Deputeti i VV-së për zgjedhjet e 9 shkurtit: Nuk do të ketë nevojë për koalicion fare, gara do të zhvillohet për vendin e dytë

Intervista

Deputeti i VV-së për zgjedhjet e 9 shkurtit: Nuk do të ketë nevojë për koalicion fare, gara do të zhvillohet për vendin e dytë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 tetor 2024 Në ora: 17:48
Vendenis Lahu

Për aktualitetin në vend dhe vendimet e fundit të marra nga kryeministri Albin Kurti, ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu.

Lahu thotë se përfaqësimi i Kosovës nga zyrtarët e saj në CEFTA është një fitore diplomatike.

Sa i përket vendimit për rritjen e pensioneve, deputeti thekson se kjo nuk është për fushatë, por se rritja e pensioneve ka qenë e nevojshme.

Kurse, në lidhje me zgjedhjet, deputeti Lahu thekson se gara do të jetë për vendin e dytë, sepse, sipas tij, fituesi s’ka alternativë. Ai shpreh bindjen se nuk do të ketë nevojë për një koalicion, sepse përmes votës masive popullore do të prodhohet një qeveri që nuk mund të kushtëzohet.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën në vend?

Vendenis Lahu: Situata në vend konsideroj se është e qetë momentalisht, përfshirë edhe veriun ku situata është paksa më komplekse por se është diametralisht e ndryshme nga sa ka qenë deri më tani.

“Bota sot”: Zoti Lahu, si patë vendimin e Kurti për heqjen e kufizimit në Merdare për mallrat nga Serbia?

Vendenis Lahu: Vendimi për ndryshimin e masës për produktet serbe nga kufizimi në kontroll të shtuar duhet parë në kontekstin e procesit të Berlinit, pjesëmarrja në të cilin është e rëndësishme për Kosovën dhe po ashtu pjesëmarrja në tregun rajonal përmes CEFTA-s. Mendoj se në rrethanat në të cilat jemi ka qenë vendim i matur dhe në të njëjtën kohë mos përfaqësimi ynë nga UNMIKU por përfaqësimi si Kosovë është një fitore diplomatike për vendin tonë.

“Bota sot”: Po vendimin për pesnionet si e komentoni, a i bie të jetë vendim para zgjedhjeve?

Vendenis Lahu: Vendimi për pensionet konsideroj se është veprim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe e mirëpres. Pensionet ka qenë e nevojshme të rriten dhe duke qenë se rritja e tyre është bërë duke pasur parasysh nevojën për rritje të tyre, nuk mendoj se duhet të shihet në atë prizëm. Qeveria vazhdimisht gjatë gjithë mandatit ka qenë në mbështetje të qytetarëve me anë të masave të ndryshme te cilat edhe atëherë nga eksponentë të caktuar janë konsideruar elektorale, prandaj mendoj se ky është edhe një argument më shumë se nuk duhet parë si e tillë.

“Bota sot”: Si i ka parë partia juaj kritikat e faktorit ndërkombëtar ndaj Kurti si kryeministër?

Vendenis Lahu: Kritikat e herëpashershme ndaj kryeministrit i kemi parë në dritën e vendimeve të cilat i ka marrë qeveria e të cilat kanë qenë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim, mendoj unë. Për shumë nga kritikat, mendoj se argumentet që kanë bërë bazën e kritikës nuk kane qenë mjaftueshëm bindëse ose kanë qenë qëndrime paksa ledhatuese ndaj Serbisë e për të cilat kemi konsideruar se nuk është se i shërbejnë avancimit të paqes dhe stabilitetit të rajonit, duke qenë se Serbinë e njohim fare mirë.

“Bota sot”: Kurti ka thënë që anëtarët e VV-së të mos bëjnë garë mes vete gjatë zgjedhjeve, si e komentoni ju këtë, a ka garë mes jush brenda partisë?

Vendenis Lahu: Sigurisht se ka garë për shkak se nga lista e VV-së në kuvend nuk do të ulen të 110 kandidatët, porse kjo garë konsideroj se duhet të jetë e shëndetshme ashtu siç ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara dhe nuk shoh ndonjë arsye që të mos jetë e tillë.

“Bota sot”: Koha po kalon dhe po afrohen zgjedhjet nacionale, cili është parashkrimi juaj, dhe ju vet a do të kandidoni sërish për deputet?

Vendenis Lahu: Mendoj se gara do të zhvillohet për vendin e dytë, sepse fituesi mendoj se nuk ka alternativë as në këto zgjedhje. Qytetarët gjatë gjithë mandatit i kanë dhënë mbështetje të madhe Kryeministrit dhe Qeverisë dhe mendoj se kjo do të reflektohet edhe në rezultatin e zgjedhjeve që po vijnë. Për pjesën e kandidaturave, ato mbeten për t’u parë, sepse janë disa procese të brendshme statutare të cilat do të nxjerrin listën e kandidatëve.

“Bota sot”: Në rast të ndonjë koalicioni, me cilën parti keni qëndrime më të përafërta?

Vendenis Lahu: Mendoj se nuk do të ketë nevojë për koalicion fare, sepse besoj se është dëshmuar që mënyra më e mirë për të shtyre agjendën tonë të drejtësisë, zhvillimit e progresit të gjithmbarshëm është përmes votës masive popullore e cila do të prodhojë një qeveri e cila nuk mund të kushtëzohet qoftë nga lista serbe si në të kaluarën e qoftë edhe nga partnerë koalicioni tjerë jashtë koalicionit me Listën Guxo dhe Alternativën me të cilët kemi qeverisur këtë mandat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat