Quni kritikon Kurtin: “Piskamat” e tij politike kanë qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga marrëveshja e keqe për Asociacionin

Intervista

Quni kritikon Kurtin: “Piskamat” e tij politike kanë qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga marrëveshja e keqe për Asociacionin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 qershor 2024 Në ora: 22:04
Anton Quni

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, për aktualitetin në vend dhe më gjerë ka folur deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Quni për takimin Kurti-Vuçiq ka thënë se nuk pret ndonjë konsitencë për zgjidhjen e problemeve, duke shtuar se Kurti ka bërë një marrëveshje të keqe që nuk duhet harruar e që është asociacioni.

Për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, deputeti thotë se deklarimet e tyre janë në shpërputhje me mundësitë e tyre reale, pasi që institucionet e sigurisë së Kosovës dhe prezenca e KFOR-it janë forca përballë çdo rreziku që vjen nga ta.

Për ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në “Konferencën ‘Rugova dhe Perëndimi”, e që bëri bujë të madhe, Quni shprehet se marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të jenë të veçanta.

Kurse, për fundin e mandatit të Qeverisë dhe të arritur e saj këto katër vite, Quni thotë se edhe ato që sado pak ishin mirë të formuara, sot po rrezikohen e degradohen në përmasa shqetësuese.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Quni, cili është komenti juaj për aktualitetin politik në Kosovë?

Anton Quni: Degradimi i pozitës së Kosovës në rrafshin diplomatik, polarizimi i skajshëm i spektrit politik në Kosovë dhe tek shqiptarët në shtetet fqinje, përpjekjet për kapjen e çdo institucioni dhe organizate, asnjë përparim në rrafshin ekonomik dhe fushat tjera, janë vula e Qeverisë Kurti.

“Bota sot”: Si e patë takimin Kurti-Vuçiq, çka mendoni se do të ndodhë me Asociacionin?

Anton Quni: Tani më nga përvojat në të kaluarën nuk pres ndonjë konsistencë për zgjidhjen e problemeve. Do të vazhdohet me deklarime populiste, veprime të improvizuara dhe mos-koordinim të brendshëm ndërinstitucional dhe me miqtë e vendit tonë. Një gjë nuk duhet harruar kurrë, Kurti e ka bërë marrëveshjen më të keqe me Serbinë, sepse ka shkuar përtej, me theks të veçantë për Asociacionin. Piskamat politike që i prodhon Kurti kanë për qëllim që ta shpërqëndrojnë vëmendjen nga marrëveshja e tij e keqe. Ndërkaq, Kurti, po të njëjtën marrëveshje e kishte lavdëruar, gjersa kishte deklaruar se kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme. E, Kosova dy herë po del humbëse; një herë nga marrëveshja e keqe, dhe një herë tjetër duke i prishur marrëdhëniet me miqtë e saj tradicional.

Kurti dhe Vuçiq po investojnë në populizmin e njëri - tjetrit, ku nga kjo është e sigurt që dëmtohet Republika e Kosovës.

“Bota sot”: Serbia vazhdon të kërcënojë, si qëndron siguria në Kosovë?

Anton Quni: Institucionet e sigurisë së Kosovës dhe prezenca e KFOR-it janë forca përballë çdo rreziku që vjen nga Serbia. Deklarimet e tyre janë në shpërputhje me mundësitë e tyre reale. Sidoqoftë, nuk duhet përjashtuar format e ndërhyrjeve të cilat shkaktojnë tensionime të situatës, e të cilat pastaj Serbisë do t’i shërbejnë për avantazhe në tavolinën e bisedimeve.

“Bota sot”: Masat ndëshkuese të Kosovës u tha se do të hiqen pjesërisht dhe gradualisht, a prisni të hiqen së shpejti?

Anton Quni: Së pari, në asnjë mënyrë nuk është dashur të lejohet se ne si Kosovë të jemi në grup me Rusinë dhe Belorusinë nën sanksionet e BE-së. Qeveria e Kosovës është e obliguar që Kosovës me ia kthy kredibilitetin, ndërsa qytetarëve të saj dinjitetin.

“Bota sot”: Pse LDK, parti e djathtë, ftoi Edi Ramën në Konferencën ‘Rugova dhe Perëndimi”?

Anton Quni: Ne si parti konsiderojmë se marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të jenë të veçanta. Prandaj, Edi Rama ishte i ftuar si kryeministër i Shqipërisë. Ndërsa, përmbajtja e atij organizimi besoj se i ndihmon Republikës sonë. Edhe aty, si çdokund, nga të gjithë u vlerësua roli prijatar dhe vendimtar i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, në rrugëtimin për liri, pavarësi e demokraci. U vlerësua se Presidenti Rugova është meritori për orientimin origjinal të Kosovës drejt familjes së saj natyrale - Perëndimit.

“Bota sot”: Si i shihni raportet e Kurtit me partnerët ndërkombëtarë?

Anton Quni: Nga vet deklarimet e liderëve të shteteve partnere kuptohet se Kurti nuk konsiderohet i besueshëm dhe i qëndrueshëm. Ky fakt, fatkeqësisht e vështirëson pozitën e Kosovës.

“Bota sot”: Kjo qeveri po shkon drejt fundit të mandatit, si e keni parë qeverisjen e LVV-së, këto katër vjet?

Anton Quni: Të gjitha ato zhvillime, sado me vështirësi, të arritura në rrafshin e fuqizimit të institucioneve dhe organizatave, marrëdhënieve diplomatike, zhvillimeve në arsim, shëndetësi, arsim e ekonomi, siguri nacionale, rend e ligj, sot po rrezikohen e degradohen në përmasa shqetësuese.

Qeveria me politika populiste, na i siguroi sanksionet nga komuniteti ndërkombëtarë baraz me Rusinë dhe Belorusinë. Marrëdhëniet me aleatët dhe  partnerët strategjik nuk kanë qenë kurrë kështu - keq, asnjë njohje dhe hap drejt integrimeve euroatlantike, zero investime nga jashtë dhe asnjë projekt kapital i realizuar, të fundit në listë për nga cilësia e arsimit, me shërbime të dobëta shëndetësore, ikjen nga vendi të të rinjve e në veçanti të kuadrove profesionale etj.

Thjesht, ishte një mandat ku humbëm shumë mundësi dhe u degraduan shumë të arritura.

“Bota sot”: Nëse mund t’u referohemi sondazheve mediatike, LDK del të jetë e treta, cilat janë parashikimet tuaja në zgjedhjet e ardhshme?

Anton Quni: Duke e kuptuar fuqizimin e LDK-së dhe rikthimin e saj fuqishëm, sondazhet e porositura janë përpjekje për krijimin e opinionit dhe manipulimin e qytetarëve. Sponzorizuesit janë në panikë se koha e LDK-së po vjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat