Zhvillimet e fundit në vend kanë qenë të mëdha, duke filluar nga dialogu dhe emisarët ndërkombëtarë e deri tek zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vend.
E në lidhje me këto ngjarje në një intervistë për “Bota sot”, ka folur ish-zv. ministri e Punëve të Punëve të Kosovës, Izmi Zeka.
Zeka shprehet kritikues për Qeverinë, duke vlerësuar situatën politike të shpërqendruar.
Ai më pas përmend edhe kërkesat e kryeministrit Kurti kundrejt Serbisë, e të cilat i cilëson që janë vetëm për elektoratin.
Zeka u pyet edhe për një marrëveshje finale të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, por të njëjtën ai e sheh shumë larg të ndodh.
“Dialogu i deritanishëm nuk ka pasur rezultate të prekshme”, tha ndër tjera Zeka.
Ndërsa, për një sulm të mundshëm nga Serbia, ish-zv. ministri thotë që mund të kemi ndonjë rast të izoluar mirëpo assesi përshkallëzim.
Në fund, për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ai thotë që e ardhmja do të tregoj se vetëm shpallja e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së ka qenë padrejtësia më e madhe që i është bërë Kosovës.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?
Izmi Zeka: Situata politike në Kosovë po vazhdon e shpërqendruar nga problemet reale.
Shikuar nga vlerësimi im politika është ushqimi kryesor i jetës së përgjithshme në Kosovë.
Situata në veriun e Kosovës është njëfarë infuzioni për këtë qeveri për të arsyetuar mos-punën dhe realizimin e projekteve të premtuara.
Kemi një parlament dhe Qeveri që do të mbahen mend për mos punë, familjarizim, njerëz që nuk kanë ide, thënë me një fjalë janë 4 vite të humbura në të gjitha segmentet e jetës.
Kjo qeveri ua ka humbur shpresat qytetarëve e që shikuar në aspektin psikologjik do të ndikoj për kohë të gjatë në kthimin në normalitet të vetëdijes kolektive për dashuri ndaj shtetit.
Gazeta “Bota sot”: Kryeministri Kurti së fundmi i ka paraqitur tri kërkesa në Bruksel ndaj Serbisë, formalizimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Ana Brnabiq si dhe dorëzimin e Radoiqiqit. Si i keni parë këto kërkesa, sa janë realizueshme?
Izmi Zeka: Kryeministri i Kosovës pothuajse në tërë mandatin e tij që veç tani po përfundon ka përdorur dialogun jo për zgjidhje por më shumë për një status cuos i , panjohuri në diplomaci, mosnjohja e rrethanave ndërkombëtare dhe përdorimi i dialogut për konsum të brendshëm e ka dëmtuar në masë seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe reputacionin që e kishte tek aleatët për korrektësi në raport me ta.
Tri kërkesat e fundit janë më shumë për elektoratin që e ka se sa që i shërbejnë hapave dhe interesit të Kosovës. Çdo veprim i pa koordinuar me SHBA është vështirë i realizueshëm.
Tani veç jemi në kohën e zgjedhjeve dhe qasje të tillë dhe veprime për konsum të brendshëm do të kemi pothuajse në çdo javë.
Gazeta “Bota sot”: Duke qenë tek dialogu, largimi i Borrell është diskutuar mjaftë shumë. Sa i favorshëm do të jetë emërimi i Kaja Kallas për bisedime?
Izmi Zeka: Dialogu i deritanishëm nuk ka pasur rezultate të prekshme. Pa aleatët tanë tradicional siç janë Amerike, Anglia, pavarësisht ndryshimeve të emisarëve nga BE-ja rezultatet do të jenë pa ndonjë sukses real.
Qasja e përfaqësuesve të Kosovës në Bruksel dhe raportet me SHBA-në kanë sjellë një gjendje të disfavorshme për Kosovën. Nga një dialog me njohje reciproke tani kemi më shumë ide për çështje teknike se sa për zgjidhje përfundimtare.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni që ky vit do të sjellë një marrëveshje finale?
Izmi Zeka: As në fund të tunelit nuk shihet. Kemi humbur momentin. Bota ka halle tjera. Kosova nga ajo që shihet nuk është ndonjë prioritet për zgjidhje definitive respektivisht njohje reciproke me Serbinë. Thënë thjesht politika ndërkombëtare po ndryshon, raportet me SHBA-në nuk janë të kënaqshme. Aleatët tanë nuk po na shohin dhe marrin më seriozisht, andaj edhe gjërat duket që po mbeten në vend.
Qeveria e Kosovës e ka sjellë Kosovën në një pikë kritike në raport më miqtë që nuk njeh ky 30 vjeçar i fundit
Gazeta “Bota sot”: Duke parë zhvillimet e fundit, si i keni komentuar deklaratat për sulme të mundshme nga Serbia? A mendoni që Vuçiq po përgatit ndonjë skenar të ngjashëm si ai Banjskës?
Izmi Zeka: Deklarata të tilla kemi për 20 vitet e pasluftës. Nuk janë surpriza.
Vuçiqi është pinjoll i Millosheviqit. Fatkeqësi është që gjeografia dhe territori na ka lidhur me ta dhe problemet nuk do të zgjidhen lehtë. Serbia jeton me mitin për Kosovën.
Mund të ketë ndonjë rast të izoluar por assesi që të ketë përshkallëzim. Serbia tani i përket të kaluarës, por nuk duhet harruar se vet politika e tyre qindvjeçare është ndërtuar mbi gjenocidin, shtypjen etj. Një çështje që duhet ta kuptojmë që aleancat, miqësitë duhet të mirëmbahen përndryshe ato kanë edhe interesa tjera dhe me kalimin e viteve ndryshojnë. Shikoni sot Gjermania dhe Franca bashkëveprojnë në politikën ndërkombëtare e ku ishin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gazeta “Bota sot”: Ndër të tjera zgjedhjet e radhës vetëm kanë filluar “jehonën” e tyre. A do të kemi përmbysje të rezultateve nëse krahasojmë me zgjedhjet e kaluara?
Izmi Zeka: Nuk do të hy në detaje të kësaj pyetje, por vlerësoj se kjo Qeveri në zgjedhjet e ardhshme do të jetë opozitë.
Gazeta “Bota sot”: Për fund, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon tash e disa vite. Sa të drejtë e shihni këtë gjykim?
Izmi Zeka: E ardhmja do të tregoj se vetëm shpallja e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së ka qenë padrejtësia më e madhe që i është bërë Kosovës.
Lufta në Kosovë ka qenë e bashkërenditur me NATO-n dhe botën perëndimore dhe si e tillë ka qenë luftë në mbrojtje të vlerave perëndimore. Po të mos ishte kështu nuk do të intervenonte NATO-ja.
Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, ku është dëshmuar me fakte qindra herë.
Absurdi tjetër që e tërë aktakuza është bërë mbi bazën e dokumenteve të prodhuara nga shërbimet Serbe që tani më janë të njohura edhe botërisht.