“Ekstremistët serbë kanë ikur në ...”, eksperti zbulon “dhimbjen” e Vuçiqit: Ja si duhet të veprojë Kurti me urën e Ibrit

Intervista

“Ekstremistët serbë kanë ikur në ...”, eksperti zbulon “dhimbjen” e Vuçiqit: Ja si duhet të veprojë Kurti me urën e Ibrit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 shtator 2024 Në ora: 16:14
Nuredin Ibishi

Eksperti i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, i ka quajtur “hipokrizi” shtatë kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Ibishi ka deklaruar se Vuçiq dhimbjen e ka te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, në mënyrë që ta mbajë nën tension veriun e Kosovës.

Sipas tij, presidentit serb nuk i ka mbetur asgjë tjetër, pasi ekstremistët serbë kanë ikur nga Kosova në Serbi.

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar veprimet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, në veri të vendit, duke thënë se asnjë qeveri nuk ka bërë më shumë se kjo e tanishmja për këtë pjesë të Kosovës.

Ai vlerëson se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është nën kontroll, pavarësisht kërcënimeve nga ekstremistët. Por, ai ka theksuar se Qeveria duhet bërë hapa në integrimin e veriut në disa aspekte tjera.

Ndërsa, sa i përket ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Kosovës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, eksperti vlerëson se e njëjta ishte një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar.

Sipas tij, ky sulm u përshkrua si një përpjekje për të shkëputur një pjesë të Kosovës dhe për ta bashkuar atë me Serbinë, duke përdorur dhunë dhe armatim të rëndë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e keni parë ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Kosovës kundër 45 personave për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë?

Nuredin Ibishi: Të gjithë kanë bërë presion që të bëhej më shpejt shpallja e aktakuzës, por realiteti është që ka qenë një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar. Nga grupi janë ndaluar vetëm 2-3 persona dhe shumica e grupit ka ikur jashtë vendit dhe janë strehuar në Serbi. Dhe kryekrimineli apo udhëheqësi i këtij grupi terrorist Milan Radoiçiq, edhe pse është ftuar formalisht nga Prokuroria, atij në mënyrë arbitrare i është dhënë urdhër nga Vuçiqi që të mbrohet në liri.

Gjithë kjo ka bërë që procesi të merr një epilog apo një kohëzgjatje derisa është dashur të bëhen ekspertiza, të gjitha ato rrethanat e mandej kur shpallet aktakuza në tërësi, gjithçka të përmirësohet. Për këtë arsye, mendoj që procesi ka qenë jashtëzakonisht i ndërlikuar, si nga ana e mungesës së dëshmitarëve (të akuzuarit po mbrohen nga një shtet fqinj, Serbia); edhe ekspertiza që është dashur të kryhej, të gjitha këto si këmbimi i zjarrit me pasoja edhe të vrasjes të Afrim Bunjakut, heroit të Kosovës dhe tre terroristëve serbë. Kështu që, mendoj që kjo ka pasur edhe një efekt tjetër, ngase në veçanti Bashkimi Evropian, por edhe faktori ndërkombëtar ka qenë i përmbajtur nga vendimet, gjegjësisht qëndrimet e Qeverisë, është munduar në një formë të mos marrë pozicion, ngase besueshmëria qëndron te organet e drejtësisë si pushtet i pavarur, që në këtë rast edhe është prit aktakuza. Mendoj se tash edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë një qëndrim më të prerë. Por, bashkësia ndërkombëtare, kanë filluar të relativizojnë këtë akt terrorist me pasoja të rënda.

Aktakuza kundër 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 është pritur me reagime të ndryeshme dhe ka tërhequr vëmendje të madhe. Të akuzuarit, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, dyshohet se ishin pjesë e një grupi të armatosur që kishte për qëllim destabilizimin e veriut të Kosovës. Aktakuza përfshin akuza për terrorizëm, vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës, financim të terrorizmit, dhe shpëlarje parash. Prokuroria ka bërë një punë intensive në hetimin e këtij rasti, duke grumbulluar prova të rëndësishme, përfshirë 66 intervista dhe sekuestrimin e më shumë se 1200 armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake. Nga 45 të akuzuarit, vetëm tre ndodhen në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër janë në liri.

Ky sulm u përshkrua si një përpjekje për të shkëputur një pjesë të Kosovës dhe për ta bashkuar atë me Serbinë, duke përdorur dhunë dhe armatim të rëndë. Për këtë arsye, ngjarja ka pasur ndikim të madh politik dhe ka intensifikuar tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti i bëri thirrje Serbisë që t’i dorëzojë Radoiçiqin dhe të dyshuarit e tjerë për sulmin. A mund të pritet bashkëpunim nga autoritetet serbe?

Nuredin Ibishi: Edhe kryeministri Kurti ka kërkuar dorëzimin e Radoiçiqit, por që realiteti është që qeveria serbe mundohet që ta arsyetojë këtë qëndrim, duke thënë se ata do të dënohen, do të ketë një proces ndaj tyre në krye me Radoiçiqin, i cili ndërkohë ka dhënë dorëheqje nga nënkryetari i Listës serbe dhe Poreska Politika, por qe kinse autoritetet dhe Prokuroria do të ndërmarrin masat adekuate, që ata të ekstradohen apo dorëzohen me procedurë në Kosovë.

“Bota sot”: Si i keni parë shtatë kërkesat e presidentit serb Vuçiq, në konferencën e fundit që e mbajti për Kosovën? Ai kishte paralajmëruar masa “pushtimi” ndaj Kosovës, por në fakt kërkoi kthimin e situatës para vitit 2021 në veriun e Kosovës? Pse gjithë ky shou nga Vuçiqi?

Nuredin Ibishi: Ajo dihet, Vuçiqi ka dashur të mbajë një status quo. Edhe tash po kërkon kthimin e gjendjes së mëparshme. Kjo është një hipokrizi, pasi ai vet ka urdhëruar zyrtarët policorë të komunitetit serb që ta lëshojnë Policinë e Kosovës, edhe prokurorët, edhe gjykatësit dhe katër kryetarët e komunave. Ndrësa, tani shtiret kinse ata duhet të kthehen. Mandej, u bënë dy palë zgjedhje për kryetarë të katër komunave në veri dhe ai prapë e tërhoqi Listën serbe. Zgjedhjet e fundit kishin legalitet, por nuk kishin legjitimitet, pasi nuk kishte përfaqësim të denjë të komunitetit me shumicë serbe në katër komunat në veri. Për të gjitha këto dhe çështje tjera, ai e ka dhimbjen te Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Nuk i ka mbetur asgjë tjetër tani, pasi që ekstremistët nuk janë më në Kosovë, ai mund të dirigjojë Listën serbe, e cila veçse ka filluar të humbë kredibilitetin te komuniteti serb në Kosovë, por atij i mbetet vetëm Asociacioni, me tendencë çfarë ai pretendon, me autorizime ekzekutive, me qëllim që pastaj ai ta mbajë veriun e Kosovës nën tension dhe ta dirigjojë me udhëheqjen e atij Asociacioni. Krahasuar me atë që është dashur të bëjnë institucionet e Kosovës, s’e ka bërë asnjë pushtet i deritashëm. Ato është dashur ta bëjnë një draft status për Asociacion dhe të determinonjë që ai nuk do të ketë autorizime ekzekutive, por do të përfaqësojë interesat e komunitetit serb sikur një organizatë joqeveritare, por jo të ketë sistemin e një pushteti të tretë në Kosovë.

Janë edhe çështje të tjera, për të cilat ai deshi ta bëjë Kosovën si zonë të okupuar, por kishte shumë problem ta përcakonte se kush është ai okupatori, a është NATO, SHBA, vendet e BE-së, apo janë autoritetet e Kosovës në këtë rast. Për këtë arsye, ai u përmbajt nga ai ekstrem, ta përcaktojë Kosovën si zonë të okupuar, ngase kur caktohet si zonë e okupuar, vihet te një hipotezë se ai vend duhet të kthehet në sistem që në një formë përcakton detyrimin e shtetit serb që të ndërmerr veprime ushtarake, politike dhe ekonomike, për rikthimin e saj. Ai u përmbajt, por ekstremisht shkoi te kërkesat e vazhdueshme që të shkojë të ajo, për të cilën e ka humbur konceptin, se ai është fajtori dhe me këto shtatë pikat, ai tenton të implikohet në punë të brendshme të Kosovës, sa i përket tërësisë territoriale, sovranitetit dhe rregullimit kushtetues të Kosovës. Për këtë arsye, mendoj se këto janë të pajustifikueshme dhe mendoj që BE-ja, në mënyrë selektive filloi ta mbështesë në disa pika, çka menjëherë pala e një shteti fqinj, Serbisë, din ta përkthejë se “BE-ja po na përkrahë”. Ai i referohet vetëm disa pikave, për të cilat normal edhe shteti i Kosovës ka obligim që t’i përmbushë. Kosova ka për obligim që ta kthejë legjitimitetin e katër kryetarëve, t’i pranojë zyrtarët policorë dhe prokurorët, me qëllim që ata t’i gëzojnë të drejtat e veta, por jo në atë ekstrem çfarë pretendon një president i një vendi fqinj, i cili vazhdimisht ka kërkesa dhe implikime direkte në punë të brendshme të Kosovës.

“Bota sot”: Kur mendoni se mund të hapet Ura e Ibrit, të cilën e ka paralajmëruar kryeministri Kurti, përkundër kundërshtimit të shteteve të QUINT-it?

Nuredin Ibishi: Ajo është një simbolikë e ekstremistëve serbë që përfaqëson një destrustruksion në sistem, gjegjësisht një dezintegrim të Kosovës, një ndarje. Urat janë për bashkim edhe të qytetarëve, por edhe për qarkullim të automjeteve të mallrave dhe të njerëzve, dhe jo ajo të jetë pengesë për gjithë këto. Nganjëherë është e papranueshme që ndërkombëtarët që atë urë e kanë ngritur deri në nivelin e një tabuje, që të mos diskutohet fare për të. Mendoj që kjo status quo çfarë ka qenë deri më tani është dashur të thyhet, mirë që Qeveria ka ndërmarrë veprimin me paralajmërim të hapjes së urës, por që ajo u bë një çështje madhore. Realiteti është që duhet të kemi kujdes, ngaqë kemi sugjerime të partnerëve tonë strategjikë, SHBA-së, grupit të QUINT-it, por edhe NATO-s, e cila ka mision EULEX-in, që duhet të kemi kujdes në këtë moment, pasi që çështja e urës së Ibrit ngrit një nivel jashtëzakonisht të lartë. Ajo duhet të integrojë komunitetet e dy anëve të urës dhe jo të dezintegrojë. Mendoj që në këtë çështje duhet të jemi të kujdesshëm dhe mirë që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shkojë në bisedime të nivelit të lartë, nëpërmes Brukselit, edhe pse ka qenë marrëveshja për lëshimin e Urës në vitin 2017, por asnjëherë nuk u realizua. Ne kemi ura të shumta, kështu që nuk duhet marrë këtë me një nguti, por duhet kujdesshëm të veprojmë në sistem. Të shtyhet status quo-ja, të vazhdohen bisedimet politike në Bruksel, nga të cilat nuk pres ndonjë rezultat, por thjeshtë të bisedohet dhe të vihet në përfundim se ura duhet të hapet. Mendoj që këta hapa duhet t’i bëjmë ne me qëllim që të bëjmë një politikë të mençur dhe jo të ndërmarrim veprime të njëanshme. Në realitet ura e Ibrit nuk është çështje madhore. Institucionet e Kosovës çdo herë bëjnë kërkesa për lëshimin e urës, kanë bërë edhe më herët, si marrëveshja e Brukselit për integrim dhe komunikim në të dy anët e urës.

“Bota sot”: Çka mendoni për akuzat e opozitës se Kurti nuk ka shtrirë sovranitetin në veri, por ka përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët, madje po rrezikon edhe Policinë e Kosovës?

Nuredin Ibishi: Do të ishte shumë çështje e ulët dhe e shëmtuar nëse pozita dhe opozita pretendojnë që këto çështje jashtëzakonisht të nivelit të lartë dhe të sigurisë e integritetit territorial, sovranitetit të Kosovës në veri, t’i përdorin për fushatë politike.

Unë e them dhe e kam thënë, edhe pse jam në LDK, që asnjë Qeveri deri tash sikur kjo nuk ka bërë aq shumë që veriun ta kemi nën kontroll, në kuptimin e asaj që të shtrijmë sovranitetin, të kemi rendin, qetësinë dhe sigurinë publike në veri, pavarësisht atyre kërcënimeve në vazhdimësi nga ekstremistët, qoftë nga dy organizatat terroriste që janë shpallë nga Qeveria e Kosovës, qoftë Brigada e Veriut apo Mbrojtja civile apo Rojet e Urës. Ato nuk janë më prezente në veri, kanë ikur në Serbi, disa janë edhe të arrestuar.

Mendoj që në këtë aspekt, gjendjen e sigurisë e kemi nën kontroll dhe duhet bërë hapa në integrimin e veriut, në shumë aspekte, si në aspektin e infrastrukturës, punësimit dhe komunikimit me pjesën tjetër të vendit. Këto janë detyra që duhet t’i përmbush Qeveria e Kosovës.

Ndërsa, në aspektin e sigurisë, mendoj që plotësisht është në rregull. Tash është një çështje që duhet pasur parasysh, se Qeveria duhet të bëjë politikë të mençur, se realisht është akuzuar për vendime të njëanshme, të pakoordinuara dhe kjo është për kritikë, pasi ne duhet të veprojmë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe KFOR-in e EULEX-in. Për shkak të kësaj, kemi pasur edhe ndërmarrje të veprimeve ndëshkuese nga BE-ja ndaj Kosovës. Dihet që Policia e Kosovës është reaguesi i parë, mandej është EULEX-i si dhe KFOR-i, mirëpo ato duhet çdo herë të koordinohen dhe të ndërmarrin veprimet, me qëllim që të mos vihet te një situatë e paparashikuar.

Sa i përket asaj se sa kritikon opozita për çështje në veri, nuk janë fare me vend, pasi asnjë qeveri, që prej shpalljes së pavarësisë, nuk ka ndërmarr masa adekuate për veriun, edhe pse ka qenë trysnia e ndërkombëtarëve që të mos ndërmerren veprime me pretekst se mos po përndillet një situatë që mund të nxisë reagimin e palës serbe, të cilët bënin bllokada, qoftë me bllokim të urës, kalimeve kufitare e deri në sulme brutale ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it, qytetarëve dhe në veçanti gazetarët që raportonin nga vendi i ngjarjes.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. A mendoni se zbatimi i këtij ligji do të jetë sfidë për Qeverinë, duke pasur parasysh se i njëjti mund të tronditë politikanët?

Nuredin Ibishi: Këtu duhet të merren praktikat e vendeve që kanë kaluar tranzicionin, vendeve të Ballkanit, që kanë eksperiencë në këtë drejtim. Por, edhe ajo që flitet është se shumë nga politikanët mund të jenë të implikuar në këto çështje. Mendoj që këtu duhet të merren praktika më të mira, nga shtetet që kanë kaluar nëpër këto procese, sidomos Kroacia e Sllovenia dhe disa vende tjera, që tashmë janë pjesë e BE-së. Ato duhet të merren si modele dhe të fillohet të zbatohen dhe jo me një sistem të pakoordinuar, që do të kishte pasoja më të mëdha, në kuptimin e vet zbatimit të këtij ligji apo edhe rregulloreve dhe agjencive që janë krijuar në këtë drejtim. Mendoj që duhet me kujdes të parashikohen edhe modelet, edhe mënyrat se si duhet të veprohet, pasi një situatë e ngutshme do të ketë pasoja të mëdha, duke u akuzuar në mënyrë të ndërsjellë pozitë-opozitë apo partia politike, e cila ka qenë më shumë e implikuar në çështjen e pasurimit të paligjshëm.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat