Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti Erxhan Galushi, njëherësh përfaqësues i komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës.
Ai për situatën politike, thotë që ka pasur ndryshime pozitive për qytetarët, duke renditur disa nga të mirat që kjo qeveri ka bërë në krahasim me ato të kaluara.
Deputeti Galushi, përmend disa nga të arriturat që qeveria Kurti ka bërë për komunitetet jo shumicë në Kosovë, duke filluar nga financimi i qendrave mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian e deri tek financimi për renovimin dhe ndërtimin e shtëpive.
Ndërsa, i pyetur për dialogun Kosovë – Serbi, deputeti thotë që mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të mbetet në vazhdimesi pengesë për bisedime.
Në fund, për zgjedhjet e ardhshme deputeti thotë që nuk do të kemi përmbysje të rezultateve pasi edhe sondazhet po e tregojnë një gjë të tillë. Gjithashtu, Galushi shprehi mbështetje për votim ndaj qeverisë Kurti.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e shihni situatën politike në Kosovë?
Erxhan Galushi: Situata politike në vendin tonë është vazhdimisht në ndryshim, për të mirën e qytetarëve të saj, edhe pse në disa fusha politike ndyshimi vërehet por në disa të tjera ka vullnet për përmirësim por është i ngadaltë dhe shumë sfidues.
Pa dyshim së ndër çështjet kryesore ende mbetet dialogu më Serbinë, edhe pse si shtet kemi treguar mjaft progres karshi Serbisë, në zbatimin reciprok të marrëveshjes për të miren e qytetarëve.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ishte një hap jashtëzakonisht domethënës dhe ka një ndikim të madh në shumë aspekte të jetës dhe zhvillimit të vendit.
Qytetarët e Kosovës sot mund të udhëtojnë lirisht në zonën Schengen, për turizëm, biznes, studime dhe vizita familjare pa pasur nevojë për vizë.
Bizneset e Kosovës mund të krijojnë më lehtë kontakte ndërkombëtare dhe të zgjerojnë tregjet e tyre, ndërsa investitorët e huaj mund të eksplorojnë mundësitë në Kosovë.
Studentët e Kosovës kanë më shumë mundësi për të ndjekur studime dhe trajnime në vendet e BE-së.
Turistët e Kosovës mund të udhëtojnë më lirshëm në Evropë, por edhe turistët evropianë mund të shohin Kosovën si një destinacion më tërheqës, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit në vend.
Qytetarët e Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë në aktivitete kulturore dhe sociale në vendet e BE-së, duke pasuruar përvojat e tyre personale dhe duke kontribuar në diversitetin kulturor.
Hapi tjetër historik për vendin tonë pritet të bëhet me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte një hap i rëndësishëm për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe për përmirësimin e standardeve të jetesës për qytetarët e saj.
Përkundër përpjekjeve për hapjen e konkurseve të ndryshme për punësim brenda institucioneve publike, unë përseri mendoj që papunësia mbetët një ndër sfida të mëdha të qytetarëve tonë, sidomos për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptjan, mbeten sfida të mëdha. Edhe pse Qeveria po bën përpjekje për nivelizimin e të punësuarve përmes kvotës së punësimit, por progresi në këtë aspekt është i ngadaltë.
Gazeta “Bota sot”: Duke qenë tek situata politike, sa jeni i kënaqur me punën që Qeveria ka bërë kundrejt komuniteteve?
Erxhan Galushi: Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë disa përpjekje për të përmisuar sado pak statusin e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, veçanarisht edhe për komunitetet e margjinalizuara.
Financimi i qendrave mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptjan, bursat për nxënësit e këtyre komuniteteve, bursat për vajzat e komuniteteve, krijimi i platformës për raportimin e diskriminimit e cila menaxhohët nga Zyra e Kryeministrit, financimi i vazhdueshëm pët promovimin e kulturave të komuniteteteve jo shumicë, ne veçanti të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptjan, krijimi i grupit ndërinstitucional brenda qeverisë për mbikqyrjen e votës së punësimit të komuniteteve në institucionët e e Republikës së Kosovës, thirrje publike enkas për komunitetet jo shumicë në policinë e Republikës së Kosovës, financimi për renovimin dhe ndërtmin e shtëpive për komunitetet jo shumicë dhe infrastrukturën e lagjëve të komuniteteve jo shumicë, janë disa nga përpjekjet kyqe të Qeverisë.
Pa dyshim që hapësira dhe mundësia për të bërë edhe më të mirën për komunitetet jo shumicë, gjithmonë ekziston. Shprehja që unë shpesh e përdori është se investimi i caktuar për grupet e caktuata të komuniteteve nuk është vetëm investim për komunitetin por investim në pasqyrimin sa më të mirë të shtetit tonë.
Duke marrë parasysh që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk kanë shtet tjetër dhe ndihmë tjetër përveç shtetit të tyre amë, pra Republikën e Kosovës, Qeveria e Kosovës duhet më shumë të bëjë përpjekje për përmirësimin e statusit të tyre, përkundër komuniteteve të tjera të cilët mbrapa tyre janë shtetët e komuniteteve të tyre.
Gazeta “Bota sot”: Cilat mendoni që janë disa nga fushat që Qeveri Kurti ka investuar dhe arritur progres, krahasur me qeveritë e kaluara?
Erxhan Galushi: Mendoj se të gjitha të arrituarat të cilat unë mendoj që ka arritur progres Qeveria e Republikës së Kosovës, krahasuar më qeveritë e kaluara, janë të theksuara në përgjigjën më lartë.
Pa dyshim që investimet në sistemin e arsimit dhe promovimin e kulturës së komuniteteve jo shumicë, vlen të veçohën.
Gazeta “Bota sot”: Një temë e rëndësishme mbetët dialogu Kosovë – Serbi. Si e keni parë ju këto bisedime, sa afër e shihni një marrëveshje finale?
Erxhan Galushi: Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe kjo mbetet një pengesë kryesore për një marrëveshje finale.
Gazeta “Bota sot”: Kryeministri Kurti së fundmi i ka paraqitur tri kërkesa në Bruksel ndaj Serbisë, formalizimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Ana Brnabiq si dhe dorëzimin e Radoiqiqit. Si i keni parë këto kërkesa, sa janë realizueshme?
Erxhan Galushi: Unë këto kërkesa të paraqitura nga Kryeministri Kurti i shoh si kërkesat e paraqitura që kanë për qëllim të përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të arrinin një normalizim të plotë të marrëdhënieve.
Ato reflektojnë një synim për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë të qëndrueshme dhe konstruktive. Tashmë gjithçka varet nga pala serbe sa ata janë të gatshëm për normalizimin e mardhenieve me shtetin e Kosovës.
Gazeta “Bota sot”: Zgjedhjet e radhës poashtu kanë marrë vëmendjen së fundmi. A do të kemi përmbysje të rezultateve nëse krahasojmë me zgjedhjet e kaluara?
Erxhan Galushi: Jo! Nuk e besoj aspak. Lidhur më këtë tashmë janë bërë edhe vlerësimet nga disa prej kompanive të besueshme sipas të cilave vërehet se nuk do të këtë ndryshime të rezultateve.
Të paktën këto kompani deri me sot kanë gabuar jo më shumë se 1 deri ne 2 % të vlerësimit të tyre.
Gazeta “Bota sot”: Në fund, cilat janë disa nga këshillat që Qeveria aktuale duhet të kenë për vendin, në veçanti për komunitetet?
Erxhan Galushi: Prioritizimi i punësimit të komuniteteve jo shumicë, me theks të veçantë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, e cila mbetet sfidë kryesore e këtyre komuniteteve.
Gazeta “Bota sot”: A do ta mbështesni LVV-në për një mandat të radhës qeverisës?
Erxhan Galushi: Po!