Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputeti Haki Abazi ka folur për zhvillimet e fundit në vend duke qenë mjaftë kritik ndaj Qeverisë.
Abazi filloi për vendimin për hapjen e Urës së Ibrit, që sipas tij Kurti po e përdor për përfitime elektorale dhe që nuk ka bërë ndonjë gjë për të ndryshuar gjërat dhe drejtimin përpos se ka përfituar personalisht.
Ndërsa, për vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë, deputeti shpjegoi që është bërë nga nevoja për të marr masa që rajoni të mos bie pre e informacioneve dhe rrjeteve të cilat kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.
Për qeverisjen përgjatë këtyre viteve Abazi jep mjaft kritika, duke radhitur mosnjohjet e reja për Republikën e Kosovës e deri tek dialogu i varfër.
E kur jemi tek qeverisja dhe zgjedhjet e 9 shkurtit, deputeti u shpreh që do të jetë mjaftë aktiv mirëpo nuk do të jetë pjesë e Listës së LVV.
Skeptik Abazi u shpreh edhe për sesionin e vjeshtës në Kuvendin e Kosovës.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Zhvillime të shumta ka pasur këto ditë në Kosovë, si e keni parë vendimin e Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit dhe reagimet e ndërkombëtarëve?
Haki Abazi: Ura mbi lumin Ibër e cila është hapur për kalim në këmbë, është krijuar në formë artificiale si platformë paraelektorale nga Kurti. Nuk ka politikan në Kosovë që ka përdorur dhe keqpërdorur temat e ndjeshme për të krijuar kauza politike sikur që ka bërë Kurti. Dikur në opozitë Kurti ka krijuar kauzë kundër UNMIK, kundër EULEX duke sulmuar makinat e tyre, kunder Ahtisarit, kundër negociatave, kundër xhipave të zinj dhe politikanëve me bodygarda, kundër demarkacionit, kundër Asociacionit, kundër privatizimit të pronës por duke krijuar ngjarje që qytetarët të kanë një fotografi të njeriut kundër establishmentit. Fatkeqësia është që në asnjërin rast dhe në asnjërën nga kauzat e ngritura Kurti nuk ka bërë ndonjë gjë për të ndryshuar gjërat dhe drejtimin përpos se ka përfituar personalisht duke e sforcuar egocentrizmin dhe formën autokratike të vendimmarrjes. Përplasja me bashkësinë ndërkombëtare për urën tenton ta zhvendos debatin paraelektoral në çështje sentimentale për popullin tonë dhe të mos diskutohet për çështje përmbajtësore dhe të rëndësishme e sidomos për premtimet e parealizuara dhe dështimin e plotë në realizimin e premtimeve dhe zotimet e bëra.
Gazeta “Bota sot”: Duke qenë tek ngjarjet, së fundmi vizita e shefit të CIA-s, Ëilliam Burns, mori vëmendje të madhe. Si e keni parë ju këtë vizitë, a mund të ketë ndonjë informacion për sigurinë në rajon?
Haki Abazi: Ballkani ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej hapësirave gjeografike me fragjile, kjo vjen edhe nga mungesa e qeverive demokratike, korrupsioni i lartë, problemet e pazgjidhura nga e kaluara dhe infiltrimi i madh i shërbimeve sekrete në shërbimet inteligjente të rajonit. Kemi të bëjmë me nevojën për një koordinim shumë të afërt e më të besueshëm të informacionit. Në rajon ka një kapital të madh që po qarkullon dhe në këtë rrjet kanë rënë shumë figura të rëndësishme të politikës dhe sigurisë së rajonit. Kjo situatë është shumë e ndjeshme sepse mund të jenë kompremetuar figura dhe sisteme të rëndësishme dhe kjo e bën rajonin me rrezikshmëri të lartë. Vizitën e shefit të CIA mund ta shohim vetëm nga këndi i nevojës për koordinim të afërt të gjitha strukturave të sigurisë dhe marrjes së masave që rajoni të mos bie pre e informacioneve dhe rrjeteve të cilat kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.
Gazeta “Bota sot”: Zgjedhjet në vend janë caktuar më 9 shkurt. Si e keni parë qeverisjen përgjatë këtyre viteve?
Haki Abazi: Qeverisja në katër vitet e mandatit ka rënë në vijën e njëjtë të qeverisjeve të kaluara sidomos në burokracinë dhe injorimin e qytetarit duke e bërë qeverisjen privilegj për zyrtarët qeverisës, janë injoruar investitorët dhe sektori privat. Ekzekutivi i është mbivendosur Kuvendit duke e kontrolluar dhe duke e ngulfatur plotësisht debatin demokratik në Kuvend. Për më shumë se tre vite ka zhvilluar dialog me Serbinë me jo-transaprencë të plotë dhe me një dëmtim serioz të së ardhmes duke pranuar marrëveshjen në Bruksel dhe Aneksin në Ohër që rikonfimojnë marrëveshjet 2013 dhe 2015 por me objektiva shumë më të ulëta, më nuk flitet për njohje dhe as për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, por për një kornizë të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon. Kjo qeveri ka nënshkruar marrëveshje për deeskalim në Bratisllavë duke marrë përgjegjësinë për eskalimin e situatës dhe duke e bërë Kosovën kërcënuese të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Gabimet po ashtu të kësaj qeverie kanë shkaktuar një nivel të lartë të pasigurisë tek investitorët dhe banorët e turistët. Kosova ka humbur mbi 200 mijë banorë që kanë marrë rrugën për Perëndim dhe po ashtu nuk ka asnjë investim serioz në Kosovë. Kosova është e fundit në agjendën e gjelbër të Ballkanit Perëndimor, nuk ka hartuar as kornizën e mjaftueshme e të domosdoshme për të lejuar investime në energjinë e gjelbër dhe tranzicionin energjetik.
Poashtu Kosova mbetët vendi më i ndotur në rajon nga mbetjet industriale dhe spektri i vjetruar i transportit i bazuar në derivate fosile. Shëndeti publik është i rënduar ndërsa sigurimi shëndetësor nuk është askund gjë që e bën çdo qytetar të rrezikuar dhe të varfër meqë sëmundjet janë prezente në çdo familje dhe në mungesë të sigurimit shëndetësor familjet varfërohen në kërkim të shërimit të anëtarit të familjes. Kjo gjë është e përditshme ne Kosove. Suksesi i vetëm i kësaj qeverie është finalizimii liberalizimit të vizave që në fakt nuk është fare rezultat i kësaj qeverie, por shpërblim për pranimin e marrëveshjes në Bruksel dhe Ohër që parasheh zbatimin e marrëveshjes edhe për Zajednicën. Po ashtu sukses konsiderohet zvogëlimi i korrupsionit që prapë nuk është meritë e qeverisë sepse korrupsioni dhe krimi nuk luftohet e as nuk është luftuar nga qeveria në asnjë rast qoftë edhe duke refuzuar që të riaktivizohet task forca anti-korrupsion apo refuzimi që agjensionit antikprrupsion të i zgjerohen kompetencat bazuar në ligjet e Kosovës. Kjo qeveri nuk ka arritur asnjë njohje të re, e ka vendosur Kosovën në sanksione të BE-s dhe ka ndaluar plotësisht procesin e integrimit Evropian dhe në NATO. Mbi të gjitha Kosova nuk ka pasur dialog më të varfër mes shteti dhe sindikatave dhe shoqërisë civile. Ky dialog nuk ekziston, qeveria ka vendosur të përjashtoj nga procesi të gjithë akterët e shoqërisë dhe ka monopolizuar procesin e ligjë-bërjes dhe zbatimit të ligjeve. Korrupsioni ka vazhduar të lulëzoj në ministritë e ndjeshme me shumë buxhet siç janë Ministria e Infrastrukturës, Shëndetësisë dhe Ministria e zhvillimit ekonomik. Kjo qeveri ka dështuar po ashtu të sjellë drejtësi në rastet e vdekjeve të dyshimta dhe ka thelluar mosbesimin edhe më tutje në Sistemin e Drejtësisë. Ka vendosur konceptin e mëshirës financiare dhe manipulimit me fondet publike.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni që do të ketë ndryshime në rezultate, nëse krahasojmë me ato të 14 shkurtit?
Haki Abazi: Ndryshimi duhet të jetë pasojë e një bilanci të realizimit të premtimeve dhe natyrës e karakterit të qeverisjes. Kjo qeveri ka qenë më e dobëta që Kosova ka pasur dhe me konfliktuozja kundrejt sektorit privat, bizneseve dhe shoqërisë civile. Me inat ka trajtuar komunat ku ka humbur zgjedhjet në nivelin lokal. E ka dobësuar demokracinë, drejtësinë dhe ka shkaktuar inflacion me çmime enorme për artikujt esencial atëherë ndryshimi është i natyrshëm dhe preventive e vazhdimit të politikave autokratike e me ideologji të ekstremit të majtë.
Gazeta “Bota sot”: A do t'iu shohim në ndonjë listë zgjedhore apo koalicion si kandidat për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit? Nëse po, me cilin subjekt politik jeni duke negociuar për këtë?
Haki Abazi: Sigurisht që nuk do të jam në Listën e VV. Por do të jam aktiv për të dekonstruktuar mashtrimin dhe manipulimin që po bëhet nga brenda VV dhe manipulimi me milicinë e facebook-ut dhe mediave tjera sociale duke përfshirë edhe RTK.
Gazeta “Bota sot”: Si pritet të jetë sesioni i vjeshtës, a do të votohen ligjet e pavotuara ende si p.sh Kodin Civil etj
Haki Abazi: Kuvendi është i vdekur, Kurti nuk e do debatin në Kuvend dhe e urren foltoren e Kuvendit prej nga zëri dhe e vërteta paraqitet e zhveshur para qytetarëve. Kurti ja ka frikën Kuvendit të Republikës sepse vetëm duke e mbajtur të heshtur mund të vazhdoj të shantazhoj shtetin dhe demokracinë e vendit. Nuk pres sessesion produktiv të vjeshtës përveç nëse do të ketë ndonjë marrëveshje të fshehtë mes VV dhe një krahu të PDK sikur në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare para përfundimit të mandatit kur Kurti manipuloi dhe mashtroi PDK duke thënë se është i gatshëm të shkoj në zgjedhje të hershme dhe pas votimit kërkoi që opozita të bëhej bashkë për zgjedhjet e parakohshme. Kodi Civil është thembra e “Akilit” për Kurtin, ai do të hajë me 20 lugë por tani të gjithë e kanë kuptuar që është një politikan tipik ballkanas mashtrues që jep premtime e gënjen secilin derisa të vijë në maje të pushteti dhe nga aty rrethohet me njerëzit më të ndyrë të politikës që nuk hezitojnë të kryejnë punë të ndyra për pushtetin. Andaj sigurisht që nuk do të kemi agjendë produktive dhe uroj që kurrë në Kosovë të mos ketë kaq shumë mbivendosje të ekzekutivit mbi Kuvendin sepse në një sistem parlamentar kjo formë e mbivendosjes krijon ngufatje serioze mbi shëndetin e demokracisë dhe funksionimit normal të shtetit.