Deputeti i Kosovës në Parlamentin e Bavarisë së Epërme insiston në hapjen e Urës së Ibrit, zbulon pse po “shantazhohet” Qeveria

Intervista

Deputeti i Kosovës në Parlamentin e Bavarisë së Epërme insiston në hapjen e Urës së Ibrit, zbulon pse po “shantazhohet” Qeveria

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 gusht 2024 Në ora: 19:21
Foto ilustrim

Deputeti i Kosovës në parlamentin e Bavarisë në Gjermani, Deli Balidemaj, është duke insistuar në hapjen e urës së Ibrit dhe paralajmërimet e Serbisë për përshkallëzim të situatës, deklarimet e BE-së për ashpërsim të masave i sheh shantazhe që qeveria të mos veprojë ashtu.

Balidemaj në një intervistë për gazetën ““Bota sot””,  pajtohet se bashkësia ndërkombëtare ka filluar të kundërshtojë çdo veprim të qeverisë në veri të vendit, që sipas tij, është e pakuptueshme, kjo pasi kohëve të fundit janë bërë disa hapa pozitiv.

I pyetur nëse asociacioni i komunave me shumicë serbe do ta “qetësonte” bashkësinë ndërkombëtare dhe raportet me Kosovën, Balidemaj nuk e beson një gjë të tillë, pasi sipas tij, ata pastaj do të dilnin me kërkesa tjera.

Deputeti Balidemaj në intervistë ka folur edhe rreth deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano për aleatët e Kosovës, dialogun Kosovë- Serbi dhe zgjedhjeve në SHBA.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zotëri Balidemaj flasim pak për zhvillimet e fundit në Kosovë. Keni deklaruar se është momenti i fundit që të hapet ura e Ibrit, por njëjtw nuk mendojnë nga BE dhe SHBA, të cilët kërkojnë që për të të diskutohet në dialog. Cili mund të jetë epilogu i kësaj çështjeje?

Deli Balidemaj: Po kam deklaruar dhe qëndroj pas asaj që ura e Ibrit duhet të hapet menjëherë. Urat janë në gjithë botën ato që bashkojnë vetëm kjo e Ibrit është ure ndarëse. SHBA dhe BE janë të përqendruara në luftërat në Ukrainë dhe Lindje të mesme kështu që atje e kanë edhe fokusin derisa Kosova mbetet për kusuritje -kështu që i takon qeverisë të vendos në të mirë të vendit, e në rast të hapjes së Urës duhet t’i bashkohej edhe opozita.

 “Bota sot”: Serbia ka paralajmëruar përshkallëzim të situatës në veri në rast të hapjes, BE paralajmëron masa më të ashpra, ndërsa nga Amerika frikësohet për ushtarët amerikanë të KFOR-it. A ka mundësi përshkallëzimi, a do të duhej Kosova të ndëshkohej edhe më ashpër, ndërsa Serbia të mos ndëshkohet edhe pas sulmit terrorist?

Deli Balidemaj: Serbia çdoherë paralajmëron përshkallëzime - BE e ka dënuar Kosovën pa të drejt dhe mund ta bëjë përsëri. Në të gjitha këto deklarata ka edhe shantazh ndaj qeverisë ashtu që mos të veprojë. Por Qeveria duhet të sjellë vendime në të mirën e gjitha komuniteteve të Kosovës, e kjo është hapja e Urës sa më parë. Bota nuk është çdoherë e drejt dhe vendimet jo rrallë janë në dëm të të dobëtit -fatkeqësisht. Nga ana tjetër vendimet e BE-së bihen me konzensus ashtu që çdoherë del një Hungari ose një tjetër që mbron interesat e Serbisë. Së pari interesat, pastaj drejtësia dhe morali - nuk është e drejtë, por kjo është realiteti i hidhur.

“Bota sot”: Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se nëse vazhdon kjo qasje e Kosovës rrezikon të mbetet pa aleatë. Si e shihni deklaratën e tij, a ka filluar BE ta kërcënojë Kosovën dhe pse kjo qasje?

Deli Balidemaj: Z. Stano nuk është BE-ja. Deklarata e tij është kërcënuese, por Stano nuk vendos se kush do të jenë aleatët e Kosovës. Jo rrallë në institucione të ndryshme ndërkombëtare kanë pozita, njerëz që ndjekin interesat e veta ose të mentorëve të tyre, e jo të atyre që i kanë zgjedhur. Pa marrë parasysh deklaratat e z Stano Kosova duhet ta ndërtojë të ardhmen e vet evropiane, të kujdeset për mirëqenien e të gjitha komuniteteve të vendit, me theks të veçantë për komunitetet pakica.

 “Bota sot”: Përveç Urës së Ibrit, ndërkombëtarët kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe për mbylljen e nëntë pikave të postës serbe në veri, sipas tyre, ka qenë hap i pakoordinuar dhe i një anshëm. A ka filluar bashkësia ndërkombëtare ta kundërshtojë Qeverinë pothuajse në të gjitha vendimet në veri të Kosovës, apo si e shihni ju këtë situatë?

Deli Balidemaj: Pajtohem plotësisht me juve se Bashkësia ndërkombëtare ka filluar të kundërshtojë çdo veprim të qeverisë në veri të vendit që është plotësisht e pakuptueshme, ngase kohëve të fundit janë bërë disa hapa pozitiv që në të ardhmen do të ndikojnë në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Çdo shtet ka ligjet e veta dhe ato duhet të zbatohen pa përjashtim.

 “Bota sot”: A do t’i qetësonte raportet e ndërkombëtarëve me Kosovën, një asociacion i komunave me shumicë serbe dhe a do të duhej ta bënte Kosova këtë “kompromis” për këto arsye?

Deli Balidemaj: Jo nuk besoj që një asociacion do të ndikonte në raportet e Kosovës me Bashkësinë ndërkombëtare. Besoj që në qoftë se do të realizohej një i tillë do të vinte kërkesa tjetër. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk diskuton me fqinjët për çështje të brendshme. Ne u jemi falenderues bashkësisë ndërkombëtare për gjithë përkrahjen që na dhanë për çlirimin e vendit dhe ngritjen e institucioneve demokratike. Sigurisht që Kosova bashkëpunon në çështje madhore dhe është përkrahësi më i madh i SHBA-së dhe BE-së, por njëkohësisht duhet dalëngadalë të forcohemi në vendimmarrje dhe mos të jemi barrë e bashkësisë ndërkombëtare për çdo vendim.

 “Bota sot”: Pse ndërkombëtarët nuk i japin një garancë Kosovës (ashtu sikur kërkojnë) për asociacion që nuk do ta cenonte shtetësinë e saj dhe te ecet përpara me dialog?

Deli Balidemaj: Shembullin më të mirë në këtë rast e kemi Bosnjën. Shtetësinë e Kosovës më së pari duhet ta garantojnë institucionet dhe qytetaret e Kosovës. E edhe në qoftë se do të ndodhte diçka e tillë që nuk ndodh me ndërrimin e udhëheqësive në bashkësinë ndërkombëtare nganjëherë ndërrohen edhe prioritetet.

“Bota sot”: Kur jemi te dialogu Kosovë- Serbi. Si do të ndikojnë këto zhvillime në dialog dhe a po bën Serbia hap para me kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës?

Deli Balidemaj: Dialogu Kosove Serbi  është tërë zgjatur. Aty kemi marrëveshjen e Ohrit e cila duhet të zbatohet me përpikëri dhe pastaj duhet t’u jepet hapësirë organizatave joqeveritare të të dyja vendeve që të organizojnë shkëmbime të ndërsjella sportive, kulturore, shkencore dhe te lëmive të tjera ashtu që të ketë afërsi mes dy popujve.

“Bota sot”: Nga Kosova kanë “akuzuar” akterët kryesorë të bisedimeve për njëanëshmëri, si pritet të jenë bisedimet tani me shefen e re të diplomacisë?

Deli Balidemaj:  Po pajtohem me një konstatim të tillë dhe ka shume argumente që e mbështesin këtë tezë. Unë e theksova edhe më lart se ekziston marrëveshja e Ohrit dhe ajo duhet të zbatohet. Nuk pres ndryshime në qasjen e dialogut, aq me pak tani që BE është shumë e interesuar për litiumin serb dhe kjo mund të ndikojë negativisht në qasjen e dialogut respektivisht në favorizimin e interesave serbe.

“Bota sot”: Kanë mbetur edhe pak muaj që nga zgjedhjet në SHBA. Cili kandidat do të ishte më i favorshëm për Kosovën dhe sa do të ndikonte në dialog zgjedhja e tij/saj?

Deli Balidemaj: Amerika ka qenë, është, dhe do të jetë çdoherë krah Kosovës. Populli i Kosovës është populli me proamerikan, kështu që qytetarët e Amerikës do ta dinë ta bëjnë zgjedhjen e duhur e cila si gjithmonë do të jetë krah Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat