Zafir Berisha: Koalicioni AAK-NISMA synon të arrijë 17% të votave – Tema e urës mbi Ibër, lojë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Intervista

Zafir Berisha: Koalicioni AAK-NISMA synon të arrijë 17% të votave – Tema e urës mbi Ibër, lojë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 20 gusht 2024 Në ora: 08:01
Ish-deputeti i NISMA-s, Zafri Berisha.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, në lidhje me zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kosovë ka folur ish-deputeti i NISMA-s, Zafri Berisha.

Ai situatën aktuale në vend e konsideron si shqetësuese, duke thënë se Kurti po shkakton kriza kohë pas kohe.

Berisha thotë se çështja e hapjes së urës mbi Ibër është aktualizuar si temë, me qëllim për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e qeverisë dhe po ashtu, një lojë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ish deputeti kritikoi qeverisjen Kurti përgjatë këtyre katër viteve, duke kujtuar arrestimin e drejtorit të KEK-ut e me radhë.

Presidenten Osmani, Berisha e cilësoi si presidenten më të dobët në historinë e Kosovës.

Kurse, për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, Berisha tha se nga matjet që kanë bërë si koalicion me AAK-në, sillen diku 12 deri 13%.

Zafir Berisha do të jetë një nga kandidatët për deputet në këtë koalicion.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Berisha, si e komentoni aktualitetin në vend?

Zafir Berisha: Situata në vendin tonë është shqetësuese, kur kemi parasysh krizat politike dhe të sigurisë që Albini i krijon kohë pas kohe e të cilat, përveç që Kosovën e kanë venë nën sanksione të perëndimit, ato po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në krizën ekonomike nga ku po derivon plaga tashmë e madhe e largimit të qytetarëve të të gjitha moshave dhe profesioneve nga vendi ynë.

“Bota sot”: Temë kyçe vazhdon të jetë hapja e urës së Ibrit, a mendoni se do të hapet ura, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare?

Zafir Berisha: Ura është e hapur për ata që kanë sy, mirëpo Albini e ka bë temë këto ditë për manipulim me analfabetët e sektit të tij politik, si dhe për të tërhequr vëmendjen nga dështimet në qeverisje dhe aferat e mëdha korruptive me tenderët një burimor. Akrobacioni politik me urën mbi Ibër është edhe një lojë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, sepse tash me evidente se një pjesë e shoqërisë është kapluar nga kriza morale dhe mendimin kritik e kanë ZERO.

“Bota sot”: A mundet që KFOR-i të refuzojë që të largohet nga ura?

Zafir Berisha: KFOR ka mandat nga OKB dhe vendimet për veprimet e tyre janë larg tavolinave të vendosjes në Prishtinë, kështu që veprimet eventuale të Albinit drejtë urës pa koordinim me KFOR-in është sikurse me shku në pyll pa sëpatë.

“Bota sot”: Si i vlerësoni deklarimet e BE-së, për masa shtesë ndaj Kosovës, a mendoni se po tregohet e padrejtë me Kosovën?

Zafir Berisha: Nuk duhet me u befasu edhe nëse vendosen masa shtesë, sepse tashmë BE dhe partnerët tonë po ballafaqohen me një mashtrues ordiner i cili ndryshe fol në takime me ata dhe ndryshe vepron. Fatkeqësisht këto veprime të Albinit po i vuan qytetari Kosovës jo ai vetë, sepse ai është një qiragji në Kosovë dhe nuk është që sanksionet e BE-së i ndjen në lëkurën e vet.

“Bota sot”: Si e keni parë qeverisjen e Kurtit këto 4 vite?

Zafir Berisha: Kjo qeveri po përfundon ashtu siç unë e kam pritë sepse logjikën qeverisëse të tyre e kam parë nga afër në Prizren.

Katër vite dështim e regres në ekonomi, arsim, shëndetësi, politikë të jashtme, me afera të mëdha korruptive siç ishte Nagip KEK-u, Ridvan - Rezervat shtetërore, Martin GEN-Serbia 230 milion, tenderët një burimor, punësim të hallave, tezeve e militantëve partiakë, këto janë disa nga ato që e kanë shoqëruar këtë qeveri, duke mos ja hëngër hakun për realizimit e projektit gjigand “Ura Saradranit” që është realizuar për 4 vite.

“Bota sot”: Po, punën e presidentes Osmani, si e keni parë?

Zafir Berisha: Ajo do të mbetet presidentja më e dobët në historinë e Kosovës e cila ka qenë një notere e Albinit & Dejonës!

“Bota sot”: Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 9 shkurt, NISMA është në koaliion me AAK-në, cili mendoni se do të jetë rezultati?

Zafir Berisha: Po matjet që i bëjmë si koalicion sillemi nga 12 deri 13%, por ne synojmë të arrijmë deri në 17%.

“Bota sot”: A do te jeni kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme?

Zafir Berisha: Jo vetëm kandidat por edhe deputet do të jem, jo pse kam ndonjë nevojë personale sepse un kam qenë 3 mandate deputet, mirëpo si qytetar i këtij vendi për të cilin e kam derdhë një pikë djersë nuk mundem me qëndron indiferent karshi shkatërrimit të shtetit dhe institucioneve nga ky grumbull injorantësh që erdhën në pushtet me ndihmën e propagandës dhe financave të Serbisë dhe trushpërlarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat