Në një intervistë për gazetën “Bota sot” rreth zhvillimeve të fundit në vend, si dhe dhe projekteve e planeve në Drenas ka folur kreu i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Si fillim, ai foli për projektet dhe sfidat në komunën e Drenasit, si dhe për punën e kuvendit komunal.
Lladrovci kishte edhe disa kritika për qeverinë Kurti, derisa tha se ka mungesë të vëmendjes së nivelit qendror drejt projekteve të tij për zhvillim e Drenasit.
Krahas kësaj, komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në vend, ku u shpreh i shqetësuar për disa çështje, e një prej tyre ishin masat ndëshkuese të vendosura nga BE.
Derisa, Lladrovci kishte edhe disa fjalë për mandatin qeverisës së Kurtit dhe zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat pritet të mbahen së shpejti.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z. Lladrovci si është gjendja në komunën e Drenasit, sa keni arritur t’i realizoni projektet e parapara që nga rimarrja e mandatit?
Ramiz Lladrovci: Gjendja në komunën tonë, është optimiste. Po punojmë dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme, për shërbimet publike, infrastrukturë, shërbimet shëndetësore, puna në objektet arsimore, sektorin e bujqësisë dhe fushat tjera. Punojmë, nuk ndalemi. Këto ditë, sfidën kryesore i kemi zjarret. Angazhimi mbinjerëzor i drejtorisë së Shërbimeve publike dhe Emergjencave dhe zjarrfikësve është për tu lavdëruar.
Gazeta “Bota sot”: Duke marrë parasysh se ju vini nga një subjekt politik që gjendet në opozitë, sa keni marrë mbështetje nga partia në pushtet, LVV në realizimin e projekteve?
Ramiz Lladrovci: Për fat të keq, niveli qendror pak e kishte vëmendjen drejt nesh. Rruga me katër korsi nga Gllobari deri në Komoran, ka ngecur, ndërtimi i QKMF, ka ngecur, Ujëmbledhësi i Vërbocit, stadiumi Nacional, pishina gjysmë olimpike dhe stadiumi sintetik, ende pa u finalizuar, Qendra e Biznesit Drenasi II në angazhim për t’u filluar, rreth rrotullimi në rrugën për Carralevë - Komoran, në pritje, Udhëkryqi i Komoranit, në pritje, dhe projekte tjera, janë në pritje.
Gazeta “Bota sot”: A ka bashkëpunim në kuvendin komunal të Drenasit mes jush dhe partive opozitare?
Ramiz Lladrovci: Bashkëpunimi ka funksionuar deri në qershor, kur partitë opozitare në bashkëpunim me disa ish asamblistë të PDK-së e shkarkuan Kryesuesin e Asamblesë. Puna e bllokimit të asamblesë, do të ketë pasoja në performancën komunale dhe grantin komunal, megjithëse për vitin 2023, besojmë të kemi në vendin e parë në nivel nacional.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha në komunën tuaj dhe si po arrini t`i tejkaloni ato?
Ramiz Lladrovci: Sfida më e madhe në komunën tonë është uji i pijes, kolektorët për ujërat e zeza dhe mosrealizimi i projekteve nga niveli qendror, të cilat i ceka më lartë.
Gazeta “Bota sot”: Krahas kësaj, vendi po përballet me situata të ndryshme politike, si i keni parë ato, dhe çfarë ju shqetëson më shumë nga gjithë këto ngjarje?
Ramiz Lladrovci: Nga problematika e politikës nacionale, më shqetëson mungesa e perspektivës dhe shpërngulja, shqetësim imi janë sanksionet nga BE të cilat i prekin disa projekte të komunës tonë, mos anëtarësimi në Këshillin e Evropës përkundër momentumit, pa njohje të reja, pa miq e aleatë në ballafaqimin diplomatik me armikun tonë shekullor, qasja jo e duhur e jo kompetente ndaj veriut të vendit, është shqetësuese autoriteti i shtetit tonë, edhe policit në aeroport i del rend t’i turret Presidentes, janë disa nga shqetësimet e mia.
Gazeta “Bota sot”: A vlerësoni se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, apo duhet të përmbyllet ky mandat nga qeveria Kurti?
Ramiz Lladrovci: Unë e kam dhënë opinionin tim më herët, kjo nuk është qeveria e parë që do të jepte dorëheqje. Dorëheqjet e mëhershme ishin të lidhura me moskalimin e një ligji, aq ishte e mjaftueshme për të shkuar në zgjedhje të reja. Në momentin kur kjo qeveri nuk e ka shumicën për disa ligje me rëndësi, duhet të shkoj pranë sovranit për rivlerësim-zgjedhje. Kjo qeveri me çdo kusht po dëshiron të hyj me diçka në histori, kjo për ta çuar deri në fund mandatin. Pra, qeverisjen nuk e kanë lidhur me vepra e investime kapitale të cilat mund t’i linin në gjysmë, por me muajt e plotë të qeverisjes me mandat.
Gazeta “Bota sot”: Marrë parasysh se dialogu është një nga temat më të përfolura në nivel qendror, sa besoni se do arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë? Sa po mbrohet interesi i vendit nga qeveria aktuale në dialog me Serbinë?
Ramiz Lladrovci: Dialogu për të ardhur te zgjidhja e përhershme, nuk mendoj se e dëshiron Serbia, dhe këtë letër e luan sa herë popullistëve atje ju duhet vota. Raporti me Serbinë, është letër që luhet më shumë se sa që duhet edhe nga popullistët tanë. Interesi i vendit, dje, e sot, e nesër, mbrohet bashkë me aleatë. Ne pa aleatë nuk do të arrinim as ndërkombëtarizim të çështjes tonë, as çlirimin, as pavarësinë. Në këtë situatë, pragmatizmi dhe koherenca me aleatët, duhet të jetë në vend të parë. Të gjithë duhet ta dinë se historia nuk rishkruhet, jemi vend i pavarur, sovran dhe me vizion euro-atlantik, çdo devijim nga kjo rrugë, ka mjaftë mekanizma për ta ndalur. Këto vija të kuqe, nuk pres t’i shkel askush me mend në krye.
Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, ish-udhëheqësit e PDK-së dhe UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli gjenden në Hagë. Si e komentoi procesin gjyqësor deri më tani, a është zvarritur tej mase ky proces?
Ramiz Lladrovci: Mungesa e transparencës dhe stërzgjatja e procesit, janë brengë për të gjithë ata që duan drejtësi. Po bëhen gati katër vjet dhe kaq pak përparim në proces, është shumë zhgënjyese. Ne i besojmë drejtësisë, por kur ajo vonon, dalin në skenë pikëpyetjet se kujt i duhet e gjithë kjo, rekomandimet e cilës palë në konflikt po zbatohen dhe kujt i konvenojnë, madje, kush ishte avokati i tërë këtij procesi për akuzat publike skandaloze që tashmë nuk janë as pjesë e akuzës. Po dëshmohet se heronjtë janë të fundit që kthehen nga lufta, madje, do të kthehen fitimtar nga përballja me akuzat e kuzhinave që ushtruan gjenocid ndaj shqiptarëve, mbi një shekull e gjysmë.