Në një intervistë për “Bota sot,” diplomati Sylë Ukshini diskuton aktualitetin, veçanërisht rreth hapjes së urës dhe turbulencave që e shoqëruan atë. Ai thekson se kjo ishte një ide e mirë që duhej realizuar, madje sugjeron një afat kohor për hapjen e saj. Sipas tij, nëse ura nuk hapet deri vitin tjetër, atëherë kjo do të nënkuptonte se çështja është pjesë e Marrëveshjes së Helsinkut (qershor 1999) ose se shërben për ndarjen e qytetit në dy pjesë.
Më tej, Ukshini shprehet se çështjet e tilla mund të përdoren ose keqpërdoren. Ai kritikon akuzat e opozitës se kryeministri Kurti po e përdor veriun për vota, duke theksuar se opozita ka shumë mundësi për ta sfiduar qeverinë në fusha të tjera si arsimi, shëndetësia dhe tregtia.
Sa i përket stagnimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Ukshini nënvizon se Beogradi nuk është i interesuar për serbët e Kosovës, por i ka përdorur ata për qëllime politike. Ai e cilëson vetëviktimizimin serb si një pjesë të strategjisë për legjitimimin e politikës hegjemoniste.
Në lidhje me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, diplomati thotë se ato kanë avancuar me vështirësi, duke e parë këtë si një situatë që shkon në favor të Beogradit. Ai gjithashtu përmend se mosnjohja e Kosovës ka të bëjë me zhvillimet e brendshme, përfshirë situatën në veri dhe dialogun e Brukselit, të cilat e kanë eklipsuar çështjen e njohjeve.
Intervsita e plotë:
“Bota sot”: Si i keni parë deklaratat për insistimin e qeverisë për hapjen e urës, pastaj qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe së fundmi zbrapsjen e qeverisë për urën?
Ukshini: Mendoj se ngritja e kësaj çështje ishte e drejtë dhe duhej të insistohej në një afat kohor, nëse ndërkombëtaret nuk ishin dakord. Qeveria e Kosovës e nisi këtë çështje, por tani ka një heshtje dhe askush nuk e di, u arritur ndonjë marrëveshje apo thjeshtë u pezullua pa afat. Unë mendoj se është mirë që çështjet dhe nismat të mos lihen në gjysmë sepse edhe na dëmtojnë dhe herëve të tjera na marrin jo shumë seriozisht.
Për mua nuk ka qenë arsyetim i qëndrueshëm për gjoja rrezikun e madh, sepse si ka mundësi te ura mbi Ibër, të cilën në të kaluarën banorët e quanin Ujë bardhë, të jetë aq e rrezikshme, ndërkaq në fshatin kosovar të Banjskës, apo Jarinjë dhe në Bërnjak të jetë situatë normal. Unë nuk jam aq naiv për me besua në këto gjëra që nuk janë serioze. Sepse ndërkombëtarët, UNMIK, KFOR, EULEX për 25 vjet gjoja nuk arritën të paqësonin veriun nga disa dhjetëra kriminelë, kjo më duket pak e besueshme. E kam thënë dhe po e përsëris, nëse ura nuk hapet edhe në vitin e ardhshëm, atëherë ajo është pjesë e Marrëveshjes së Helsinkut (qershor 1999) ose i shërben konceptit të ndarjes së qytetit në dy pjesë. Mendoj se fillimisht ka qenë e gabuar ideja e ndarjes së qytetit në dy pjesë. Një çështje tjetër që më është dukur absurde, është takimi i KFOR-it me Listën Serbe për të marrë mendim për urën e Ujëbardhit. Ky formacion nuk do të duhej të takohej për aq kohë që nuk është distancuar nga dhuna dhe agresioni serb në Banjskë, e ku ishte i përfshirë edhe njeriu i saj kryesor, Radojciq, një njeri me të kaluar kriminale dhe i shpallur në listë e zezë nga SHBA. Kjo vlen edhe për KQZ, ajo nuk duhet t’i ndajë mjete financiare, taksat tona, një formacioni politike, që është zgjatje e Serbisë brenda Kosovës, dhe për aq kohë sa nuk distancohet nga aktivitetet terroriste dhe agresioni ushtarak i shtatorit të kaluar, ku mbeti i vrarë një policë i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Bota sot”: A mendoni se Kurti po përdor veriun për vota, siç po thonë nga opozita?
Ukshini: Tash gjithnjë e më shumë po i afrohemi datës së zgjedhjeve dhe do të jetë vështirë të përcaktohet se çfarë do përdoret dhe çfarë jo ose thënë më saktë çfarë do të keqpërdoret. Unë mendoj se është rëndësishme është që Kosova të ketë sukses dhe që në fund të mbrohet interesi shtetëror si dhe integriteti territorial, pa marrë parasysh meritat kush i merr. Unë mendoj se opozita ka shumë hapësirë të pashfrytëzuar ku mund ta sfidojë qeverinë, duke filluar nga arsimi, tregtia dhe industria e shëndetësia e me radhë. Disa ministra nuk kanë treguar performancë të mjaftueshme.
“Bota sot”: Si i patë 7 kërkesat e Vuçiqit drejtuar Kosovës?
Ukshini: Në radhë të parë duhet ta qartësojmë se që nga viti 1989 burimi problemeve në rajon ka qenë Serbia, e cila ka provuar që me forcë ta jetësojë idenë e Serbisë së Madhe, e cila afishuar edhe në Memorandumin e Akademisë Serbe (1986). Nëse e përdorim analogjinë e ternit, 24 vjet pasi Milosheviqi u largua nga lokomotiva dhe u dërgua në Hagë, treni serb ende vazhdon të ecën mbi po ata shina edhe pa Milosheviqin e larguar. Treni i Serbisë së madhe nuk është ndalur. Elita aktuale serbe në Beograd akoma beson dhe punon se projekti i Serbisë së madhe është punë e pambaruara dhe angazhohen për ta realizuar, përmes bashkimit të Republikës Serbe dhe copëtimit të Kosovës. Ajo që ka ndryshuar është se politikanët serbë nuk flasim për Serbinë e Madhe, por “botën serbe”.
Problemi është se lidershipi aktual, që ishte në shërbim të kësaj ideje gjatë kohës së regjimit të Milosheviqit, po provon ta vazhdojë këtë ide vetëm se me instrumente të tjera. Për më tepër, së fundi Beogradi jo vetëm se ka glorifikues krimet e këtij regjimi, por i mëshon idesë së rikthimit ushtarak në Kosovë. Nuk është e rastit, lidershpi aktual serb po provon ta testojë vendosmërinë e Perëndimit dhe të NATO-s. Në këtë plan duhet parë edhe agresionin ushtarak serb në fshatin kosovar të Banjskë. Dhe në momentin kur Prokuroria Speciale e Kosovës bëri publike aktakuzën kundër grupit terrorist të Radojçiqit në Beograd kishte panik pasi u kuptua se personat e kapur nga Policia e Kosovës e kanë dekonspiruar planin serb, lidhjet mes këtij grupit dhe shtetit serb.
Ato shtatë kushtet e Presidentit Serb kishin për qëllim të zhvendosin vëmendjen dhe të eklipsojnë aktakuzën kundër personave të përfshirë në aktin agresiv kundër Kosovës.
Por ndaj gënjeshtarve halucinacioniste të kreut serb në Beograd do të duhej të reagonin edhe organizatat e huaj në Kosovë, si dhe vendet e QUINT-it, të cilat deri në përulje e kishin lutur kreut serb që të mos pengonte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet për kryetar të 4 komunave serbe.
Po ashtu, do të duhej të reagohej se në Kosovë nuk ka të burgosur politik. Në Kosovë ka akoma dhimbje të madhe për fatin e personave të kidnapuar dhe të ekzekutuar në mënyrë të fshehtë nga rigjykimi pjesë e të cilit ishte edhe Vuciqi dhe kur fëmijët, gratë, pleq dhe të rinjë shqiptarë ekzekutoheshin dhe dëboheshin si hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore.
“Bota sot”: Si e shikoni mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Ukshini: Dialogu i Brukselit, pas 13 viteve, është rikthyer te Ura në Ujëbardhë dhe Kosovën po e trajton si çështje trafiku. Krejt ky dialog si lajtmotiv ka Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës. Është e vërtetë që edhe Plani i Ahtisaarit e parasheh një asociacion, por kjo ofertë ishte bërë me detyrimin që Serbia dhe serbët të njohin Republikën e Kosovës dhe që Kosova të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Kërkesat tash nuk mund të jenë vetëm në njërin krah. I duan të gjitha ato që janë të mira në Planin e Ahtisaarit për ne, por kur vjen puna e lojalitetit dhe respektimit të Republikës së Kosovës, atëherë të deklaroheshin “Kosova është Serbi”. Këto dy gjëra nuk shkojnë.
Të gjithë duhet ta kenë të qartë, Beogradi nuk është i interesuar për serbët e Kosovës, sepse ata gjithmonë i ka përdor për qëllime politike, por për ta minuar shtetin e Kosovës dhe në këtë pikë edhe Asociacioni shihet si zgjatje e Serbisë brenda Kosovës.
Unë mendoj kjo temë duhet të shtrohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe të njohjes së Kosovës nga 5 vendeve e BE-së si dhe të pranimit të Kosovës në NATO. Të kërkosh koncesione të pafundshme në një Kosovë jashtë OKB-së, jashtë BE-së, jashtë NATO-s, jashtë OSBE-së, jashtë KiE, është një thirrje për ta bërë Kosovë një shtet jofunksional. Ne nuk duhet me qenë naiv. Boshnjakët paguan çmim të lartë me “Republikën Serbe”, të krijuar në mënyrë gjenocidale, por tash pikërisht kjo krijesë shpërfaq kërkesa irracionale dhe të shfrenuara.
Paramendone sikur 25 vjet pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani të kishim president një ministër të Hitlerit dhe ai t’u vinte kushte Polonisë, e cila ishte viktimë e regjimit nazist. Por, atje kishim një kancelar Ëilly Brandt, një luftëtar të madh kundër regjimit të Hitlerit, i cili me 1970 u gjunjëzua para memorialit të viktimave të kryengritjes në geton e Varshavës. Imazhet e Kancelares Federale të gjunjëzuar në sheshin e heronjve të getos, gjermanit që përkulet para viktimave të gjermanëve, përmbajnë një dramë që është e rrallë në politikë. Nuk është rastësi që ishte Ëilly Brandt ai që zgjodhi këtë gjest nxitës të ndjeshmërisë. “Në greminë të historisë dhe nën barrën e miliona të vrarëve, bëra atë që njerëzit bëjnë kur gjuha dështon," tha Ëilly Brandt.
E nëse ju keni varrezat masive në Batajnicë dhe për 25 vjet asnjë lider serb nuk e bënë një gjest ndjeshmërie dhe respekti, por ngrini zëri për ta mohuar masakrën e Reçakut, ngrini zërin për ta mohuar Izbicën, ngrini zëri për ta mohuar depërtimin e afro një milion shqiptarë, atëherë tregon se shoqëria serbe, elita politike e mbetur e kontaminuar me ideologji naziste. Kështu as nuk arrihet normalizimi dhe as nuk mund të ketë sukses procesi i Brukselit.
Serbia ka punuar pareshtura për të mohuar krimet e kryera nga formacionet shtetërore serbe, duke zmadhuar në të njëjtën kohë vuajtjet e serbëve në rajon. Ajo provon të thotë se nga të gjitha anët kishte viktima dhe kriminelë. Në këtë funksion e shoh edhe intencën e krijimit dhe misionin e Gjykatës Speciale në Hagë, për të krijuar një lloj simetrizimi mes krimit shtetëror serb dhe krimeve individuale si pasojë e luftës. Prandaj, nuk janë të rastit edhe dsia ngjarje, si vrasja e bujqve serbë në fshatin Graçkë, që është vështirë të kuptohet se kishte për qëllim të dëmtonte imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Pra, ky vetëviktimizim serb është pjesë e strategjisë për ta legjitimuar politikën hegjemoniste. Dhe kjo tregon se Vuçiq, ngjashëm si Millosheviq, duket se po harron që Evropa nuk jeton më në vitin 1937, por se ka arritur në vitin 2024 dhe bazohet në vlera krejtësisht të tjera. Prandaj, Vuçiçi dhe serbët tjerë si ai duhet të mësohen të jetojnë në një Serbi normale dhe të mos e kërkojnë lumturinë e tyre jashtë kufijve të saj, sepse, siç pati paralajmëruar Ibrahim Rugova më 1989 “...edhe serbët janë një popull i vogël. Dhe në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luaj rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e vet.”
“Bota sot”: Si i shihni ju aktualisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Ukshini: Marrëdhëniet mes Kosovë dhe Shqipërisë kanë ecur viteve me vështirësi. Ka pasur shumë përplasje dhe polemika, të cilat shpeshherë kanë dalë edhe në publik. Kjo situatë i dëmton të dyja palët dhe krijon një pozicion të favorshëm për Beogradin.
Në Shqipëri, në e bëjnë me qëllim të keq, por shpeshherë nuk arrijnë ta lexojnë saktë politikën serbe dhe ekzaltohen sa u thotë ndonjë serb apo ndërkombëtar: “ju jeni më ndryshe se kosovarët”. Historikisht, Beogradi ka provuar ta anashkaloj Kosovën dhe të flas me Tiranën, duke dashur të thoshte se nuk ekzistonte dikur çështja e Kosovës dhe tani shteti i Kosovës.
Deshi apo nuk deshi dikush ta pranoj, Tirana dhe Beogradi nuk mund të kenë marrëdhënie normale për aq kohë sa Beogradi e sheh shtetin e Kosovë si pengesë e projektit të Serbisë së Madhe. Dhe normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe nuk kalon përmes Tiranës, por vetëm dhe vetëm përmes Prishtinës.
E keqja mendoj se është që disa probleme nuk duhet të jetë për konsum publik, sepse mospajtime ka pasur në të gjitha fazat e procesit të shtetndërtimit, por zakonisht pa pasur një kujdes të veçantë që këto mospajtime të mos bëhen pjesë e diskursit politik.
Shqipëria, kjo që është, edhe ajo që ka qenë e varfër, edhe ajo e diktaturës, megjithatë ka shërbyer si shtrat i natyrshëm i lëvizjes dhe rezistencës për bërjen e shtetit të Kosovës. Ndërsa humanizmi që treguar shqiptarët e varfër me 1998/1999 ishte një humanizëm unikale, ishte një vepër që duhet të transmetohet ndër breza.
Brenda mundësie, Shqipëria gjithmonë është përpjekur të bëjë më të mirën, kjo vërtetohet edhe në aktet diplomatike ndërkombëtare, por fuqia e saj ka qenë e limituar dhe kur ne kemi qenë në nevojë jemi keqkuptuar.
Në vend të përplasjeve, mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë një askion të përbashkët diplomatik për ta denoncuar politikën e spastrimit etnik (përmes të ashtuquajturit procesi i pasivizimit të adresave) që po bënë Serbia në krahinën shqiptare të Luginës së Preshevës, Kosova dhe Shqipëria duhet të flasin me një zë dhe asnjëherë nuk duhet të bien në grackën e “konstruktivitetit” të shpifur të Beogradit.
“Bota sot”: Sipas jush cili është shkaku, pse Kosova nuk ka pasur asnjë njohje këto vitet e fundit?
Ukshini: Koha po tregon se bashkimi i Ministrisë së Diasporës me MPJ nuk ka dhënë rezultatet e pritura dhe mendoj se në mandatin e ardhshëm qeveritar mendoj se duhej rishikuar si organizim, ashtu edhe çështjen e rikthimit të Agjencioni për Diasporë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, sepse mbetja e komponentë së diasporës brenda strukturës së Ministrisë së Jashtme mendoj se është barrë dhe shkakton humbje e fokusit. Të njëjtën e kanë ndjekur edhe vende të tjera. Mendoj se diplomacia dhe diaspora duhet të ndahen. Problemet e tyre më shumë kanë të bëjnë me Ministrinë e Brendshme, të Arsimit, të Kulturës dhe të Tregtisë dhe Industrisë. Pra, duhet të ketë një Agjencion që në një sportel i adreson të gjitha këto shqetësime në kohën e duhur dhe pa burokraci.
Përveç kësaj, mendoj se duhet të kemi një Ligj të mirë e të veçantë për Shërbimin Diplomatik, sipas shembullit të FSK-së, që krijon mundësi për vendosjen e një rregulli në procesin e avancimit, gradimit dhe angazhimit të diplomatëve me përvojë.
Jemi vend i ri dhe akoma kemi nevojë për afrimin e kuadrove dhe diplomatëve me ekspertizë, jo të atyre që partinë politike i përdorin si levë të vetme për avancim në detyra dhe gradime.
Mendoj se mungesa e njohjeve vjen edhe për shkak të zhvillimeve të brendshme me të cilat është përballur Kosova, në rend të parë situata në veri të vendit, si dhe dialogu i Brukselit e kanë eklipsuar çështjen e njohjeve. Në këtë mes hyjnë edhe përplaset tona të brendshme institucionale, pastaj për KiE ishte kërkesa e partnerëve tanë që anëtarësimi lidhej me fillimin me dërgimin e draftit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
Duhet të ketë një dokument të azhurnuar për lobim, në të cilin duhet të jenë të evidentuar qartë faktorët kryesorë që vështirësojnë apo e ngadalësojnë procesin e njohjes, të jetë një analizë për pozitën aktuale të Kosovës në politikën ndërkombëtare, kur përfshihen edhe rekomandimet deh hapat që duhet ndjekur në çdo fazë të lobimit. Por, gjithashtu, kjo kërkon që në vend të qasjes konkurruese dhe për promovim personal, të ketë një koordinim në të gjitha nivelet institucionale të vendit, ku do të përfshiheshin edhe deputetë të partive të pozitës dhe opozitë, ekspertë të shoqërisë civile dhe personalitete nga fusha e shkencës, artit, sportit dhe e kulturës me qëllim që Republika e Kosovës të ketë sa më shumë njohje dhe sa më parë të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar.