Deputetja e LVV -së: Hapja e urës nuk do të zvarritet pafund - Opozita do të garojë për vendin e dytë, më 9 shkurt

Intervista

Deputetja e LVV -së: Hapja e urës nuk do të zvarritet pafund - Opozita do të garojë për vendin e dytë, më 9 shkurt

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 gusht 2024 Në ora: 18:00
Arjeta Fejza

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, në një intervistë ekskluzive për gazetën "Bota sot" ka thënë se kjo parti është unike në qëndrimin e saj pro hapjes së urës mbi Ibër, duke qenë se ajo si e mbyllur simbolizon ndarjen e Mitrovicës.

Lidhur me këtë , deputetja po ashtu ka thënë se kryeministri Kurti është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët.

Ajo ka theksuar se LVV do të fitojë bindshëm në zgjedhjet e ardhshme dhe se fitorja do të jetë "plebishtare" .

Kështu sipas deputetes Fejza, opozita do të garojë për vendin e dytë.

Intervista e plotë:

Image
Arjeta Fejza

“Bota sot”: Znj. Fejza, si është atmosfera brenda grupit tuaj parlamentar për hapjen e urës së Ibrit, a po hapet ura dhe nëse po, kur?

Arjeta Fejza: Çështja e hapjes së Urës së Ibrit pikësëpari është çështje e të drejtave të njeriut, e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe si e tillë ajo duhet t’i shërbejë komuniteteve që janë në Mitrovicë, qoftë nga ai shumicë apo nga minoritetet. Lëvizja Vetëvendosje është unike në qëndrim për hapjen e urës mbi lumin Ibër sepse ajo simbolizon ndarjen e Mitrovicës, mirëpo një realitet i tillë duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë sepse ura bashkon njerëzit e nuk i ndanë ata. Se kur do të ndodh hapja e urës nuk kemi një datë të saktë por një gjë është e sigurt, kjo çështje nuk do të zvarritet pafundësisht.

“Bota sot”: Kurti po kritikohet për vizitën në SHBA, si qëndron e vërteta?

Arjeta Fejza: Kryeministri Albin Kurti gjendet në Amerikë duke qenë pjesëmarrës në panelin “Konventa Kombëtare Demokratike”, si dhe ka takuar senatorë të ndryshëm me të cilët ka diskutuar çështje të ndryshme që lidhen me Kosovën, ndërsa për kritika të pabaza të kësaj opozite tashmë veçse jemi mësuar, kritika të tilla ka pasur që prej fillimit të mandatit qeverisës.

“Bota sot”: Si qëndrojnë marrëdhëniet e Kurtit me ndërkombëtarët, derisa ata kanë dalë kurnd për shumë vendime të Qeverisë?

Arjeta Fejza: Qeveria Kurti është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët tanë, mund të kemi mospajtime për çështje të caktuara, por kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet tona janë të acaruara siç i portretizon opozita. Vendimet që i merr Qeveria në të gjithë territorin e saj janë gjithmonë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe ajo kushtetutë duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i një shteti.

“Bota sot”: Si e komentoni qasjen e BE-së ndaj Kosovës?

Arjeta Fejza: Rasti Banjska tregoi edhe njëherë fytyrën e vërtetë të politikës serbe ndaj Kosovës. Tash po bëhen afër 1 vit nga ajo ngjarje dhe BE vazhdon të mos e ndëshkojë Serbinë për veprimet e kryera që cënojnë rëndë sovranitetin e një shteti të pavarur. Nga ana tjetër, BE qëndron symbyllazi ndaj deklaratave publike të zyrtarëve serb që shprehin hapur se nuk do të zbatojnë asnjë marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në tryezën e dialogut. Ne konsiderojmë që masat për Kosovën janë të padrejta dhe shtimi i tyre do të rriste padrejtësinë për Kosovën.

“Bota sot”: Më 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet e reja, cili është parashkimi juaj?

Arjeta Fejza: Tashmë siç e dimë të gjithë, zgjedhjet e rregullta do të mbahen me 9 shkurt 2025. Është mirë sepse më në fund do të realizohet “dëshira” e kahmotshme e opozitës për zgjedhje të reja, sepse ata këto zgjedhje i kërkuan që në javët e para të marrjes së pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje. Ashtu si me 14 shkurt 2021 edhe me 9 shkurt 2025, fitorja e Lëvizjes do të jetë plebishitare, por që do të jetë edhe më e thellë, ndërsa opozita do të garojë për vendin e dytë dhe për të pasur numër dyshifror të deputetëve në Kuvend.

“Bota sot”: Si komentoni deklarimet e Haradinajt, se Kurti u lirua nga burgu serb nga Koshtunica?

Arjeta Fejza: Asgjë e re sa i përket deputetit Ramush Haradinaj, problemi i tij qëndron se nuk po arrin assesi të kuptojë që kanë ndryshuar gjërat dhe ka mbetur pa pushtet e në rrezik të mbes edhe jashtë kuvendit bashkë me partinë e tij. Këto deklarata të Haradinajt fillimisht nuk i bëjnë nder vet atij, e pastaj e bëjnë edhe qesharak para qytetarëve të vendit sepse qëllimi i tij tashmë veçse është kuptuar. Ndjej keqardhje për nivelin e deklaratave të tij.

“Bota sot”: Në përgjithësi, si e shihni punën e opozitës?

Arjeta Fejza: Me date 14 shkurt 2021, u bë ndryshimi i madh, partitë që kishin keq qeverisur me vendin për 20 vite tashmë mbetën në opozitë, e duke qenë në opozitë mbetën edhe pa kauza, qëndrimet e tyre nuk zgjasnin më shumë se 24 orë, i kaplonte heshtja sepse e dinin që me të gjitha problemet që ballafaqohej Qeveria, kishin gisht vetë ata me marrëveshjet e dëmshme që ia bënë shtetit të Kosovës. Kjo opozitë ishte vetëm numër në kuvend, me tema ditore e pa përmbajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat