Veprimtari nga diaspora tregon se kë do e votojnë mërgimtarët në zgjedhje: Ai nuk erdhi për t’u pasuruar

Intervista

Veprimtari nga diaspora tregon se kë do e votojnë mërgimtarët në zgjedhje: Ai nuk erdhi për t’u pasuruar

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 tetor 2024 Në ora: 14:47
PhD. Dashnim Hebibi

Veprimtari nga diaspora dhe Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, PhD. Dashnim Hebibi, në një intervistë dhënë për "Bota Sot", ka folur për qeverisjen aktuale nga kryeministri Albin Kurti. Ai thotë se, për rreth katër vite pushtet, LVV ka pasur kohë të mjaftueshme për të përmbushur premtimet që ia kishte bërë zgjedhësve të saj dhe për t’i bindur qytetarët e Kosovës, sidomos ata që i kishin dhënë besimin, se ishte alternativa e duhur për të bërë ndryshimin e pritur.

Mirëpo, sipas tij, kjo periudhë e qeverisjes ka dëshmuar të kundërtën. Ai ka folur gjithashtu për zgjedhjet e reja, çështjen e Urës së Ibrit dhe dialogun me Serbinë. I pyetur për entuziazmin e diasporës për të votuar, ai thotë se diaspora duhet lënë rehat, nuk duhet të përdoret dhe se nuk duhet parë si fabrikë për prodhimin e të hollave.

“Bota sot”: Jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Si e vlerësoni qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje?

Dashnim Hebibi: Ju falënderoj fillimisht që po më mundësoni të jap këtë intervistë për gazetën kombëtare „Bota Sot“, për këtë gazetë që kam punuar në kohë të vështira edhe ate duke qenë gazetarë dhe pastaj edhe redaktorë për diasporë në redaksinë qendrore të Cyrihut. Jemi munduar të ruajmë etikën profesionale dhe t‘i shërbejmë lexuesit fjalën e lirë, prandaj edhe ishte gazeta më e dashur për të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat shqiptare. Sa i përket pyetjes, do të përgjigjem pa interes apo pa apetite politike, meqë jetoj në diasporë. Pra, nuk kam petkun politik dhe besoj shumë, se do të mirëpritet mirë nga apolitikët. Për rreth katër vite pushtet, LVV ka pasur kohë të mjaftueshme të përmbushë premtimet, të cilat ia kishte bërë zgjedhësve të saj dhe t‘i bindë qytetarët e Kosovës, e sidomos ata që i kishin dhënë besimin për të qeverisur, se ishte alternativa e qëlluar për ta bërë ndryshimin e pritur. Kjo periudhë gati katërvjeçare e ka dëshmuar të kundërtën e pritjeve tona, të bazuara në premtimet e bëra gjatë fushatës parazgjedhore. Në cilësinë e ndjekësit të zhvillimeve politike në Kosovë dhe jo vetëm, si dhe në cilësinë e një të mërguari, vlerësoj se ndryshimi në Kosovë vërtetë ka ndodhur, veçse hapërimi politik e ekonomik është bërë prapa, pra është shënuar regres i përgjithshëm. Rënia e standardit të jetesës për qytetarët e Kosovës, për shkak të ngritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe stagnimit të ngritjes së domosdoshme të pagave të punëtorëve, në përgjithësi, e veçanërisht në sektorin publik, është vënë re gradualisht edhe te ne, si mërgimtarë, që e vizitojmë vendlindjen, të paktën një herë në vit. Kjo është lehtësisht e matshme për ne, sepse vite më parë, ne kishim mundësi të qëndronim më gjatë në Kosovë me shumën e parave të kursyera për të kaluar pushimet në vendlindje. Viteve të fundit, për shkak të ngritjes së çmimeve të produkteve elementare ushqimore, shumë prej nesh jemi detyruar të shkurtojmë qëndrimin në Kosovë gjatë pushimeve sezonale. Si përkufizim real i gjurmëve që ka lënë LVV gjatë këtij mandati në qeverisje, mendoj objektivisht që Kosova, më së shumti ka humbur në sferën ndërkombëtare, duke lëkundur besimin e aleatëve strategjikë, pa të cilët, vështirë se mund të garantohet paprekshmëria e saj territoriale dhe serioziteti, si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Të gjithë e dimë ngase kemi parë me sytë tanë, egoja politike nuk na duhet, sado i fortë të jesh, qofsh në pozitë apo në opozitë.

“Bota sot”: Zgjedhjet e fundit sollën ndryshime pas disa vitesh në qeverisje. A mund të ketë sërish ndryshime në zgjedhjet e reja?

Dashnim Hebibi: Këtë do ta përcaktojnë sërish zgjedhësit (votuesit), të cilët, brenda Kosovës, mendoj që kanë pasur kohën e duhur të reflektojnë për këto katër vite. Uroj që edhe bashkëkombësit e mi, si përfaqësues të diasporës së Kosovës nëpër Evropë e më gjerë, të kenë mësuar nga besimi i tepruar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje!

“Bota sot”: Ҫështja e Urës së Ibrit e iniciuar nga qeveria u kritikua nga ndërkombëtarët dhe opozita në anën tjetër. Sipas juve, a është momenti që të hapet kjo urë?

Dashnim Hebibi: Vlerësoj se rezistimi i hapjes së kësaj ure për dy dekada e gjysmë, nga çlirimi i vendit, na lë të kuptojmë se ajo (ura) është duke shërbyer si mekanizëm kushtëzues i situatës edhe ashtu të brishtë të sigurisë në Kosovë. Mendoj që ura është vetëm simbolikë e një strategjie të fshehtë, e cila nuk i nënshtrohet vullnetit të qeverisë apo komuniteteve që jetojnë në të dy anët e kësaj ure.

“Bota sot”: Pse ndërkombëtarët reaguan kundër kësaj ideje të kryeministrit Kurti?

Dashnim Hebibi: Hapja për qarkullim e kësaj ure ka qenë ide, dëshirë dhe objektiv i çdo qeverie të Kosovës që nga paslufta. Me urën e hapur, elementi kushtëzues i shteteve të QUINT-it ndaj cilësdo qeverie të Kosovës, do të zbehej. Kujtoni në retrospektive që nga viti 2000 e deri sot, nëpër sa faza kushtëzimesh ka kaluar vendi ynë. Hapja e urës simbolizon vetëm kushtëzimin e radhës, që nuk do të thotë se nuk do të ketë të tjera. Fakti që ajo urë po vazhdon të qëndrojë e mbyllur, duhet të na shërbejë si një paralajmërim se shkëmbimi i territoreve mbi baza etnike shihet si mundësi e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike midis Kosovës e Serbisë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi?

Dashnim Hebibi: Personalisht, nuk kam pritje që dialogu do të prodhojë diçka të favorshme për Kosovën me këtë qeveri të drejtuar nga LVV, e cila ka nxitur shpresë të pabazuar te qytetarët, duke u shprehur haptazi kundër këtij dialogu, para se të vinte në pushtet. Nuk është e lehtë të dialogohet me Serbinë kur dihet se kush është drejtues i shtetit të Serbisë dhe me kënd është në garniturë. Edhe bota demokratike e dinë mirë, se cila është qeveria e Serbisë. Shpresojmë shumë nga SHBA dhe miqtë tjerë Evropian që të përshpejtojnë dhe t‘i ndalin apetitet e qeverisë serbe.

“Bota sot”: Meqë jetoni në diasporë, si e shihni entuziazmin e mërgimtarëve për të votuar në zgjedhjet e reja në Kosovë?

Dashnim Hebibi: Kisha dashur që diasporën tonë ta lënë të qetë. Shumë shpesh kemi takime nga Kosova me politikan dhe dihet se për çka vijnë. Diaspora duhet të merret me veten e saj. Tashmë e kemi shtetin e pavarur të Kosovës dhe do të duhej që shteti i Kosovës të kontribuoj më shumë për diasporën dhe jo të shikohet diaspora si fabrikë që prodhon të holla. Nuk dua të ndalem te kontributi i diasporës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Padyshim, se do të duhej që ata që kanë mundësi të investojnë në Kosovë, por edhe kushtet duhet krijuar maksimalisht. Po vijnë gjeneratat e reja të mërgatës dhe kuptohet se nuk është edhe mentaliteti i tyre ekonomikë që të investohet kur për një dokument duhet pritur gjatë dhe probleme të tjera. Sa e sa të rijnë po shkollohen në diasporë, kontributi i tyre do të ishte i mirë për Kosovën, por duhet krijuar kushte. Ne nuk kemi në Kosovë një muze të diasporës. Kam kërkuar dhe ju kam drejtuar zyrtarisht për këtë muze ku edhe kam projektin, por nuk kam përgjigje. Do të ishte mirë, që të kemi muzeun e diasporës, ku do të ishte përplot me gjëra të mira të atyre që kanë dhënë jetën për pavarësi, lobistëve, atdhetarëve e bamirësve. Ky muze do të ishte i mirëpritur edhe për gjeneratat e reja të diasporës që po rriten e edukohen larg vendit të të parëve. Nuk besoj se një mërgimtarë, kjo gjenerata e tretë apo e katërt e tjerat që do të vijnë, nuk do të ndalen pa e vizituar muzeun. Sa krijues kemi në diasporë, sa artistë e kështu me radhë. Pastaj shiko shkollën plotësuese shqipe LAPSH-i „Naim Frashëri“ se në çfarë situate është. Nuk është ndihmë nëse vijnë nëpër festa që organizohen nga LAPSH-i por të ndihmohet në projekte konkrete, ku kemi sa të duash. Pastaj, mendoj dhe do të duhej, që diplomacinë e Kosovës nëpër diasporë ta drejtojnë diaspora jonë, sepse kemi sa të duash diplomat që po shkollohen nëpër Evropë e SHBA dhe këta janë fëmijët e atyre mërgimtarëve që gjithçka kanë dhënë që Kosova të jetë e çliruar dhe e pavarur. Kjo do ti shërbeje lidhjeve më të mira dhe të përjetshme mes diasporës dhe atdheut të të parëve. Nuk dua të zgjatem në këtë temë, sepse nuk ka fund.

Duke qenë i pranishëm në shumë organizime kudo nëpër Evropë e deri në SHBA ku ka diasporë shqiptare, kohëve të fundit kam vënë re dëshpërim nga kjo mënyrë e qeverisjes për këto vitet e fundit. Diaspora e Kosovës do ta ketë rastin në zgjedhjet e radhës që të dëshmojë se dje kishte votuar një individ, për të cilin pati besim të verbër, dhe që nesër do të ia japë besimin një individi të ri, i cili, gjatë karrierës së tij politike ka pasur performancë të lakmueshme, me të cilën nuk e ka dëshpëruar askënd. Këtu kujtoj Faik Konicën, Ali Asllanin, Fishtën, Nolin etj. Mendoj, se Kosovës duhet ti rikthehet edhe atë sa më shpejt që të jetë e mundur, Presidenti, z.Behgjet Pacolli. Ai nuk kishte ardhur dhe nuk vjen për tu pasuruar. Presidenti Pacolli ka vepruar dhe vepron në diasporë dhe koha e tij sa ishte në politikë aktive në Kosovë, ka kaluar nëpër aeroplan duke lobuar për të mirën e Kosovës dhe sukseset dihen. Ta shikojmë gjendjen pa emocione politike. Emocionet duhet lënë anash. Shpesh emocionet mendojmë se janë të mira në shkencë apo politikë.

E dimë, se ku mundemi t‘i përdorim emocionet. E dimë të gjithë, se z.Pacolli nuk është ndalur për të mirën e Kosovës dhe sa e njoh personalisht, ai nuk ndalet as sot e kësaj dite, pa shikuar se kush është drejtues i qeverisë, por punon për të mirën e asaj toke. Hiq më larg se para një jave, pash një postim të tij në FB se ishte në SHBA për të lobuar për Kosovën dhe me shpenzimet e tija. Shpenzimet e tija edhe më herët kanë shërbyer për t‘i sjellë njohje të reja Kosovës. Për të zbutur varfërinë dhe duke dhënë qytetarëve që kanë pasur nevojë. Edhe më herët ka vepruar në këtë mënyrë, por edhe duke mos pranuar edhe pagën e tij dhe duke ia shpërndarë atyre që kanë nevojë. Është e rëndë, të mos i pranojmë të mirët dhe të mos jemi prapa tyre. Mjaft paragjykimeve, thashethemeve. Ta shikojmë më mirë dhe në realitet të ardhmen. Gjatë një interviste që e pata zhvilluar me z.Pacolli, para disa viteve, ndër të tjera më patë thënë: „Fatkeqësi është, por realitet, që disa munden me ia fal gjakun e babës, vëllait e djalit..., por suksesin nuk ta falin“. Besoj shumë, se Kosova ka nevojë për investime të reja e jo për retorikë, apo siç kemi dëgjuar, ta provojnë edhe ata edhe këta, sepse po kemi ngecje edhe në zhvillim ekonomik. E di, se do të aludoj lexuesi se qenksha në partinë e z.Pacolli, por nuk jam, por duhet thënë e vërteta, ngase unë vij nga Lugina e Preshevës dhe nuk kam as shtetësi të Kosovës, plus jam në diasporë. Ndoshta edhe z.Pacolli nuk do të merrej me politikë, sepse e kanë lodhur ndoshta, por e di se nuk do të dorëzohej, megjithatë jam për të bardhën, jam për atë që e shoh me sy dhe jo atë që nuk e shoh. Kështu, diaspora jonë do t`i tregojë të gjithëve që nuk meriton të shfrytëzohet si trampolinë për të ardhur në pushtet dhe për t'u harruar menjëherë pas javës së parë të qeverisjes.

“Bota sot”: Kosova po zbrazet, një pjesë e madhe e qytetarëve po ikin drejtë mërgimit. Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që duan të emigrojnë në kurbet?

Dashnim Hebibi: Duke qenë vet i mërguar, nuk e di se sa kam të drejtë morale t'u bëj thirrje bashkatdhetarëve të mi të qëndrojnë në Kosovë edhe pse koha kur kam ardhur në diasporë ishte krejt ndryshe nga e sotmja, ku nuk dua të ndalem për këtë. Sidoqoftë, nga përvoja ime jetësore, kam mësuar që njeriu duhet të jetojë aty ku e gjen vetën të vlerësuar, në një vend, i cili i ofron perspektivë për jetesë të dinjitetshme. Ne që po jetojmë jashtë trungut amë, trupin e kemi këtu, e mendjen atje. Mbase është koha që trupi t‘i bindet mendjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat