Elmi Berisha: Marrëdhëniet e SHBA-së me shqiptarët të forta, pavarësisht nga qeveritë

Intervista

Elmi Berisha: Marrëdhëniet e SHBA-së me shqiptarët të forta, pavarësisht nga qeveritë

Më: 30 gusht 2024 Në ora: 20:39
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Elmi Berisha

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Elmi Berisha thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me shqiptarët janë të forta pavarësisht nga qeveritë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Berisha tha se Vatra është e angazhuar të luajë rolin e saj për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në rajon. Zoti Berisha thotë se cilido nga kandidatët të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, qëndrimet ndaj çështjeve shqiptare nuk do të ndryshojnë. Zoti Berisha ishte në Uashington në krye të një delegacioni të Vatrës, që u takua me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof , për të diskutuar çështjet që prekin Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht shqiptarët në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, nisur edhe nga takimet që po mbani në Uashington këto dy ditë, çfarë po bën aktualisht Vatra për ndërgjegjësimin më shumë në Uashington për çështjet që shqetësojnë Ballkanin e Perëndimor, sidomos marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithë shqiptarëve në rajon.

Elmi Berisha
: Këto vitet e fundit Vatra ka bërë një punë të madhe, të shkëlqyeshme bashkëpunimi mes Departamentit amerikan të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë, Kongresit, Senatit por edhe qasjes tonë të drejtpëdrejtë me vendet e origjinës, me Tiranën zyrtare, Prishtinën zyrtare, Shkupin zyrtar dhe Podgoricën zyrtare. Jemi munduar që të kemi edhe një lidhje të drejtpërdrejtë me ambasadorët amerikanë në këto kryeqytete. Kemi krijuar marrëdhënie të shkëlqyera institucionale që nuk kanë ekzistuar më herët mes Vatrës dhe Prishtinës zyrtare, parlamentit të Kosovës, njëkohësisht edhe Tiranës zyrtare, Shkupit zyrtar dhe gjithandej. Kemi vizituar edhe Luginën e Preshevës, Bujanocin dhe Medvegjën dhe jemi kujdesur për ta. Përndryshe kemi pritur edhe delegacione prej niveleve më të ulëta e deri tek ato prej presidentësh dhe kryeministrash në selinë e Vatrës. Kemi pritur edhe senatorë, ligjvënës, ambasadorë dhe ish zyrtarë të lartë amerikanë. Do të thotë e e kemi kthyer Vatrën në drejtimin që ka qenë nga fillimi, e orientuar për ta ndihmuar kombin shqiptar, që në vitet e para të themelimit të saj para 113 vitesh. Atë trashëgimi e kemi bartur ne në pesë vjeçarin e fundit.

Zëri i Amerikës: Konkretisht duke pasur parasysh që kemi disa sfida madhore globale dhe dihet që në raste të tilla duhet edhe një vëmendje më e shtuar për të pasur angazhimin e Shteteve të Bashkuara, Uashingtonit, për çështe të tilla si Ballkani, që është e rëndësishme por ndërkohë kemi kriza të tjera siç janë ato në Lindjen e Mesme dhe lufta mes Ukrainës dhe Rusisë. Cili është angazhimi konkret për ta mbajtur këtë vëmendje?

Elmi Berisha: 
Vetë fakti që ne po mbajmë lidhje shumë të afërta me Departamentin e Shtetit dhe kemi qasje shumë të afërta edhe me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, kjo do të thotë se ne po e vëzhgojmë apo jemi një lloj sateliti mbi re që ndihmon proceset kombëtare në përgjithësi, e në veçanti procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtu, kemi vëzhguar me vëmendje dhe kemi ndihmuar. Kemi përfaqësuar me dinjitet qëndrimet e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe kryesisht anëtarëve të Vatrës. Vatra dhe shqiptaro-amerikanët kanë një traditë 113 vjeçare të ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose të përhershme vëllazërore. Sepse po të mos ishte Amerika, nuk do të ishte as Shqipëra e lëre më Kosova. Kështuqë ne vazhdojmë ta ruajmë këtë traditë të fortë. Si Vatër në aspektin filozofik dhe politik jemi në të njëjtën linjë me Departamentin e Shtetit dhe për këtë arsye vizituam dje Departamentin amerikan të Shtetit ku u takuam me zottn Kasanov i cili është përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe ndihmës-sekretar i shtetit.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi pak pikërisht tek çështja që është më e ndjeshme tani në Balkan për shqiptarët, ajo mes Kosovës dhe Serbisë. Kohët e fundit diplomacia perëndimore, veçanërisht ajo amerikane ka shprehur paknaqësinë lidhur me disa lëvizje të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, kjo paknaqësi është shprehur hapur, madje nga ata që thonë se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët. Cili është mendimi juaj dhe a po luan vatra rol në zbutjen e këtyre fërkimeve ose lehtësimit të komunikimit?

Elmi Berisha:
 Sigurisht që ne jemi brenda këtyre proceseve. Çdo gjë që rrjedh gjatë procesve politike në Kosovë dhe nuk rastis të jenë në të njejtën vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne jemi të shqetësuar dhe sigurisht që do të ndihmojmë dhe do të përfshihemi me mundësitë tona. Marrëdhëniet me Amerikën Kosova i ka të mrekullueshme, me popullin amerikan. Qeveritë vijnë e shkojnë kurse partneriteti vëllazëror dhe i përhershëm gjithmonë do të mbetët në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara. Jam shumë i bindur që shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë lloj meraku me qëndrimet dhe propozimet që i bëjnë Shtetet e Bashkuara e në veçanti dua të përmend Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier i cili është duke bërë një punë të madhe të shkëlqyer që ne si shqiptaro amerikanë e përkrahim në maksimum dhe mbi të gjitha është duke u përpjekur që proceset e mëdha kombëtare të Kosovës dhe bisedimet me Serbinë të përfundojnë sa më parë dhe në favor të shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Jemi në një vit zgjedhjesh këtu në Shtetet e Bashkuara dhe desha të merrja mendimin tuaj lidhur me çështjet që shqetësojnë shqiptarët dhe si e shikoni politikën e jashtme që mund të ndjekin të dyja kampet nëse fiton zonja Harris ose zoti Trump?

Elmi Berisha:
 Është një shprehje në anglisht “why fix it, if it is not broken” (përse të riparosh diçka nëse nuk është e dëmtuar)? Ne kemi një filozofi 35 vjeçare, një eksperiencë, një traditë që e përcjellim prej 35 vitesh dhe ka funksionuar për shqiptarët, ka funksionuar për të gjithë dhe kombin shqiptar. Ndaj dhe ne do t’i mbështesim që të dyja palët, të jemi korrekt dhe kushdo që fiton, prapë është mirë sepse do të fitojë edhe interesi nacional amerikan që është edhe i ndërlidhur ngushtë me interesin shqiptar dhe nuk duhet të kemi asnjë lloj meraku se kush do të jetë më i mirë për shqiptarët dhe kush jo sepse që të dy kandidatët do të kenë qasje korrekte ndaj Kosovës, por edhe shqiptarëve në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat