Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që të kthehet te politika e madhe amerikane si aleat i Kosovës, ose të japë dorëheqje në favor të presidentes Vjosa Osmani.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Ngjela ka deklaruar se ardhja e Kaja Kallas në krye të diplomacisë evropiane, do të jetë një favor historik për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai ka folur edhe për vrasjen e të arratisurit nga burgu Faton Hajrizi, në Lloznicë të Serbisë, duke akuzuar këtë të fundit se po ushtron terror ndaj shqiptarëve me këtë rast.
Avokati ka thënë se nuk beson se Donald Trump do të rikthehet në pushtet, derisa ka theksuar se ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, është në duar parlamentit dhe qeverisë e presidentes së Kosovës.
Ndërsa, lidhur me paralajmërimin se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do ta arrestojë terroristin Milan Radoiçiq, si kusht për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron, Ngjela ka thënë se ai mund ta pranojë.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Serbia nuk ka lejuar avokatin dhe nënën e Faton Hajrizit, që ta shohin kufomën, e cila po mbahet në Serbi, që nga 19 korriku, ditën kur u vra nga autoritetet serbe. Ajo ka kërkuar teste shtesë të AND-së. Si e vlerësoni këtë kërkesë të Serbisë?
Spartak Ngjela: Duhet të jemi ngaherë në kujtesën se shtetet terroriste me qeveritë e tyre, nuk kanë moral në drejtimin e vendit të tyre. Kjo po ndodh edhe në këtë rastin e vrasjes se Faton Hajrizit. Ky tani është një fakt historik i pa kundërshtuar. Një qeveri terroriste është edhe ajo e Serbisë. Serbia është një shtet pushtues, dhe jo autokton. Dhe kjo e ka hedhur historikisht në një terror shtetëror kundër shqiptarëve. Serbia të gjithë vështirësinë e saj si pushtuese në Gadishullin Ilirik e ka pasur nga shqiptarët. Nuk i asimilon dot, pasi përdori çdo mjet kriminal në mbi 150 vite rresht. Por, tani shqiptarët kanë marrë edhe Kosovën. Serbia ishte pushtuese e madhe e territoreve të Arbërisë. Dhe tani është në rënie. Dhe shpresën e ka te Rusia. Por ajo e di që shqiptarët, në të dy shtetet e tyre në Ballkanin Perëndimor, janë aleatët numër një të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë zonë. Dhe ky fakt historik u ka thënë hapur se kjo është koha e shqiptarëve. Dhe kjo i ka hedhur në çrregullim mendor. Kurse shqiptarët do të ecin përpara drejt rivendosjes së historisë së saj mijëra – vjeçare. Kjo është koha jonë.
“Bota sot”: A po tenton ta politizojë Serbia këtë çështje, a duhet të ndërhyjnë ndërkombëtarët?
Spartak Ngjela: Ajo po e politizon, por nuk e ndërkombëtarizon dot në lojën e Perëndimit.
“Bota sot”: Ka zëra se vrasja e policit dhe Faton Hajrizit janë të lidhura me rastin e Milan Radoiçiqit. Madje ministri Daçiq e cilësoi vrasjen si “sulm terrorist” dhe konfirmoi se Serbia do të kërkojë ekstradimin e vëllait të Faton Hajrizit, i cili jeton në Gjermani. Cili është mendimi juaj për këtë?
Spartak Ngjela: Këtë ju thashë pak më lart. Serbia sot është një shtet terrorist, dhe jo është sjellja e çdo terrorizmi shtetëror. Gënjeshtra dhe propaganda shthurrëse është metoda e politikës serbe në shekuj. Por, tani ka ngecur te forca e Shqipërise dhe Kosovës. Ka humbje të madhe në moralin e luftës që e ka pasur armën e saj kryesore politike. Por, opinioni i brendshëm është i trembur nga historia që vjen: se e mendon që Shqipëria e bashkuar mund të bëhet realitet, dhe njëherësh edhe një forcë ushtarake akbano - amerikane: dhe pikërisht kjeve frikëson politikisht dhe po e hedh plotësisht drejt Moskës. Por shpresojnë kot. Shqiptaria do ta rimarrë historinë që i kanë grabitur sllavët dhe grekët...
“Bota sot”: Cili mendoni se është qëllimi përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi? Ndërsa në Kosovë, ambasadori Hovenier thotë se qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja reciproke, në Serbi, ambasadori Hill thotë se njohja nuk është kusht i BE-së si pjesë e këtij procesi.
Spartak Ngjela: Nuk mund të flasim saktë, se kjo është një politikë e madhe e karakterit anglosakson. Por kuptohet se ka një doktrinë të saktë brenda kësaj politike, e cila fsheh diçka. Janë territoret e veriut të Kosovës. Të shohim gjatë këtyre muajve. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ose duhet të kthehet te politika amerikane si tek aleati i madh i Kosovës, dhe njëherësh edhe çliruesi i saj në një luftë superfuqish - tek Amerika - ose duhet të japë dorëheqjen në favor të Vjosa Osmanit.
“Bota sot”: Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas do të jetë shefe e re e diplomacisë së BE-së. Ajo është quajtur shpesh “Zonja e re e Hekurt e Evropës”, dhe meqenëse ajo ka theksuar vazhdimisht se i jep mbështetje të plotë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, si mendoni se zgjedhja e saj do të ndikojë në dialogun Beograd-Prishtinë?
Spartak Ngjela: Do të jetë një favor historik i Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe kjo pritet të vijë. Sepse dialogu ka ngrirë, ngaqë mendoj se pala shqiptare nuk e njeh mirë filozofinë aktuale të politikës amerikane. Duhet të presim që ta shihim konkretisht nga qeveria e Kosovës doktrinën e politikës së saj kombëtare në relacion me aleatët e mëdhenj ndërkombëtarë, dhe me politikën shqiptare në Tiranë. Të dyja këto kanë një lidhje të brendshme të historisë së ardhshme... Ndryshimi i kreut të BE, mendoj se do të ketë një vlerë të re historike në Perëndim. Dhe nuk besoj se po bëhet nga rasti, se duhet të jetë një çështje e studiuar mirë nga politika e madhe...
“Bota sot”: Çfarë do të nënkuptonte një mandat i dytë i Donald Trumpit për Kosovën, duke pasur parasysh se shumë zyrtarë të tij, janë akuzuar për anim nga Serbia?
Spartak Ngjela: Nuk besoj se do të vijë dot Trump në pushtet. Politika amerikane ka hedhur në skenë Kamela Harris. Dhe kjo pritet të fitojë. Trumpin nuk e lejon politika amerikane, dhe mund të përdorë hapur forcën kundër tij. Trump dihet tani që është me Moskën. Kjo do ta çojë në kapitullim politik...
“Bota sot”: A besoni se në rast se rikthehet Trump, do të rikthehet edhe ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?
Spartak Ngjela: Jo. Shkëmbimin e territoreve e ka në dorë parlamenti i Kosovës dhe qeveria e presidentia e saj. Prandaj, është e pamundur. Territori kombëtar është objekt i frymës së popullit: domethënë i Parlamentit të Kosovës. Ndërrimi i territoreve, me këtë qeveri dhe këtë presidente në Prishtinë, është pamundësi absolute që të bëhet.
“Bota sot”: Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se arrestimi i Milan Radoiçiq është një nga kushtet për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd. Ajo paralajmëroi se Vuçiq do ta arrestojë Radoiçiqin muajin e ardhshëm. A besoni se do të ndodhë një gjë e tillë?
Spartak Ngjela: Vuçiq presionin e ka të madh. Tani që doli në këtë çështje edhe politika franceze, Vuçiq, ose do të shkojë krejt si vegël e Moskës, ose do ta pranojë. Por, duhet të kujtohemi se Vuçiqit - dhe Radoiçiq, është i njëjti person. Pikërisht këtu qëndron politika anti-Vuçiq, se në atë krim nuk është kapur Radoiçiq, por është kapur Vuçiq. Arrestimi i Radoiçiqit, mund të sjellë çarje në aleancën politike të Vuçiqit brenda Serbisë.