Rikthimi i rasteve me COVID-19/ Infektologu Ramadani apelon për kujdes: Fundi i shtatorit mund të ketë ende infeksione

Intervista

Rikthimi i rasteve me COVID-19/ Infektologu Ramadani apelon për kujdes: Fundi i shtatorit mund të ketë ende infeksione

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 16 shtator 2023 Në ora: 18:17
Hamdi Ramadani

Virusi COVID-19 është rikthyer sërish në Kosovë.

Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar, se brenda dy javëve, 67 persona janë infektuar me COVID-19 dhe një person ka përfunduar me fatalitet.

Nga ana tjetër, infektologu Hamdi Rmadani në një intervistë për “Bota sot”, vlerëson se virusi nuk është zhdukur totalisht në asnjë vend dhe se tani me ftohjen e temperaturave janë kushtet më të favorshme për infeksione dhe përhapje.

Sipas tij, për parandalimin e një vale të re të virusit, imunizimi dhe vaksinimi nuk duhet të ndalen asnjëherë.

Derisa thekson se, fundi i shtatorit, pra fillimi i sezonës së ftohtë është karakteristik epidemiologjike e shumë sëmundjeve, ku bënë pjesë edhe COVID-19 edhe një gripi sezonal edhe shumë sëmundje të tjera.

Tutje, Ramadani i bënë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni rikthimin e rasteve të reja me COVID-19?

Hamdi Ramadani: Çështja e paraqitjes së këtyre rasteve që për fat të keq numri nuk është i vogël, që zyrtarisht është afër 70 numri, raste këto të konfirmuara, do të thotë se ka edhe shumë raste të tjera të cilat ose nuk janë protokolluar ose nuk janë bërë konfirmime ose testime përkatëse specifike laboratorike dhe kur ja shtojmë kësaj edhe një rast që ka përfunduar me fatalitet, këto dy javë. Atëherë ne mund të themi se pandemia COVID-19 është këtu tek ne e pranishme edhe tash në këto ditët pak si më të ftohta ku koncententrimi i qytetarëve, i fëmijëve në shkolla, në çerdhe dhe restorantet është më i madh. Dhe janë kushte më të favorshme që një infeksion si COVID-19 të fillojë me një numër të infeksioneve.

“Bota sot”: Këto shifra që i kemi aktualisht, a mund të themi se situata është alarmante?

Hamdi Ramadani: Këto ditë nuk është numër shumë i madh, shumë alarmant, por droja dhe dyshimet janë të mëdha që edhe ditët e ardhshme ky numër i rasteve të jetë në rritje edhe në përmasa më të mëdha. Për ta quajtur si valë, tash për tash është herët, por do të shohim nga fundi i shtatorit se çka do të ndodh. Sepse fundi i shtatorit është një situatë që mund të ketë ende raste apo infeksione. Prandaj ne e dimë se pandemia me COVID-19 në asnjë vend nuk është zhdukur, por falë masave të përgjithshme në nivel vendi tek ne, por edhe në botë siç janë vaksinimi dhe imunizimi i qytetarëve, kujdesi dhe ruajtja nga higjiena, distanca e shumë faktor të tjerë Së treti një numër i madh i qytetarëve e ka kaluar sëmundjen COVID-19, duke e mundur virusin vetë organizmi që ne e quajmë imuniteti natyral i tij.

“Bota sot”: Si duhet të veprojnë qytetarët në vazhdim?

Hamdi Ramadani: Ditët e ardhshme duhet të jemi shumë tu kujdesshëm në kuptimin e dy rasteve, së pari ne gati po thuajse e kemi harruar vaksinimin dhe imunizimin që është një gjë e keqe dhe jo e mirë për qytetarët, por që edhe institucionet kompetente të shëndetësisë të bëjnë më shumë promovimin në kuptimin e vaksinimit dhe imunizimit, për të cilin kemi thënë se duhet të jetë i vazhdueshëm. Së dyti një kujdes i madh i veçantë duhet të jetë kur ne tash në këtë kohë, po them kemi më shumë grumbullimit të qytetarëve, nxënëseve në çerdhe, fëmijëve në kopshte etj. Prandaj shenjat e një të sëmuri aty ku kemi temperaturë, ku kem shkuarje të hundëve, dy apo tri ditë, është mirë që të bëjnë kontrollet mjekësore dhe laboratorike, pra teste përkatëse konfirmuese që të evidentohet sepse në këtë mënyrë ai rast izolohet në shtëpi ose në spital. Ndalet mundësia e zinxhirit të përhapjes së sëmundjes së infeksionit. Vaksinimi ulë dhe kufizon virusin dhe nuk lejon përhapjen e një vale të re.

“Bota sot”: Cilat janë dallimet ndërmjet COVID-19 dhe Meningjitit?

Hamdi Ramadani: Meningjiti është një sëmundje krejt tjetër, është me një virus krejt tjetër dhe dallimet janë tepër të thjeshta dhe të lehta. Meningjiti ndikon direkt te sistemi nervor qendror, ndërsa Sarskov-2 nuk e ka afinitetin e madh që të kaloj dhe të jep atë që e quajmë sindrom meningjare. Shumë lehtë qartësohet me anën e një kontrolle të personit që është tani i sëmur me temperaturë, me kollitje, me dhimbje të kokës dhe me një analizë të thjeshtë laboratorike, një strisho që ne e quajmë, e vërteton se është në pyetje virusi COVID-19 ose nuk është. Mund të bëhet edhe analiza, pra merret lëngu trunoshpinor, një analizë shumë e thjeshtë dhe shihet se a ka ndryshime dhe ajo vërteton nëse është në pyetje një meningjit.

“Bota sot”: Cila është thirrja juaj për qytetarët?

Hamdi Ramadani: Mbesim në një situatë stabile, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse pandemia është virus befasues dhe nëse nuk kemi kujdes të shtuar me imunizim dhe vaksinim sëmundja din të shkoj edhe në drejtim të një situate më të ashpër. Qytetarët të din të mbrohen me kushtet bazike që vaksinimi dhe imunizimi nuk guxon të ndalet. Dhe IKShPK duhet t’i vetëdijësoj qytetarët që të ken kujdes sepse sezona e ftohtë është karakteristik epidemiologjike e shumë sëmundjeve, ku bënë pjesë edhe COVID-19 edhe një gripi sezonal edhe shumë sëmundje të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat