Presidenti Joe Biden përzgjodhi opsionin “më të keq të mundshëm” kur vendosi për mënyrën se si do të tërhiqeshin forcat amerikane nga Afganistani, i tha Zërit të Amerikës ish-komandanti që drejtonte operacionin për tërheqjen e forcave amerikane.
Gjenerali në pension Frank McKenzie, ish-komandant i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), në një libër të botuar këto ditë me titull “Pika e Shkrirjes” (“The Melting Point”), përshkruan se si i paraqiti Presidentit Biden në shkurt 2021 katër opsione ushtarake për Afganistanin: opsioni i parë, në Afganistan do të qëndronin rreth 2500 forca amerikane dhe tetë baza ushtarake; i dyti, numri i forcave amerikane do të ulej në 1800 dhe do të ruante vetëm tre baza; i treti, që do të largonte të gjitha forcat amerikane, por do të mbante ambasadën; si dhe opsioni i katërt, që do të largonte të gjitha forcat ushtarake dhe bashkë me to edhe ambasadën amerikane.
Presidenti Biden zgjodhi opsionin e tretë, sipas të cilit do të qëndronin në Afganistan ambasada, shtetasit amerikanë dhe afganët e rrezikuar.
“Mendova se kjo ishte zgjedhja më e keqe ndër të gjitha alternativat e mundshme”, i tha Zërit të Amerikës zoti McKenzie gjatë një interviste të hënën.
Në një fjalim që mbajti për të shpjeguar vendimin e tij, presidenti Biden u shpreh se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdonin ciklin e vazhdimësisë, apo zgjerimit të pranisë ushtarake, me shpresën për ndonjë përmirësim të kushteve për t’u tërhequr.
“Megjithëse nuk do të qëndrojmë në Afganistan ushtarakisht, puna jonë diplomatike apo humanitare do të vazhdojë. Do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë në Afganistan. Do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë për Forcat Afgane të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare”, tha në atë kohë presidenti Biden.
Gjenerali në pension McKenzie gjithashtu shkruan në librin e tij se marrëveshja e Dohas, e nënshkruar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump dhe nga talebanët në vitin 2020, ishte një “ndër gabimet më të rënda në negociata” të Shteteve të Bashkuara. Duke folur për Zërin e Amerikës, ai tha se negociatat e drejtuara nga ish-ambasadori amerikan Zalmay Khalilzad, i angazhuan Shtetet e Bashkuara për respektimin e një kuadri kohor, ndërkohë që nuk i kushtëzuan talebanët me përmbushjen e kushteve për të cilat ishte rënë dakord.
Kur ish-presidenti Trump bëri njoftimin për këtë marrëveshje, ai paralajmëroi se “nëse do të ndodhin gjëra të këqija, do të rikthehemi me një forcë që nuk është parë ndonjëherë”.
Sipas gjeneralit McKenzie, presidentët Biden dhe Trump “kishin një objektiv të përbashkët të politikës së jashtme, largimin nga Afganistani pa patur parasysh pasojat”.
Gjenerali McKenzie thotë se Irani dhe Rusia kanë tashmë një “martesë bazuar në interesa të përbashkëta” dhe ai ngre shqetësimin se me çfarë do ta shpërblejë Iranin Rusia për dronët dhe raketat iraniane që po përdor në luftën në Ukrainë.
Ai tha se ukrainasit duhet të kenë mundësinë të godasin kudo brenda territorit të Rusisë që po i sulmon ata në vendin e tyre, “por me disa kufizime”, si p.sh. në zonat ku Rusia mban raketat bërthamore.
“Nuk mund t’u dhurojmë atyre strehë të sigurtë”, tha ai.
*Intervista në vazhdim është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.
* * *
Zëri i Amerikës: Keni shumë kritika për marrëveshjen e Dohas, që administrata e ish-presidentit Trump dhe talebanët nënshkruan në shkurt 2020. Përse mendoni se ishte, siç thoni në librin tuaj, “The Melting Point”, një ndër gabimet më të rënda në negocimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara?
Gjenerali McKenzie: Sepse firmosëm një marrëveshje ku u angazhuam për t’u tërhequr në një afat të caktuat kohor. Dhe kjo është domethënëse nëse nuk e shoqëron me kushte marrëveshjen. Ne nuk u kërkuam talebanëve të përmbushnin kushtet që u ishin vendosur në kuadrin e kësaj marrëveshjeje. Pra marrëveshja mund të kishte funksionuar pak më mirë nëse nuk do të ishim treguar aq të gatshëm gjatë procesit negociues që pasoi. Kjo i rigjallëroi talebanët, pasi e morën largimin tonë si një program kalendarik. Mendoj se edhe ne, përgjatë administratave të dy presidentëve të ndryshëm, e morëm si një kalendar largimi dhe kjo ia uli rëndësinë qeverisë afgane.
Zëri i Amerikës: Ish-presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e ka quajtur krye-negociatorin e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e Dohas, ambasadorin Zalmay Khalilzad, “të korruptuar”, “të paaftë” dhe plot sekrete. Dhe në librin tuaj ka disa përshkrime të ngjashme për zotin Khalilzad. Në një pikë edhe ju flisni për natyrën e tij sekrete, për mbajtje të informacionit, për mosndarje të mjaftueshme me qeverinë amerikane. A mund të themi se në këtë pikë bini dakord me zotin Ghani?
Gjenerali McKenzie: Për pjesën që nuk ndante informacion, që i mbante negociatat e tij të fshehta... Kjo është një e vërtetë e qartë për mua. Për të tjerat, nuk mund të komentoj.
Zëri i Amerikës: A mendonit se ai pati gjithnjë interesat e Shteteve të Bashkuara në qendër të negociatave?
Gjenerali McKenzie: Pyetje e shkëlqyer. Mendoj se për shkak se si erdhën punët, është e qartë se negociatat që ai bëri nuk rezultuan në të mirën tonë.
Zëri i Amerikës: Një inspektim i brendshëm i Shtëpisë së Bardhë për vendimin e presidentit Biden thotë se ai ishte “tepër i kufizuar” për shkak të marrëveshjes së Dohas të presidentit Trump. Por ne e kemi diskutuar shpesh këtë, pra nëse Talebanët nuk do t’u përmbaheshin kurrë angazhimeve të tyre, sa e detyrueshme mund të ishte një marrëveshje ër vendimmarrjen e administratës së presidentit Biden, kur Talebanët nuk do të zbatonin pjesën e tyre?
Gjenerali McKenzie: Le të rikujtojmë se administrata e presidentit Biden zgjodhi ta mbajë ambasadorin Khalilzad si negociatorin e saj kryesor. Ky ishte një vendim që mund ta kishim rimenduar. Mund të kishin ndryshuar përbërjen e ekipit negociator. Zgjodhën të mos e bëjnë këtë. Dhe kjo është diçka e rëndësishme për ta shqyrtuar nëse i hedhim një vështrim trajektores së marrëveshjes së Dohas. Fakti është se në janar 2021, kur ekipi i presidentit Biden mori detyrën, kishte disa pjesë të marrëveshjes që nuk po zbatoheshin nga talebanët dhe ne zgjodhëm të mos i detyronim t’i zbatonin ato.
...Mendoj se arritëm tek ngjarjet e gushtit 2021 për shkak se dy administrata, si kurrë më parë në historinë moderne amerikane, patën një objektiv të përbashkët politikash, largimin nga Afganistani pavarësisht pasojave: Presidenti Trump dhe Presidenti Biden.
Zëri i Amerikës: Ju paraqitët katër opsione për presidentin Biden se si të veprohej për Afganistanin. Rekomandimi juaj i parë ishte të mbaheshin 2500 forca amerikane dhe disa njësi speciale në Afganistan, të mbaheshin tetë baza, përfshirë bazën ajrore të Bagramit. Opsioni juaj i dytë ishte zvogëlimi i pranisë në 1800 forca dhe vazhdimin e tre bazave, përfshirë Bagramin. Opsioni i tretë ishte tërheqja e plotë, por duke mbajtur ambasadën. Dhe opsioni i katërt ishte tërheqja e plotë pa vazhdimësi të pranisë diplomatike. Presidenti Biden zgjodhi opsionin e tretë, për të cilin ju thoni se mbartte “rreziqet më të mëdha për interesat amerikane”. Çfarë ju shtyu ta thoni këtë?
Gjenerali McKenzie: Sepse largimi, sipas këtij plani, ishte me tërheqjen e ushtrisë amerikane, por me lënien e një platforme të gjerë të ambasadës. Do të linim shtetasit tanë dhe do të linim afganët e rrezikuar, dhjetëra mijëra prej tyre... dhe kështu iniciativa do të kalonte në duart e talebanëve dhe do të mbeteshim në varësi të gjykimit të tyre dhe të natyrës së tyre, që në të dyja rastet e dimë se nuk ishte gjë e mirë për Shtetet e Bashkuara. Prandaj mendova se kjo ishte më e keqja e të gjitha mundësive që mund të përzgjidheshin.
Zëri i Amerikës: I keni fajësuar të dy presidentët Trump dhe Biden për atë çfarë ndodhi në Afganistan... Por, ajo që është interesante është se, në mungesë të ndonjë fitoreje që nuk ka gjasa të ndodhë të një kandidati të tretë, njëri prej këtyre dy personave, qoftë presidenti Biden apo ish-presidenti Trump, do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Çfarë shqetësimesh keni në lidhje me këtë?
Gjenerali McKenzie: Shqetësime nuk do të ishte ndoshta fjala e duhur. Gjëja më e rëndësishme për ushtrinë amerikane dhe gjeneralët me katër yje është që të jenë krejtësisht apolitikë. Ushtria amerikane duhet të përgatitet për t’iu përgjigjur urdhrave të ligjshëm të udhëheqësve të vendit të zgjedhur në mënyrë kushtetuese dhe shprehja e një opinioni përtej kësaj, mendoj se do të ishte e rrezikshme për të ardhmen e republikës... Nëse je oficer me katër yje, mbart një barrë unike. Është e ndryshme nga të gjitha gradat e tjera të oficerëve, për shkak të faktit se shërben në nivelet më të larta të ushtrisë amerikane, realisht në epiqendrën ku ndërthuren operacionet ushtarake dhe politika. Prandaj mendoj se është keq për vendin shprehja e një opinioni për këtë çështje dhe nuk do ta bëj këtë gjë.
Zëri i Amerikës: Irani mbështet Hamasin në rajon, Hezbollahu mbështet huthitë. Ata gjithashtu mbështesin Rusinë... Ku do të ishte Rusia me luftën në Ukrainë nëse nuk do të kishte patur mbështetjen e dronëve dhe raketave iraniane?
Gjenerali McKenzie: Mendoj se dronët dhe raketat iraniane e kanë ndihmuar shumë Rusinë në luftë. Janë madje më të mira se disa prej llojeve të pajisjeve ruse. U kanë mundësuar të rifitojnë atë që ne e quajmë volum zjarri dhe kjo është shumë shqetësuese. Ajo që është gjithashtu shqetësuese, por për këtë nuk kam një pamje të qartë, është se çfarë teknologjie ruse po dërgohet drejt Iranit. Kjo nuk është çështje dhuratash. Këto janë dy vende totalitare, pra çdo gjë është në këmbim të diçkaje tjetër. Prandaj duhet të jemi shumë të shqetësuar për atë çfarë po fut Rusia në Iran... Është një martesë bazuar tek interesi dhe asgjë më tepër.
Zëri i Amerikës: Lufta kundër ISIS-it pati përgjithësisht sukses pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere patën mundësinë të shkonin në Siri, ku bëhej lufta. Dhe ekspertët thonë se lufta në Afganistan dështoi në shumë nivele, pasi Shtetet e Bashkuara nuk mundeshin të kalonin deri përtej kufirit në Pakistan. Tashmë ekziston një debat i ngjashëm këtu me luftën në Ukrainë, ndërsa forcat ruse sulmojnë Ukrainën nga brenda territorit të Rusisë. Cili është mendimi juaj për këtë? A duhet që ukrainasit të mund të godasin kudo brenda Rusisë që po i sulmon?
Gjenerali McKenzie: Po, por me disa kufizime, që nuk mendoj se janë detyrimisht distancat gjeografike. Nuk do t’u thoja “mos godisni përtej 10 miljeve brenda Rusisë”. Do të thoja se duhet të jenë tepër të kujdesshëm për të mos sulmuar objektet bërthamore të Rusisë, komandat bërthamore dhe qendrat e kontrollit dhe të tilla të ngjashme. Përtej kësaj, do të thoja se duhet t’u japim ukrainasve fleksibilitet për objektet që godasin brenda Rusisë, pasi siç e thatë më herët, nuk mund t’u japim strehë të sigurtë atje. Qendrat e komandës dhe kontrollit, të kontrollit konvencional ushtarak, logjistika dhe formacionet e tjera ruse janë realisht jashtë rrezikut atje dhe mendoj se kjo i ka dëmtuar shumë aftësitë e Ukrainës për t’iu kundërpërgjigjur ofensivës më të fundit.
Zëri i Amerikës: Do të doja të kaloja tek lufta në Gazë. A mund të ketë fitore në betejën e Izraelit ndaj Hamasit?
Gjenerali McKenzie: Mundësia e fitores ekziston, nëse mund të kenë një plan “për ditën pas luftës”, që nuk përfshin luftime të vazhdueshme brenda Gazës. Dhe për këtë duhet një vizion që mund të përfshijë prani të forcave të tjera, krahas atyre izraelite. Mendoj se forcat ushtarake arabe mund të ishin perfekte – të formuara nga disa vende të ndryshme. Do të duhet investim domethënës, infrastrukturë, rindërtim dhe ofrim i shërbimeve bazë. Por, duhet të sigurohen se Hamasi nuk do të jetë pjesë e ekuacionit. Jam mbështetës i madh i pikëpamjes izraelite se duhet eliminuar Hamasi. Paralelisht mendoj se është objektiv tepër i vështirë të thuhet se duhet të eliminohet plotësisht Hamasi, pasi kjo është një lëvizje revolucionare. Edhe nëse do të vriten 99 luftëtarë nga Hamasi, luftëtari i 100-të do të ngrejë dorën e gjakosur dhe do të shpallë revolucionin. Pra ky është një problem me të cilin do të duhet të përballen. Kanë eliminuar shumë prej formacioneve luftarake të Hamasit. Ka ende njësi që kanë mbetur. Mendoj se kanë qenë më pak të suksesshëm me udhëheqjen e Hamasit, pasi ata kanë vendosur të fshihen ndërsa luftëtarët e tyre luftojnë. Dhe jam i sigurt se fshihen thellë nën tokë, të mbrojtur nga pengjet izraelite. Dhe sigurisht nga pengjet e vërteta në Gazë, jo thjesht pengjet izraelite, por popullsia e vetë Gazës, për të cilën Hamasi nuk është aspak i interesuar që ta largojë nga vija e zjarrit./VOA