Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.
Ajo, sipas tij, nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.
“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Udhëheqësit e Kosovës kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqjen e Serbisë për këtë sulm, edhe pse ajo e ka mohuar përgjegjësinë.
Pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për rastin, që implikon 45 persona.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.
REL: Një vit nga sulmi në Banjskë, si është sot situata e sigurisë në Kosovë?
Xhelal Sveçla: Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë - qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe.
REL: Dëgjojmë vazhdimisht deklarata, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti, për kërcënime nga Serbia. Ju, a mund të ndani diçka më shumë me ne?
Xhelal Sveçla: Në vazhdimësi ka informata inteligjente, jo vetëm tonat, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, se grupe të njëjta - apo për nga numri edhe më të mëdha - vazhdojnë të trajnohen në territorin e Serbisë, përreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më në thellësi.
Kjo patjetër që është një brengë e shtuar për institucionet tona të sigurisë, në kuptimin që jemi të obliguar të parashikojmë e pastaj të parandalojmë çfarëdo tendence për sulme, të cilat do të cenonin integritetin, sovranitetin, sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, kemi në vazhdimësi armatosje të Serbisë, qoftë të ushtrisë apo edhe të njësiteve speciale të policisë së Serbisë, të cilat në të kaluarën kanë provokuar Kosovën dhe e kanë sulmuar Kosovën në një apo mënyrë tjetër.
Armatosja e një vendi, i cili nuk të njeh dhe në aspektin diplomatik dhe retorik të sulmon, është arsye për t’u brengosur, por nuk është arsye as për t'u frikësuar, e as për të hequr dorë nga aspiratat legjitime të popullit tonë, të vendit tonë për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme.
REL: Pra, mund të thoni se institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën...
Xhelal Sveçla: Po, institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën dhe mund të them se janë edhe më të përgatitura se më herët, për t’u përballur me çfarëdo skenarësh.
“Kemi dëshmi” që ushtarakët serbë i kanë trajnuar dhe financuar sulmuesit në Banjskë
Një vit pas sulmit në Banjskë kemi një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila implikon mbi dyzet persona, por vetëm tre prej tyre janë në paraburgim në Kosovë. A prisni ekstradimin e Radoçiqit dhe të tjerëve nga Serbia?
Xhelal Sveçla: Më në fund kemi një aktakuzë që për mua është e vonshme, por edhe e paplotë, duke qenë se ne e dimë që kanë qenë diku rreth njëqind terroristë të kyçur drejtpërdrejt në këtë sulm. Po ashtu, ka qenë evidente organizimi dhe përkrahja nga ana e institucioneve të Serbisë.
Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë.
E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm. Por, për këta tre të parët që i përmenda, tashmë kemi dëshmi që jo vetëm e kanë mundësuar trajnimin e këtij grupi terrorist, por edhe e kanë furnizuar këtë grup terrorist me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë.
Prandaj, po them që kjo aktakuzë është pak e vonshme, por edhe e paplotë.
Megjithatë, unë jam i bindur se duke punuar më shumë, duke u fuqizuar më shumë, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, Serbia, herët a vonë, do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët.
Fundi i fundit, sipas ligjeve të Kosovës, gjykimi në mungesë mund të ndodhë dhe pastaj, pas aktgjykimit, këta terroristë do të mund të kërkohen edhe përmes Interpol-it dhe lëvizja e tyre do të kufizohej jashtëzakonisht shumë.
Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë që Serbia të paguajë një çmim të shtrenjtë për mosakomodimin e kërkesave legjitime të drejtësisë.
Pse mendoni që nuk janë përfshirë këto dëshmi që ju i përmendët në aktakuzë?
Xhelal Sveçla: Unë besoj se kjo është pyetje për Prokurorinë Speciale. Unë, duke qenë se i kam parë dëshmitë, jam i bindur... por edhe profesionistë të fushave juridike e të sigurisë e ngrenë të njëjtën çështje: pse me këtë aktakuzë, në njëfarë mënyre apo tjetër, anashkalohet përgjegjësia e individëve dhe institucioneve të Serbisë në këtë sulm terrorist?!
“Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar”
A mendoni se bashkësia ndërkombëtare po i bën mjaftueshëm thirrje Serbisë për ekstradimin e të pandehurve?
Xhelal Sveçla: Jo, nuk shoh ndonjë presion të veçantë. Thirrje ka, por përderisa këto thirrje mbesin deklarative, ato nuk do të përmbushen nga Vuçiqi. Mendoj se Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar, ta ndiejnë personalisht presionin ndërkombëtar, në mënyrë që ata t’i nënshtrohen kësaj kërkese legale.
Megjithatë, unë jam pak skeptik, sepse jam i bindur se ky sulm ka ndodhur nën tutelën e Vuçiqit, që të mos them nën organizimin e drejtpërdrejtë të tij.
BE-ja e mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën
DASH lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor
Që nga sulmi në Banjskë, policia e Kosovës ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës, por ajo që dëgjojmë janë ankesat e pjesëtarëve të komunitetit serb për, siç thonë ata, diskriminim. Nga disa anketa që kemi zhvilluar ne në atë zonë të Kosovës, kemi kuptuar po ashtu se besimi i tyre në policinë e Kosovës mungon. A e keni diskutuar këtë çështje brenda institucionit tuaj dhe a jeni duke bërë diçka për ta ndryshuar këtë situatë?
Xhelal Sveçla: Patjetër se një situatë, ku siguria është e brishtë, nuk është e dëshirueshme për asnjë qytetar. Megjithatë, shumica e qytetarëve, me të cilët ne bashkëbisedojmë, e pranojnë faktin se ndihen shumë më të sigurt tash, kur ka rend dhe ligj, sesa në kohën kur në atë zonë mbretëronin bandat.
Në asnjë shoqëri, në asnjë vend nuk besoj se qytetarët e zakonshëm do të dëshironin të jetonin nën shtypjen e bandave të ndryshme, të cilat qëllim primar dhe të vetëm kanë interesat e tyre, qoftë personale, qoftë klanore.
Tash, për sa i takon besueshmërisë në polici, shifrat që i kemi ne - në raport apo në krahasim me bashkëveprimin me policinë e Kosovës përpara dorëheqjes së ish-policëve - flasin ndryshe. Paraqitjet e rasteve të veprave të ndryshme kriminale nga qytetarët serbë atje, drejtuar policisë së Kosovës për asistencë dhe për të siguruar drejtësi e barazi, janë shumë më të larta sesa më herët.
Unë besoj se ka ende hapësirë për të biseduar me qytetarët atje, qoftë kabineti im, qoftë policia, qoftë ministritë tjera apo edhe organizatat tjera, vendore e ndërkombëtare. Po punojmë në këtë drejtim.
Pengesë në vazhdimësi është Serbia dhe elementet e saj në atë zonë, të cilat i kërcënojnë qytetarët që bashkëveprojnë dhe punojnë me institucionet e Republikës së Kosovës. Do të thotë, në njërën anë, eksponentë të Serbisë ankohen sesi qytetarët atje nuk i marrin shërbimet e nevojshme, e, në anën tjetër, i kërcënojnë ata qytetarë që ndërveprojnë me institucionet e Kosovës.
Kjo po zbutet tashmë. Dora e zgjatur e Serbisë është duke u dobësuar. Një pjesë e kriminelëve janë në burg, një pjesë janë në arrati.
Patjetër, duhet ende angazhim e ndoshta duhet ende kohë që të ketë një besim të ndërsjellë mes qytetarëve dhe policisë sa i takon përditshmërisë, sigurisë, paraqitjes së rasteve të shkeljeve të ndryshme.
Megjithatë, ka pjesëtarë të komunitetit serb që besojnë se Qeveria e Kosovës po përdor policinë për t’i integruar “me dhunë”... Për këtë ka tërhequr vërejtjen edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, duke thënë se “policia po instrumentalizohet” për hir të veprimeve të pakoordinuara. Cili është komenti juaj?
Xhelal Sveçla: Unë besoj se duhet t’i integrojmë të gjithë pjesëtarët e shoqërisë në Kosovë, pavarësisht se cilit grupacion i takojnë apo cilës etni i takojnë. Por, po ashtu, duhet t’i minimizojmë ndikimet negative apo presionin që qytetarët kanë nga ata që janë kundër integrimit.
Nuk mund të kesh integrim të qytetarëve kur ata ndihen të kërcënuar nga tjetërkush.
Ne kemi punuar shumë që sa më shumë të rinj e të reja nga komuniteti serb të inkuadrohen në radhët e policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, jo vetëm ne, por edhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë e jashtë kanë shumë dëshmi të presionit të jashtëzakonshëm kriminal të Serbisë, drejtuar këtyre individëve, për të parandaluar dhe për të pamundësuar hyrjen e tyre në polici. Kjo është e dëmshme, por tashmë, deri diku, edhe e pasuksesshme, sepse radhët e serbëve në policinë e Kosovës po shtohen çdo ditë. Megjithatë, do të duhet kohë që numri i tyre të jetë në kapacitetet e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, ne, me çdo mjet, me çdo kusht, mundohemi të parandalojmë çfarëdo keqpërdorimi të autoritetit të policit.
Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje. Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës. Ne bashkëpunojmë ngushtë edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, që bëjnë një lloj monitorimi të situatës atje, por edhe të sjelljes së policëve tanë.
Dhe, po, e di që ka ankesa, por një pjesë e madhe e tyre janë propagandë e nxitur nga Beogradi.
Si i komentoni thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës? Konkretisht, a do t’i pranoni policët e dorëhequr?
Xhelal Sveçla: Ajo është histori e shkuar. Absolutisht, kjo nuk mund të ndodhë, as nuk do të ndodhë. Sipas ligjeve të Kosovës, në qoftë se dikush jap dorëheqje nga policia, pavarësisht se kush është ai, ekzistojnë procedurat e duhura për ta pranuar atë dorëheqje.
Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve të komunitetit serb. Shumë shpejt do ta përmbyllim këtë proces, ku komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Policinë e Kosovës mjaftueshëm përtej numrave minimalë që i parashohin Kushtetuta dhe ligjet tona.
E nëse hapni konkurs për rekrutime të reja, a do të mund të kandidojnë ata që kanë dhënë dorëheqje?
Xhelal Sveçla: Po, me kusht që janë nën 30 vjeç dhe nuk kanë të kaluar kriminale.
Sipas ligjeve të Kosovës, çdo i ri apo e re, shtetas i Republikës së Kosovës, mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës nëse është nën moshën 30-vjeçare dhe nëse i plotëson kushtet tjera të parapara, si aftësia fizike, aftësia psikologjike, edukimi i duhur, verifikimi i pastërtisë dhe i së kaluarës kriminale. Kur këto plotësohen, atëherë është e mundshme që dikush të pranohet në Policinë e Kosovës.
“Të gjitha institucionet ilegale do të mbyllen”
Në fund të muajit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione paralele serbe në veri. A planifikohet mbyllja e tyre në të gjithë Kosovën?
Xhelal Sveçla: Absolutisht është e papranueshme që në Republikën e Kosovës, në territorin e saj të ketë veprimtari që janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Një praktikë e tillë është toleruar tashmë jashtëzakonisht gjatë. Të gjitha institucionet ilegale që operojnë në Kosovë, në një kohë apo tjetër, do ta kenë fatin e njëjtë, sikur ato që tashmë janë mbyllur. Është çështje e përgatitjeve operacionale të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kolegu juaj, ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka thënë se mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore është çështje kohe. A ka ndonjë plan të afërt në këtë drejtim?
Xhelal Sveçla: Sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb në këto dy sfera, përmes qeverisjeve komunale, ka një autonomi më të gjerë. Do të thotë, shëndetësia dhe arsimi kanë disa të drejta shtesë, disa privilegje, të cilat ne nuk jemi të interesuar që t’i prekim, sepse janë edhe në ligj.
Andaj, në këto fusha do të jemi më të kujdesshëm, në kuptimin e përcaktimit të saktë të veprimtarisë së tyre brendapërbrenda ligjeve të Kosovës.
Më herët, unë po flisja për komuna paralele, për shërbime, që nuk parashihet të ofrohen nga askush tjetër, përveç institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.
Domethënë, spitalet, shkollat nën sistemin e Serbisë do të vazhdojnë të funksionojnë?
Xhelal Sveçla: Jo, nuk po them nën sistemin e Serbisë. Po them që këto dy shërbime apo këto dy fusha kanë situatë specifike dhe do të trajtohen në mënyrë specifike, ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera, të cilat janë tashmë në proces.
Tash për tash, a mund të ndani ndonjë detaj se si do të operojnë, si do të koordinohet puna e tyre?
Xhelal Sveçla: Të gjitha këto gjëra janë të parapara me ligj. Krejt çfarë do të bëjmë, është të kërkojmë që ligjet e Kosovës të zbatohen me përpikëri.
Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor, i cili punon në këto komuna. Unë besoj se krejt çfarë nevojitet, është një koordinim i shtuar mes të dyja palëve, në mënyrë që çdo gjë të futet në bazën e ligjshmërisë. E njëjta gjë do të duhej të ishte edhe me sistemin arsimor.
“Nuk ka rrezik” nga hapja e urës
REL: Aktuale vazhdon të mbetet edhe çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e makinave. A ka ndonjë plan konkret për këtë?
Xhelal Sveçla: Nuk ka asnjë arsye konkrete që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave. Për këtë jemi në dakordancë të plotë edhe me aleatët tanë. E vetmja dilemë është aspekti i sigurisë, domethënë vlerësimi i impaktit të sigurisë në procesin e hapjes së urës.
Mund t'ju them se unë kam një vlerësim bazuar në vlerësimet e institucioneve tona të sigurisë, që është pak më ndryshe se i faktorit ndërkombëtar, sa i takon impaktit të sigurisë në Kosovë.
Për ne, çështja është e kryer, sa i përket asaj se a duhet a nuk duhet të hapet ura. Po bisedojmë. Jemi duke biseduar me të gjithë aktorët legjitimë, që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme.
Ura e Ibrit: Si dhe kur mund të hapet?
Xhelal Sveçla: Absolutisht. Unë do të isha kundër hapjes së urës, në qoftë se ne nuk mund ta garantojmë sigurinë e të gjithëve.
Por, unë jam i bindur se institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë mjaftueshëm të pjekura, të fuqishme, të përgatitura e profesionale... Edhe ndihma e misioneve ndërkombëtare, siç janë EULEX-i dhe KFOR-i, garanton që hapja e urës është një hap më se normal, asgjë e jashtëzakonshme apo e rrezikshme. Me këtë, ne nuk rrezikojmë, por patjetër që i mbrojmë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.
REL: Megjithatë, ambasadori amerikan ka paralajmëruar se mund të vihet në rrezik jeta e ushtarëve të KFOR-it...
Xhelal Sveçla: Kjo është një brengë që ai e ka shfaqur publikisht. Ne nuk jemi të interesuar të rrezikojmë as jetën e qytetarëve, as të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, as të pjesëtarëve të EULEX-it, as të pjesëtarëve të KFOR-it e aq më pak të KFOR-it amerikan.
Besojmë se me qasje të duhur dhe me përgatitje të duhur, parandalohet çfarëdo rreziku për të gjithë, përfshirë edhe ushtarët e KFOR-it amerikan, për të cilët kemi një vlerësim të jashtëzakonshëm, qoftë për atë çfarë kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e vazhdueshëm që japin në siguri dhe në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.