“Zhvillime dramatike”, eksperti i sigurisë flet pas agresionit në veri: Vuçiqi vetëm pushkën në dorë nuk e ka marrë kundër Kosovës

Intervista

“Zhvillime dramatike”, eksperti i sigurisë flet pas agresionit në veri: Vuçiqi vetëm pushkën në dorë nuk e ka marrë kundër Kosovës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 tetor 2023 Në ora: 20:07
Aleksander Vuciq

Pas agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, situata në Kosovë është tensionuar, ku edhe tani është vënë në pikëpyetje vazhdimësia e dialogut me Serbinë. 

Se çfarë mund të ndodhë më pas dhe si mund të zhvillohen ngjarjet pas këtij agresioni serb, tregoi eksperti i sigurisë, Ilir Kulla në një intervistë për gazetën “Bota sot”. 

Kulla, zhvillime e fundit i cilësoi si zhvillime dramatike, por që fatkeqësisht ishin të pritshme. 

Ai tha se Vuçiqi është i përfshirë direkt në këtë sulm, vetëm “pushkë në dorë nuk e kanë marrë kundër Kosovës”. 

Madje, eksperti i sigurisë tregoi arsyen pse ndërkombëtarët nuk e kanë sanksionuar deri më tani Serbinë. 

Kulla komentoi edhe vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, derisa nuk përjashtoi mundësinë e një plani për luftë. 

“Ballkani ka qenë, është dhe mund të jetë fuçi baruti, varet se çfarë i hedh barutit. Jetojmë kohë interesante dhe do shohim çdo na sjellë e ardhmja”, tha ndër të tjera eksperti i sigurisë. 

Image
Ilir Kulla

Intervista e plotë 

Gazeta “Bota sot”: Kosova të dielën e 24 shtatorit u trondit nga një sulm i terroristëve serbë. Si i keni parë ju ato zhvillime? 

Ilir Kulla: Zhvillime dramatike, kriminale por fatkeqësisht të pritshme. Dua të bëj një korrigjim nuk është sulm terrorist, është agresion organizatat bëjnë terrorizëm, shtetet bëjnë agresion. 

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoi situatën aktuale në Kosovë dhe raportet Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në Manastirin e Banjskës? 

Ilir Kulla: Situata është e paprecedentë. Një shtet kandidat për në BE sulmon fqinjin e vet ushtarakisht. Pas kësaj, po ky shtet pas dështimit thotë nuk di gjë, përkundrazi armatimet i kanë blerë jashtë Serbisë. Pastaj, bën sikur e ndalon të ashtuquajturin kriminel dhe me gojën e kryetarit të shtetit thotë nuk e arrestoi dhe nuk e ekstradoi se nuk e njoh shtetin fqinj. Këto që thash janë fakte jo frut i fantazisë time. 

Gazeta “Bota sot”: A vlerësoni se Vuçiq është i involvuar direkt në këtë sulm? 

Ilir Kulla: Vuçiqi vetëm pushkën në dorë nuk e ka marrë kundër Kosovës në Banjskë, kanë menduar institucionet nën varësinë e tij për këtë punë. 

Gazeta “Bota sot”: Pse ndërkombëtarët nuk po marrin masa ndaj Serbisë? A mund të ketë rrezik për sulme tjera nëse vazhdon Perëndimi të sillet kaq butë me Vuçiqin? 

Ilir Kulla: Ka disa arsye pse nuk kanë marrë masa nga Serbisë. E para është se kanë frikë se ikën me Rusinë. Por si mund të shkojë me Rusinë dikush që është me ekstremist se Rusia për sa i përket Kosovës?! E dyta sepse mundohen të konservojnë të ashtuquajturën marrëveshje të Ohrit, por si mund të ketë marrëveshje kur askush nuk e ka nënshkruar... dhe e fundit Serbia para se të bëjë çdo hap duhet të ribëjë kushtetutën e saj dhe të heq nga preambula faktin që Kosova është pjesë e pandarë e saj. 

Gazeta “Bota sot”: A ishte vendosja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën sinjal se Serbia po planifikon luftë? 

Ilir Kulla: Unë nuk e di nëse është planifikim për luftë vendosja e 48 bazave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, por e di mirë se 1 miliard euro armatim nuk janë blerë për projekte paqeje as me Kosovën as me fqinjët e tjerë. 

Gazeta “Bota sot”: Si i keni parë qëndrimet e qeverisë së Shqipërisë për agresionin serb në veri të Kosovës? 

Ilir Kulla: Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë shumë i qartë, Kryetari i Shtetit, Presidenti Begaj komandant i Forcave të Armatosura si vend anëtar i NATO-s e ka deklaruar agresion ushtarak. Po ashtu, edhe Kuvendi i Shqipërisë me një rezolutë konsensuale. Çdo veprim tjetër është opinion politik. 

Gazeta “Bota sot”: Me shpërthimin e luftës në Izrael, a është larguar vëmendja e ndërkombëtarëve nga konflikti Kosovë-Serbi? 

Ilir Kulla: Konflikti në Lindjen e Mesme largon vëmendjen nga konfliktet e tjera. Nga ai i Ukrainës, i Karabakhut sigurisht dhe ai i Kosovës. Kjo kërkon vëmendje, siguri dhe konstruktivitet nga ana e Prishtinës me Uashingtonin dhe Brukselin zyrtar. 

Gazeta “Bota sot”: A ka mundësi të përshkallëzimit të situatës në Ballkan, pas zhvillimeve në rajon? 

Ilir Kulla: Ballkani ka qenë, është dhe mund të jetë fuçi baruti, varet se çfarë i hedh barutit. Jetojmë kohë interesante dhe do shohim çdo na sjellë e ardhmja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat