Diplomati “zbulon” takimet e fshehta në mes Vetëvendosjes e PDK-së: Pas këtyre takimeve, PDK-ja mori disa vendime

Intervista

Diplomati “zbulon” takimet e fshehta në mes Vetëvendosjes e PDK-së: Pas këtyre takimeve, PDK-ja mori disa vendime

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 1 korrik 2024 Në ora: 10:00
Lulzim Veliu

Njohësi i çështjeve rajonale, Lulzim Veliu në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur për çështjet aktuale politike në vend, takimin e fundit të Kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, kërkesat e tij në këtë takim, si dhe për mundësinë për zgjedhje të reja.

Ai ka folur po ashtu edhe për mundësinë e një koalicioni LVV-PDK.

Në këtë rast ka përmendur edhe takimet ndërmjet këtyre dy partive, duke thënë se ka pasur edhe takime të tjera, por që nuk janë bërë publike.

“Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti i ka paraqitur tri kërkesa në Bruksel ndaj Serbisë, formalizimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Ana Brnabiq si dhe dorëzimin e Radoiqiqit. Sipas jush, sa janë të realizueshme këto kërkesa nga pala serbe?

Lulzim Veliu: Formalizimi apo edhe implementimi i kësaj marrëveshje është edhe kërkesë e palës ndërmjetësuese dhe si e tillë duhet që sa më parë që është e mundur të arrihet, pasi do hapte rrugët për dy vendet edhe për integrime drejtë bashkimit evropian, njëherit kjo marrëveshje është e obligueshme për dy vendet, mirëpo ne po shohim tash e më tepër se një vit sikur dy palët janë pajtuar për të mos realizuar këtë marrëveshje pasi asnjëri e as tjetri nuk janë të kënaqur me atë që është arritur.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë apo siҫ njihet plani Franko- Gjerman, në vete përmban disa marrëveshje të arritura shumë herët e të cilat nuk janë implementuar deri më tani e njëra ndër to është edhe marrëveshja për asociacionin për komunat me shumicë serbe, për të cilën Qeveria e Kosovës po këmbëngul për të mos implementuar edhe pse është pjesë e marrëveshjes së pranuar nga vete kryeministri Kurti, është marrëveshje që është pranuar nga paraardhësit e tij, kryeministrat Thaҫi e Mustafa, pastaj është ratifikuar në parlamentin e Kosovës, dhe si e tillë patjetër duhet implementuar vetëm se statuti duhet të jetë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa pala serbe edhe pse ka pranuar do mundohet deri në pafundësi për të prolonguar dhe mos realizuar këtë marrëveshje pasi sipas kësaj marrëveshje Serbia nuk detyrohet ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengoj pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe kjo është arsyeja kryesore që ata mundohen e bëjnë veprime të ndryshme kundër implementimit të kësaj marrëveshje, me shpresën e tyre se Rusia do dalë fituese e luftës në Ukrainë dhe do kemi ndryshim të rendit botërorë që Serbisë t’i mundësoj kthimin e saj edhe njëherë në Kosovë.

Unë mendoj se këto kërkesa nuk do realizohen asnjëherë nga pala serbe pa një presion të madh ndërkombëtar pasi ata nuk janë të interesuar për arritjen e një marrëveshje dhe në këtë rast dëshiroj të them se ne nuk duhet të biem pre e politikave serbe, pra politika kosovare duhet njëherë e përgjithmonë të pavarësohet nga politika serbe, të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare, të realizoj marrëveshjet e arritura për të hapur rrugën drejt integrimeve euroatlantike, përndryshe do të sanksionohen sërish.

“Bota sot”: A kanë qenë këto kërkesa çështjet më themelore që Kurti është dashur t’i kërkoj nga Serbia?

Lulzim Veliu: Unë këtu mendoj pak me ndryshe, takimi nuk kishte të bënte me kërkesat e njërës apo palës tjetër, takimi ishte i thirrur për të vazhduar me bisedime për të arritur deri te implementimi i marrëveshjes, rrjedhimisht edhe normalizimi i marrëdhënieve gjë të cilën është duke e kërkuar bashkësia ndërkombëtare, pasi Ballkani shihet si një vatër krize me rrezikshmëri të lartë për eskalim dhe zonë shumë e ndikuar nga Rusia, përmes satelitit të tyre Serbisë. Shumë e rëndësishme është kapja e terroristëve dhe sjellja e tyre para drejtësisë, por unë mendoj se arritja e asaj që kërkon bashkësia ndërkombëtare është shumë më e rëndësishme, statuskoja aktuale i shkon përshtati vetëm Serbisë e rrjedhimisht edhe Rusisë.

“Bota sot”: Po flitet për një koalicion të mundshëm LVV-PDK, nëse mbahen së shpejti zgjedhjet e reja. Sa beson se mund të realizohet një koalicion i tillë dhe të mbaj një mandat?

Lulzim Veliu: Opozita aktuale për më shumë se tre vite sa vendi ynë qeveriset nga LVV, kanë fjetur dhe nuk kanë bërë asgjë në reformimin e tyre për të bindur elektoratin se u reformuam dhe u ndanë krimi e korrupsioni për ҫka edhe e humbën pushtetin në zgjedhjet e kaluara, gjatë gjithë kohës së opozitarizmit të tyre nuk arritën të ndërtojnë kauzë kundër pushtetit, por veprime vetëm sa për të thënë se janë opozitë apo vetëm sa për të kundërshtuar pushtetin e në disa raste edhe në kundërshtim me interesat e vendit siҫ ishte vendimi i PDK-së, për të mos votuar marrëveshjet ndërkombëtare gjë që solli edhe dëme financiare për Kosovën.

Dhe në një moment kur qeveria dhe kryeministri të shtyrë nga presioni ndërkombëtar ishin të gatshëm të bashkojnë votat me opozitën për një votëbesim të qeverisë, erdhi takimi Kurti-Krasniqi, dhe pas takimit, PDK mori vendim për t’i votuar të gjitha ligjet e refuzuara më herët, ndërsa pjesa tjetër e opozitës nuk iu bashkua takimit dhe kërkoj dorëheqjen e kryeministrit. Ka pasur edhe takime të tjera në mes LVV dhe PDK që nuk janë bërë publike.

“Bota sot”: A duhet Albin Kurti të jap dorëheqje, siҫ e kërkon vazhdimisht opozita?

Lulzim Veliu: Opozita tash e sa kohë kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti, gjë të cilën unë nuk e pres që do ta bëjë kryeministri Kurti. Ai është një politikan shumë populist dhe si i tillë nuk do jap dorëheqje, pasi kjo do të thotë se ai ka dështuar, por siҫ e thashë edhe më herët, ai është i gatshëm të bashkoj votat me opozitën për mosbesim nga presioni ndërkombëtar për prolongimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e pikë e parë e së cilës duket të jetë asociacioni për komunat me shumicë serbe.

Unë mendoj se para një dorëheqje apo edhe zgjedhjeve të parakohshme qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti duhet që më tepër të angazhohen për arritjen dhe implementimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshje që do i hapte rrugë zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat