Votimi pro Srebrenicës që “nervozoi” Vuçiqin, nga Mali Zi tregojnë pengesat e Serbisë/ Deputeti shqiptar ka një thirrje për Evropën

Intervista

Votimi pro Srebrenicës që “nervozoi” Vuçiqin, nga Mali Zi tregojnë pengesat e Serbisë/ Deputeti shqiptar ka një thirrje për Evropën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 qershor 2024 Në ora: 12:08
Nikollë Camaj

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, thotë se Evropa nuk duhet t’i hupë shumë kohë duke i shtuar kërkesat, pasi integrimi i Malit të Zi në këtë moment nuk është vetëm interes i këtij shtetit, por interes gjeopolitik.

Camaj në një intervistë për gazetën “Bota sot”, u shpreh se marrëdhëniet e Kosovës dhe Malit të Zi janë në rregull dhe kjo u pa edhe me votimin pro për anëtarësimin e saj në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, në intervistë flet edhe rreth votimit të tyre pro rezolutës që njeh gjenocidin në Srebrenicë dhe indijatën e palës serbe, duke thënë se ata nuk vlerësuan as arritjen e madhe të tyre që në rezolutë të fusë amandamentin se nuk ka popull gjenocid.

Intervista e plotë:

Bota sot: Z. Camaj, fillimisht të lutem na thuaj se çfarë pret në mandatin e Qeverisë së Malit të Zi. Çfarë rezultate konkrete priten në politikën e brendshme por edhe në atë të jashtme?

Nikollë Camaj: Krejt çka pres nga kjo Qeveri, në këtë mandat, është që të respektohet marrëveshja e nënshkruar për bashkëqeverisje. Nëse ajo respektohet, standardi i qytetarëve do të rritet, infrastruktura do të përmirësohet, kurse me adaptimin e ligjeve, do të sigurohet e drejta e ligjit, ndalimi i korrupsionit, aneksimi i pasurisë së fituar me veprimtari kriminale dhe natyrisht, të avancohen të drejtat e veçanta të pakicave. Po ashtu, kur është në pyetje politika e brendshme pres se do të krijohet një kornizë më e përshtatshme zgjedhore, në mënyrë që të evitohen anomalijet e shumta që kanë përcjellë proceset zgjedhore në të kaluarën.

Sa i përket politikës së jashtme, Mali i Zi, gjatë këtij mandati do duhej të harmonizojë plotësisht qëndrimet me BE-në, sidomos kur është në pyetje politika e jashtme dhe ajo sigurisë, bashkëpunimi i besueshëm me NATO-n, si edhe ruajtja e raporteve të mirë me fqinjët.

Bota sot: A pritet që zhvillimi i ngjarjeve në rajon ose botë të ndikojë në pozicionimin ose ripozicionimin e kohë pas kohshëm të qeverisë aktuale në raport me aleatët e Malit të Zi ose me vendet që ka marrëdhënie të ngushta ose me ato që Mali i Zi ka raporte të distancuara?

Nikollë Camaj: Natyrisht se ato nuk mund të kalojnë pa ndikime, sidomos nëse e kemi parasysh faktin se kjo është një qeveri heterogjene, me një shumicë të përbërë nga struktura politike ndryshme, të cilat madje kanë programe dhe qëndrime diametralisht të kundërta, sidomos në raport me ngjarjet e fundit në rajon dhe botë.

Kjo shumicë, me marrëveshjen për bashkëqeverisje ka arritur një konsensus që të mos hapen çështje që i dallojnë, mirëpo kohë pas kohe kjo megjithatë ndodh, sidomos kur është në pyetje Kosova, lufta në Ukrainë, Srebrenica apo edhe NATO.

Se a mund të ketë ndikim në qëndrueshmërinë e qeverisë ia kisha lënë kohës të dëshmoi, por ajo që mendoj është se asnjë nga këta nuk e kanë luksin e të manovruarit në dëm të marrëveshjes, pasi që kjo do t’u jepte hapësirë rivalëve të tyre, që ishin në qeveri 30 vitet e fundit. Prandaj dua të besoj se do të ruhet kohabitimi, edhe përkundër brishtësisë që ka.

Bota sot: Konfliktet dhe luftërat në disa vende kanë shtyrë shumë qeveri që të rreshtohen nga njëri krahë ose tjetri në raport me fuqitë e mëdha. Në çfarë ane është Mali i Zi?

Nikollë Camaj: Mali i Zi zyrtarisht qëndron me perëndimin, edhe pse, siç e thash kemi forca politike që rreshtohen me Rusinë. Meqenëse përkrahja integrimeve evropiane te qytetarët e Malit të Zi është afër 80%, kjo dëshmon se rruga properëndimore nuk mund të devijohet, edhe pse ngjarjet e fundit, ka mundësi që të ulin këtë përqindje. Prandaj as Evropa nuk guxon të humb shumë kohë duke shtuar kërkesat, sepse integrimi i Malit të Zi në këtë moment, nuk është vetëm interes i këtij shteti, apo rajonit, por për me tepër është edhe inters gjeopolitik, prandaj duhet shfrytëzuar ky disponim. Përndryshe i lihet hapësira “botës serbe”.

Bota sot: Si i shihni marrëdhëniet e tanishme mes Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe komunikimin që ka qeveria kosovare dhe ajo malazeze. Cili është vlerësimi juaj?

Nikollë Camaj: Siç e thash edhe për çështjet tjera, zyrtarisht këto marrëdhënie janë në rregull, mirëpo ka kapërcime. Kjo u pa edhe në Strasburg gjatë votimit për anëtarësimin e Kosovës, në Asamblenë e Këshillit të Evropës, çështje kjo që, fal faktorëve të tjerë, në rend të parë qëndrimit të Kosovës, nuk arriti në Këshillin e ministrave. Megjithatë, Qeveria e Malit të Zi, kishte qëndrim të qartë për të votuar në favor të Kosovës. Edhe përkundër një retorike jo mjaft të përshtatshme në Kuvend, Qeveria vazhdon të kultivojë marrëdhëniet e trazuara më parë, kryesisht korrrekte.

Bota sot: Kosova nuk arriti të pranohet në Këshillin e Evropës, por u bë anëtare e asociuar në NATO. Kosova para vetes ka disa barriera për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në institucionet evropiane. Si e shihni qëndrimin e qeverisë së Malit të Zi karshi Kosovës në këto procese në të ardhmen?

Nikollë Camaj: Së pari, për ne ka shumë rëndësi që anëtarët nga Mali i Zi, në NATO, votuan pro, që Kosova të jetë anëtare e asociuar dhe kjo e përforcon atë që e thash në pyetjen paraprake. Megjithatë dua të apostrofoj se në këtë moment, pak çka në Kosovë varet nga Mali i Zi, e shumëçka varet nga vet institucionet e Kosovës dhe raportet që ka me aleatët, të cilat nuk guxohet të bihen në pyetje. Sidoqoftë, nuk besoj se kjo qeveri do të bien në pyetje raportet me Kosovën, sado që në Kuvend shpesh mund të dëgjojmë të kundërtën.

Bota sot: Si qëndrojnë aktualisht shqiptarët në Mal të Zi, qasja e tyre në arsim, punë dhe institucione. Cilat janë ngecjet dhe cilët janë hapat e radhës për shqiptarët që veprojnë atje?

Camaj: Shqiptarët e këtushëm asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të kyçur, në të gjitha poret e jetës shoqërore, politike, kulturore, e madje edhe financiare, në Malin e Zi. Megjithatë as përafër asaj që ne dëshirojmë. Akoma ka mungesa në punësime, në shfrytëzimin e resurseve tona lokale, në shkollim. Sidomos, kemi një pengesë të trashëguar nga ish sistemi e lidhet me shtetësinë e njerëzve tonë që jetojnë jashtë shtetit. Ata kanë lindur këtu, kanë prona të trashëguara, në vlerë më të mëdha se ata që e fitojnë shtetësi ekonomike, kurse këta nuk kanë mundësi të zgjedhin statusin e vet, për vete, as për trashëgimtarët e vet. Pëngesë tjetër paraqet edhe fakti se Mali i Zi është një shtet i centralizuar çka nuk u jep mjaft hapësirë qeverisjeve lokale për të shfrytëzuar lirshëm resurset e veta e që direkt dëmton dy komunat shqiptare, Ulqinin dhe Tuzin.

Këto janë edhe sfidat e shqiptarëve të sotëm, posaçërisht të atyre të kyçur në politikë deri në postin më të lartë që kemi sot, e ai është posti i nënkryetarit të qeverisë.

Bota sot: Së fundmi OKB miratoi rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë. Mali i Zi votoi pro kësaj rezolute, për çka autoritetet serbe shprehën indinjatën e tyre ndaj Malit të Zi, duke thënë se kjo do të ndikojë në raportet mes dy vendeve. Cili është opinioni juaj rreth kësaj çështje?

Nikollë Camaj: Po, autoritet serbe reaguan tepër ashpër, madje nuk e vlerësuan as arritjen e madhe të palës malazeze që në rezolutë të fusë amendamentin se nuk ka popull gjenocid. Megjithatë Serbia po e shfrytëzon këtë rast, e edhe disa të tjera, për të provuar që të pengojë rrugëtimin evropian të Malit të Zi. Këtë për arsye se me anëtarësimin e Malit të Zi në EU fundoset ëndrra për botën serbe, me Mali e Zi brenda asaj bote. Natyrisht se Serbia, për qëllimet e veta tenton të shfrytëzojë elementin pro-serb brenda shumicës parlamentare. Jam i mendimit se këto politika janë të dështuara dhe se i takojnë së kaluarës, ani se Serbia po tenton t’i ikë ballafaqimit me të kaluarën, pa çka për të nuk ka të ardhme.

Bota sot: Cilat mund të jenë pengesat konkrete që Serbia mund t'ia shkaktojë Malit të Zi, ose çfarë kundërpërgjigjje mund të ketë Mali i Zi kundër Serbisë?

Nikollë Camaj: Së pari, opstrukcioni përmes “lojtarëve” të vet brenda Malit të Zi, që të pengohet rrugëtimi evropian i Malit të Zi. Ka kërcënime edhe me presion ekonomik, përmes bojkotimit të bregdetit malazias si destinacion turistik, por nuk besoj se kjo mund të ketë ndikim të madh, madje as që mund të realizohet. Përshpejtimi i integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian duhet të jetë prioritet i të gjithë atyre që duan ta shpëtojnë këtë rajon nga ndikimi serbo-rus. Kjo do të ishte edhe kundërpërgjigje më e mirë, prandaj të punohet me zell për plotësimin e kushteve që BE i pret nga ne, por edhe BE të vlerësoj rrezikun që e ka Mali i Zi dhe të përshpejtojë procesin e integrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat