“Bandat e armatosura mund ta cenojnë Kosovën”, eksperti i sigurisë jep paralajmërim/ Ja pse nuk mjafton KFOR-i të parandalojë sulmin

Intervista

“Bandat e armatosura mund ta cenojnë Kosovën”, eksperti i sigurisë jep paralajmërim/ Ja pse nuk mjafton KFOR-i të parandalojë sulmin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 korrik 2024 Në ora: 11:47
Banjska gjatë 24 shtatorit 2023

Vuçiq mund të hyjë në Kosovë, si Putini në Ukrainë për disa arsye teknike dhe politike, por NATO e ka paralajmëruar Serbinë për këtë veprim, kështu shprehet eksperti i sigurisë, Dritan Goxhaj në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Sipas Goxhajt, sasia aktuale e forcave të KFOR-it nuk është e mjaftueshme për ta parandaluar ndonjë sulm të Serbisë, por në bashkëpunim me forcat e FSK-së dhe një pjese të mirë të forcave policore, atëherë mund të parandalohet.

 “Duke pasur parasysh që KFOR ka 4500 forca, FSK 3500 dhe rreth 9000 forca policore të armatosura, bëhen 17000 mijë forca, pra një divizion. Duke pasur parasysh që Serbia i ka vetëm 22500 forca aktive dhe 2000 forca rezerve aktive, total 24500. Dhe në një sulm të mundshëm nuk do mund të përdorte më shumë se 15-17 forca nga gjithë kjo sasi prej rreth 25 mijë që posedon, si fillim i bie që me 17000 persona të armatosur aktiv që ka në Kosovë tashti mund të përballohet çdo lloj sulmi eventual i Serbisë si fillim”, deklaron Goxhaj në intervistë.

Image
Dritan Goxhaj

Eksperti i sigurisë flet edhe rreth armatimit të Serbisë, por edhe tregon çfarë armatimi ka nevojë Kosova dhe kush nga vendet do t’i dilte në krahë në rast të ndonjë sulmi të mundshëm.

Goxhaj komenton edhe kushtet e kryeministrit Albin Kurti për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, gjersa shton se në rast se vërtet duhet vënë kushte ndaj Serbisë, duhet vënë kusht që të ndalojë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Presheve, Medvegjë e Bujanoc dhe kthimin në shtëpitë e tyre të gjithë atyre që janë përzënë nga ky vendim.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”:  Z. Goxhaj, situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë. Ditë më parë, NATO-ja dhe KFOR, kanë thënë se janë “shumë të shqetësuar për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj” dhe nxisin palët të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike, si e komentoni këtë?

Dritan Goxhaj: Po edhe unë mendoj se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e brishtë. Këtë e tregon edhe fakti se gjatë votimeve të fundit për referendumin në këto tre komuna, komuniteti serb nuk doli të merrte pjesë edhe pse e kishin kërkuar vetë serbët këtë referendum, nën ndikimin, ose thënë më mirë, nën presionin e Serbisë dhe njerëzve të saj në këto komuna. Por edhe rasti i fundit i parullave ilegale dhe provokative në këto komuna, tregojnë se situata nuk është e gjitha nën kontrollin e Prishtinës. Në këtë lloj klime nuk përjashtohet që Serbia nëpërmjet grupeve të vogla, ose thënë më mirë, nëpërmjet bandave të armatosura do tentojë të krijojë ndjenjë pasigurie dhe të cenojë këtë siguri të brishtë në veri.

Gazeta “Bota sot”:   Kryeministri Kurti dhe ish- gjenerali Clark, kanë shprehur alarm, madje kanë thënë se Vuçiq mund të hyjë në Kosovë si Putini në Ukrainë. A do të duhej paralajmërim i menjëhershëm ndaj Serbisë dhe si duhet vepruar?

Dritan Goxhaj: Unë nuk mendoj se ajo që kanë thënë Kurti dhe gjenerali Klark është e mundshme për Serbinë për disa arsye që janë edhe teknike edhe politike. Mendoj se NATO e ka paralajmëruar Serbinë për një veprim të tillë. Në mbledhjen e fundit të NATO-s në deklaratën finale, në pikën 31 të kësaj deklarate përcaktohet qartësisht se NATO mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për ruajtjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe se do të ndërhyjë për të ndaluar dhe parandaluar çdo tentativë për cenim të kësaj sigurie. Pra në kuadër të paralajmërimit, besoj se ai tashmë ka marrë një formë të shkruar. Pastaj ka hapësirë plot tjetër për të vepruar ndaj këtij veprimi hipotetik të Serbisë. Pasi deri më tashti është thjesht një hipotezë, në terren nuk ka asnjë lëvizje konkrete që e mbështet atë që kanë deklaruar Kurti dhe Klark. Pasi lëvizja e trupave ushtarake nuk është diçka e vogël që nuk mund të vihet re.

Gazeta “Bota sot”:   Keni deklaruar se Serbia po blen armatim kudo, ndërsa Kosova është e limituar për shkak të KFOR-it, a do të duhej Kosova të bëjë kërkesë për armatim dhe për çfarë armatimesh më konkrete do të kishte nevojë për të mbrojtur sovranitetin?

Dritan Goxhaj: Po, i  qëndroj asaj që kam thënë se Kosova ka pengesë për armatosje pasi për çdo armë që do të marrë i duhet leje nga KFOR. Besoj se ka ardhur koha që KFOR t’ia largojë këtë pengesë Kosovës dhe ta lejojë që ajo të mund të marrë gjithë armatimin e nevojshëm që i duhet për t’u vetëmbrojtur. Dhe këtë armatim mund ta mbikëqyrë shumë kollaj KFOR. Mendoj se si fillim asaj i duhen sisteme të mbrojtjes kundërajrore duke nisur që nga kalibri 12.7mm e deri te kalibrat e rëndë për tu mbrojtur nga dronët dhe nga helikopterët. Por edhe ndonjë sistem raketor me reze të shkurtër veprimi, jo më të madhe se 70-120 km që duke u vendosur në qendër të Kosovës të mund të krijojë mbrojtje 360 gradë të gjithë territorit të Kosovës.

Së dyti mendoj se i duhen sisteme të artilerisë tokësore duke nisur që nga mortajat (minahedhës) 60mm e deri në 120mm, si dhe bateri topash artilerie të lehta dhe të mesme. Por mbi të gjitha i duhen armë krahu të gjata (pushkë automatike) në sasi të mëdha që të jenë rezervë në rast të një sulmi eventual nga Serbia. Për mendimin tim të paktën një sasi deri në 50 mijë copë të tilla të cilat të shoqërohen edhe më një sasi të mjaftueshme municioni për të përballuar të paktën një konflikt një vjeçar. Ky municion mund edhe të prodhohet në Kosovë ose në bashkëpunim me Shqipërinë në Shqipëri. Ka shumë lloje armatimi që do i duhen Kosovës, por këto që listova mendoj se janë thelbësoret për të ruajtur sovranitetin.

Gazeta “Bota sot”:   Cilat vende do t’i dilnin në nevojë Kosovës?

Dritan Goxhaj: Në rast të një sulmi eventual, besoj se Kosovës do t’i gjendej Amerika e para, Anglia, Turqia, Gjermania dhe Shqipëria.

Gazeta “Bota sot”:  Në rast të ndonjë tentative për sulm nga ana e Serbisë, si e shihni prezencën dhe forcat e KFOR-it për të parandaluar konflikt më të madh?

Dritan Goxhaj: Në rast të një sulmi nga Serbia sasia aktuale e forcave të KFOR në Kosovë nuk është e mjaftueshme për të parandaluar të vetëm këtë sulm. Por në një bashkëpunim të ngushtë me forcat e FSK dhe një pjesë të mirë të forcave policore, duke pasur parasysh që KFOR ka 4500 forca, FSK 3500 dhe rreth 9000 forca policore të armatosura, bëhen 17000 mijë forca, pra një divizion. Duke pasur parasysh që Serbia i ka vetëm 22500 forca aktive dhe 2000 forca rezerve aktive, total 24500. Dhe në një sulm të mundshëm nuk do mund të përdorte më shumë se 15-17 forca nga gjithë kjo sasi prej rreth 25 mijë që posedon, si fillim i bie që me 17000 persona të armatosur aktiv që ka në Kosovë tashti mund të përballohet çdo lloj sulmi eventual i Serbisë si fillim. Pastaj për më pas do të duhej edhe angazhimi i NATO, ose i vendeve që përmenda në përgjigjen e mëparshme, por edhe mobilizimi i ish pjesëtarëve të U Ç K të aftë për luftë, që si fillim besoj mund të bëhet një forcë deri në 5000 veta. Prandaj them që forcat e KFOR në Kosovë, së bashku me forcat e Kosovës mund ta parandalojnë çdo lloj sulmi eventual të Serbisë ndaj Kosovës si fillim.

Gazeta “Bota sot”:  Deklarime për stërvitje të ushtarëve nga ana e Serbisë dhe sulme të reja të përmasave të 24 shtatorit e më shumë, ka pasur kohëve të fundit. Sa i jep “shtysë” Serbisë për sulme mos vënia e masave ndëshkuese dhe qëndrimi në liri i terroristit Milan Radoiciq?

Dritan Goxhaj: Normalisht që qëndrimi pasiv i komunitetit ndërkombëtar ndaj Serbisë për rastin e Banjskës e inkurajon Serbinë, ose çdo lloj force brenda Serbisë se edhe ndonjë sulm tjetër i ngjashëm mund të tolerohet. Por kjo është thjesht një perceptim që krijon në Serbi, por nuk mendoj se është edhe realiteti. Pasi mendoj se Serbia e ka të qartë se çdo lloj tentative tjetër e njëjtë jo vetëm që nuk do mbetet pa ndëshkim, por mund të sjellë pasoja të rënda politike për Serbinë. Sa i përket Radoiçiçit mjafton të kujtoni fatin e Prigozhinit në Rusi, dhe besoj do e kuptoni se si do përfundojë edhe ai pasi ta keqpërdorin edhe një herë. Kështu ka ndodhur edhe me njerëz të tjerë para Radoiçiçit në Serbi, të cilët kanë qenë edhe shumë herë më të fuqishëm se ai. Mjafton të kujtoni fatin e Arkanit, ndaj fakti se ai është në liri nuk e shoh shqetësues.

Gazeta “Bota sot”:  Kryeministri Kurti, i ka vendosur tri kushte Vuciqit per takim. Si i keni parë kushtet e tij dhe sa po ndikon mos zbatimi i marrëveshjeve për këto pretendimet e Serbisë për formimin e Serbisë së madhe?

Dritan Goxhaj: Unë personalisht  konsideroj kushtet e Kurtit për takim një absurditet. Vendosja e kushteve nuk favorizon aspak Kosovën. Mund të plotësojë egon personale të kryeministrit, por në raport me aleatët tanë ndërkombëtarë tregon një kryeneçesi, dhe kjo e favorizon Serbinë. Pasi po të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Kush është i interesuar që mos të ketë dialog midis Kosovës dhe Serbisë? Unë besoj se kjo politikisht i intereson vetëm Serbisë. Sa më shumë të zgjas ky proces aq më shumë përfiton Serbia. Ndaj vendosja e kushteve nuk më duket ide e mirë. Plus në rast se do merremi t’i shohim specifikisht të tri ato kushte, mendoj se janë të pa vlera. E para nëse edhe Vuçiçi e firmos atë që ka kërkuar Kurti, kush na garanton që ajo marrëveshje kalon në parlamentin e Serbisë – asnjë. Letra e Bërnabiç është diçka pa vlerë, që firmosja e marrëveshjes e anulon menjëherë. E treta dorëzimi i Radoiçiç – kjo është një arritje egoiste vetëm e qeverisë Kurti që do i hynte në punë për të treguar në fushatë, se ja ai i arrestoi ata që tentuan të cenojnë Kosovën, por në realitet asgjë e mirë nuk do vinte nga ajo për Kosovën.

Pasi në asnjë moment Radoiçiç nuk do e pranonte se ai është nxitur nga shteti i Serbisë për të bërë atë veprim. Ai do deklarohet si një luftëtar i lirisë. Nëse ju kujtohet Kurti ka thënë se Vuçiç i pati thënë në Bruksel se “Radoiçiç do jetë Adem Jashari i Serbisë në Kosovë”. Pra nëse e dorëzojnë serbët këtë, dhe Kosova e nxjerr në gjyq, e mendoni çfarë propagande politike do bëjë ai për të treguar se gjoja serbët në Kosovë janë të shtypur. Dhe ajo që Kurti ka menduar se do i ndihmojë të vej vetullat, do i nxjerri sytë. Ndaj mendoj se më mirë që Radoiçiç të vazhdojë të shëtitet në Serbi sepse kështu ne kemi më shumë përfitim duke e akuzuar Serbinë si shtet që përkrah terrorizmin dhe terroristat, sesa po të na e dorëzojnë dhe pastaj Serbia të dali si shtet i së drejtës dhe të marri të gjitha meritat që nuk i takojnë. Ndaj mendoj se kushtet e Kurtit kanë qenë një veprim i pa menduar mirë. Në rast se vërtet duhet vënë kushte ndaj Serbisë, duhet vënë kusht që të ndalojë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Presheve, Medvegjë e Bujanoc dhe kthimin në shtëpitë e tyre të gjithë atyre që janë përzënë nga ky vendim. Por këtë Kurti nuk e ka bërë.

Gazeta “Bota sot”:  Veç sigurimit të arsenalit të peshave të rënda, a duhet që Qeveria e Kosovë të rrisë numrin e rekrutëve apo ta bëjë ushtrinë obligative për stabilitet të së ardhmes?

Dritan Goxhaj: Jam i mendimit që Kosova duhet t’i kërkojë KFOR-it ta lejojë që ajo së paku FSK të dyfishojë numrin e saj. Nga 3500 forca të shkojë në 7000 njëherë. Nuk jam i mendimit që në Kosovë të aplikohet shërbimi i detyrueshëm pasi ajo kërkon shpenzime të mëdha ekonomike të cilat Kosova për momentin nuk i ka. Por rritja e FSK deri në 12 mijë forca aktive, dhe krijimi i forcave rezerviste aktive. Që do të thotë një forcë nga 2500-5000 veta që stërviten me FSK të paktën 45-90 ditë në vit, do të ishin të mjaftueshëm për të përballuar çdo lloj sulmi nga Serbia, dhe për të krijuar një siguri stabile për Kosovën në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat