Në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, Gjeneral major Muhamet Racaj ka folur për gjendjen e sigurisë së Kosovës. Ai ka thënë se aktualisht gjendja e sigurisë është stabile, pasi është ngritur gatishmëria e të gjitha subjekteve të sigurisë në Kosovë dhe EULEX-it, NATO-së e KFOR-it.
Mirëpo ai thotë se, Serbia nuk do dialog, ajo bën agresion politik dhe diplomatik kundër Republikës së Kosovës në mbarë botën me mbështetje të Rusisë dhe të Kinës. Ai thotë po ashtu se, rreziku i shfaqur në formë të kërcënimit, kanosjes dhe cenimit nga Serbia do të vazhdojnë me metodat e luftës hibride duke i përdorur pjesëtarët e pakicës serbe veçanërisht ata të komunave në veri të Kosovës, mund të ketë edhe akte terroriste ne brendësi të territorit të Republikës së Kosovës.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Ju keni një karrierë të gjatë në fushën e ushtrisë dhe mbani titullin gjeneralmajor. Fillimisht, pse zgjodhët këtë drejtim dhe pse ju u përkushtuat edhe karrierës akademike?
Prof.Dr. Muhamet Racaj: Kam lindur me 1 gusht 1961 në fshatin Siqevë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kam mbaruar në fshatin Ujmir. Zgjedhja e karrierës ushtarake ndodhi kur isha 15 vjeç në vitin 1976 dhe në atë kohë nuk e dija nëse ishte vendimi i duhur. Në atë moshë, nën uniformë ndoqa shkollën e mesme ushtarake të forcave tokësore në Sarajevë, më vonë akademinë ushtarake të forcës tokësore në Beograd, vazhdova me studimet postdiplomike në akademinë e Komandimit dhe të shtabeve në Shkup dhe akademinë e luftës në Stamboll të Turqisë. Paralelisht magjistrova në institutin për Mbrojtje, siguri dhe studimet e paqes pranë fakultetit filozofik në Universitetin Sh.Kirili dhe Metodi në Shkup dhe doktorova në Fakultetin e Sigurisë në Idrizov të Shkupi pranë Universitetit Sh.Klimenti i Ohrit në Manastir në fushën e sigurisë. Shërbeva në detyra të ndryshme në Forcat e Armatosura kryesisht ne Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në gradën e lartë gjeneral major dhe zëvendës kryeshefi i shtatmadhorisë së ARMV. Periudhën 43-vjecare nën uniformë.
Largimi ishte një procedurë normale për një ushtarak, ndërsa përkushtimi në fushën akademike ishte vazhdim i asaj kurrikule të nisur që kur isha në uniformë. Nuk e ndjej aspak si mbyllja e një cikli dhe hapja e një tjetri, por thjesht vazhdimësi. Profili aktual në: Fushën e Sigurisë, mbrojtjes dhe kriminalistikës më tërheqin sot që jam lektor, po aq sa edhe kur isha ushtarak. Qartas sot siguria sa është mbrojtje po aq është edhe siguri ekonomike, energjetike, ambientale, shëndetësore, fizike, politike e të tjera. Pra ndjej që ndodhem përsëri në fushën time në shumë institucione të arsimit te lart deridiplomik dhe postdiplomik ku kam ligjëruar në Akademinë ushtarake "Mihajlo Apostollski" në Shkup 19 vite, në Universitetin e Tetovës 10 vite në Universitetin e parë privat FON në Shkup 15 vite në Kolegjin "Biznesi" në Prishtinë dhe Prizren 10 vite. Të gjitha këto institucione i kam parë si një mjedis e laborator të shkëlqyer për të kontribuar.
“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Gjendja aktuale e sigurisë në Republikën e Kosovës është stabile. Sepse është ngritur gatishmëria e të gjitha subjekteve të sigurisë së Kosovës dhe e misionit te Policisë evropiane EULEX dhe është rritë gatishmëria dhe numri i misionit të NATO-së, KFOR-it.
“Bota sot”: Kosova vazhdimisht po kërcënohet nga Serbia për sulme të ndryshme. Cilat janë gjasat që në Kosovë të ketë konflikt të ri?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Agresion të armatosur me përdorimin e ushtrisë nga Serbia mendoj se nuk mund të ketë. Por do t’i intensifikojë veprimet e luftës hibride kundër institucioneve te Kosovës dhe popullatës jo serbe në veri të Kosovës.
“Bota sot”: Sa mund të ndikojnë luftërat tjera në botë, që në Ballkan të ketë një luftë të re?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Bota vërtetë po përballet me përsëritjen e dimensioneve të ngjarjeve dhe lëvizjeve të viteve të 1920-30 ta të shekullit 20, prandaj mesazhet e tilla duhet të kuptohen në thelb. Nëse sot Putini është Hitleri i ri, Kina është njëlloj BRSS-je në ngritje, Irani është Perandoria e mbetjeve fashiste teokratike, Koreja Veriore është kombinimi i të gjitha logjikave të dhunshme, ndërsa shumë shtete në Afrikë tashmë janë rikthyer nën regjime të egra ushtarake. Në këtë situatë, me përhapjen e luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, zjarri mund të përfshijë lehtësisht Ballkanin Perëndimor. Fuqitë e mëdha janë kthyer në ditët e Luftës së Ftohtë dhe udhëhiqen nga parimi “çfarë është e mirë për ta është e keqe për ne”, pra: “kush kujt”.
Bashkësia ndërkombëtare ka marrë masa parandaluese dhe është e vendosur që zona e Ballkanit Perëndimor nuk guxon të rikthehet as në Luftërat Ballkanike as në luftën e parë botërore dhe as në Luftërat Gjenocidiale të Millosheviqit. Të gjitha shtetet e Ballkanit përveç Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës janë anëtarë të NATO-së dhe janë nën ombrellën e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në botë, kurse në Republikën e Kosovës është misioni i NATO-së, KFOR mendoj se është e pamundur për momentin të ketë një luftë në Shtetet e Ballkanit edhe pse Serbia çdo ditë po armatoset dhe është kërcënim për shtetet e Ballkanit. Mund të ketë konflikte të brendshme në shtetet e Ballkanit me ndikimin e luftës hibride Serbo-Ruse.
“Bota sot”: Si duhet t’i përgjigjet Kosova kërcënimeve serbe?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Nga aspekti i sigurisë te sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të koordinohen dhe bashkëpunojnë më misionet ndërkombëtare të sigurisë EULEX dhe KFOR që veprojnë në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë masa permanente për t’i përgatitur, pajisur dhe profesionalizuar të gjitha subjektet e sigurisë të Republikës së Kosovës në veçanti policinë dhe ushtrinë dhe sa më shpejt të transformohet Forca e Sigurisë në Ushtri të Republikës së Kosovës duke i pajisur edhe me armë të rënda, helikopterë, dronë dhe sisteme raktore. Të formohet sa më shpejtë pjesa rezervë e ushtrisë së Kosovës dhe të zbatohet plani gjithëpërfshirës i mbrojtjes së Kosovës. Gjithashtu Policia e Kosovës me koordinim dhe bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in duhet ta bëjë kontrollin e të gjithë territorit të komunave në veri të Kosovës sepse supozoj se ka magazina nëntokësore të armatimit, por edhe në tunelet e minierave ku mund te ketë armë të fshehura të mbrojtjes civile.
“Bota sot”: Pse bashkësia ndërkombëtare nuk po dënon sulmet terroriste serbe?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Rasti terrorist në Banjskë më shumë ishte një test për aftësitë dhe profesionalizmin e sistemit të sigurisë të Republikës së Kosovës duke i përfshirë te gjitha subjektet shtetërore të sigurisë. Dhe këtu u dëshmua se subjektet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë të aftësuar për identifikimin dhe parandalimin e agresionit nga Serbia. Njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës treguan profesionalizëm në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Kurse në anën tjetër ishte një dobësi shumë e madhe e misionit EULEX dhe të misionit NATO-KFOR të cilët janë përgjegjës për sigurimin e kufirit me Serbinë. Dobësitë e misionit të NATO-së, KFOR u verifikuan dhe janë marrë masa për rritjen e gatishmërisë të misionit dhe sigurimin permanent të kufirit me Serbinë me rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-t në veri të Republikës së Kosovës. Mendoj se kjo është një ndër arsyet që bashkësia ndërkombëtare nuk po i dënon sulmin terrorist serbë në Banjskë, arsyeja e dytë mund të jetë politike dhe diplomatike dhe për këtë duhet të konsultoheni me analist të politikës dhe diplomacisë.
“Bota sot”: Një vit nga agresioni i Serbisë në Banjskë, si i keni parë zhvillimet pas kësaj ngjarjeje, ngecjen e dialogut, sanksionet ndaj Kosovës etj?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Serbia nuk do dialog, ajo bën agresion politik dhe diplomatik kundër Republikës së Kosovës në mbarë botën me mbështetje të Rusisë dhe të Kinës, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Qëllimi i Serbisë është aneksimi i veriut të Kosovës. Shpeshherë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e ka deklaruar se duhet kompromis dhe Serbia duhet të merr diçka.
“Bota sot”: A mund të përsëritet një "Banjska 2"?
Prof. Dr. Muhamet Racaj: Rreziku i shfaqur në formë të kërcënimit, kanosjes dhe cenimit nga Serbia do të vazhdojnë me metodat e luftës hibride duke i përdorur pjesëtarët e pakicës serbe veçanërisht ata të komunave në veri të Kosovës, mund të ketë edhe akte terroriste ne brendësi të territorit të Republikës së Kosovës. Sfidat për Republikën e Kosovës mbeten të mëdha, veçanërisht në konsolidimin e rendit në veri dhe në integrimin e komunitetit serb të veriut në institucionet shtetërore.