Shefja e KiE flet për “Bota sot”, tregon kush mund të vendos kushte të reja për Kosovën – komenton edhe dialogun me Serbinë

Intervista

Shefja e KiE flet për “Bota sot”, tregon kush mund të vendos kushte të reja për Kosovën – komenton edhe dialogun me Serbinë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 gusht 2024 Në ora: 17:13
Shefja e zyrës së Këshillit të Evropës për Kosovë, Mary Ann Hennessey dhe Albin Kurti

Shefja e zyrës së Këshillit të Evropës për Kosovë, Mary Ann Hennessey, në një intervistë për “Bota sot” ka folur në lidhje me procedurat për anëtarësimin e Kosovës në KiE, si dhe mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Së pari, ajo tregoi procedurat dhe nivelet që duhet të kalojë Kosova për t’u anëtarësuar në KiE, ku tha se i takon shumicës së shteteve anëtare dhe shtetit që mban kryesimin e Komitetit të Ministrave, të përcaktojnë kushtet ndaj shtetit tonë.

Po ashtu, Hennessey analizoi procesin e negociatave, me ç’ rast e vlerësoi atë si një mundësi për tejkalimin e pengesave mes dy palëve.

Ndër të tjera, foli edhe për komunitetin LGBT dhe fakti se nuk po kalon ligji për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Kohë më parë, Kosova nuk arriti të hyjë në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës. Franca, Gjermania dhe Italia e bëjnë të qartë, se mbështesin projekt-statutin e BE për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe. Si e vlerësoni ju këtë? A ka shpresa që Kosova të mund të anëtarësohet këtë vit në KiE, apo duhet pritur deri vitin 2025?

Mary Ann HennesseyNdërsa, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka nxjerrë një opinion pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën tonë, vendimi për të ftuar një shtet të ri anëtar merret nga shtetet anëtare në Komitetin e Ministrave. Kryesia e Komitetit të Ministrave propozon rendin e ditës për takimet, kështu që, në fund të fundit, i takon shumicës së shteteve anëtare dhe shtetit që mban kryesimin e Komitetit të Ministrave të përcaktojë nëse, kur dhe në cilat kushte Kosova do të të ftohet të bëhet një shtet anëtar i Këshillit të Evropës.

Gazeta “Bota sot”: A ka ardhur koha për një strategji të re të Perëndimit, për një fillim të ri në dialogun Kosovë-Serbi, tani që ende nuk janë emëruar të dërguarit e rinj specialë?

Mary Ann Hennessey: E vetmja strategji që ka rëndësi është që të gjitha shtetet evropiane të punojnë së bashku për të siguruar nivelin dhe cilësinë më të lartë të mundshme të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në kontinentin tonë dhe për të gjithë qytetarët tanë. Dialogun e lehtësuar nga BE-ja nuk e shoh si strategji, por është një mundësi për tejkalimin e pengesave për integrimin e mëtejshëm evropian me të cilat përballen Serbia dhe Kosova.

Gazeta “Bota sot”: Ju jeni përkrahëse e madhe e komuntetit LGBT. Si e komentoi faktin se kodi civil nuk po arrin të kalojë në Kuvend? A po e penalizon Kosovën kjo gjë në arenën ndërkombëtare?

Mary Ann Hennessey: Unë jam një përkrahës shumë i madh i të drejtave të njeriut të çdo njeriu. Komuniteti LGBT+ është më i rrezikuar se shumica, ndaj mendoj se është edhe më e rëndësishme të ndajmë mesazhin e respektit, dashurisë dhe mbështetjes për këtë komunitet. Mungesa e aksesit të barabartë për të gjithë në përfitimet publike dhe private të rregullimeve institucionale të Kodit Civil është, para së gjithash, penalizuese për ata qytetarë që diskriminohen. Është në interesin e të gjithëve që të drejtat njerëzore dhe qytetare të jenë të barabarta për të gjithë, pavarësisht nëse ato prekin ty apo mua drejtpërdrejt apo jo. Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës kanë qasje të ndryshme për çështjen e barazisë martesore, por në fund të fundit, ato shtete që diskriminojnë, ose vendosin status të pabarabartë ndaj grupeve të synuara, do të jenë përgjegjës për këtë – para qytetarëve, ndaj komunitetit ndërkombëtar ose eventualisht, në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat