“Ka arritur që Serbinë ta paraqes si viktimë”, ish- diplomati tregon kush e “ndihmoi” Vuçiqin për të vendosur kushte ndaj Kosovës

Intervista

“Ka arritur që Serbinë ta paraqes si viktimë”, ish- diplomati tregon kush e “ndihmoi” Vuçiqin për të vendosur kushte ndaj Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 shtator 2024 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Ish-diplomati Blerim Canaj thotë se dialogu Kosovë- Serbi nuk do të ndërpritet dhe se kritikat e ndërkombëtarëve e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog.

Canaj në një intervistë për gazetën ““Bota sot””, shprehet se Vuçiqi tani ka komoditet t’i bëjë kushte Kosovës, për shkak që tanimë ka arritur ta paraqes Serbinë si viktimë.

Sipas Canajt, për çështjet e rëndësishme Kosova duhet të ketë koordinim me partnerët kyçë të saj, pasi edhe ata janë hisedar në shtet-formim dhe shtet-ndërtim.

Ish- diplomati dhe analisti në intervistë ka folur edhe rreth zgjedhjeve të reja parlamentare dhe rezultatet e mundshme të partive politike, ku sipas tij, largimi i disa deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ftohja e marrëdhënieve Kurti- Osmani, natyrisht që do të bartë votën në parti tjera ose do të pasivizojë votuesin.

“Vetëvendosja momentalisht mund të dalë e para, por meqenëse po flitet për shumë afera që janë nën hetime, e që mund të bëhen publike do e dobësojë edhe më. Pra, më nuk e besoj që do ketë mundësinë që të qeverisë pa koalicion”, shprehet Canaj në intervistë.

Image
Ish-diplomati Blerim Canaj

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zotëri Canaj, vera në Kosovë është karakterizuar me zhvillime të shumta, kryesisht në veri të saj. Si i keni parë deklaratat fillimisht insistimin e qeverisë për hapjen e urës, pastaj qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe së fundmi zbrapsjen e qeverisë për urën?

Blerim Canaj: Së pari, në mungesë të ndonjë rezultati qeverisës, zhvillimet në veri gjithmonë kanë qenë të përsëritura me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes së qytetarit, zhvillime të cilat vazhdimisht janë shoqëruar me një retorikë politike që prekë sentimentin nacional me pretendimin e shtrirjes së sovranitetit në atë pjesë! Krejt kjo, më shumë që qytetari të mbajë fokusin mbi “rrezikun“ e pretenduar dhe “suksesin“ e shtrirjes së sovranitetit, por të harrojë jetën e vështirë, shëndetësinë e shkatërruar, arsimin e shkatërruar me udhëheqësit më jokompetent në historinë e vendit. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe pretendimi i qeverisë për hapjen e urës. Albin Kurti që në fillim e ka ditur që ura nuk mund të hapet pa përkrahjen dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, e sidomos me KFOR-in si përgjegjës për sigurinë. Tani, pas reagimit të partnerëve ndërkombëtarë sidomos nga grupet militante të Kurtit ka filluar të futet një frymë antiamerikane duke dashur që tek ta të krijojnë një pengues madje edhe frymë armike. Natyrisht, krejt këto tema përpos që krahas disa qeverive proruse në botë edhe qeverinë tonë e kanë futur nën sanksione, mbulojnë edhe temat për korrupsionin dhe nepotizmat në qeverisje, shkeljet ligjore e kushtetuese etj., tema që në fakt janë tejet të rëndësishme dhe po e dëmtojnë vendin dhe kanë mbuluar qeverinë.

“Bota sot”: Sa ka ndryshuar veriu nën qeverisjen Kurti dhe a do të jetë ai “arma me e fortë” e Kurtit për t’i kërkuar votën qytetarëve?

Blerim Canaj: Sa i përket ndryshimit dhe shtrimit të sovranitetit, mjafton të na shkojë mendja te katërfishimi i ushtarëve të KFOR-it atje, por dhe i numrit të policëve! Nëse është ashtu dhe nëse sovranitetin qeveria e definon me këtë karakteristikë atëherë a paskemi ne në pjesën tjetër sovranitet?!

“Bota sot”:  Si mendoni se do të jetë fushata elektoriale dhe cila do të ishte renditja e partive në zgjedhjet e reja. A do të arrijë opozita ta rikthejë elektoriatin e vet apo do të vazhdojë të qëndrojë e ndëshkuar? Sa do të arrijë Lëvizja Vetëvendosje ta rifitojë pushtetin dhe sa mund ta dëmtonte atë largimi i disa deputetëve dhe paralajmërimet për një parti të re nga ata?

Blerim Canaj: Tanimë jemi në një situatë ku të gjitha partitë dalin të provuara dhe mund të them lirshëm, që nëse të gjitha partitë tjera kanë kaluar faza të shtetndërtimit dhe shtetformimit dhe iu atribuohet një sukses, ndoshta qeveria e LVV, e cila kishte edhe fuqinë apsolute, përpos populizmave, jo që do të mbahet mend për ndonjë sukses tjetër. Kjo me siguri që mund ta dobëson shumë është pozitën komode të LVV e cila ka arritur të krijojë një stabilokraci në Kosovë, stabilokraci e cila nuk shikohet mirë nga shtetet demokratike dhe nuk është i shëndetshëm për shtetet në ndërtim të demokracisë. Largimi i disa deputetëve, por edhe ftohja e marrëdhënieve e Kurtit me Vjosa Osmanin natyrisht që do të bartë votën në parti tjera ose do të pasivizojë votuesin. Pra, do jetë kosto për VV. Vetëvendosja momentalisht mund të dalë e para, por meqenëse po flitet për shumë afera që janë nën hetime, e që mund të bëhen publike do e dobësojë edhe më. Pra, më nuk e besoj që do ketë mundësinë që të qeverisë pa koalicion.

“Bota sot”: Dialogu nuk ka qenë çështje parësore e Kurtit, por gjatë qeverisjes së tij jo pak kohë i ka marrë dialogu. Si e keni parë rrjedhën e dialogimit (rikujtojmë marrëveshjen e Ohrit dhe mos zbatimin e saj, kritikat për mos dërgimin e draft asociacionit në kushtetuese si dhe së fundmi refuzimin e takimit me Vuçiqin)?

Blerim Canaj: Po, në fakt ajo ka qenë edhe propaganda më e rëndësishme për LVV. Por gjithmonë ka qenë e qartë që Kosova nuk mund t’i ikë dialogut. E me zotimet e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, Kurti ka rënë në kurth-krejt kjo për shkak të moskompetencës dialoguese të parisë kosovare. Kjo ka çuar aty që si rezultat i këtyre zotimeve, e që ekspertët e kushtetueses e shohin si një kushtetutë paralele formale për serbët në Kosovë, tani kemi në tavolinë një draft të punuar konform zotimeve të Kurtit.

“Bota sot”: Kurti kishte refuzuar një takim me Vuçiqin, por ky i fundit nuk heziton të paraqes kushte për Kosovën dhe gjendjen në veri. Si i komentoni kushtet e tij dhe çfarë në të vërtetë mund të ketë prapa tyre?

Blerim Canaj: Vuçiqi tani ka komoditetin e tillë, sepse ka arritur që tanimë Serbinë ta paraqes si viktimë! E për këtë ka ndihmuar shumë Kurti me veprimet e pakoordinuara, veprime të cilat i ka marrë më shumë për konsum të brendshëm. Tanimë po flitet për shkelje të të drejtave të njeriut, një nocion që prekë shumë në emocionin e ndërkombëtarëve dhe kjo e forcon pozicionin e Vuçiqit për gjoja mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë!

“Bota sot”: A kanë ndikuar kritikat e ndërkombëtarëve në dialog dhe a ka përparuar apo ka mbetur prapa Kosova në dialogim?

Blerim Canaj: Dialogu nuk do ndërpritet! Kjo për shkak se pastaj vijmë te pikëpyetja, çka nëse nuk dialogojmë. Kritikat e ndërkombëtarëve vetëm e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog.

“Bota sot”: Për fund, cila do të ishte “këshilla” për një marrëveshje të respektuar edhe nga Kosova edhe nga Serbi në dialog.

Blerim Canaj: Mendoj që për çështjet e rëndësishme duhet të ketë koordinim me partnerët kyçë të Kosovës që në një farë forme janë edhe hisedar në shtet-formim dhe shtet-ndërtim. Kështu do shpërndahet edhe përgjegjësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat