“Bota serbe duhet luftuar dhe kundërshtuar me forcë pasi është një rrezik për mbarë Ballkanin Perëndimor”.
Është kjo kërkesa e Daniel Serwer, profesorit të njohur amerikan, ekspert në menaxhimin e konflikteve.
Duke folur, profesori analizon dialogun duke këshilluar që të kalohet në arritje praktike.
Serwer, kritikon ashpër sjelljen e BE-së dhe SHBA-së që përkëdhelin Serbinë, pasi është një politikë që nuk funksionon.
Ai pati edhe një paralajmërim nëse Donald Trump zgjidhet në nëntor si president i Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se republikani mund të mbështesë botën serbe, përfshirë këtu ndarjen e Bosnjes, ndoshta edhe të Kosovës.
A2 CNN: Profesor, një tjetër takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç përfundoi pa një rezultat. Çfarë duhet të ndryshohet në mënyrë që dialogu të jetë i suksesshëm?
Serwer: “Mendoj se dialogu duhet të shkojë në një drejtim më praktik sesa drejt normalizimit politik. Më duket se as Beogradi dhe as Prishtina nuk janë gati për normalizim politik, por ka shumë çështje praktike që duhen zgjidhur.”
Kryeministri Kurti prezantoi kushtet e reja. A mendoni se Bashkimi Europian do t'i kuptojë ato kushte? A është vërtetë Kurti në gjendje të vendosë kushte?
Serwer: “Epo, sigurisht, çdo vend mund të vendosë kushte. Pyetja është nëse mund t'i bëni njerëzit e tjerë të pajtohen me ta. Dhe unë nuk e di përgjigjen për këtë pyetje. Diplomacia e Kosovës duhet t'i përgjigjet kësaj pyetjeje. E dini, unë jam avokat i madh i idesë që Radoiçiçi të gjykohet në Kosovë. Nuk më pëlqeu letra e Brnabiç dhe mendoj se duhet të tërhiqet. Por nëse ka qenë e mençur të bëhen këto kushte për një takim me Vuçiç, duhet të presim dhe të shohim.”
Nëse ne flasim për kompromise, çfarë duhet të bëjë Kosova në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale?
Serwer: “Mendoj se Kosova duhet të jetë e gatshme për kompromis për shumë çështje të ndryshme. Do të ketë çështje financiare, do të ketë lloj-lloj çështjesh në marrëveshjen përfundimtare, por nuk mendoj se jemi ende atje. Unë me të vërtetë mendoj se jemi në fazë ngecjeje. Dialogu teknik nga viti 2011 deri në 2013 ishte shumë më i suksesshëm se dialogu politik nga viti 2013 deri në 2024. Unë besoj në sukses dhe kështu dua të shoh më shumë gjëra praktike dhe më pak të fokusohemi në çështje që duket se nuk janë të zgjidhshme tani.”
Në Prishtinë, ata mendojnë se ka më shumë presion ndaj palës kosovare në dialog se sa ndaj asaj serbe. A mendoni dhe ju njësoj?
Serwer: “Edhe unë mendoj se kështu është, se presioni është rritur më shumë në palën kosovare sesa në atë serbe. Ka pasur një përpjekje për të qetësuar Serbinë, për ta sjellë Serbinë drejt perëndimit, për ta kompensuar atë për sulmin e kaluar të NATO-s. Nuk i di të gjitha arsyet pse ekziston kjo politikë qetësimi, por ajo që di është se nuk ka funksionuar. Kështu që unë nuk jam përkrahës i politikës së zbutjes.”
A është mungesa e rezultateve në dialog që po rrezikon sigurinë në Ballkanin Perëndimor?
Serwer: “Po. Mendoj se është mjaft e qartë se presidenti Vuçiç e ka bërë botën serbe një objektiv real për Serbinë dhe bota serbe është një formulë për destabilizimin e Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës dhe ndoshta edhe Maqedonisë së Veriut. Dhe kështu mendoj se është një ide shumë e keqe dhe duhet kundërshtuar. Dhe unë nuk shoh që kjo të ndodhë tani, sepse dialogu nuk po shkon mirë. Ai tashmë ka gjysmën e Bosnjës. Ai tashmë ka të gjithë Malin e Zi. Kosova është e radhës në listë. Dhe një dialog më i suksesshëm do të pengonte shtrirjen e botës serbe në veri të Kosovës.”
Cili është opinion juaj për botën serbe? A mendoni se është rrezik për rajonin?
Serwer: “Sigurisht që mendoj se është një rrezik serioz për rajonin dhe mund të çojë në një dhunë tepër serioze.”
Si i vlerësoni raportet aktuale të Kosovës me Shtetet e Bashkuara?
Serwer: “Shikoni, Kosova gjithmonë do të gjejë mbështetje për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi tifozë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se jemi dakord për gjithçka. Qartësisht ka disa dallime në lidhje me dialogun. Ka dallime për çështje të tjera, por kjo është normale mes miqsh. Ka gjithmonë dallime dhe ato duhet të zgjidhen, mundësisht në qetësi dhe me sukses.”
Çfarë do të thotë për Ballkanin Perëndimor nëse Donald Trump rizgjidhet si president i Shteteve të Bashkuara?
Serwer: “Nuk mendoj se do të ishte mirë për Ballkanin Perëndimor. Unë mendoj se Trump do të ishte qartësisht i gatshëm të mbështeste idetë e botës serbe, duke përfshirë ndarjen në Bosnjës, ndoshta edhe ndarjen e Kosovës. Mendoj se na çon në një drejtim shumë të keq.”