KFOR-i ka burime dhe pozicione të mira për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të adresuar çdo skenar sigurie, thotë në një intervistë për KP, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash. Vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por e brishtë, derisa shton se KFOR-i vazhdon të monitorojë me vigjilencë.
“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. KFOR-i po monitoron situatën. Është vigjilent dhe i vendosur mirë për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm relevant, në përputhje me mandatin e gjatë të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, nënvizon ai në intervistën me shkrim për agjencinë tonë.
Në përfundim të mandatit të tij, Ulutash flet edhe për hapjen e Urës së Ibrit, për çka thotë se KFOR-i mban një qëndrim transparent dhe konsistent, duke theksuar se çdo vendim duhet të merret përmes dialogut me komunitetin ndërkombëtar. Shpreh gatishmërinë e NATO-s për të ruajtur paqen.
- KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën.
“Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së. Ne vazhdimisht monitorojmë të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe rajonin... KFOR-i ka burime dhe pozicione të mira për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të adresuar çdo skenar sigurie, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.”
Në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, komandanti i KFOR-it thotë se presin që autorët të japin përgjegjësi.
“Ne i kemi dënuar sulmet e dhunshme të papranueshme në Banjskë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, thotë Ulutash.
Intervista e plotë:
Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë?
Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. KFOR-i po monitoron situatën. Është vigjilent dhe i vendosur mirë për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm relevant, në përputhje me mandatin e gjatë të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i vazhdon të veprojë si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë.
Dëshiroj të shtoj se gjatë gjithë mandatit tim si komandant i KFOR-it, kam ndjerë qartë dëshirën për paqe dhe siguri të qëndrueshme në mesin e të gjitha komuniteteve.
Pse KFOR-i është kundër hapjes së urës së Ibrit?
Në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, ura pritej të hapej në vitin 2019, ndërsa Policia e Kosovës thotë se nuk ka indikacione për rritje të tensioneve në rast të hapjes së urës së Ibrit?
Cili do të jetë pozicioni i KFOR-it nëse kërkohet nga Policia e Kosovës t’i largojë trupat mbi lumin Ibër? Si është bashkëpunimi momental me policinë në veri?
Qëndrimi i KFOR-it për urën e Ibrit ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës, dhe së fundmi është ripërsëritur nga Zëdhënësi i KFOR-it
- Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
- Duke kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
- Për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës.
- Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim me kohë dhe efektiv me Komunitetin Ndërkombëtar.
- Në ndërkohë, KFOR-i do të mbajë prezencën e tij fikse në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
- Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjata dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona.
- KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën.
- Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së.
Si e shihni rrezikun për sulm ushtarak nga Serbia në Kosovë, kur dihet se Serbia ka vënë në gatishmëri forcat ushtarake rreth kufirit?
Gjatë viteve, KFOR-i ka zhvilluar bashkëpunim të mirë me Forcat e Armatosura të Serbisë, siç dëshmohet nga vëzhgimet e KFOR-it në stërvitjet e kaluara dhe kontaktet e rregullta që kemi me homologët tanë serbë. Mbetem në kontakt të ngushtë me Shefin e Mbrojtjes së Serbisë, si dhe me institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë. Komunikimet dhe ndërveprimet e rregullta dhe transparente ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit të ndërsjellë për situatën, shmangin keqkuptimet dhe kontribuojnë në stabilitetin rajonal.
Ne vazhdimisht monitorojmë të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe rajonin. KFOR-i ka burime dhe pozicione të mira për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të adresuar çdo skenar sigurie, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.
Ende nuk ka përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjska?
NATO dhe KFOR-i kanë qenë shumë të qartë në këtë pikë gjatë gjithë kohës. Duhet të vërtetohen faktet dhe presim që autorët të mbajnë përgjegjësi.
Në vazhdën e dhunës së viteve të kaluara, ne kemi dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe pajisje më të rënda në Kosovë. Ne kemi rritur pozicionimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ata ishin hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së në mënyrë efektive. Ky ka qenë edhe përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.
Cili është mendimi juaj për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit?
Nuk do të ndërhyj në asnjë spekulim. Ne i kemi dënuar sulmet e dhunshme të papranueshme në Banjskë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë.
A ka ndërmarrë KFOR-i masa shtesë për të rritur nivelin e sigurisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë?
Fuqia e misionit tonë aktual përbëhet nga rreth 4600 trupa nga 29 vende kontribuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Një prani e tillë e fuqishme dhe e dukshme na lejon të monitorojmë në mënyrë efektive situatën dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së, në të gjithë Kosovën, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.