Kur dhe si duhet të hapet ura? Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare vjen me këshillë për dialogun dhe raportet me QUINT-in

Intervista

Kur dhe si duhet të hapet ura? Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare vjen me këshillë për dialogun dhe raportet me QUINT-in

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 gusht 2024 Në ora: 15:51
Adrian Shtuni

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adrian Shtuni, thotë se ura e Ibrit duhet të hapet, por jo në mënyrë të njëanshme, të imponuar apo demonstrative, por të koordinuar me partnerët dhe sidomos me KFOR-in.

Shtuni në një intervistë për gazetën ““Bota sot””, shprehet se Kosova përballet me masa ndëshkuese të pa merituara që faktikisht duhet të largohen, por ajo nuk duhet të vazhdojë në rrugën e ndëshkimeve dhe pikërisht për këtë duhet që qeveria e Kosovës t’i kthehet koordinimit dhe bashkëpunimit me BE dhe partnerët e tjerë strategjikë.

“Nëse Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, etj., ka vetëm një mënyrë për ta bërë. Nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët dhe mbështetjes së tyre, dhe assesi duke i sfiduar ata që të gjithë e vazhdimisht. Bashkëpunimi me partnerët për te arritur njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtar është shumë më i rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës se sa hapja simbolike e një ure apo mbyllja e disa pikave postare në veri. Prandaj duhet një qasje pragmatike e bazuar në logjikën e ftohtë që i jep përparësi synimeve strategjike afatgjata të vendit dhe të popullit dhe jo një qasje përplasëse me sponsorët e gjithçkaje që Kosova ka arritur dhe synon të arrijë”, deklaron Shtuni.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në intervistë flet edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij, duhet të dërgohet draftstatuti i përgatitur nga partnerët për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse është në përputhje me kushtetutën apo jo.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion kompetent ligjor që mund ta bëjë një vlerësim të tillë. Mos dërgimi për shqyrtim cenon besueshmërinë e qeverisë. Kjo nuk i shkon në favor vendit.      

Shtuni në intervistë flet edhe për dialogun Kosovë- Serbi, kritikat e ndërkombëtarëve kundrejt Kosovës dhe ndikimin e tyre në dialog si dhe si mund të shkojnë bisedimet me përfaqësuesen e re të BE-së, Kaja Kallas.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zotëri Shtuni flasim pak për zhvillimet e fundit në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron hapjen e Urës së Ibrit, dëshira e tij ka hasur në rezistencë të ambasadorëve të QUINT-it, përkundër kundërshtimit të këtyre të fundit, inspektimet dhe matjet për hapje janë bërë. Cili është komenti juaj dhe a do të duhej të hapej Ura pavarësisht kundërshtimeve nga faktori ndërkombëtar?

Adrian Shtuni: Sigurisht se ura e Ibrit duhet të hapet. Është ndërtuar në atë vend për të mundësuar qarkullimin dhe lidhjen e njerëzve që jetojnë aty, për t’i shërbyer nevojave të tyre. Shpresoj se do të hapet shumë shpejt. Debati, si e shoh unë, nuk është nëse ura duhet të hapet ose jo, por kur dhe si duhet të hapet. Pra duhet të hapet në mënyrë jo të njëanshme, të imponuar apo demonstrative, por të koordinuar me partnerët dhe sidomos me KFOR-in që ka mandat për të ruajtur sigurinë në Kosovë. Padyshim, hapja e urës duhet të bëhet edhe duke marrë parasysh shqetësimet dhe nevojat e popullsisë së etnisë serbe që jetojnë në veri të urës.

“Bota sot”: Serbët në veri të Kosovës kanë protestuar kundër hapjes së Urës. Serbia ka paralajmëruar përshkallëzim të situatës në veri në rast të hapjes, ndërsa BE paralajmëron masa më të ashpra. A ka mundësi përshkallëzimi apo janë thjesht propaganda dhe a do të duhej Kosova të ndëshkohej edhe më ashpër, ndërsa Serbia të mos ndëshkohet edhe pas sulmit terrorist?

Adrian Shtuni: S’besoj se kundërshtimi i tyre habit dikë, duke pasur parasysh situatën e rënduar të sigurisë në veri të Mitrovicës kohëve të fundit. Pyetja është si mund të përmirësohet situata e sigurisë ne veri? A mund të përmirësohet me imponim apo me dialog. Unë mendoj se përpara se të hapet ura fizike duhet që të hapet ura e dialogut me popullsinë në veri. E thashë edhe më parë se roli i urave është t’i shërbejnë popullsisë që jeton në të dyja anët e lumit. Nëse njëra palë proteston dhe kundërshton hapjen duhet të adresohen arsyet e kundërshtimit.   

Sa i përket rrezikut për përshkallëzim, nëse ambasadori amerikan Hovenier dhe komandanti i KFOR-it, gjeneral major Ulutaş thonë se kanë vlerësim se hapja e urës në këtë moment rrezikon jetën e ushtarëve të NATO-s kjo nuk është diçka që guxon të debatohet apo vihet në dyshim. KFOR-i ka deklaruar qartë se do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jo stabilitetin në rajon. Kjo duhet të lexohet qartë nga të gjithë palët.

Sa i përket masave ndëshkuese të paralajmëruara nga BE, mendoj se edhe ashtu si është situata aktualisht popullsia e Kosovës po përballet me masa ndëshkuese të pa merituara që do të duhej të largohen. Padyshim se nuk do të duhej të vazhdohej në rrugën e ndëshkimeve, dhe pikërisht për këtë duhet që qeveria e Kosovës t’i kthehet koordinimit dhe bashkëpunimit me BE dhe partnerët e tjerë strategjikë.

“Bota sot”: A është Kosova ajo që do të duhej të ndëshkonte për situatën e brishtë në veri dhe Serbia të mos ndëshkohet edhe pavarësisht sulmit terrorist?

Adrian Shtuni: Të gjithë përgjegjësit për dhunën e shkaktuar në veri të Kosovës në Maj dhe Shtator 2023 duhet pa asnjë vonesë të vihen përpara drejtësisë, pasi jo vetëm cenuan sigurinë e Kosovës por edhe sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Nëse nuk ka hapa konkretë për të vënë drejtësinë në vend, atëherë ata që i mbrojnë apo fshehin këta kriminelë në Beograd apo kudo tjetër duhet të sanksionohen e të ndëshkohen në mënyrë shembullore jo vetëm nga BE, që sulme të tjera paramilitare të tipit të Banjskës të mos përsëriten më. Madje mendoj se sanksionet duhet të ishin zbatuar tashmë, pasi ka kaluar thuajse një vit nga sulmi. S’ka asnjë arsye për vonesa të mëtejshme.

“Bota sot”: Ura e Ibrit nuk është e vetmja çështje që ndërkombëtarët e kundërshtuan Qeverinë e Kosovës brenda pak ditësh. Mbyllja e nëntë pikave të postës serbe në veri, ka qenë hap i pakoordinuar dhe i një anshëm, sipas BE-së dhe SHBA-së, nga ana e Kosovës. A ka filluar bashkësia ndërkombëtare ta kundërshtojë Qeverinë pothuajse në të gjitha vendimet në veri të Kosovës, apo si e shihni ju këtë situatë?

Adrian Shtuni: Faktikisht është qeveria e Kosovës ajo që nuk po përfill këshillat dhe udhëzimet e bashkësisë ndërkombëtare. Veprimet e njëanshme, e të pakoordinuara me partnerët nga qeveria e Kosovës nuk janë raste të izoluara apo aksidentale por të qëllimshme dhe të vazhdueshme. Janë pjesë e një qasje sfiduese e përplasëse me partnerët jetësorë të Kosovës, që fatkeqësisht është kthyer në normë.

Ta themi qartë, koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët dhe me KFOR-in nuk janë alternativa por domosdoshmëri. Kjo jo vetëm për garantimin e sigurisë së Kosovës dhe stabilitetin e rajonit, por edhe për arritjen e synimeve strategjike afatgjata për Kosovën.

Nëse Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, etj., ka vetëm një mënyrë për ta bërë. Nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët dhe mbështetjes së tyre, dhe assesi duke i sfiduar ata që të gjithë e vazhdimisht. Bashkëpunimi me partnerët për te arritur njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtar është shumë më i rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës se sa hapja simbolike e një ure apo mbyllja e disa pikave postare në veri.

Prandaj duhet një qasje pragmatike e bazuar në logjikën e ftohtë që i jep përparësi synimeve strategjike afatgjata të vendit dhe të popullit dhe jo një qasje përplasëse me sponsorët e gjithçkaje që Kosova ka arritur dhe synon të arrijë.

“Bota sot”: A është kundërshtimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe çështja që ka i ka hidhëruar ndërkombëtarët dhe Kosovën. Pse ndërkombëtarët nuk i japin një garancë Kosovës (ashtu sikur kërkojnë) për asociacion dhe si mund të rregullohen marrëdhëniet?

Adrian Shtuni: Nuk mendoj se është një çështje e vetme, por qasja jo konstruktive që është në thelb të ngërçit të krijuar. Si BE ashtu edhe SHBA kane investuar shumë mund në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve dhe duket se në vend se situata të normalizohej ajo është përkeqësuar. Shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. Kjo sigurisht është shqetësuese pasi vë në pikëpyetje seriozitetin, sinqeritetin, dhe vullnetin e palëve për të bërë atë që janë dakorduar se do të bëjnë. Askujt nuk i pëlqen të humbasë kohë me marrëveshje që palët s’kanë ndërmend t’i zbatojnë.

Asociacioni është vetëm njëri prej premtimeve të pa mbajtura, por duket se është kthyer në simbolin e problemit dhe aktualisht topi i ka mbetur në fushë Kosovës. Unë i njoh shqetësimet e ngritura për asociacionin por i njoh edhe përgjigjet që i kanë dhënë partnerët që jo vetëm garantojnë sigurinë e Kosovës prej 25 vjetësh me anë të pranisë së KFOR-it por edhe janë shprehur qartë se nuk ka pritshmëri që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe se çfarëdo asociacioni të ngrihet duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës. Personalisht mendoj se së paku duhet që draftstatuti i përgatitur nga partnerët t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse është në përputhje me kushtetutën apo jo. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion kompetent ligjor që mund ta bëjë një vlerësim të tillë. Mos dërgimi për shqyrtim cenon besueshmërinë e qeverisë. Kjo nuk i shkon në favor vendit.      

Këshilla ime për rikthimin e cilësisë së partneritetit midis Kosovës dhe SHBA, por edhe BE-së dhe vendeve të Quint-it është që qeveria e Kosovës t’i kthehet me maturi dhe seriozitet bashkëpunimit me ta, jo thjesht me fjalime të bukura por me vepra konkrete. Këtë duhet ta bëjë për hir të interesave të Kosovës.  Përndryshe do ta ketë shumë të vështirë të marrë ndihmën që i duhet nëse insiston me veprime të njëanshme kundër këshillave të partnerëve. Duhet shumë kujdes, pasi ka fitore të vogla që e kanë çmimin shumë më të lartë nga sa e kanë vlerën.  

“Bota sot”: Të ndalemi pak në dialogun Kosovë- Serbi. Si do të ndikojnë këto zhvillime në dialog dhe a po bën Serbia hap para me kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës?

Adrian Shtuni: Ndikimi pa dyshim është negative. Nuk jam shumë entuziast në këtë moment për vazhdimësinë e dialogut dhe rezultatet e prekshme që mund të sjellë në terren në planin afatshkurtër. Duket se jemi në një pike ku gjithçka pritet të arrihet me presion dhe me sanksione. Por nuk mendoj se kjo do të ishte rruga e duhur. Duhet vetëdijësim për të tejkaluar të kaluarën e luftërave në Ballkan. Kjo mendësi nuk importohet as imponohet dot. Është proces. Sa kohë do të duhet do të varët nga palët.

Sa i përket kritikave të ndërkombëtarëve, nuk ka dyshim se Serbisë i intereson përplasja e Kosovës me partnerët që i kanë dhënë lirinë dhe pavarësinë e i garantojnë shtetësinë dhe sovranitetin. I intereson që Kosova të izolohet, pa njohje të reja dhe pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës. Pra ajo që po ndodh kohët e fundit me Kosovën sigurisht i shkon për shtat tërësisht Serbisë.

Prandaj lidershipi i Kosovës nuk duhet të humbë kohë të vyer me një qasje që rrezikon dëmtimin e interesave strategjike të vendit, krisjen e raporteve jetësore me partnerët strategjikë dhe bllokim të rrugës së saj euroatlantike. 

“Bota sot”: Nga Kosova kanë “akuzuar” akterët kryesorë të bisedimeve për njëanëshmëri, si pritet të jenë bisedimet tani me shefen e re të diplomacisë, Kaja Kallas, dhe çfarë duhet të presim prej saj?

Adrian Shtuni: Zonja Kallas vjen nga një vend i vogël, madje më i vogël se Kosova, që ka vuajtur gjatë historisë me shekuj të tërë për të fituar pavarësinë dhe mbrojtur sovranitetin, prandaj shpresoj se ajo do të arrijë të kuptojë qartë dhe drejtë pozitën e Kosovës.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat