Parimet e kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviqit janë ende të pranishme në Serbi, thotë profesori universitar në Beograd, Ivan Videnoviq, derisa shton se një politikë e tillë vetëm se është kthyer në rrethana të reja ndërkombëtare. Thekson se tensionet në veri të Kosovës janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Në intervistën për The Geopost, Videnoviq shqyrton pozicionin e pakicave kombëtare në Serbi, veçanërisht në kontekstin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Të drejtat e popujve pakicë në Serbi janë shumë më të këqija se të drejtat e serbëve në vendet e ish-Jugosllavisë ku jetojnë si minoritete”, thotë ai.
Diskutimi prek edhe strategjitë e ndjekura nga qeveria serbe, duke trajtuar veprimet diplomatike dhe propagandistike të presidentit Aleksandar Vuçiq në lidhje me Kosovën dhe marrëdhëniet rajonale.
“Politika e Slobodan Millosheviqit në fakt është rikthyer në Serbi, duam apo s’duam, duhet ta pranojmë. Disa nga parimet themelore të politikës së Slobodan Millosheviqit janë ende të gjalla dhe të pranishme, dhe në një masë të mirë edhe vetë aktorët e ngjarjeve në të cilat ai ishte fajtori kryesor janë të pranishëm sot në publikun serb. Natyrisht, ajo politikë është rikthyer sot në rrethana të reja ndërkombëtare dhe me një vetëdije mjaft të qartë se mënyra e zbatimit të asaj politike ishte e keqe dhe joefektive… Nuk ka kurrfarë dallimi mes qeverisë dhe opozitës, të dyja qëndrojnë në pozicione identike. Ata ndryshojnë vetëm në atë, pra, akuzojnë njëra-tjetrën se kush do ta zbatonte në mënyrë më efektive të njëjtën politikë, e cila nuk vihet aspak në dyshim.”
Nënvizon se Aleksandër Vuçiq është përgjegjës për ngritjen e tensioneve në veri të vendit, dhe tregon nëse Serbia e ka njohur de facto shtetin e pavarur të Kosovës duke e pranuar planin fanko-gjerman.
“Tensionet aktuale në veri janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Aleksandar Vuçiqit… Ai po përpiqet të luajë një lojë mace me miun me Kosovën, ose siç sapo citoi vetë një varg nga filmi ‘Unë jam muzikant – jo, jo, nuk jam muzikant’. Kështu sillet në raport me Kosovën – pra e pranon Kosovën, e pastaj nuk e pranon se e ka njohur. Pastaj e pranon planin franko-gjerman-BE për Kosovën, por mohon se e ka pranuar dhe se praktikisht, siç e kanë thënë publikisht zyrtarët më të lartë të Evropës, do të thotë njohje de facto e pavarësisë së Kosovës. Për këtë lojë të tij, e cila në fakt shërben që serbët nga Kosova të mos e kuptojnë se ai në fakt e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ai e ka edhe mbështetjen e heshtur të komunitetit ndërkombëtar, sepse ata e shohin si politikisht të nevojshme për ta”, thotë ai derisa shton se “kjo përbën padrejtësi ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, pasi ata janë pengje dhe viktima të lojës së tij”.
Intervista e plotë:
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se do të nisë një “fushatë diplomatike globale për të drejtat e popullit serb në Kosovë”. Shpesh dëgjojmë se “serbët në Kosovë janë të rrezikuar”. Cila është pozita dhe të drejtat e popullit shqiptar në Serbi?
Videnoviq: Pyetja për rrezikun e serbëve në Kosovë është tani një temë e nxehtë. Mirëpo, kur shikon pak më afër, kur shikon të gjithë situatën me të drejtat e pakicave në Serbi dhe krahason sipas rajoneve, në fakt kupton se të drejtat e popujve pakicë në Serbi janë shumë më të këqija se të drejtat e serbëve në vendet e ish-Jugosllavisë ku jetojnë si minoritete. Dhe, me gjithë ankesat e përgjithshme për rrezikun e serbëve kudo që ata nuk përbëjnë shumicën absolute të popullsisë dhe janë të detyruar të bashkëjetojnë me popujt e tjerë.
Nëse shikoni Kroacinë dhe Kosovën, për shembull, ju keni një numër të garantuar të vendeve parlamentare për anëtarët e pakicës serbe. Në Bosnje dhe Hercegovinë, serbët janë një popull konstituiv, në Mal të Zi ata përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë, e cila tani mban 100 për qind pushtetin përmes kombinatorikës partiake sepse të gjithë ne qeverine e Malit të Zi, deklarohen si serbë.
Ndërsa në Serbi ajo çështje u zgjidh me të ashtuquajturit me regjistrimin natyror – ligji zgjedhor, i cili nënkupton regjistrim natyror prej një për qind. Dhe tani nëse keni më shumë parti në atë një përqind, sikurse keni më shumë parti të shqiptarëve apo më shumë parti të boshnjakëve në Sanxhak, atëherë ato vota shpërndahen dhe ju në fakt përfundoni në situatën që kemi tani, që është se – shqiptarët të Luginës së Preshevës në disa cikle zgjedhore në të kaluarën kanë vetëm një deputet në parlament, boshnjakët kanë dy, janë të ndarë mes dy partive më të mëdha në Sanxhak, kroatët nga Vojvodina kanë dy deputetë, hungarezët kanë gjashtë, sepse ata kanë një komunitet shumë të fortë demokratik të hungarezëve të Vojvodinës, të cilët kryesisht i fitojnë ato mandate. Por nëse do të kishte një parti tjetër të fortë të pakicës hungareze, do të kishte më pak nga ata deputetë.
Prandaj, çështja e përfaqësimit të popujve pakicë në organet shtetërore të Serbisë nuk është e zgjidhur mirë dhe veçanërisht vlen për organet e administratës shtetërore në nivel të republikës, ne parlament ka aty-këtu ndonjë, por në organet e udhëheqësisë shtetërore, pothuajse nuk keni askënd, nuk keni kuota për pjesëmarrje fare, siç keni në Kosovë. Pra, nuk keni fare kuota për pjesëmarrje të pakicave në organet shtetërore. Dhe kur ua bëni atë pyetje nacionalistëve serbë përjetësisht të pakënaqur, po pakicat në Serbi dhe pse nuk janë në pushtetin qendror në Serbi, zakonisht merrni përgjigjen se popujt pakicë janë të përfaqësuar në organet e vetëqeverisjes lokale, dhe kaq, dhe ne jemi fenomenalë dhe fantastikë, kemi trashëguar atë politikë fenomenale të pakicave kombëtare që vlente në Jugosllavi dhe tani kemi shkolla fillore në gjuhët e pakicave dhe, ndër të tjera, kemi edhe lajme të shkurtra dhjetë minutëshe në secilën gjuhë, hungareze, shqipe dhe rutenisht në një nga kanalet totalisht të margjinalizuara të Radio Televizionit të Serbisë.
Nga ana tjetër, ata njerëz, sikurse të gjithë ne, bombardohen përditë me retorikë nacionaliste-klerikale, përndjekje të tradhtarëve kombëtarë, festa të shpikura të bashkimit kombëtar, flamurin kombëtar, festa që organizohen për të festuar sukseset sportive dhe në përgjithësi, panairi serb i kitsch-it dhe primitivizmit.
Si kundërmasë ndaj aktakuzës kundër Serbisë për sulmin terrorist në Banjska, Beogradi njoftoi formimin e një prokurorie për “ndjekjen penale të abuzimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, uzurpimin e pronës, rrezikimin e integritetit fizik dhe dinjitetit të qytetarëve të Serbisë në Kosovë”.
Beogradi kërkon edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, të cilat tashmë i kanë bojkotuar një herë dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, të cilët, sipas diktatit të Vuçiqit, janë tërhequr nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar.
Çfarë është Kosova në të vërtetë në agjendën e presidentit të Serbisë dhe a e njohu Serbia de fakto shtetin e pavarur të Kosovës duke e pranuar planin franko-gjerman?
Videnoviq: Tensionet aktuale në veri janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Aleksandar Vuçiqit që përmendët. Ai po përpiqet të luajë një lojë mace me miun me Kosovën, ose siç sapo citoi vetë një varg nga filmi “Unë jam muzikant – jo, jo, nuk jam muzikant”.
Kështu sillet në raport me Kosovën – pra e pranon Kosovën, e pastaj nuk e pranon se e ka njohur. Pastaj e pranon planin franko-gjerman-BE për Kosovën, por mohon se e ka pranuar dhe se praktikisht, siç e kanë thënë publikisht zyrtarët më të lartë të Evropës, do të thotë njohje de facto e pavarësisë së Kosovës. Për këtë lojë të tij, e cila në fakt shërben që serbët nga Kosova të mos e kuptojnë se ai në fakt e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ai e ka edhe mbështetjen e heshtur të komunitetit ndërkombëtar, sepse ata e shohin si politikisht të nevojshme për ta.
Por, kjo është shumë e padrejtë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, sepse ata janë pengje dhe viktima të lojës së tij. Do të ishte shumë më e dobishme të bisedonim hapur me ta dhe t’u thoshim se kjo është situata, ne duhet të bëjmë këtë dhe atë, duhet të sillemi në këtë apo atë mënyrë. Mendoj se një numër i madh i tyre në një nivel personal e kuptuan dhe pranuan integrimin në shoqërinë kosovare, por siç e kemi parë ditët e fundit, mungesa e komunikimit të qartë, të hapur dhe të ndershëm me ta dhe falsifikimi i shtetit serb në veri të Kosovës çon në pasoja të padëshiruara.
Nga ana tjetër, kemi kryeministrin Albin Kurti, i cili, për mendimin tim, udhëheq një politikë të pakompromis të llogarive të pastra dhe përgjegjësi të plotë për lëvizjet politike. Nëse keni urdhëruar policët, prokurorët dhe gjyqtarët serbë të largohen nga institucionet e Kosovës, të tjerët do ta zënë vendin e tyre. Nëse keni urdhëruar bojkotimin e zgjedhjeve, atëherë administrata dhe organizimi komunal në veri të Kosovës do t’ju imponohet me legjitimitet tre për qind. Nuk ka se si Albin Kurti, si një politikan me përvojë, të mos e dijë se një situatë e tillë është politikisht e paqëndrueshme në terma afatgjatë. Por politika e tij për mua është mjaft e qartë – ju dëshironi të ndërhyni në proceset zgjedhore dhe në punët shtetërore në Kosovë – atëherë do ta çoj deri në absurd, kështu që do të shihni se një gjë e tillë nuk ka kuptim.
Kur pyetët për formimin e prokurorisë speciale për: “Cenimi i të drejtave të qytetarëve serb në Kosovë”, po ju citoj juve dhe po e citoj edhe emrin e atij institucioni, pra do të jetë një prokurori speciale për çdo gjë që mund të jetë e cenuar – pra të drejtat e qytetarëve serbë në Kosovë.
Unë shpesh e pyes veten por edhe bëj pyetje publikisht, çfarë nënkuptojnë këta njerëz, jo vetëm Aleksandar Vuçiq, por shumica e politikanëve në Serbi, çfarë nënkuptojnë ata me “popullin tonë në Kosovë”? Nëse unë do të doja ta ktheja Kosovën në kornizën shtetërore-juridike të Serbisë dhe do konsideroja se institucionet e Kosovës janë vërtet të përkohshme dhe të paligjshme dhe se kryejnë terror ndaj qytetarëve, do ta themeloja atë prokurori që të merret me të drejtat e çdo qytetari të Kosovës, sepse do t’i konsideroja të gjithë qytetarët e Kosovës që unë dua të kthehen në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Serbisë si qytetarët e mi, të drejtat elementare të të cilëve janë kërcënuar nga kjo qeveri. Në këtë mënyrë, është plotësisht e qartë se gjithçka që po bëhet në Serbi ka të bëjë vetëm me 60, 70 mijë njerëz në veri të Kosovës dhe askënd tjetër në Kosovë, pra, kemi një njohje të heshtur se Kosova ekziston si një shtet i pavarur dhe po, ne në veri të Kosovës kemi një komunitet njerëzish që konsiderohen dhe ndihen si qytetarë të Serbisë, dhe ne duhet të kujdesemi disi për ta dhe të dakordohemi me autoritetet e Kosovës se si t’i integrojmë ata në shoqërinë kosovare dhe si të përmirësohet statusi i tyre.
Dhe në këtë mënyrë, marrja e masave të tilla praktikisht do të thotë shtyrje e mëtejshme, vështirësimi dhe futja e një pengese tjetër për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve dhe në një farë mënyre me shumë gjasa kjo do të prodhojë efektin që nëse disa persona që do të marrin pjesë në këto procese policore, prokuroriale, ku do të cenoheshin qytetarët në veri të Kosovës, mund të përjetojnë një lloj maltretimi dhe ndalimi gjatë kalimit nëpër Serbi, pra një shtyrje e panevojshme e asaj që është e pashmangshme dhe sigurisht që do të ndodhë me pak a shumë vonesë.
Në një gazetë opozitare në Serbi, doli një artikull se “Kosova do të jetë gjithmonë e varur nga Serbia”. Teksti bazohet në tezën se identiteti i Kosovës bazohet në “thjesht negativitet ndaj Serbisë”. Kush i kontrollon realisht mediat në Serbi dhe si e shihni imazhin mediatik në përgjithësi?
Videnoviq: Në Serbi gjithçka është çështje marrëveshjeje, në Serbi tregu për gjithçka është i ndarë. Ju keni disa, le të themi, ofrues televizivë që të gjithë funksionojnë në të njëjtën mënyrë. Ju keni disa zinxhirë tregtarë që të gjithë mbajnë saktësisht të njëjtat çmime të produkteve, keni disa kompani që merren me produkte të naftës, gjithashtu, të gjitha mbajnë të njëjtat çmime, kështu që gjithçka është çështje e një lloj marrëveshjeje karteli. Kështu është edhe me mediat në Serbi, ju keni një ndarje të qartë mes mediave që janë nën kontrollin e shtetit dhe atyre që janë nën kontrollin e konkurrencës ndaj shtetit, dhe kjo është pala tjetër, p.sh. “United Media” dhe gazeta dhe artikulli që përmendët.
Ajo që duhet të kuptojmë si sfond i gjithë kësaj është, para së gjithash, se politika e Slobodan Millosheviqit në fakt është rikthyer në Serbi, duam apo s’duam, duhet ta pranojmë. Disa nga parimet themelore të politikës së Slobodan Millosheviqit janë ende të gjalla dhe të pranishme, dhe në një masë të mirë edhe vetë aktorët e ngjarjeve në të cilat ai ishte fajtori kryesor janë të pranishëm sot në publikun serb. Natyrisht, ajo politikë është rikthyer sot në rrethana të reja ndërkombëtare dhe me një vetëdije mjaft të qartë se mënyra e tij e zbatimit të asaj politike ishte e keqe dhe joefektive.
Në këtë kuptim, kur shikojmë rikthimin e epokës së Millosheviqit, në Serbi nuk keni asnjë konflikt midis qeverisë dhe opozitës për çështje të parimeve themelore politike – për çështjen e Kosovës, për çështjen e BeH, Malit të Zi, për çështjen e krimeve të luftës, marrëdhëniet me Rusinë, marrëdhëniet me Perëndimin, anëtarësimit në NATO. Sipas atyre çështjeve themelore, të përgjithshme që përcaktojnë një politikë, nuk ka kurrfarë dallimi në mes qeverisë dhe opozitës, të dyja qëndrojnë në pozicione identike. Ata ndryshojnë vetëm në atë, pra, akuzojnë njëri-tjetrin se kush do ta zbatonte në mënyrë më efektive të njëjtën politikë, e cila nuk vihet aspak në dyshim. Për mendimin tim, më shumë ngjajnë me fraksionet e Lidhjes Komunistëve sesa me pushtetin dhe opozitën. Nuk ka dallim thelbësor në qëndrime.
Tekstin që e përmendët e ka shkruar një nga redaktoret e Danas, nuk po përmend emra dhe ne me shaka e quajmë “Mila Shtula e Gjillasit”, kështu që kjo ju tregon pak a shumë se çfarë mendojmë ne, kujt i përket Danas, cilës pjesë të kartelit mediatike i përket Danas. Nuk e di sa e dinë shikuesit dhe lexuesit tuaj se Mila Shtula ishte një nga shtyllat e propagandës së Millosheviqit në atë kohë dhe ishte një personazh mjaft karakteristik për atë kohë. Kur e lexon atë tekst, ke një kthim prapa, një rikthim në broshurat nga “Politika” dhe “Politika Ekspres” që janë botuar në vitet 1990, në të cilat thuhej saktësisht me të njëjtat fjalë, në të njëjtën mënyrë, se si Sllovenia dhe Kroacia do të mbeten përgjithmonë të varura nga Serbia se si Kroacia në veçanti nuk ka asnjë identitet shtetëror dhe kombëtar dhe në fakt e ndërton atë mbi mohimin e ndikimit të identitetit serb në hapësirën kroate. Autorja ka një deklaratë të veçantë, ajo ka thënë se Kosova në fakt e përkufizon veten si “anti-Serbi”. E kam thënë një herë publikisht në një nga postimet e mia, nëse është kështu dhe duke pasur parasysh se si përfundoi procesi me Slloveninë dhe Kroacinë, mund të them vetëm: vazhdo Kosovë, anti-Serbia është rruga e dëshmuar e drejtë të cilën duhet ndjekur.
Serbia nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me BE-në. Një ditë më parë në Uashington u nënshkrua marrëveshja për partneritet në fushën e energjisë ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. A nënkuptojnë këto marrëveshje se Serbia po afrohet më shumë me Perëndimin dhe a prisni të organizohen protesta për shkak të marrëveshjes energjetike me SHBA-në, si për litiumin?
Videnoviq: Të gjitha këto janë elemente të lojës politike të Vuçiqit “kap të gjithë”, ai ka diçka për Lindjen, diçka për Perëndimin, për Kinën, Rusinë, BE-në dhe Uashingtonin, pra, këto janë elemente të lojës së tij, për të cilën ai e konsideron veten si një mjeshtër i madh, e njëjta lojë që e luajti Tito, të cilën u përpoq të luante Slobodan Millosheviçi, të cilin ai (Vuçiq) po përpiqet ta luajë tani, nuk ka asgjë të re atje, prandaj është absurditet i plotë që nxjerr në pah edhe një herë një pjesë të jashtëzakonshme të Serbisë, ne jemi këtu si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi Lindja në Perëndim, Perëndimi në Lindje, si të duash quaje. Të gjitha këto janë të pakuptimta dhe të gjitha e çojnë Serbinë në pozitë të pashpresë në të cilën kemi 25 vjet që po luftojmë, pothuajse që nga ndryshimet demokratike dhe që nga fillimi i integrimit evropian.
Pra, është e mundur që në këtë rast Vuçiq të ketë mbingarkuar dorën e tij, sepse marrëveshja që ai nënshkroi veçanërisht me BE-në – Memorandumi për lëndët e para kritike – është një marrëveshje që lidh strategjikisht Serbinë me Perëndimin. Dhe jo vetëm kaq, ai është një hap më lart. Në bindjen time të thellë, Serbia ka rëndësinë që Traktati për Komunitetin e Qymyrit dhe Çelikut të vitit 1951 e kishte si farën e krijimit të Komunitetit Ekonomik Evropian, e më pas edhe të Bashkimit Evropian. Ajo Marrëveshje e vitit 1951 rezonon me këtë Marrëveshje për lëndët e para kritike që sapo është nënshkruar.
Duhet të keni parasysh se kanë kaluar 25 vjet nga fillimi i integrimit evropian të Serbisë, se procesi është shumë i gjatë, ngurrues, se Serbia nuk ka ndërtuar një konsensus kombëtar për nevojën për t’u anëtarësuar në BE, disa nga institucionet kryesore serbe janë haptazi antievropiane dhe haptazi antiperëndimore. Ai proces shumë i gjatë çoi në zhdukjen e interesit origjinal komunikues për Serbinë që kishte Evropa, ju kujtoni axhendën e Selanikut nga viti 2003 që ishte veçanërisht i theksuar. Ndërkohë, ai interes i Evropës është zhdukur, rrugët alternative janë të hapura, tani komunikimi me Evropën Jugore përmes Serbisë nuk është më i nevojshëm.
Pas një kohe të gjatë, kjo marrëveshje njeh një interes strategjik që Evropa ka për një lidhje më të ngushtë me Serbinë dhe integrimin e saj në hapësirën evropiane. Jam i bindur se në kohën e ardhshme BE-ja do të vendosë marrëdhënie partneriteti me forcat politike në Serbi bazuar në qëndrimin e tyre ndaj këtij dokumenti strategjik dhe se ata që e refuzojnë dhe e dënojnë nuk do të kenë asgjë për të kërkuar në marrëdhëniet e partneritetit me BE-së. Ndër të tjera, kjo është arsyeja pse Evropa mund dhe ka një bashkëbisedues në Serbi në Aleksandar Vuçiqin, dhe jo në forcat opozitare, sepse ata kundërshtojnë çdo lëvizje të Aleksandër Vuçiqit, edhe kur një kundërshtim i tillë është sjellje dhe qëndrim i hapur antievropian dhe duke marrë këndvështrimin e Rusisë, në këtë rast, e cila ka një interes afatgjatë që kjo pjesë e Evropës të mos jetë pjesë e BE-së dhe komunitetit euroatlantik.
Në të njëjtën kohë, këto marrëveshje janë një shans për të gjithë rajonin, sepse ne e dimë se hallka kryesore dhe pengesa në integrimin e të gjithë rajonit në zonën euroatlantike është në fakt integrimi i Serbisë. Nëse Serbia i përjeton dhe ecën në rrugën e këtyre integrimeve, atëherë ne do të ndajmë jo vetëm një mjedis të përbashkët, i cili është në interesin e të gjithëve neve, por edhe synime të përbashkëta në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe së fundi, në fund të fundit, interesi ynë i përbashkët – anëtarësimi në BE.