partive opozitare po i ndihmojnë shumë Serbisë e Vuçiqit, sa që, qëllimisht apo rastësisht, me apo pa vetëdije, po e dobësojnë pozicionin e shtetit të vet - Qeverisë Kurti në raport me Qeverinë e Serbisë dhe këtë unë fare nuk mund ta kuptoj.

“Bota sot”: Përgjimet e fundit, ku shefja e Grupit Parlamentar të VV-së dëgjohet teksa e pranon se ka biseduar me Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe në listë të zezë të ShBA-së e Britanisë, si i komentoni?

Tomë Gashi: Nuk ka deklaruar diçka që nuk ka ndodhur dhe Mimoza Kusari Lila ka biseduar me Simiqin, jo me Radojçiqin, kështu që këto janë insinuata te disa propaganduesve me lekë të cilët mund të jenë të paguar apo stimuluar nga disa që më herët ishin në pushtet e që Radojçiqin e pranonin në kryeministri si në shtëpi të vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat