Situata në veri, në stadin e “portokalltë” / Eksperti tregon se a rrezikohet Kosova nga një tjetër sulm i Serbisë

Intervista

Situata në veri, në stadin e “portokalltë” / Eksperti tregon se a rrezikohet Kosova nga një tjetër sulm i Serbisë

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 10 korrik 2024 Në ora: 17:56
Banjska gjatë 24 shtatorit 2023

Për sigurinë në Kosovë po flitet jashtëzakonisht shumë, madje edhe po paralajmërohen sulme të ngjashme me atë që ndodhi në shtator të vitit 2023, në Banjskë.

Në një intervistë për “Bota sot”, rreth sigurisë ka folur eksperti, Arben Dashevci.

Ai situatën aktuale në Kosovë e përshkruan në “stadin e portokalltë”, e që kjo do të thotë se është situatë e qetë por e brishtë.

Image
Arben Dashevci

Derisa, deklarimet nga krerët shtetërorë, Dashevci thotë se duhet të merren parasysh sepse ata kanë informacione kredibile që vijnë nga AKI.

Për hapjen e Urës së Ibrit, eksperti i sigurisë thotë se duhet të bëhet në koordinim me SHBA dhe aleatët tjerë sepse ura është e ndërtuar për bashkim e jo për ndarje.

Sa i përket formimit të Asociacionit, Dashevci thotë se edhe nëse formohet duhet të jetë pa kompetenca ekzekutive.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë situatën në veri?

Arben Dashevci: Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës sipas mendimit tim është e qetë, kurse në pjesën matanë lumit Ibër ka qenë dhe është ende në stadin e portokallat që në aspektin e sigurisë do të thotë e qetë por e brishtë me mundësi tensionimi, dhe ky tensionim po e potencoj siç e kam potencuar edhe më parë mund të vije vetëm nga Serbia dhe establishmenti i kontaminuar atje dhe assesi nga popullata që banojnë matanë lumit Ibër, sepse ekzistojnë shumë fakte të pa kontestueshme që popullata pa dallime etnike ka pranuar institucionet tona, respektojnë ligjin dhe zhvillohet një jetë shumë normale, pa asnjë incident etnik që nga 25 shtatori 2023 deri më sot dhe kjo i tregon të gjitha.

“Bota sot”: Si i komentoni deklarimet e Qeverisë për një sulm të mundshëm serb në pjesën veriore?

Arben Dashevci: Deklarimet e institucioneve i vlerësoj të drejta sepse janë kredibile dhe marrin informata kredibile nga Institucioni për Siguri Kombëtare AKI, dhe AKI grumbullon, përpunon, analizon informacione që shndërrohen në inteligjencë dhe u dorëzohen institucionit president, kryeministrisë por edhe krye kuvendarit në rast nevoje, dorëzohen shpejt dhe në kohë, mirëpo sipas mendimit tim sulm me përmasa të 24 Shtatorit 2024 nuk do të ketë më kurrë në Republikën e Kosovës, është pjesë e propagandës dhe luftës hibride që e bënë Serbia me urdhëra të Rusisë që ta mbajë gjendjen në tension në tërë Ballkanin, Evropën dhe botën mbarë.

Kjo është luftë hibride dhe duhet të jemi shumë vigjilentë në këtë kohë propagandash dhe dezinformatash që vijnë nga Serbia me direktiva të Rusisë.

Këto përpjekje për tensionim, propagandë, dezinformata të Serbisë bëhen që të zhvendoset vëmendja që të përfitoj kohë dhe ta zvarris dialogun sa më shumë duke pas parasysh që nuk është fare e interesuar për përparim në dialog.

“Bota sot”: Në rast sulmi, a mendoni se institucionet janë të gatshme për reagim ose mbrojtje?

Arben Dashevci: Sipas mendimit tim nuk do të ketë sulm, por vlen ta theksoj që institucionet tona kurrë nuk kanë qenë më të përgatitura në mbrojtje të vendit, sepse 24 shtatori na ka mësuar shumë, kanë rritur kapacitetet, vigjilenca është maksimale, KFOR ka pesëfishuar numrin e ushtarëve, dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm mes reaguesit të parë (Policia e Kosovës), reaguesit të dytë (Eulex) dhe reaguesit të tretë (KFOR) që kujdesen për të gjithë qytetarët e Repubikës së Kosovës pa dallime.

Fakti tjetër është deklarata e nënsekretarit Amerikan James O’Brien ka qenë e qartë sa i përket Bosnjë Hercegovinës dhe Kosovës, ku ka thënë JO më tensione në Bosnjë dhe Kosovë, ky është fakt.

“Bota sot”: Në këtë situatë që jemi, a duhet të hapet Ura e Ibrit dhe si?

Arben Dashevci: Ura e Ibrit do të hapet sipas mendimit tim, sepse urat janë për bashkim dhe jo ndarje.

Ura në pjesën Lindore (lagjja e boshnjakëve) funksionon normalisht, në pjesën Perëndimore (Suhodollë, Gushavcë, Vinarc dhe Çabër) funksionojnë normalisht, dhe kjo urë është ndërtuar për qarkullim dhe në aspektin e sigurisë sipas mendimit tim kurrë nuk ka qenë kohë më e volitshme se tash të hapet për qarkullim automjetesh, sepse njerëzit qarkullojnë pa problem, pra është e hapur, por mungojnë qarkullimi me automjete, dhe nëse hapet nuk ka ndonjë pompozitet sepse kjo urë ka sjellë përpara probleme të orkestruara nga grupet kriminale (Rojet e urës etj) të urdhëruara nga Serbia dhe ata nuk janë më në Kosovë.

Andaj ura duhet të hapet por në koordinim të plotë me aleatin tonë të përjetshëm SHBA dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Formimi i Asociacionit për komunat serbe dihet se çfarë sjellë, si e vlerësoni ju, a duhet të formohet apo jo?

Arben Dashevci: Sipas mendimit tim Serbia nuk është e interesuar për dialog dhe asociacion.

Ajo po i pret zgjedhjet në SHBA që të përfitoj sa më shumë.

Asociacioni duhet të formohet sepse është zotim i institucioneve tona te bashkësia ndërkombëtare por kur të formohet duhet të jetë pa kompetenca ekzekutive, pra assesi dhe në asnjë rast kompetenca ekzekutive.

Por, në këtë fazë dhe në këtë kohë zgjedhjesh (është vit zgjedhor në 60 vende të botës) nuk mendoj se do të ketë asociacion, ndoshta në pranverë sipas mendimit tim.

“Bota sot”: Si e komentoni paradën e ushtrisë serbe në Bosnjë, përse ka një heshtje ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve destruktive të Serbisë?

Arben Dashevci: Paradën e ushtrisë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (Priedor) e konsideroj si provokim të Dodikut njeriut të sanksionuar nga departamenti amerikan i thesarit.

Ata ushtarë dhe policë janë nga Serbia dhe defilojnë në një shtet të huaj pra në Bosnjë dhe Hercegovinë që është shtet i pavarur dhe sovran, kjo sipas mendimit tim është provokim dhe përpjekje e dështuar e Serbisë, për idenë e botës serbe ide e tejkaluar nga vitet e 90 ta (që prodhojë luftë të paparë në kohën moderne, gjenocidi në Srebrenicë).

Tash jemi në vitin 2024 dhe idetë e një bote serbe janë të kota dhe pa sukses, përpos provokim dhe asgjë më shumë se kaq.

Pra, defilimi nuk pati asnjë vleftë që vlen të theksohet, reagimi më parë i SHBA ka qenë shumë i qartë dhe i vendosur.

“Bota sot”: Krimet brenda vendit tonë janë bërë të shpeshta, si duhet parandaluar kjo dukuri?

Arben Dashevci: Krimet në Republikën e Kosovës vazhdojnë të jenë brengosëse ashtu siç kanë qenë edhe më parë, në këtë fazë bashkëpunimi ose koordinimi zingjiror i shpejtë dhe në kohë mes organeve të sigurisë atyre të akuzës dhe gjykatave sjellë suksesin dhe suksesi është preventiva sepse me preventiv arrihet parandalimi dhe parandalimi arrin suksesin me koordinim të ndërsjellë.

Duhet të krijohet strategji e përbashkët të organeve që përmenda sa më parë, plan strategjik afatshkurtër, afat -mesëm dhe afatgjatë për parandalimin e krimit që ka pasur dhe ka përmasa shqetësuese në vendin tonë.

Ne kemi një Polici me kapacitete të plota për veprim në çdo cep të Republikës së Kosovës, kemi institucione tjera 100% funksionale, andaj me një koordinim më efikas, të shpejtë mes vete sipas mendimit tim, rezultatet do të vëreheshin në kohë rekorde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat