“Faji është komplet i Serbisë”, Koci paralajmëron Qeverinë e Kosovës për zhvillimet e fundit dhe dialogun në Bruksel

Intervista

“Faji është komplet i Serbisë”, Koci paralajmëron Qeverinë e Kosovës për zhvillimet e fundit dhe dialogun në Bruksel

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 qershor 2024 Në ora: 08:06
Melazim Koci

Zhvillimet të shumta politike, diplomatike e të fushave tjera po ndodhin në Kosovë.

Opinioni publik në vend po përballet me situata dhe ngjarje të ndryshme, ku disa prej tyre marrin edhe vëmendje më të shtuar.

E për të komentuar dhe analizuar ngjarjet më të rëndësishme në vend, gazeta “Bota sot” ka intervistuar ish-kryeredaktorin e Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci.

Image
Melazim Koci

Koci në intervistën e tij dhënë medias tonë, ka shpalosur pikëpamjet e tij, ku ndër të tjera potencoi se është koha e fundit që Kosova ta ri mendoj çështjen e dialogut dhe ta thotë qartë që ai ka dështuar.

Në lidhje me dialogun dhe dështimin e këtij procesi, fajtor e bëri Serbinë, derisa shtoi se padrejtësisht Kosova po vazhdon ende me masa ndëshkuese.

Krahas kësaj, Koci u shpreh kritikë edhe me ndërkombëtarët, derisa tha se mos anëtarësimi i Kosovës në KiE ishte dështim i diplomacisë evropiane.

Kurse, sa i përket politikës në vend dhe mundësive për zgjedhje të parakohshme, ish-kryeredaktori i REL potencoi se nuk është koha që të mbahen ato.

“Zgjedhjet duhet të mbahen në afatet e rregullta, sepse nuk ka asnjë arsye që ato të mbahen tash”.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Koci, si e komentoi situatën politike në Kosovës? Sa kanë ndikuar raportet me Serbinë dhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian në rrjedhën e zhvillimeve në vend?

Melazim Koci: Dialogu me Serbinë ka bërë që Kosova të shpenzoj shumë energji në një çështje që është e destinuar të dështoj. Serbia nuk do marrëveshje. Beogradi përmes dialogut është duke "blerë" kohë dhe është duke pritur rrethana të favorshme gjeopolitike për të aneksuar veriun. Këtë ia ka mundësuar qëndrimi shumë i butë dhe i njëanshëm i Bashkimit Evropian. Është koha e fundit që Kosova ta rimendoj çështjen e dialogut dhe ta thotë qartë që ai ka dështuar. Faji është komplet i Serbisë, sepse kanë refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes franko-gjermane dhe kanë dërguar letër në Bruksel, përmes të cilës kanë refuzuar edhe njohjen de fakto.

Mjerisht dhe çuditërisht masat ndëshkuese të BE-së rëndojnë mbi Kosovën dhe jo ndaj Serbisë!

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, Kosova nuk arriti të anëtarësohet në KiE, si e keni parë këtë zhvillim? Pse po vendosen kushte të njëpasnjëshme ndaj Kosovës, njëherë vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit, më pas Asociacioni?

Melazim Koci: Mos anëtarësimi i Kosovës në KiE ishte dështim i diplomacisë evropiane. Pas takimit Macron - Vuçiq doli kërkesa shtesë për dërgimin e draftit të Asociacionit të BE-së në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk ishte e drejtë dhe dëshmoj se diplomacia evropiane ende lejon të kushtëzohet dhe diktohet nga Beogradi. Kosova kishte përmbushur kushtet për anëtarësim dhe refuzimi i pranimit në KiE është një dëshmi tjetër e njëanshmërisë së diplomacisë evropiane në raport me Kosovën.

Gazeta “Bota sot”: Sa është e vështirë “rruga” e shtetit tonë drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, marrë parasysh propagandën e Serbisë?

Melazim Koci: Rruga e Kosovës drejtë organizatave ndërkombëtare nuk do të jetë e lehtë. Pavarësisht vështirësive, Kosova duhet të bëjë çmos të ruaj raportet me aleatët e dëshmuar siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Pa bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Kosova nuk mund të avancoj në organizmat ndërkombëtare. Nëse mospajtimet me BE, mund të kuptohen, keqkuptimet me SHBA duhet të tejkalohen sa më parë. SHBA-ja ka qenë dhe do të mbetet faktori përcaktues për ecjen dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Pa SHBA nuk mund të bëhet asnjë hap para.

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, po përflitet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, a vlerësoni që është momenti i duhur për këto zgjedhje, apo duhet lënë qeverinë deri në përfundim të mandatit?

Melazim Koci: Nuk besoj se tash është çasti për zgjedhje të reja. Zgjedhjet duhet të mbahen në afatet e rregullta, sepse nuk ka asnjë arsye që ato të mbahen tash. Në instancë të fundit, Kosova duhet të filloj të mësohet me cikle të rregullta të zgjedhjeve.

Gazeta “Bota sot”: Sipas jush, cilat janë fushat në të cilat qeveria Kurti ka shënuar progres dhe në cilat ka dështuar të korrë suksese?

Melazim Koci: Qeveria Kurti ka qenë e suksesshme në shtrirjen e sovranitetit në veri, por ishte sukses edhe refuzimi që Serbia të mbante referendumin dhe zgjedhjet e veta në Kosovë. Mjerisht disa veprime të pakoordinuara me aleatët, Kosovës i kanë kushtuar me zbehje të raporteve me aleatët kryesor. Besoj që qeveria Kurti në të ardhmen do të bëjë kujdes që raportet me Perëndimin të ruhen dhe të mos lëndohen, sepse Kosova është e lidhur ekzistencialisht me ata.

Në politikat e brendshme, besoj se qeveria Kurti nuk ka bërë sa duhet në rrafshin social.

Ka ngritje të kostos së jetës dhe kjo nuk është përcjell me ngritje adekuate të pagave dhe pensioneve. VV është parti e majtë (socialdemokrate) dhe kam pritur shumë më tepër në çështjet sociale. Mjerisht, kjo nuk ka ndodhur. Kosova sot ende mbetet pa sigurime shëndetësore dhe kjo nuk është në harmoni me programin dhe premtimet e VV.

Gazeta “Bota sot”: Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, ka kohë që nuk ka takime mes liderëve të të dyja palëve. Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin BE dhe SHBA për të zhbllokuar këtë bllokadë? A ka gjasa të kemi marrëveshje brenda këtij viti?

Melazim Koci: Dialogu Kosovë - Serbi jo vetëm që është bllokuar, por ai ka dështuar. Kosova duhet ta rimendon çështjen e dialogut me Serbinë. Ka ardhur koha që aleatëve t'u thuhet se Kosova nuk mund të mbetet peng i dialogut me Serbinë. Ajo që mund dhe duhet të bëhet është kjo: dialogu i tashëm me Serbinë të zbritet në nivel të ulët teknik, ndërsa Marrëveshja franko - gjermane të negociohet vetëm me bashkësinë ndërkombëtare. Kosova duhet ta thotë që është e gatshme ta zbatoj Marrëveshjen franko – gjermane, nëse merr garanca të sigurisë (anëtarësim i përshpejtuar në NATO). Pra, një asociacion pa kompetenca ekzekutive mund të bëhet nëse bashkësia ndërkombëtare anëtarëson Kosovën në NATO. Këto procese do të shkonin paralelisht, jo fillimisht Asociacioni dhe pastaj NATO.

Ndryshe, vazhdimi eventual i dialogut me Serbinë është në interesin e Beogradit. Ata duan që këtë dialog ta shtyjnë deri në pafundësi. Kosova mund të jetoj dhe zhvillohet edhe pa njohje nga Serbia. Për Kosovën nuk është vendimtare njohja nga Serbia, por anëtarësimi në NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat