Së fundi, në Kosovën Lindore u mbajtën zgjedhjet lokale, të cilat u përshkuan me presione nga Beogradit.
Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit iu drejtuan kutive të votimeve, ku zgjodhën udhëheqësit e tyre të rinj.
E qytetarët e Bujanocit si prijës të tyre zgjodhën kandidatin nga “Fronti për Ndryshim” Arbër Pajaziti.
Pas kësaj fitore të madhe, Pajaziti dha një intervistë për “Bota sot” ku foli për zgjedhjet, sfidat, planet dhe pritshmëritë e tij.
Si fillim, Pajaziti foli për situatë politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku tha se ka tensionet dhe diskriminim të vazhdueshëm nga Serbia. Jo më mirë, nuk qëndronte edhe situata sociale, ku tha se kjo çështje është mjaft sfiduese.
Sa i përket zgjedhjeve të fundit lokale, ai u shpreh falënderues ndaj votuesve, derisa tha se pret edhe bashkëpunim me partitë tjera shqiptare.
Pajaziti pret bashkëpunim të madh edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, ku tha se do koordinohet me qeveritë shqiptare, derisa do i intensifikojë takimet me ambasadorët e shteteve perëndimore në Serbi.
Ndër të tjera, kishte edhe një koment për dialogun Kosovë-Serbi dhe një thirrje sa i takon përfshirjes së shqiptarëve të Kosovës Lindore në këtë proces.
“Ne besojmë që shqiptarët e Luginës së Preshevës do të bëhen pjesë e dialogut Kosovë - Serbi. Të drejtat që kanë serbët në Kosovë, duhet t'i kenë edhe shqiptarët në Serbi. Dialogu duhet të bazohet tek reciprociteti dhe duhet të punohet vetëm në drejtim të tij”, tha ndër të tjera Arbër Pajaziti për “Bota sot”.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si është situatë politike dhe sociale në Kosovën Lindore?
Arbër Pajaziti: Rrugëtimi drejt një stabiliteti të qëndrueshëm politik dhe social në Kosovën Lindore, gjegjësisht në tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, vazhdon të jetë sfidues. Përveç tensioneve politike dhe diskriminimit sistematik shtetëror serb, situata sociale në Luginën e Preshevës gjithashtu është sfiduese. Niveli i papunësisë është i lartë, veçanërisht në mesin e të rinjve, duke sjellë sfida të mëdha për zhvillimin ekonomik të rajonit. Përveç kësaj, problemet sociale si varfëria, qasja e kufizuar në shërbime themelore dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë janë sfida të tjera që pengojnë përparimin dhe zhvillimin e Luginës së Preshevës. Për të adresuar këto sfida, nevojitet një angazhim i përbashkët nga autoritetet lokale, dy qeveritë shqiptare dhe bashkësia ndërkombëtare për të siguruar zhvillim ekonomik dhe përmirësimin e kushteve sociale në këtë rajon.
Gazeta “Bota sot”: Së fundi, u mbajtën edhe zgjedhjet komunale, ku ndër të tjera ju dolët fitues në komunën e Bujanocit. Si i keni pritur rezultatet? Dhe, cili do jetë bashkëpunimi me partitë tjera shqiptare?
Arbër Pajaziti: Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Bujanoc, të 2 qershorit, përveç që janë pozitive, ato janë një shenjë e besimit që shqiptarët na kanë dhënë për të drejtuar komunën drejt përparimit dhe zhvillimit të saj. Votat e 2 qershorit vulosën fitoren e Frontit për Ndryshim. Sa i përket bashkëpunimit me partitë tjera shqiptare, është mëse i nevojshëm një bashkëpunim i hollësishëm dhe konstruktiv për të adresuar sfidat dhe për të përmbushur synimet për të mirën e shqiptarëve në përgjithësi. Ne do të përpiqemi që me secilën parti të diskutojmë dhe të bashkërendojmë tutje, duke u bazuar dhe vlerësuar parimin e fituesit.
Gazeta “Bota sot”: A keni pasur presione apo ndonjë lloj kërcënimi gjatë zgjedhjeve të fundit?
Arbër Pajaziti: Gati në çdo palë zgjedhje, presionet rriten dhe shtohen. Ndaj tyre jemi bërë imun, dhe me vullnetin popullor të shqiptarëve nuk mundemi që të ndalemi dhe të mos-veprojmë drejt qëllimeve tona.
Gazeta “Bota sot”: Sipas jush, cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e Bujanocit?
Arbër Pajaziti: Ndër sfidat kryesore janë: mos-zhvillimi ekonomik, papunësia, ikja e të rinjve drejt vendeve të perëndimit, pabarazia shoqërore, si dhe diskriminimi shtetëror.
Gazeta “Bota sot”: Duke marrë parasysh politikat e Beogradit, a pritet të keni bllokada dhe sfida në realizimin e planeve dhe projekteve tuaj?
Arbër Pajaziti: Ne do të përpiqemi të realizojmë secilin plan/projekt tonin. Mbështetjen më të madhe do ta gjejmë, sigurisht në Kosovë dhe Shqipëri.
Gazeta “Bota sot”: Sa do ia arrini që t’i artikuloni para Perëndimit, të gjitha shkeljet, diskriminimet që i ndodhin shqiptarëve në Serbi, si në aspektin e të drejtave elementare (humbja e shtetësisë), ai ekonomik (mungesa e investimeve), humbja e perspektivës për jetë atje etj?
Arbër Pajaziti: Ne do të shpeshtojmë takimet me ambasadorët e shteteve perëndimore në Serbi, do të fillojmë diskutime të hapura edhe me qytetarët (brenda dhe jashtë Luginës). Do të jemi në koordinim edhe me institucionet në Kosovë dhe Shqipëri.
Gazeta “Bota sot”: A prisni të keni bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore në Kosovë, përfshirë edhe kryetarët e komunave?
Arbër Pajaziti: Patjetër që po. Përveç që do të vazhdojmë të jemi pjesë e bashkive shqiptare, ne do të tentojmë të sjellim praktikat më të mira të secilës komunë për qytetarët e Bujanocit. Do të krijojmë ngjarje madhore të cilat do të bëjnë bashkë shqiptarët në Bujanoc.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët në Serbi?
Arbër Pajaziti: Kosova vitet e fundit ka shpeshtuar ndihmat për qytetarët e Luginës, si ato financiare, ashtu edhe ndihmat në aspektet ligjore. Gjithashtu, edhe Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa konkret mbështetës ndaj shqiptarëve. Ne presim që këto ndihma të mos jenë më simbolike. Presim që shqiptarët nga Lugina të trajtohen të barabartë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kështu të kontribuojnë edhe ata në zhvillimin e dy shteteve shqiptare.
Gazeta “Bota sot”: Si e shihni ju epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga perspektiva juaj, çfarë mund të ndodhë?
Arbër Pajaziti: Ne besojmë që shqiptarët e Luginës së Preshevës do të bëhen pjesë e dialogut Kosovë - Serbi. Të drejtat që kanë serbët në Kosovë, duhet t'i kenë edhe shqiptarët në Serbi. Dialogu duhet të bazohet tek reciprociteti dhe duhet të punohet vetëm në drejtim të tij.