“Ura nuk është dashur të mbyllet kurrë”/ Deputeti flet për zhvillimet e fundit – përmend zgjedhjet, zbulon nëse LVV ka bisedime për ndonjë koalicion parazgjedhor!

Intervista

“Ura nuk është dashur të mbyllet kurrë”/ Deputeti flet për zhvillimet e fundit – përmend zgjedhjet, zbulon nëse LVV ka bisedime për ndonjë koalicion parazgjedhor!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 gusht 2024 Në ora: 21:04
Gramos Agusholli

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, lidhur me zhvillimet e fundit në vend, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.

Agusholli e konsideron si mjaft sfiduese e me shumë tensione situatën politike në vend, por që sipas  tij, Qeveria ka arritur ta përballojë me shumë sukses.

Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit,  deputeti i sheh si të padrejta kundërshtimet e ndërkombëtarëve, duke theksuar se kjo është e drejtë e Kosovës.

Sipas tij, kjo çështje nuk duhet të jetë e negociueshme me askënd tjetër, përveçse me popullin tonë.

Gjithashtu deputeti foli edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit, për të cilat thotë nuk mund të ketë ndryshime nëse krahasojmë me zgjedhjet e kaluara.

Për ligjet e pa-votuara ende në Kuvend, Agusholli shprehet pak skeptik se do të përfundojnë brenda këtij mandati, mirëpo thekson që Qeveria do ta bëjë të pamundurën t’i realizojë.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Gramos Agusholli: Gjatë këtyre katër viteve, situata politike në vend ka qenë jashtëzakonisht sfiduese, me shumë tensione dhe dinamika që kanë ndikuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike.

Politikat e brendshme, në disa raste, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e jashtme, duke reflektuar sfidat e problemet në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nga perspektiva ime personale, mendoj se Qeveria, në përgjithësi, ka arritur të përballojë me sukses sfidat e saj sidomos me veriun e vendit, megjithatë  ka pasur përjashtime në disa ministri të caktuara, ku ka pasur mungesë të efikasitetit dhe ndonjëherë edhe vendime të diskutueshme.

Pavarësisht këtyre mangësive, fakti që qeveria ka arritur të përmbushë një mandat të plotë tregon nivel  stabiliteti dhe maturiteti në udhëheqje.

Ky stabilitet është një tregues i rëndësishëm i qëndrueshmërisë politike, e cila është thelbësore për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Gazeta “Bota sot”: Hapja e Urës së Ibrit së fundmi është një nga temat më të përfolura dhe aktuale. Si e keni parë ju këtë situate duke përfshirë këtu edhe  reagimet e ndërkombëtarëve dhe trysnia e Serbisë për të mos u hapur Ura, sa të arsyeshme janë kur dihet që hapja e Urës është e drejtë legjitime për Kosovën?

Gramos Agusholli: Unë konsideroj se çdo ndalesë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave është një shkelje e parimeve bazë të demokracisë.

Ura nuk është dashur të mbyllet kurrë, e lëre më të bëhet temë diskutimi në Bruksel.

Hapja e urës është një dëshmi e qartë se shteti ynë ka shtrirë sovranitetin edhe në pjesën veriore, dhe nuk ka asnjë problem mes komuniteteve atje.

Kjo çështje nuk duhet të jetë e negociueshme me askënd tjetër, përveçse me popullin tonë.

Megjithatë, duke qenë se jemi në këtë situatë, mendoj që duhet të këmbëngulim në hapjen e saj dhe të koordinohemi me shtetet aleate për ta arritur këtë.

Zërat që thonë thonë se kjo është një ‘fushatë parazgjedhore’ dhe se ‘do të na prishë me ndërkombëtarët’, janë krejtësisht të pabaza në këtë moment.

Për këtë vendim duhet te jemi të bashkuar dhe të veprojmë në të mirë të qytetarëve dhe interesit të shtetit tonë.

Gazeta “Bota sot”: Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 9 shkurt. Si mendon që do të jenë rezultatet nëse krahasojmë me ato të kaluara, a do të kemi ndonjë ‘befasi’?

Gramos Agusholli; Mendoj se është ende herët për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi çdo ndryshim i rëndësishëm mund të ketë ndikime të mëdha në skenën politike. Sidoqoftë, duke marrë parasysh dinamikat aktuale, nuk pres që rezultati të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme nga zgjedhjet e kaluara, përveç nëse në procesin zgjedhor shfaqet ndonjë lëvizje e re politike ose parti e re, e cila do të mund të ndikojë në rikonfigurimin e forcave opozitare.

Gazeta “Bota sot”: A është përfolur ndonjë koalicion me ndonjë parti politike dhe a ka LVV vija të kuqe?

Gramos Agusholli: Lëvizja Vetëvendosje nuk ka diskutuar për ndonjë koalicion dhe nuk mendoj se do të ketë nevojë për një të tillë as këtë herë.

Sa i përket spektrit politik dhe partive opozitare, nuk shoh ndonjë ndryshim në lidership ose në struktura. Prandaj, nuk shoh arsye për ndonjë bashkëpunim, qoftë para apo pas zgjedhjeve.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Kuvendit të Kosovës në këtë mandate katër vjeçar?

Gramos Agusholli: Ky ka qenë mandati im i parë si deputet. Kuvendi ka qenë një arenë e re, një sfidë e re për mua.

Jam munduar të jem zëri i qytetit tim dhe i bindjeve të mia. Kam synuar të jem parimor dhe të përfaqësoj me ndershmëri të gjithë ata që më kanë votuar.

Kuvendi ka punuar në masën që i është dhënë mundësia. Ka shumë projektligje që kanë mbetur pa u diskutuar, por besoj se është bërë kryesisht një punë e mirë për të mirën e vendit.

A mund të kishim bërë më shumë dhe më mirë? Patjetër që po. Megjithatë, ky ka qenë një vit i mbushur me sfida për ne si shtet, dhe jemi përballur me vendime shumë të mëdha për të cilat nuk ishim plotësisht të përgatitur.

Gazeta “Bota sot”: Si pritet të jetë sesioni i vjeshtës, a do të votohen ligjet e pa votuara ende si p.sh Kodin Civil etj?

Gramos Agusholli: Mendoj që sesioni i vjeshtës në Kuvend do të jetë mjaft interesant. Kuvendi do të ngjasojë më shumë me një skenë teatri, ku shumica e deputetëve do të fokusohen në fushatën zgjedhore.

Sa i përket Kodit Civil dhe nenit që ka shkaktuar polemika, kam qenë i qartë që në fillim, si përpara qytetarëve, ashtu edhe përpara partisë.

Gazeta “Bota sot”: Po me ligjin për pagat çka do të ndodhë, a pritet të përfundojë kjo çështje brenda këtij mandati?

Gramos Agusholli: Së pari, unë personalisht jam që rroga minimale te rritet edhe më shumë nga ajo e propozuar nga qeveria.

Pastaj, qytetarët duhet të din se me Ligjin për Pagat është bërë një shkallëzim i drejtë i raportit të koeficienteve, duke siguruar që paga më e lartë në Kosovë të mos jetë më shumë se pesë herë më e madhe se paga më e ulët.

Kjo nuk përbën 'ndërhyrje të qeverisë,' siç është pretenduar nga opozita, por është një përpjekje për të krijuar një sistem të drejtë dhe të barabartë pagash për të gjithë.

Sa i përket procedimit të këtij ligji gjatë këtij mandati, jam skeptik nëse do të ketë kohë të mjaftueshme për ta përfunduar atë. Megjithatë, angazhimi ynë për një reformë të drejtë në sektorin publik mbetet prioritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat