Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka folur për zhvillimet e fundit në vend dhe situatën politike. Ai thekson se situata politike duhet shqyrtuar në disa dimensione, megjithatë, nëse veçojmë dialogun, ajo ka mbetur pothuajse e njëjtë që nga fillimi i dialogut me Serbinë.
Pula thekson se në periudha të caktuara situata ka qenë më e rënduar, sidomos për shkak të kërcënimeve të padrejta ndaj Kosovës, siç është kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe "Zajednicës".
Duke folur për dialogun, ai gjithashtu përmend kërkesat e Vuçiqit, të cilat u mirëpritën nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një goditje për shtetin e Kosovës dhe për procesin e dialogut.
Në përfundim, Pula shpreh shqetësimin se Serbia nuk po dënohet, por përkundrazi, po stimulohet të vazhdojë me veprime që destabilizojnë si vendin ashtu edhe rajonin.
Intervista e plotë:
“Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?
Shqiprim Pula: Situata politike duhet parë në disa dimensione, por kur i referohemi dialogut, atëherë është pothuajse e njëjtë që kur Prishtinës politike i është kërkuar të hyjë në dialog me Serbinë.
Mbase duhet theksuar që në periudha të caktuara ishte më e rënduar për shkak të kërcënimeve tërësisht të padrejta ndaj nesh, e specifikisht për kërkesën mbi themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe "zajednicës".
Natyrisht, kjo temë, ka krijuar ndjeshmëri dhe rëndim të situatës politike sepse faktor të brendshëm e të jashtëm, i kanë hapur rrugë kërkesës absurde për një organizëm si "zajednica" brenda Kosovës, respektivisht brenda rregullimit shtetëror të Republikës.
“Gazeta “Bota sot”: Vendi ka qenë e përcjellë këto ditë me zhvillime të mëdha. Si i keni parë kërkesat që Vuçiq i vendosi për të vazhduar dialogun me Kosovën?
Shqiprim Pula: Ne kemi një fqinj problematik e agresiv në rajon, e veçanërisht ndaj nesh Serbia ka treguar hapur jo vetëm ndërhyrje në punët tona të brendshme por edhe pretendime territoriale, edhe përkundër procesit të dialogut, i cili, mëtonte të arrihej 'normalizim marrëdhëniesh'!.
Çuditërisht, veç një javë pa u bë përvjetori i parë nga agresioni në Banjskë të Zveçanit, presidenti serb Vuçiq, para mediave, bëri të ditura pesë (5) pika politike si adresim tek shtetet e ndryshme nëpër botë dhe shtatë (7) kërkesa për Prishtinën politike, të cilat, veç zhvillime pozitive nuk do të sjellin në të ardhmen.
Ky veprim i radhës, nga Vuçiq, sërish është goditje si për shtetin e Kosovës ashtu dhe për procesin e dialogut.
“Gazeta “Bota sot”: Duke qenë tek këto kërkesa, BE i mirëpriti këto kërkesa dhe ‘gatishmërinë’ e Serbisë. Mirëpo a kemi të bëjmë me një ‘përkëdhelje’ të vazhdueshme nga ndërkombëtarët, kur e dimë që Vuçiq nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje deri tani?
Shqiprim Pula: Në përvjetorin e parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në vend që gjithçka të jetë e qartë, dhe e thënë drejt, nga shtetet aleate si agresion i Serbisë ndaj shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, ato, duke e evituar të vërtetën sikur po e stimulojnë dhe trimërojnë Serbinë që të përsëris veprime të tilla sërish.
Më tej, Prishtina politike ka bërë përpjekje kolosale për sa i takon vendosjes së rendit publik e zbatueshmërisë ligjore, në pjesën veriore të vendit, edhe përkundër sabotimeve nga elementë ndërkombëtar të dyshimet!.