Deputeti i PDK-së kritikon Qeverinë – jep paralajmërimin e “fuqishëm” për zgjedhjet e 9 shkurtit!

Intervista

Deputeti i PDK-së kritikon Qeverinë – jep paralajmërimin e “fuqishëm” për zgjedhjet e 9 shkurtit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 shtator 2024 Në ora: 15:02
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani.

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani.

Deputeti ka folur për zhvillimet e fundit në vend, derisa është shprehur shumë kritikues për Qeverinë Kurti duke i numëruar disa nga pakënaqësitë që ai ka.

“Kjo Qeveri nuk ka mbajtur asnjë premtim që e ka dhënë e me këto premtime ajo ka fituar vota dhe ka ardhur në pushtet”, thotë deputeti.

Ndërsa, për hapjen e Urës së Ibrit ai e sheh të domosdoshme hapjen e saj duke shtuar që duhet të bëhet në koordinim me BE dhe SHBA.

Sa i përket zgjedhjeve të cilat do të mbahen me 9 shkurt, deputeti flet me optimizëm që PDK do të ketë sukses dhe do të dal e para në zgjedhje.

I pyetur për koalicione ai thotë se PDK nuk është e mbyllur për koalicione që janë në të mirë të vendit.

Ndër të tjera, për vizitën e Burns në Kosovë, deputeti nuk e sheh aq pozitive duke thënë që ka pakënaqësi mes SHBA dhe Kosovës.

Në fund, për dialogun Kosovë – Serbi, Shabani thotë që kemi një neglizhencë të dukshme nga Qeveria.

Intervista e plotë

Gazeta: “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Isak Shabani: Thënë përmbledhtazi gjendja në vendin tonë nuk është e mirë në asnjë segment tash e sa vite. Kjo Qeveri nuk ka mbajtur asnjë premtim që e ka dhënë e me këto premtime ajo ka fituar vota dhe ka ardhur në pushtet. Tash sa kohë kemi një absurd jo vetëm politik që po na kushton me miliona euro e që na është bërë leçe jo vetëm politike edhe në arenën ndërkombëtare, e ky është fakti se vendi ynë gjendet nën sanksione, pa gjasa reale që ato të mënjanohen. Ndërkohë Kurti, përsërit me nonshalancë dhe rrahagjoks impotent se, me SHBA-t dhe miqtë të tjerë, kurrë nuk i kemi pasur punët më mirë. Në anën tjetër SHBA-t dhe jo vetëm, ankohen për mungesë prirje të kësaj Qeverie të koordinohet me ato, sidomos mbi veprimet në veri të vendit, dhe për veprimet e saja ‘ad hock’ të pamenduara mirë dhe me befasi avantureske. Gjendja ekonomike ndërkaq është stagnuese, pa gjasat më të vogla që të ndryshojë për të mirë kualiteti i jetës së qytetarëve tanë. Këtë gjendje as populizmi nuk e ndihmon dot, sepse sidomos në këtë sferë kërkohen vepra e jo fjalë. Me fjalët premtuese të kësaj Qeverie pagat janë rritur qind për qind, por në vepër u rritën 6.80 cent. Kur kësaj gjendje i shtohet edhe involvimi i politikës në gjyqësor, edhe korrupsioni dhe prirja klandestine qeveritare që mos të lejojë të akuzohet asnjë qeveritar për asgjë, edhe migrimi nga Kosova, sidomos i të rinjve dhe shumë kuadrove të specializuara, atëherë angazhimi, puna dhe ndihma për ta larguar këtë Qeveri që të mos kthehet më, bëhet akt edhe patriotik edhe demokratik.

Gazeta: “Bota sot”: Hapja e Urës së Ibrit mbetët temë e diskutuar, a mendoni që reagimet e ndërkombëtarëve kundër këtij vendimi janë të pavend?

Isak Shabani: Është jashtë çdo dyshimi se Ura e Ibrit duhet të hapet në çdo segment dhe kjo është e mirë për të gjithë edhe për lëvizjen e mallrave, njerëzve, edhe për shtrirje të sovranitetit. Çështja është se kur kjo nuk bëhet në koordinim me BE-në dhe sidomos me SHBA-n, atëherë kjo i trimëron zyrtarët në Beograd që të shtojnë presione dhe ekzagjerojnë ankesa dhe në të njëjtën kohë i qet ndërkombëtarët në konfuzion, sepse nuk e kuptojnë taktizimin e Kurtit që është një sllallom kamikaz politik dhe pa strategji pragmatike. Në të vërtetë me këtë çfarë bëri kjo Qeveri sa i përket Urës së Ibrit tani mund të thuhet se Ura është më e mbyllur dhe më e ngurtë për qarkullim se që ishte, sepse tashmë si çështje u deproritizua dhe mbeti si përpjekje e dështuar.

Gazeta: “Bota sot”: Zgjedhjet tashmë janë caktuar që do të mbahen më 9 shkurt. Si mendoni që do të jenë rezultatet a do të kemi përmbysje të tyre, nëse krahasojmë me ato të herës së kaluar?

Isak Shabani: Ne si Parti Demokratike hyjmë në këto zgjedhje të bindur se duhet dhe do të fitojmë, ashtu sikundër jemi të bindur se me ne Kosova do të fitoj në shumë sfera dhe kualiteti i jetës së qytetarëve do të ndryshoj për të mirë në shumë dimensione. Ajo çfarë nuk do të ndodh kësaj radhë e që kishte ndodhur në mënyrë unike dhe krejt të pazakontë herën e kaluar është se, populizmi majtist me ekstreme të panjohura më parë në këto hapësira, si mendësi e re por regresive, të mos kaloj, të mos përkrahet dhe të mos sjell vota. Mund të konstatohet kështu edhe për faktin se tanimë qytetarët i kanë provuar “këta të rinjtë” dhe janë bindur se asgjë të re e të mirë nuk kishte në këtë qeverisje të tyre përpos fjalamanisë që nuk i solli asgjë të mirë Kosovës, përkundrazi.

Gazeta: “Bota sot”: Ju si PDK çfarë premtoni për qytetarët?

Isak Shabani: Është pak herët për të folur për premtime diçka më në detaje. Por mund të ju garantoj se gjuha e PDK-së nuk do të jetë as populiste për qytetarët as refuzuese për SHBA-n dhe miqtë tanë tjerë të dëshmuar. Ne kemi kandidatin më të mirë për Kryeministër të Kosovës. Z. Hamza është kuadër i dëshmuar për kohë të gjatë në praktikë, sidomos shtet ndërtim në financa dhe ekonomi dhe i pa korruptuar në krejt këtë sfidë dhe në krejt këtë rrugëtim. Ai është i logjikës politike dhe praktikës pragmatike “nga fjalët në vepra” dhe këtë e ka dëshmuar pandalshëm. Ky kandidat i PDK-së është premisa jonë e pamohueshme pozitive dhe shpresë-ngjallëse që më jep mua të drejtë të konstatoj se po hyjmë në garë të ndershëm të pa korruptuar, po dalim para qytetarëve ballëhapur, po e kërkojmë votën pa hezitim për një Kosovë ndryshe të cilën e meritojnë qytetarët e Kosovës.

Gazeta: “Bota sot”: A po bisedohet për një koalicion me ndonjë parti politike?

Isak Shabani: Ne si PDK në zgjedhjet e ardhshme do të hyjmë dhe garojmë të vetëm nën siglën tonë PDK. Por kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se jemi të mbyllur as edhe të ngurtë për të gjithë ata që kanë qëllime, ide dhe projekte të përafërta me ato tonat. Në këtë segment jemi fleksibil dhe pragmatik sepse duam të jemi për të gjithë pa dallime dhe me të gjithë që tejkalojnë dallimet, për një të mirë të përgjithshëm. Për rrjedhojë ne për këto zgjedhje do të kemi listën e deputetëve më të mirën e mundshme. Aty do të kemi gra e burra, të rijnë e të reja, shumica e të cilëve do të garojnë për herë të parë si kandidat për deputetë.

Gazeta: “Bota sot”: Së fundmi për vizitë ka qenë edhe shefi i CIA-s, Uilliam Burns. Cili mendon që ishte mesazhi që dëshiroi të përçoi?

Isak Shabani: Është absurde të kualifikohet se vizita e shefit të CIA-s në Kosovë është plus i madh dhe përparësi për Qeverinë Kurti dhe të vlerësohet kjo vizitë si dashamirësi ekskluzive e SHBA-s për Qeverinë Kurti apo si fitore e diplomacisë tonë. Sikur të ishte kështu kjo po i bije që në Ballkan të preferuarit e SHBA-s janë Dodiku dhe Bosnja, Vuçiqi dhe Serbia, sepse shefi i CIA-s i vizitojë edhe ato shtete. Sigurisht se nuk është kështu. Si është në të vërtetë është e vështirë për ta thënë me siguri të plotë, sidomos në këtë fazë, pos tjerash edhe për faktin se qeveritarët aktual për të tilla çështja nuk janë as transparent, as të sinqertë me opinioni e përgjithshëm. Edhe kur tregojnë diçka shpalosin mesazhe konfuze dhe të paqarta. Ajo që mund të thuhet me siguri është se SHBA-t janë - sikundër e ka thënë edhe Ambasadori Hovenier ditë më parë - me popullin e Kosovës, mospajtime kemi me Qeverinë. Aludimi është i qartë. Ky disbalancë i dëmshëm dhe aventuresk me SHBA-n do të davaritet me Qeverinë e re, me z. Hamza si Kryeministër.

Gazeta: “Bota sot”:  Në fund, dialogu Kosovë – Serbi ka një kohë që është në ‘heshtje’, a mund të kemi takim mes palëve?

Isak Shabani: Dialogu me Serbinë në gjithë kohën e Qeverisjes Kurti ka vendnumëruar. Taktizimet në dialog, sidomos ato të ndërlidhura me veriun, kjo Qeveri i prezanton si fitore strategjike e në të vërteta në afat më të gjatë ato janë dështime të pashmangshme. Ilustrim i mirë për këtë është “karnavali politik” rreth Urës së Ibrit si shfaqje amatore pa fund të dobishëm e cila vetëm për “lexuesit” të cilëve u imponohet gjuha populiste mund ta konsiderojnë fitore dhe shtrirje sovraniteti.  Dialogu me Serbinë nuk është në “heshtje” ajo është në një zhurmë të vazhdueshme e cila i ngulfat dhe eklipson, për tu mos u parë as mos u dëgjuar sa e si duhet, shumë dështime e gabime. Dialogu me Serbinë është premtuar nga kjo Qeveri se nuk do të jetë prioritet, se në të vërtetë do të jetë prioriteti i shtatë apo i tetë. E vërteta është se gjatë gjithë kohës dialogu me Serbinë është prioritet mbi prioritetet për këtë Qeveri e cila asaj po i merr dhe i ka marr shumë energji dhe kohë për t’i lënë prapa shumë prioritete që janë të lidhura jëtësisht me kualitetin e jetës së qytetarëve tanë. Vetëm vota për PDK-në mund ta ndryshoj këtë realitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat