Kthimi i Trumpit apo fitorja e Harrisit? Ballkanin mund ta presin ndryshime, thotë Joseph

Intervista

Kthimi i Trumpit apo fitorja e Harrisit? Ballkanin mund ta presin ndryshime, thotë Joseph

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 15:06
Shtëpia e Bardhë.

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, flet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Joseph thotë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së. Në atë rast, ai nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç thotë, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan.

Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, thotë Joseph.

Ai flet edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, javën e kaluar në disa vende të Ballkanit.

Radio Evropa e Lirë: Fushata zgjedhore në SHBA po merr hov, ndërkohë që gara mes dy kandidatëve është tejet e ngushtë. Ka shumë pasiguri - sondazhet nxjerrin në epërsi herë Harrisin, herë Trumpin. Sa ndihet kjo pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor?

Edward P. Joseph: Fakti që gara është e ngushtë, nuk e ndikon Ballkanin, por e ndikon perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në presidencë. Cilido kandidat tjetër republikan të ishte - qoftë të kaluarit si Mitt Romney apo George Bush, apo të mëvonshmit si Marco Rubio apo Nikki Haley - ju nuk do të më pyesnit nëse kjo zgjedhje do ta ndikonte Ballkanin. Do të ishte me interes për Ballkanin, por nuk do të ndikonte në Ballkan.

Ajo që e prek rajonin, është perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit dhe qasja thelbësisht tjetër ndaj politikës së jashtme dhe ndaj rolit të Amerikës në botë. Kjo, padyshim, do të ndikonte në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës. Sepse, [në atë rast] ekziston perspektiva e një aleance krejt tjetër - e një aleance me autokratë - që do të vinte në pikëpyetje vazhdimin e qasjes së njëjtë ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ndaj Ukrainës. Njëjtë do të ishte edhe me Ballkanin: do të vazhdohej apo do të lihej mënjanë përkushtimi ndaj disa parimeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Konkretisht, si do ta ndikonte Ballkanin rikthimi i mundshëm i Trumpit?

Edward P. Joseph: Një ndër çështjet kryesore me efekt në Ballkan, është Ukraina, lufta në Ukrainë. Ai [Trump] mund të përpiqet të arrijë marrëveshje me Rusinë për Ukrainën dhe ta shtyjë Ukrainën drejt një zgjidhjeje territoriale. Nëse e bën këtë, duke treguar një lloj marrëdhënieje miqësore me Putinin, kjo ndikon menjëherë në Ballkan. Sepse, aleanca me autokratë si Putini nënkupton qasje më të butë ndaj [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Për mendimin tim, edhe administrata e Bidenit ka qenë tejet e butë ndaj tij.

Duhet theksuar se Harris, kur e ka pranuar nominimin e Partisë Demokratike në Çikago, ka thënë se nuk do të miqësohet me autokratë.

Radio Evropa e Lirë: Në politikën e jashtme, amerikanët kanë çështje të mëdha në agjendë - ju e përmendet luftën në Ukrainë, pastaj është lufta në Gazë. Në krejt këtë vorbull ngjarjesh, ata kanë kthyer vëmendjen edhe kah Ballkani - gjë të cilën mund të themi se e dëshmon edhe vizita e shefit të CIA-s, javën e kaluar...

Edward P. Joseph: Ajo që mund të nxjerrim nga kjo vizitë, është shqetësimi i vazhdueshëm i administratës Biden për Ballkanin. Duhet kujtuar se në fillim të kësaj administrate, ka pasur zyrtarë që e kanë thënë publikisht në seanca dëgjimore të Kongresit se nuk ka ndonjë arsye për t’u shqetësuar për konflikte në Ballkan. Tani, në gusht të vitit 2024, keni drejtorin e CIA-s, i cili është i përfshirë në negociatat jashtëzakonisht komplekse për armëpushimin [në Gazë], që shkon në së paku tri kryeqytete të Ballkanit.

Arsyeja që ka shkuar nuk ka të bëjë me mbajtjen e interesimit në rajon, por ka të bëjë me brengat dhe shqetësimet për të. Dhe kjo dallon nga ajo që kemi dëgjuar në fillim të administratës Biden.

Radio Evropa e Lirë: A po përpiqet SHBA-ja të përfundojë ndonjë gjë në Ballkan përpara zgjedhjeve?

Edward P. Joseph: Unë nuk e shoh kështu. Do të ishte mirë sikur të ishte dhe sikur të kishte ndonjë iniciativë, por unë nuk e shoh vizitën e Burnsit në këtë kontekst. Ajo ishte një vizitë për frenim, për t’i paralajmëruar aktorët si [presidenti i Republikës Sërpska, Millorad] Dodik dhe të tjerët që do të mund të merrnin hapa destabilizues. Dhe, Burns është një përçues shumë i mirë i mesazheve.

Dërgimi i tij ka qenë një veprim i mirë, por unë nuk e shoh atë si pjesë të ndonjë misioni të shpëtimit, apo të ndonjë zgjidhjeje.

Nëse ka nisma të fshehta, do të ishte mirë, por nuk i shoh ato si qëllim të vizitës së tij. Për mua, ajo ishte një paralajmërim i ashpër për ata që do t’i përkeqësonin gjërat, dhe jo për t’i përmirësuar gjërat ose për të mbyllur çështje të hapura.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë mendoni se mund të ketë diskutuar Burns në Kosovë?

Edward P. Joseph: Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori [i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey] Hovenier, duke marrë shënime.

Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin.

Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon.

Në anën tjetër, Kurti mund t’i ketë bërë presion Burnsit për pozicionin e SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe për rastin e sulmit në Banjskë. Sepse, Burns është personi ideal për t’u pyetur në lidhje me Banjskën, çfarë ka ditur Vuçiq dhe cili ka qenë roli i tij. Ky mund të ketë qenë një moment ideal për ta ngritur këtë çështje. Nuk e di nëse Kurti e ka bërë këtë, por shefi i CIA-s është personi ideal.

Unë besoj që edhe në Beograd, Burns ka pasur një takim të hapur me Vuçiqin, ku me terma të qartë ia ka bërë të ditur se ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Banjskë, e dimë se cili ka qenë roli juaj president Vuçiq dhe i dimë aktivitetet e figurave të tjera në Qeverinë tuaj. Pra, e dimë se çfarë ka bërë Qeveria juaj për të destabilizuar situatën dhe ne presim që t’i ndaloni ato veprime.

Unë shpresoj që Burns ta ketë thënë këtë në Beograd, por, sigurisht, ato janë takime konfidenciale dhe nuk e di.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kjo vizitë do të ndryshojë ndonjë gjë në raportet Kosovë-Serbi?

Edward P. Joseph: Ndoshta jo në mënyrë drastike menjëherë, por ka potencial. Sepse, nëse Kurti dhe Vuçiq e kuptojnë qartazi se Shtetet e Bashkuara e dinë - dhe normalisht e dinë sepse Burns është shef i inteligjencës - se cilat veprime e destabilizojnë situatën dhe se SHBA-ja nuk do t’i tolerojë ato, atëherë një gjë e tillë mund t’i largojë disa tundime nga tryeza dhe ndoshta ta ripërqendrojë vëmendjen te bashkëpunimi. Mendoj kështu potencialisht, por nuk shoh diçka të menjëhershme apo dramatike.

Radio Evropa e Lirë: Në Bosnje, njëri entitet udhëhiqet nga njerëz që janë në listën e zezë të SHBA-së, por edhe në Qeverinë e Serbisë ka persona të tillë. A mund të arrihet diçka me këta njerëz?

Edward P. Joseph: Unë shpresoj. Kemi indikacione se vizita e Burnsit i ka pasur disa efekte, sepse Dodik ka deklaruar më pas se qëllim i Republikës Sërpska nuk ka qenë kurrë ndarja nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës. Kjo më sugjeron të mendoj se mesazhi i Burnsit në Banja Llukë ka pasur ndikim.

Në Beograd, nuk jam i sigurt se është marrë mesazhi, sepse administrata Biden ka qasje konfliktuale ndaj Beogradit, ndryshe prej Banja Llukës. Zyrtarë të caktuar amerikanë e lavdërojnë vazhdimisht Qeverinë e Serbisë për atë që bën, për shembull, në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Folët më herët për ndikimin e fitores së mundshme të Trumpit në Ballkan. Dua t’ju pyes për fitoren e mundshme të Harrisit. Si do ta ndikonte ajo Ballkanin dhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë konkretisht?

Edward P. Joseph: Nuk e di përgjigjen në këtë pyetje dhe nuk e di nëse do të jetë një vazhdimësi e qasjes së Bidenit, e cila në disa aspekte ka qenë vazhdimësi e qasjes së Trumpit. Trump ka shtyrë përpara mini-Schengenin, Biden ka shtyrë përpara Ballkanin e Hapur.

Situata në Ballkan është përkeqësuar dhe nëse Harris do t’i marrë parasysh vështirësitë që Biden ka hasur në Ballkan që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe do të provojë diçka ndryshe, nuk e di.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se SHBA-ja duhet të angazhohet më shumë në Ballkan?

Edward P. Joseph: Nëse më pyesni se çfarë do të duhej të bënte Harris... ajo duhet t’i shqyrtojë me kujdes vështirësitë që ka pasur administrata Biden dhe të përballet me - siç e kam quajtur unë në shkrimet e mia - paradoksin ballkanik. Ajo duhet të përballet me paradoksin ballkanik.

E, çka është paradoksi ballkanik? Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik. Pse situata në Ballkan është përkeqësuar kur Perëndimi është më i fortë dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar? Pse raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të përkeqësuara? Pse situata e brendshme në Serbi është përkeqësuar? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Kroacisë?... Kamala Harris dhe këshilltarët e saj do të duhej të përballeshin me paradoksin ballkanik. Dhe, ndryshe nga zyrtarë të lartë të administratës Biden, ata duhet të ndalojnë së pretenduari se ai nuk ekziston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat