Tanya Domi, profesoreshë e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia në Nju Jork, thotë se SHBA-së i duhet një qasje e re diplomatike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të përfshinte sanksionet për aktorët jokonstruktivë.
Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ekspertja për Ballkanin thotë se ka pasur një zhgënjim me politikën e jashtme të administratës Biden, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht mbështetjes së tij historike për të.
“Një nismë e re diplomatike që mund t’i angazhojë palët në një mënyrë që nuk është aplikuar më herët” është më se e nevojshme, sipas Domit.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tërheqja e presidentit amerikan, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje shënon fundin e një epoke, veçanërisht për Kosovën. A do të pajtoheshit me këtë?
Tanya Domi: Joe Biden është personi i fundit në Qeverinë federale, e sidomos në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka qenë i angazhuar aktivisht në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën. Qysh në vitin 1999, ai ka mbështetur ndërhyrjen e NATO-s [për ndaljen e dhunës në Kosovë]. Ka qenë mbështetës i fuqishëm i saj edhe për faktin se ka qenë mjaft aktiv në Bosnje dhe, rrjedhimisht, mjaft mirë i informuar për çështjet në terren, në atë kohë.
Të gjithë të tjerët e kanë lënë Qeverinë - disa janë pensionuar, disa kanë vdekur - me përjashtim të ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.
A ka ndonjë gjë që ka mundur të bëhet më mirë gjatë presidencës Biden, kur bëhet fjalë për Kosovën?
Tanya Domi: Ka pasur një zhgënjim të përgjithshëm në lidhje me politikën e jashtme të Bidenit dhe unë pajtohem. Jam cituar në shumë artikuj të kem thënë se ndërveprimet e zyrtarëve amerikanë me Kosovën - qoftë publikisht, qoftë prapa skenave - kanë qenë zhgënjyese. Ka pasur edhe një qëndrim shumë agresiv ndaj [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, i cili i ka kritikuar hapur zyrtarët amerikanë. Dhe, kjo ka çuar në disa fërkime.
O’Brien ka disa muaj që është në detyrë dhe unë nuk kam parë ndonjë ndryshim të madh. Kjo është për keqardhje.
Kamala Harris ka siguruar mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente. Por, në karrierën e saj, çështja e Kosovës nuk përmendet. Sa e rëndësishme është kjo?
Tanya Domi: Ju nuk do të keni asnjë zyrtar të tillë amerikan. Nëse Kamala Harris zgjidhet, ajo do të duhej të mësonte për Kosovën. Kështu vepron secili kur nuk ka përvojë në politikën e jashtme për një vend të caktuar. Kjo është edhe një prej arsyeve përse ekzistojnë Departamenti i Shtetit dhe Këshill i Sigurisë Kombëtare brenda Shtëpisë së Bardhë.
Ish-presidenti Donald Trump është, po ashtu, lart në sondazhe. Çfarë do të nënkuptonte një mandat i dytë i Trumpit për Kosovën? Dua të kujtoj këtu se, gjatë mandatit të tij të parë, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por zyrtarë të administratës së tij janë kritikuar në Kosovë për më shumë anim nga Serbia.
Tanya Domi: Po, mendoj se ka pasur një favorizim të hapur ndaj serbëve. Jared Kushner [dhëndri i Trumpit] ka bërë një marrëveshje me Qeverinë serbe për një pasuri të paluajtshme.
Richard Grenell, i cili mund të bëhet sekretar i Shtetit nëse Trump zgjidhet sërish president, është vizitor i shpeshtë i Serbisë.
Kështu që e kuptoj pse [në Kosovë] mund të ndihen paksa të mërzitur për këtë. Është një situatë e vështirë. Trump, për shembull, ka thënë se do ta nxirrte SHBA-në nga NATO-ja. Një gjë e tillë do të ishte goditje e drejtpërdrejtë mbi Kosovën, që ka prani të NATO-s në territorin e saj e që, me gjasë, e ndalon [presidentin e Serbisë] Aleksandar Vuçiq të kalojë kufirin.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. A mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen më shumë në këtë proces?
Tanya Domi: Mendoj se SHBA-ja ka një trashëgimi në Ballkan, sidomos në Kosovë dhe në Bosnje. Administrata aktuale nuk është angazhuar në ndërmarrjen e ndonjë nisme diplomatike. Mendoj se kjo duhet rishikuar.
Unë do të rekomandoja fuqishëm një angazhim të ri diplomatik në rajon.
A e prisni këtë qasje të re nga administrata e re?
Tanya Domi: Mendoj se është një mundësi për ta bërë këtë, është vërtet e rëndësishme.
Cila do të ishte rrugëdalja?
Tanya Domi: Një nismë e re diplomatike që mund t’i angazhojë palët në një mënyrë që nuk është aplikuar më herët.
Dua të them se qasja e vazhdueshme e BE-së ka qenë një dështim në këtë dialog.
Dhe, cila do të ishte ajo qasje e re?
Tanya Domi: Politika e sanksioneve mendoj se do të duhej të ishte pjesë e nismës së re. Deri më tash ka pasur vetëm ujë që ka rrjedhur - kanë menaxhuar, por nuk kanë iniciuar. Dhe, mundësia për ta rishikuar këtë dhe për t’u angazhuar me një qasje tjetër, do të duhej të ishte një ndërmarrje e madhe.