Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka folur në një intervistë për gazetën “SOT”, teksa ofron një analizë të thellë mbi situatën politike dhe atë aktuale të reformës në drejtësi në Shqipëri, duke theksuar se askush nuk ka fuqi ta prekë atë, përndryshe do të shkelte Kushtetutën. Ai zbulon se pas largimit të kryeministrit Edi Rama nga ideja e krijimit të shtetit të bektashinjve fshihen interesa të thella politike. Ngjela gjithashtu flet për dënimin e deputetit Ervin Salianjit, duke sugjeruar se ka lojëra prapa skenave që lidhen me SPAK-un dhe rolin e tij në proceset gjyqësore. Në këtë kontekst, zoti Ngjela parashikon se kush do të jetë personi tjetër që mund të arrestohet, duke nxjerrë në pah tensionet brenda strukturave të pushtetit.
-Avokat, si e konsideroni vendimin e Gjykatës së Apelit për caktimin e masës së sigurisë me1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji, pasi akuzohet për kallëzim të rremë ndaj dosjes “Babalja”, për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit të vëllait të ish ministrit t Brendshëm Fatmir Xhafaj.
La në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe krijoi vazhdimësi duke e pranuar akuzën ashtu siç ishte argumentuar në vendimin e Shkallës së Parë dhe la në fuqi vendimin. Përsa i përket çështjes, ne e njohim si çështje dhe e dimë konfliktin e çështjes “Babale”, me audio-përgjimet. Ato e konsideruan si çështje të vërtetuar me prova dhe lanë vendimin e Shkallës së Parë, me një vit burg.
– Edi Rama tërhiqet nga vendimi për krijimin e shtetit bektashi, a shihet ky si një presion nga ndërkombëtarët?
Unë e kam goditur i pari pasi është diçka që nuk e lejon Kushtetuta. Nuk ka rëndësi fare nga ndërkombëtarët, por nuk e lejon Kushtetuta që në nenin 1 të saj. Neni 1 i Kushtetutës nuk e lejon se nuk pranohet prekja e territorit të një shteti, duke krijuar një tjetër strukturë shtetërore të një shteti tjetër është non sens pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë në botë pasi nuk e lejon struktura juridike e shtetit që ekziston. Ndryshe është nëse ky shtet pushtohet nga një tjetër. Nëse një shtet, pushtohet nga një tjetër, nuk është e njëjta situatë por Rama siç duket e pa konstiutucionalisht ose në bazë të Kushtetutës ose të frymës së Kushtetutës demokratike që ekziston në botën demokratike apo në Perëndim, u tërhoq. Nuk mund ta bënte dot.
Neni 1 i Kushtetutës së Shqipërisë
1. Shqipëria është Republikë parlamentare. 2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm. 3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.
-A i kanë bërë ndërkombëtarët presion qeverisë Rama që të mos preket reforma në drejtësi nga komisioni “Xhafa” duke parë dhe punën e SPAK për luftën ndaj korrupsionit?
Reformën në Drejtësi nuk ka mundësi ta prekë askush, pasi është shkelje e Kushtetutës. Çdo politikë merr masat për të zbutur problemet të cilat ajo nuk i konsideron në favorin e saj. Por, eliminimi i kësaj reforme në drejtësi që drejtohet nga Uashingtoni që ka një SPAK që janë marrë masat dhe ka formim kushtetues, nuk ka mundësi dot që politika të ndërhyjë. As Rama nuk e bën dot këtë dhe as nuk e shoh që ta ketë marrë si një iniciativë. Në qoftëse krijon struktura të tjera paralele në lidhje me anti-korrupsionin është e drejtë e tij por në fund të fundit do të shkosh në një organ gjyqësor e çfarë do të ndodhë me ato që ka krijuar Rama? Do të krijojë prova të reja për t’ja dhënë SPAK-ut e askujt tjetër. Nga ana tjetër i çmon SPAK-u nëse janë apo jo, për t’i vlerësuar si prova.
– Si e shikoni dosjen 500 faqshe për çështjen “Partizani” për Berishën, a mendoni se SPAK do të thelloj hetimet edhe ndaj familjarëve të ish-kryeministrit për hetimin pasuror?
Nuk di çfarë të them. Para organit të hetimit nuk mund të parashikojmë dot gjë pasi provat i kanë ato. Nuk mund të fantazojmë për akuzat. Gjithçka do ta shohim në dritën e diellit kur çështja të shkoj në Gjyq. Kur të filloj procesi gjyqësor, do të shikojmë të gjitha akuzat se sa janë të vërteta e sa janë akuza, pasi gjithkush ka të drejtë të mbrohet. Mbi provat që do të shikojmë në proceset gjyqësore, mund të flasim për të tjera detaje.
-Kur shikoni 500 faqësh akt-akuzë, mendoni se politikanët si Ilir Meta dhe Edi Rama janë të trembur me çfarë po ndodh tashmë me ish-kryeministrin Sali Berisha?
Janë të trembur ose jo pyesni ata, ku ta di unë. Problemi qëndron se nëse korrupsioni do të shkojë dhe SPAK-u do ta marrë seriozisht për të shpëtuar Shqipërinë, duke u nisur dhe nga fakti se SPAK-u nuk drejtohet nga ne, por nga Uashingtoni, mendoj se do ta çojnë deri në fund. Por nuk mund të flasim paraprakisht pasi nuk kemi prova. Deri tani është arrestuar Saliu për korrupsion. Ju thash që duhet të shikoj provat që do të dalin në Gjykatë. Ai prezumohet i pafajshëm, mund të marr dhe pafajësinë, por nuk mund të flasim paraprakisht.
-Nëse shikojmë tashmë se Sali Berisha ka nxjerrë listën e drejtues të qarqeve në çdo vend e gjithashtu edhe Rama. Në anën tjetër, shikojmë se flitet për një pol të tretë, copëza partish të opozitës, sa e mundur është që të bëhen bashkë. Sa e mundshme është krijimi i saj apo dhënia e një oferte të re politike në opinionin publik?
Mundësi ka, por kur ta japin do e shohim se sa vlen. Mundësinë nuk ia heq dorën dot askujt, ato janë grupime politike që në nuk ua dimë programin e kur të dalin me vizionin e tyre politik për zhvillimin kombëtar, atëherë do të kemi rast ta komentojmë, studiojmë e analizojmë, mund të themi në kanë vlera apo nuk kanë vlera, sipas opinionit tim.
-Duket sikur zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit apo koordinator të korrupsionit, kanë ardhur dhe kanë bërë shpesh takime me Altin Dumanin, duke përjashtuar politikën shqiptare. A është ky një mesazh që po i japin SHBA për shoqërinë shqiptare e gjithashtu dhe për klasën e vjetër politike?
Ne kemi vetëm një provë, atë që ka thënë Blinken, Sekretari i Shtetit, se ne do ta shpëtojmë Shqipërinë nga korrupsioni. Këtë duhet ta besojmë sepse SPAK-un ato e drejton Uashingtoni, ekspertët që vijnë nga jashtë. Nëse do të vijoj lufta Antikorrupsion, do të shpëtojnë një Shqipëri dhe shqiptarët nga një gjëmë e madhe.