Diplomati shqiptar zbulon mesazhin e qartë që shefi i CIA-s ia dha Kurtit për urën e Ibrit, ia jep mesazhin e fortë Kurtit për Asociacionin

Intervista

Diplomati shqiptar zbulon mesazhin e qartë që shefi i CIA-s ia dha Kurtit për urën e Ibrit, ia jep mesazhin e fortë Kurtit për Asociacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 gusht 2024 Në ora: 14:01
Ledion Krisafi

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit, tani duhet të shmanget, megjithëse është e drejtë e Kosovës.

Sipas tij, këtë mesazh të qartë kryeministri Albin Kurti e ka marrë nga shefi i CIA-s William Burns, në vizitën e tij historike në Kosovë. Ai ka theksuar në një intervistë të shkurtër për gazetën “Bota sot”, se hapja e urës tani do të mund të shkaktonte tensione.

Eksperti i diplomacisë ka folur edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën ka thënë se Kurti duhet të gjejë një formulë të re, pasi drafti i BE-së është i keq për Kosovën dhe nuk mund të pranohet.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Shefi i CIA-s William Burns, ishte në një turn disa ditor në Ballkan. Për çfarë mendoni se mund të ketë diskutuar Burns në takimin me krerët shtetërorë në Kosovë?

Ledion Krisafi: Fakti që Burns vizitoi Serbinë, Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, tregon qartë që ka ardhur në pikat më të nxehta dhe problematike në Ballkan për momentin. Si në Serbi dhe në Bosnjë, ashtu dhe në Kosovë, besoj se mesazhi ka qenë i qartë në atë që SHBA nuk do të lejojë asnjë tension apo konflikt në rajon. Në Kosovë, SHBA është e angazhuar për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ky është qëllimi strategjik. Kjo marrëveshje do ta mbyllte një herë e mirë çështjen Kosovë-Serbi dhe do t’i lejonte Kosovës të njihej si shtet nga pjesa tjetër e botës, gati gjysma në fakt, dhe të vazhdonte me anëtarësimin në organizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë dhe OKB. Ajo çka ka bërë qeveria e Kosovës muajt e fundit, është të krijojë tensione të panevojshme me serbët në Kosovë, duke e larguar vëmendjen nga qëllimi strategjik i SHBA. Mendoj se Burns ka shkuar në Prishtinë pikërisht për të bërë të qartë politikën e SHBA në Kosovë dhe çfarë qeveria Kurti nuk duhet të bëjë. Qëllimi strategjik i SHBA në Kosovë është shumë i madh për t’u rrezikuar për ca tensione me ca fshatarë serbë në veri të Kosovës. Njëlloj dhe në Beograd, kam përshtypjen që Burns ia ka bërë të qartë Vuçiqit që tensione nga ana e Serbisë nuk do të tolerohen. William Burns sot është njeriu i dytë më i rëndësishëm në diplomacinë amerikane pas Antony Blinken dhe fjalët e tij kanë shumë peshë.

“Bota sot”: A mendoni se vizita e shefit të CIA-s do të ndryshojë ndonjë gjë në raportet Kosovë-Serbi apo qëndrimin e kryeministrit Kurti për hapjen e urës së Ibrit?

Ledion Krisafi: Mendoj sa vizita do sjellë një periudhë qetësie në marrëdhëniet mes dy palëve, shmangie të fjalëve që mund të krijojnë tensione dhe sjellin konflikte. Shefi i CIA-s nuk vjen për të dëgjuar, por vjen për të folur dhe për të dhënë udhëzime. Mesazhi që ka marrë kryeministri Kurti ka qenë të shmanget çdo veprim që krijon tensione dhe hapja e urës mbi Ibër, megjithëse është diçka e drejtë, tani mund të shkaktojë tensione. Prandaj, hapja duhet shmangur për momentin.

Nuk mendoj se do të ndryshojë gjë në dialogun mes palëve. Dialogu është në pikë të vdekur dhe duhet parë si do sillet shefja e re e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas. Ajo duhet të gjejë një mënyrë për të ringjallur dialogun dhe për t’a çuar drejt përfundimit si dhe për të detyruar palët të zbatojnë marrëveshjet tashmë të nënshkruara mes tyre.

Zoti Kurti duhet të gjejë një formulë në lidhje me Asosacionin. Drafti i BE-së është i keq për Kosovën dhe nuk mund të pranohet. Kurti duhet të gjejë një formulë të pranueshme për Kosovën, por kjo arrihet duke bashkëpunuar me aleatët si SHBA dhe BE, jo duke bërë luftë fjalësh dhe karshillëk me ta.

“Bota sot”: A besoni se mund të ketë tensionim të situatës në veri nëse hapet ura e Ibrit, pasi Serbia ka paralajmëruar përshkallëzim, ndërsa BE-ja ka paralajmëruar masa më të ashpra ndaj Kosovës?

Ledion Krisafi: Nëse kryeministri Kurti e merr vërtetë atë vendim, gjë që e dyshoj pas vizitës së shefit të CIA-s, BE me shumë mundësi mund të marrë masa kundër Kosovës në formën e sanksioneve që kemi parë vitet e fundit, gjë që do e përkeqësonte dhe më shumë imazhin e Kosovës në sytë e vendeve të BE-së, sidomos të vendeve kryesore si Gjermania, Franca dhe Italia, të cilat nga ana e tyre do ishin dhe më kërkuese dhe më kushtëzuese për Kosovën. Por vetë Serbia nuk besoj se do të bëjë gjë, sepse për aq kohë sa Kosova i shkakton probleme vetes me BE-në për Serbinë është në të mirë të saj. Serbia në këtë rast shkon me idenë që për aq kohë sa kundërshtari bën gabime, mos e ngacmo, lëre të bëjë gabime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat