Në një intervistë prë “Bota sot”, për zhvillimet në vend ka folur deputetja e LVV-së, Adelina Granica.
Sigurinë në vend, deputetja e vlerësoi si stabile dhe nën kontroll.
Për kritikat e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë Kurti, ajo thotë se pavarësisht, mes Qeverisë dhe aletatëve, ka koordinim të ngushtë, veçanërisht me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, ku shtoi se çdo kritikë është mundësi për përmirësim të mëtutjeshëm.
Derisa, largimin e deputetëve nga partia nuk e sheh si pastrim ose edhe dëmtim të partisë. Sipas saj, largimi nga partia është vendim i pavarur i secilit.
Kurse, sa i përket zgjedhjeve nacionale, ajo thotë se do të kandidoj për deputete edhe kësaj radhe, dhe se sipas saj siç shihet në terren Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetje masive.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Zonja Grainca, si e vlerësoni situatën në vend?
Adelina Grainca: Situata sa i përket sigurisë në vendin tonë, përgjithësisht, është stabile dhe nën kontroll. Kemi arritur ta ruajmë dhe forcojmë integritetin territorial dhe sovranitetin në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Përkundër sfidave të ndryshme, ne kemi sistem funksional maksimal, ku institucionet janë të qëndrueshme dhe demokratike. Forcimi i shtetit tonë është proces i vazhdueshëm dhe në këtë drejtim kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara.
Megjithatë, është e domosdoshme të mbajmë nivel të lartë të vigjilencës për shkak të fqinjit tonë, Serbisë, e cila ende nuk e ka pranuar realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Kjo situatë bëhet edhe më komplekse për shkak të aleancës së ngushtë që Serbia ka me Rusinë, akter që vazhdimisht përpiqet ta nxitë destabilizimin në rajon dhe më gjerë. Shembulli më i mirë është ngjarja në Banjskë, ku forcat serbe u përpoqën të shkaktonin trazira dhe tensione të rënda në veri të vendit tonë. Këto janë përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar Kosovën dhe për ta sfiduar integritetin tonë territorial.
Por, për fat të mirë, ne jemi të përgatitur. Republika e Kosovës ka forcuar kapacitetet ushtarake dhe të sigurisë. Ushtria jonë po modernizohet dhe po bëhet gjithnjë e më e aftë për të mbrojtur kufijtë dhe popullin tonë. Po ashtu, kemi Policinë më profesionale dhe më të përgatitur në rajon, e cila ka demonstruar aftësinë e saj në menaxhimin e situatave të vështira dhe në ruajtjen e rendit publik. Kjo na jep besim se jemi në rrugën e duhur për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në vend.
“Bota sot”: Si i patë vendimet e Kurtit për heqjen e kufizimit në Merdare për mallrat nga Serbia dhe vendimin për pensionet?
Adelina Grainca: Nëse flasim për vendimin e fundit të Qeverisë Kurti në lidhje me pikën kufitare në Merdare, dua të theksoj se kufizimet për mallrat nga Serbia ende ekzistojnë, vetëm se janë në një formë tjetër. Në vend të bllokadës së plotë, institucionet tona kanë vendosur kontrolle të shtuara dhe inspektime të rrepta mbi mallrat që hyjnë nga Serbia. Doganat dhe inspektoratet tona janë të përkushtuara që çdo produkt që hyn në Kosovë të përmbushë standardet tona të cilësisë dhe sigurisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e mjedisit politik dhe ekonomik të ndërlikuar me Serbinë, e cila haptazi shpërfaqë përpjekjet për kërcënime e shkelje të marrëveshjeve me vendin tonë.
Ajo që dua të theksoj është se për ne si shtet është jashtëzakonisht e rëndësishme pjesëmarrja në marrëveshjet e forumet rajonale, sidomos për tregtinë e lirë - CEFTA, që ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e mundësive për eksportet tona. Një nga fitoret më të mëdha në këtë drejtim është fakti që tashmë përfaqësohemi në CEFTA si shtet i pavarur, dhe jo më nga UNMIK-u, siç ishte rasti deri më tani. Ky është hap shumë i rëndësishëm për sovranitetin dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, pasi njohja e Kosovës si shtet nga organizatat rajonale dhe ndërkombëtare është përparim i madh për ne.
Në lidhje me vendimin për rritjen e pensioneve, kjo është një nga politikat më të suksesshme sociale të Qeverisë Kurti. Rritja prej 20% e pensioneve është vetëm vazhdimësi e përpjekjeve tona për të mbështetur kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Kjo rritje është pjesë e një pakete më të gjerë të ndihmave ekonomike që janë bërë të mundshme falë një menaxhimi më të mirë të burimeve publike dhe luftës së suksesshme kundër korrupsionit. Paratë që më parë përfundonin në rrjete të paligjshme tani po kthehen tek qytetarët, duke i ndihmuar ata në jetën e përditshme.
“Bota sot”: Pse gjithë këto kritika nga ndërkombëtarët ndaj qeverisë Kurti?
Adelina Grainca: Kritikat që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë janë pjesë e një dialogu të hapur dhe të vazhdueshëm me institucionet tona. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se në demokracitë e zhvilluara, kritikat nuk janë gjithmonë shenjë e ndarjes. Përkundrazi, ato shpesh janë konstruktive dhe ndihmojnë në përmirësimin e politikave dhe performancës së Qeverisë. Qëllimet tona strategjike si forcimi i rendit dhe ligjit në vend si dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, mbeten të pandryshuara dhe identike me atë çfarë duan e angazhohen partnerët tanë ndërkombëtarë.
Sigurisht, ka pasur momente kur ndonjë veprim i Qeverisë mund të ketë ngjallur shqetësime tek partnerët ndërkombëtarë, por këto janë diskutuar dhe janë adresuar në mënyrë të rregullt. Ka koordinim të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve tanë, veçanërisht me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian dhe çdo kritikë është mundësi për përmirësim të mëtutjeshëm. E rëndësishme është që vizioni për një Kosovë të fortë, demokratike dhe të integruar në familjen ndërkombëtare është i përbashkët. Ne ndajmë qëllimin për të promovuar stabilitetin në rajon dhe për të forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Bota sot”: Dy deputetë u larguan nga Lëvizja, si e komentoni ju, është “pastrim” apo dëmtim i partisë?
Adelina Grainca: Largimi i dy deputetëve nga Lëvizja VETËVENDOSJE! është rezultat i vendimit të tyre të lirë dhe të pavarur. Nuk mendoj se duhet parë si pastrim apo dëmtim i partisë. Në politikë, të tilla lëvizje janë normale kur mbi bazën e vlerësimeve individët arrijnë në konkluzione racionale se si e shohin të ardhmen dhe vizionin e përgjithshëm politik e kjo vlen sidomos kur kemi të bëjmë me demokraci të zhvilluar e një parti të madhe si VETËVENDOSJE!. Deputetët që kanë vendosur të largohen kanë arritur në atë vendim bazuar në bindjet e tyre personale dhe unë uroj që ata të kenë sukses në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm.
Ajo që është më e rëndësishme si parti është qëndrimi i fortë ndaj parimeve dhe vlerave që janë promovuar që nga fillimi. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka treguar se është organizatë me vlera të qarta dhe me qëllim të përbashkët për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Largimet individuale nuk ndryshojnë as parimet dhe as përkushtimin ndaj vizionit për të ndërtuar shtet të drejtë dhe demokratik.
“Bota sot”: A mendoni se Kurti për këtë 4 vjeçar i ka përmbushur premtimet e bëra për qytetarët?
Adelina Grainca: Gjatë këtij mandati kemi qenë dëshmitarë të një pune të madhe dhe të përpjekjeve të palodhshme për të përmbushur zotimet e dhëna ndaj qytetarëve. Qeveria Kurti ka bërë ndryshim të prekshëm në mënyrën si funksionon shteti dhe shoqëria jonë. Dallimi me të kaluarën është evident – reformat janë të thella dhe rezultatet janë konkrete.
Një nga sukseset më të mëdha ka qenë shuarja e strukturave paralele në veri të vendit dhe vendosja e rendit dhe ligjit në atë pjesë të Kosovës, gjë që nuk ishte e imagjinueshme deri para pak kohësh. Përndjekja e kriminelëve që operonin në atë zonë, ndalja e kontrabandës dhe vendosja e plotë e autoritetit të institucioneve të Kosovës atje janë arritje historike. Këto hapa kanë sjellë ndjesi të re sigurie për qytetarët tanë, veçanërisht për ata që jetojnë në veri, dhe tregojnë angazhimin e Qeverisë për shtet me funksionalitet të plotë kudo.
Për më tepër, Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në fusha të tjera kyçe, si ekonomia e mirëqenia sociale. Në fushën ekonomike, menaxhimi i mirë i financave publike dhe lufta kundër korrupsionit kanë mundësuar që fondet e shtetit të përdoren për të ndihmuar drejtpërdrejt qytetarët, siç është rasti i rritjes së pensioneve dhe politikave të tjera të mbështetjes sociale.
Pra, përmbledhtazi, jo vetëm që janë përmbushur shumë nga premtimet e dhëna, por janë ndërmarrë edhe masa që kanë sjellë ndryshime të prekshme, të cilat do të forcohen dhe thellohen në mandatin e ardhshëm, duke sjellë edhe më shumë përfitime për qytetarët tanë.
“Bota sot”: Zgjedhjet nacionale po afrohen, cili është parashikimi juaj, dhe ju vet a do të kandidoni sërish për deputete?
Adelina Grainca: Po, unë do të jem në listën për deputete nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky është nder dhe përgjegjësi për të cilën jam thellësisht e përkushtuar, sepse besoj në vizionin dhe platformën që Lëvizja ka për të ardhmen e vendit tonë. Jam e bindur se ka ende shumë për të bërë dhe për të përmbushur në interes të qytetarëve tanë.
Sa i përket rezultatit zgjedhor, unë nuk jam as parashikuese dhe as opinioniste. Por ajo që mund të them me siguri është se nga takimet dhe kontaktet e shumta që kam pasur me qytetarët në terren si dhe nga matjet e pavarura të opinionit publik, shihet mbështetje masive për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për Kryeministrin Albin Kurti. Qytetarët e kanë parë dhe i vlerësojnë ndryshimet reale që janë bërë gjatë këtij mandati dhe ka besim të thellë se vetëm me VETËVENDOSJE! mund të ecim përpara në rrugën e reformave të thella dhe të qëndrueshme.
Kjo mbështetje e madhe që vërehet në terren është reflektim i asaj që qytetarët vlerësojnë – integritetin, përkushtimin dhe vullnetin për të bërë ndryshimin e duhur për Kosovën. Ndaj, jam e sigurt që në këto zgjedhje do të dalim të suksesshëm dhe do të vazhdojmë të udhëheqim me vizionin tonë për shtet të drejtë dhe demokratik.