“Zhvillime zhgënjyese për Kosovën”, vjen paralajmërimi serioz nga Voca: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhja më e mirë!

Intervista

“Zhvillime zhgënjyese për Kosovën”, vjen paralajmërimi serioz nga Voca: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhja më e mirë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 korrik 2024 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Zhvillime të shumta politike po ndodhin në Kosovë dhe më gjerë.

Priten ndryshime të politikave dhe strategjive pas zgjedhjeve në BE dhe zgjedhjeve në SHBA.

Në lidhje me ngjarjet dhe zhvillimet e fundit, në një intervistë për “Bota sot” foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.  

Image
Mirsad Voca

Si fillim, ai situatën politike në Kosovë e vlerësoi si komplekse, kjo për shkak të raporteve me Serbinë dhe sanksionet e vendosura.

Sipas Vocës, Kosova ka vazhduar të jetë e hapur për dialog, por masat ndëshkuese të vendosura nga BE e kanë stagnuar këtë proces.

Krahas kësaj, ai foli edhe për mos-anëtarësimin e Kosovës në KiE, vendosjen e kushteve të reja, si dhe presionin për themelimin e Asocaicionit.

Ndër të tjera, tha se nuk është momenti i duhur për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, marrë parasysh zhvillimet në rajon dhe Perëndim.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Voca, si e komentoni situatën politike në Kosovë? Sa kanë ndikuar raportet me Serbinë dhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian në rrjedhën e zhvillimeve në vend?

Mirsad Voca: Situata politike në Kosovë është komplekse dhe e ndikuar nga shumë faktorë, përfshirë raportet me Serbinë dhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian. Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës janë paradoksale, duke pasur parasysh se është Serbia ajo që refuzon të njohë Kosovën, nuk e merr seriozisht përmbushjen e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa Kosova ka vazhduar të jetë e hapur për dialog. Këto masa vetëm se kanë stagnuar dialogun dhe kanë krijuar frustrim tek qytetarët e Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, Kosova nuk arriti të anëtarësohet në KiE. Si e keni parë këtë zhvillim? Pse po vendosen kushte të njëpasnjëshme ndaj Kosovës, njëherë vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit, më pas Asociacioni?

Mirsad Voca: Mos-anëtarësimi në KiE është një zhvillim zhgënjyes dhe i padrejtë për Kosovën. Vendosja e kushteve të njëpasnjëshme, si vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është e pakuptimtë dhe e padrejtë. Këto kushte janë të politizuara dhe krijojnë pengesa të panevojshme për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosova duhet të bëhet anëtare e KiE, pa pasur nevojë që ky anëtarësim të ndërlidhet me rrjedhën e negociatave politike mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequra nga BE.

Gazeta “Bota sot”: Sa është e vështirë “rruga” e shtetit tonë drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, marrë parasysh propagandën e Serbisë?

Mirsad Voca: Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të propagandës së Serbisë, e cila është mbështetur nga Rusia. Kjo propagandë ka ndikuar në perceptimet e disa vendeve anëtare të BE-së dhe të organizatave ndërkombëtare, duke krijuar pengesa për njohjen dhe integrimin e Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, po përflitet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. A vlerësoni që është momenti i duhur për këto zgjedhje, apo duhet lënë qeverinë deri në përfundim të mandatit?

Mirsad Voca: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhja më e mirë për momentin. Ekziston një lidhje e ndjeshme midis zgjedhjeve në SHBA dhe atyre në Kosovë, dhe situata aktuale kërkon stabilitet dhe vazhdimësi. Qeveria duhet të përfundojë mandatin e saj dhe të fokusohet në arritjen e qëllimeve strategjike, duke përfshirë përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, ka kohë që nuk ka takime mes liderëve të të dyja palëve. Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin BE dhe SHBA për të zhbllokuar këtë bllokadë? A ka gjasa të kemi marrëveshje brenda këtij viti?

Mirsad Voca: Për të zhbllokuar këtë bllokadë, BE dhe SHBA duhet të ushtrojnë presion më të madh ndaj Serbisë për të treguar përkushtim të vërtetë ndaj dialogut. Pa një angazhim serioz nga ana e Serbisë, është e vështirë të imagjinohet një marrëveshje brenda këtij viti, veçanërisht me zgjedhjet në SHBA që mund të ndikojnë në prioritetet diplomatike.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni punën në fushën e diplomacisë dhe çfarë duhet të bëhet më shumë për të siguruar njohje të reja?

Mirsad Voca: Puna në fushën e diplomacisë ka pasur rezultate të kufizuara gjatë këtij mandati. Qeveria duhet të intensifikojë përpjekjet për të siguruar njohje të reja, duke përfshirë përqendrimin në vende ku mund të ketë hapësira për ndryshim të qëndrimeve. Diplomacia kosovare duhet të diversifikojë fokusin e saj dhe të shfrytëzojë çdo mundësi për të avancuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat